Zhukovi, telegram Hrushovit: Dakord me Enverin për Bazën Ushtarake të Vlorës

redaktor

Vijon nga numri i kaluar)

 

Projekti rus për Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit në Shqipëri, një nga synimet kryesore të vizitës së Zhukovit në vendin tonë, përballet me gatishmërinë e plotë të Enver Hoxhës. Midis të tjerave, Hoxha kërkon ndihmë për fuqizimin e Bazës dhe vënien e saj në shërbim të Traktatit të Varshavës kundër forcave të NATO-s në Mesdhe. Për këtë, Zhukovi i dërgon menjëherë telegram në Moskë. Biseda e Hoxhës dhe Zhukovit dhe telegramet e 24 tetorit dhe 25 tetorit 1957 gjenden në arkivat sekrete ruse të kësaj periudhe (përfshirë dhe në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut) jepen në vazhdim…

(Telegram i ministrit të Mbrojtjes të BRSS, G. K. Zhukov, drejtuar KQ të PKBS, mbi ecurinë e vizitës dhe bisedimet me udhëheqësit e Shqipërisë)

24 tetor 1957

Tepër sekret

I veçantë, jashtë radhe.

Vetëm anëtarëve të Presidiumit të KQ të PKBS

 

Gjatë qëndrimit në Shqipëri ne vizituam Universitetin Shtetëror, Kombinatin e Tekstileve, Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në qytetin e Tiranës, shkuam në qytetin e Vlorës dhe të Korçës, në një kooperativë bujqësore dhe ishim të pranishëm në stërvitjen e trupave (ushtarake – red.) në malet afër qytetit Korçës. Personalisht u njoha me hollësi mbi bregdetin e detit Adriatik nga qyteti i Vlorës deri tek porti i Shëngjinit.

Gjatë udhëtimit në vend, u takuam me punëtorë, fshatarë, intelektualë, me ushtarë e oficerë të Ushtrisë Shqiptare. Të gjitha takimet ishin të ngrohta. Në rrugët e qyteteve ku vajtëm kishte dalë pothuajse e gjithë popullata, me pankarta, për nder të Bashkimit Sovjetik, Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, me portretet e anëtarëve të Presidiumit të KQ të PKBS. I tërë populli shqiptar demonstroi dashuri të zjarrtë dhe miqësi ndaj Bashkimit Sovjetik. Dashuria dhe besnikëria e popullit shqiptar për popujt e Bashkimit Sovjetik u demonstrua veçanërisht qartë, sot në mitingun prej 70.000 vetash, në qytetin e Tiranës. Në miting folën shoku Mehmet Shehu dhe unë (tekstet e fjalimeve janë dhënë nga TAAS). Mitingu demonstroi frymën e lartë politike. Mund të thuhet me siguri, se ne kemi popullin shqiptar mik të sigurt dhe besnik.

Partia e Punës e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me popullin dhe gëzon autoritet e besim të plotë. Partia dhe udhëheqja e saj, me në krye E. Hoxhën e kuptojnë drejtë rëndësinë e miqësisë së popujve të Bashkimit Sovjetik, të Shqipërisë dhe të gjithë Kampit Socialist. Byroja Politike e Partisë së Punës e vlerëson domosdoshmërinë e përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Të gjithë shokët shqiptarë, me një pranim të jashtëzakonshëm mbrojnë qëndrimin ndaj vendimeve të Plenumit të qershorit të KQ të PKBS, masave të qeverisë shqiptare për rindërtimin e ekonomisë popullore, politikës ndërkombëtare që ndjek partia jonë, në veçanti për çështjen siriane. Mund të thuhet pa u gabuar, se Partia e Punës e Shqipërisë qëndron fort në pozitat e marksizëm-leninizmit dhe është e aftë që me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik, të zgjidhë me sukses detyrat e ndërtimit të socializmit në vend.

Ushtria Shqiptare është e aftë për luftë. Ajo ka kuadro nga radhët e oficerëve, 100% e të cilëve janë anëtarë të Partisë së Punës, shumica e tyre ka ndjekur studimet në Bashkimin Sovjetik. Ushtarët, rreshterët dhe oficerët treguan në stërvitjen e zhvilluar një qëndrueshmëri dhe shkathtësi të mirë gjatë veprimeve në male.

Edukimi ideologjik në ushtri është i mirë. Vend shumë të dobët në përgatitjen e ushtrisë përbëjnë problemet e mbrojtjes kundërajrore dhe antidesante dhe metodat e vjetruara të përgatitjes së reparteve të ushtrisë.

Vëmendje të veçantë, meriton çështja e mbrojtjes së bregdetit të Shqipërisë dhe përdorimi i tij për dislokimin e nëndetëseve, më qëllim që ato të veprojnë në detin Mesdhe.

Pasi pashë me hollësi portin e Vlorës, bazën e nëndetëseve që ndërtohej atje dhe vijën e mbrojtjes së bregut të detit Adriatik nga toka dhe deti, arrita në konkluzionin mbi domosdoshmërinë e forcimit serioz të mbrojtjes së bregut dhe bregdetit shqiptar e cila nga pikëpamja strategjike është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë Kampin Socialist.

Një masë e tillë lejon të mbrohet me siguri bregdeti nga deti, të bëhet luftë kundër mbrojtjes antianije të armikut në Kanalin e Otrantos, gjë që mund të sigurojë kalimin e nëndetëseve tona në detin Mesdhe.

Për të gjitha çështjet, që lidhen me organizimin e forcave të armatosura të Shqipërisë, nesër në rezidencën time, më 25 tetor do të bëhet një bisedë speciale, me shokët E. Hoxha, M. Shehu dhe B. Balluku, të cilët m’u lutën të ndaja me ata vërejtjet e mia.

Më 26 tetor unë do të jem në Moskë.

G. Zhukov 

(Burimi:KPSS… AP RF, F. 3, Op. 50, D. 239, L. 58-61. Nr. 40. Origjinale).

 

*        *       *

(Telegram i ministrit të Mbrojtjes së BRSS, G. K. Zhukov, drejtuar KQ të PKBS, mbi bisedimet me E. Hoxhën)

25 tetor 1957

I veçantë, tepër sekret

Vetëm anëtarëve të Presidiumit

 

Sot, më 25 tetor, në godinën e KQ të Partisë pata një bisedë konfidenciale me shokun Enver Hoxha, sipas kërkesës së tij personale. Në bisedë, nga pala shqiptare morën pjesë shokët: M. Shehu, B. Balluku dhe H. Kapo, nga pala jonë, asistoi ambasadori i BRSS në Shqipëri, shoku Ivanov.

Në fillim të bisedës, shoku Enver Hoxha shfaqi mendimin mbi qëndrimin tim në Shqipëri. “Populli ynë, partia dhe qeveria e konsiderojnë vizitën tuaj si ngjarje shumë të rëndësishme. Ne kemi besim se vizita juaj ka forcuar shumë autoritetin e partisë sonë dhe do të ushtrojë ndikim pozitiv, në punën e mëtejshme të partisë dhe qeverisë, në ndërtimin e socializmit dhe përforcimin e mbrojtjes së vendit” – tha ai.

Më tej, shoku Enver Hoxha u ndal në situatën e brendshme të vendit.

“Për sa i përket situatës së brendshme, partia jonë e konsideron atë të fortë dhe të mirë. Gjendja morale dhe aspiratat e popullit janë të larta, partia është e lidhur ngushtë me popullin, mbi bazën e mbrojtjes së parimeve të marksizëm-leninizmit. Siç ekziston lidhja dhe uniteti i partisë dhe popullit, ashtu ekziston dhe miqësia e popullit tonë për Bashkimin Sovjetik, ato janë të pandashme dhe të lidhura ngushtë.”

“Pavarësisht, se niveli i përgjithshëm kulturor i popullit tonë është relativisht i ulët dhe se ne kemi pak përvojë, megjithatë ne kemi kuadrot tona, të cilët përvetësojnë me sukses teknikën edhe në çështjet e përdorimit të mundësive të brendshme të ekonomisë sonë popullore, e cila ecën në rrugë të drejtë. Kuadrot tona e kuptojnë drejtë ndihmën që na jep Bashkimi Sovjetik dhe e përdorin këtë në punën e tyre.”

“Ne gjithmonë e kemi menduar dhe mendojmë – vazhdon Enver Hoxha – se ndihma e Bashkimit Sovjetik, është një nga faktorët kryesorë në ndërtimin e socializmit. Vendimi i fundit i KQ të PKBS, mbi likuidimin e borxhit, në shumën 422 milion rubla, na dha mundësi që të zhvillojmë forcat prodhuese me ritme më të larta. Planin në vitin 1958, ne do ta tejkalojmë në të gjitha fushat e ekonomisë popullore, për shembull, për naftën këtë vit do të realizohet plani i vitit 1960. Këtë vit, ne patëm të korra të mira edhe për kulturat bujqësore si pambuk, grurë, misër, ullinj, rrush. Lidhur me treguesit e mirë – thotë më poshtë shoku E. Hoxha – ne kemi vendosur të rishikojmë planin për tre vitet e mbetura nga plani i dytë 5-vjeçar, në drejtim të rritjes së bujqësisë me 20-25% dhe industrisë me 10-15%, pa investime suplementare. Përveç kësaj, kredia suplementare që na ka vënë në dispozicion Bashkimi Sovjetik, na hap perspektivën e rritjes së mëtejshme në veçanti, në fushën e bonifikimit.”

Më tej, shoku Enver Hoxha tha: “Ju lutemi juve shoku Zhukov, që në emër të KQ të Partisë dhe qeverisë sonë, t’i transmetoni KQ të PKBS dhe qeverisë sovjetike, se do të bëjmë gjithçka, për të kryer detyrat që dalin nga ndihma e përbashkët, e realizuar nga Bashkimi Sovjetik dhe ne këtë do ta bëjmë. Si rezultat i punës sonë, duke kaluar vështirësi të konsiderueshme, niveli jetik i popullit vazhdimisht përmirësohet, megjithëse edhe tani ai është i ulët.”

Pastaj, E. Hoxha kalon te çështja e mbrojtjes së vendit. Sikurse në të gjitha fushat e ushtrisë sonë, ashtu edhe në fushën e mbrojtjes, ne marrim ndihmën tuaj. Populli ynë e do ushtrinë. Të rinjtë shkojnë me entuziazëm për të shërbyer në ushtri, duke e konsideruar ushtrinë si shkollë. Kushdo, pasi ka shërbyer në ushtri rrit shkollimin, kulturën, merr përgatitje të larta politike dhe pastaj futet në punë në ekonominë popullore si çdo njeri tjetër, gjë që shprehet padyshim në ngritjen e nivelit të përgjithshëm kulturor të popullsisë.

Gjendja moralo-politike e ushtrisë, armatimi dhe përgatitja luftarake na lejojnë të mendojmë se ushtria ka bërë shumë, megjithëse, në të ka dhe mungesa të cilat ne do t’i evitojmë. Ne punojmë që ushtria jonë të jetë moderne dhe e aftë që të kryej detyrat që i janë ngarkuar.

Ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se forcimi i mbrojtjes së vendit, është një detyrë e madhe për ne një borxh që del nga detyrimet si para vendit, ashtu edhe para Kampit Socialist.

Ne e kuptojmë mirë, – thotë shoku E. Hoxha – se e ardhmja jonë, jeta jonë, janë të lidhura ngushtë me Bashkimin Sovjetik. Ne do të dëshironim sot, këtu në këtë rreth të ngushtë me porosi të KQ dhe qeverisë sonë, të bëjmë propozimet tona mbi bazën luftarake-detare në Vlorë[1]

Ne vlerësojmë se deti Mesdhe ka mundësi shumë të mëdha, në pikëpamje ushtarako-strategjike për Kampin tonë Socialist, sepse në të vepron Flota e 6-të Amerikane dhe forca të tjera të konsiderueshme të vendeve të NATO-s, të cilat padyshim, drejtohen kundër Bashkimit Sovjetik dhe Kampit tonë Socialist. Shqipëria, e cila është pjesë e Kampit Socialist, ndodhet ne bregdetin e detit Adriatik dhe për këtë arsye ka rëndësi të madhe. Duke u nisur nga kjo, KQ i PPSH i kërkon KQ të PKBS dhe qeverisë sovjetike, ta kthejmë bazën luftarake-detare të Vlorës, në bazën luftarake-detare më të fuqishme, për veprime kundër forcave ushtarako-detare të NATO-s në detin Mesdhe. Ne mendojmë se vija e parë e mbrojtjes së Odesës dhe Sevastopolit duhet të kalojnë këtu, tek ne, në bregdetin Adriatik. Vendimi pozitiv i kthimit të Vlorës në bazë të fuqishme luftarake-detare, është vendim i të gjithë popullit shqiptar dhe do të pritej me entuziazëm.

Për të gjitha çështjet praktike, që lidhen më këto propozime, ne do të jemi praktikisht dakord.

Për këtë propozim, ju lutemi juve shoku Zhukov të njoftoni KQ të PKBS.

Zgjidhja e përshtatshme e kësaj çështjeje, shprehet pozitivisht edhe në marrëdhëniet tona reciproke me Jugosllavinë, e cila do ta vlerësojë më shumë Shqipërinë.

Pasi e dëgjova shokun Enver Hoxha, e falënderova për informacionin e tij të hollësishëm dhe rashë dakord me vlerësimin e tij, mbi rëndësinë dhe rolin strategjik të Shqipërisë. Unë thashë, se KQ i PKBS i kushton rëndësi shuamë të madhe pozitës strategjike të Shqipërisë dhe padyshim, propozimi juaj do të shikohet ashtu si duhet.

Në përfundim, i kërkova shokut E. Hoxha, ta bisedonte këtë çështje personalisht me udhëheqjen e KQ të PKBS, kur të jetë në Moskë, për festën e Tetorit.

G. Zhukov

(Burimi: KPSS…., AP RF. F. 3, Op. 50, D. 239, L. 62-66. Nr. 41. Origjinal).

 

     *      *     *

(Shënime të bisedës së ambasadorit të BRSS në Republikën Popullore të Shqipërisë, V. I. Ivanov, me ministrin e Punëve të Jashtme të RPSH, Behar Shtylla, mbi marrëdhëniet reciproke me Turqinë dhe SHBA)

9 dhe 12 dhjetor 1957

Sekret

Ekzemplar nr. 1

Nga ditari i V. I. Ivanovit

 

Behar Shtylla më informoi mbi marrëdhëniet reciproke të Shqipërisë me vendet e tjera dhe u konsultua për një varg çështjesh, me qëllim që të forcohej miqësia dhe bashkëpunimi me vendet fqinje.*

Për sa u përket marrëdhënieve me Turqinë, Behar Shtylla vuri në dukje, se në këtë drejtim, tani për tani, nuk është bërë asgjë. Për këtë çështje shqiptarët u janë drejtuar çekëve për ndihmë. Maunja turke me motor e ngarkuar me hekurishte, cila po shkonte për në Itali, me pretekstin e kohës së keqe, më 28 nëntor doli në ishullin e Sazanit dhe u ndalua nga pala shqiptare, e cila e liroi atë pas disa ditësh. Miqtë shqiptarë i dhanë porosi ambasadorit të tyre në Paris, që të vizitonte turkun dhe të bisedonte me të, mbi domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve, duke e theksuar qëndrimin dashamirës të Shqipërisë ndaj Turqisë.

Më tej, Behar Shtylla më tregoi, se përfaqësuesit e misioneve franceze dhe italiane në Shqipëri e kishin informuar mbi faktin, se amerikanët kanë ndërmend të lehtësojnë futjen e përfaqësuesve të tyre zyrtarë në Shqipëri, por u tremben vështirësive ekonomike, me të cilat do t’u duhet të ndeshen përfaqësuesit e tyre në Shqipëri. Miqtë kanë ndërmend të bëjnë deklaratë, që mbi bazën e reciprocitetit të lejohen gazetarët amerikanë që të vizitojnë Shqipërinë. Drejtuesi i misionit francez më tha, se qeveria e tij kishte ndërmend që të mbyllte misionin e saj në Shqipëri, me qëllim që të ekonomizonte mjetet, prandaj gjatë 4 muajve ata do të mungonin në Tiranë. Anglezët dhe amerikanët ngulin këmbë për qëndrimin e misionit në Shqipëri. Tanimë, ky problem u kalua dhe misioni do të punojë si më parë.

V. Ivanov – ambasador i BRSS në Shqipëri.

(Burimi: KPSS…., RGANI, F.5, Op. 49, D.110, L.3-7, 9-10, 20. Nr. 45. Origjinale.

(Vijon nesër)



 

 

Share This Article
2 Comments
  • Enver Hoxha ishte nje BURRE I MADH SHTETI!!!
    Ai interesohej dite e nate per FORCIMIN E SHTETIT SHQIPTAR duke u lidhur DIREKT ME LIDERET ME TE FUQISHEM TE BOTES,MIQ TE SHQIPERISE,ndersa anti shqiptari Sali Berisha ,per 23 vjet NUK BERI ASNJE TAKIM ZYRTAR PER TE LIDHUR MAREVESHJE NE INTERES TE SHQIPERISE!!!
    KY DERR SERB MBURREJ VETEM ME DALJEN NE FOTOGRAFI NE KORIDORE ME NDONJE LIDER,APO KUR U BINTE RRUGA NEPER SHQIPERI VETEM PER MITINGJE!!!
    ASNJE MAREVESHJE ZYRTARE NE INTERES TE SHQIPERISE NUK BERI KY BANDIT!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *