Zhvillimet e fundit të kirurgjisë spinale vijnë edhe në neurokirurgjinë shqiptare

Pranvera Kola

Shkëmbimi i eksperiencave dhe prezantimi i metodave moderne rreth zhvillimeve të fundit në fushën e neurologjisë, e veçanërisht aplikimit të kirurgjisë spinale, sollën për herë të parë në Tiranë, neurokirurgun me origjinë shqiptare, Kenneth Maliq Loius. Me një eksperiencë rreth 40 vjeçare, doktor Louis tregon se ardhjen në Shqipëri e ndjente më shumë si  një detyrim dhe amanet të prindërve të tij.

Nga vëzhgimet e kryera gjatë aktiviteteve të zhvilluara këto ditë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, doktor Louis tregon se edhe neurokirurgjia shqiptare po bëhet gati për përqafimin e zhvillimeve të fundit mjekësore, jo vetëm sa i takon infrastrukturës, por edhe përgatitjes dhe edukimit të vazhduar të bluzave të bardha me aplikimin e këtyre metodave të reja.

“Jam shumë i nderuar që vij këtu për herë të parë dhe po shoh një transformim të tillë të neurokirurgjisë shqiptare, edhe pse ka ende shumë për të bërë në vijim. Jam këtu për të dhënë kontributin tim në shkëmbimin e përvojave me kolegët, mjekët e rinj specializantë dhe studentët, nëpërmjet leksioneve dhe seminareve mbi trajtimin e rasteve konkrete”, thekson doktor Louis.

Në leksionin e zhvilluar dy ditë më parë, është diskutuar me studentët dhe mjekët e rinj specializantë rreth revolucionit që po ndodh tashmë në zhvillimin e kirurgjisë spinale, si dhe mundësive për zbatimin e këtyre metodave edhe në neurokirurgjinë shqiptare. Ndërsa gjatë ditës së djeshme janë prezantuar disa raste konkrete klinike se si mund të zbatohen në praktikë këto metoda të reja trajtimi.

“Unë merrem veçanërisht me kirurgjinë e shtyllës kurrizore dhe një nga fushat më moderne të saj është kirurgjia spinale me navigim, çka do të thotë se mund të bëhen operacione të hapura, ku nëpërmjet laparoskopit mund të ndërhyjmë në shtyllën kurrizore me hardware dhe softwaret përkatëse për trajtimin e ndërlikimeve të paraqitura nga pacientët, duke shkaktuar më pak dhimbje dhe mundësi më të mira trajtimi për ndërlikimet e shfaqura. Dua të theksoj se ka një arritje sa i përket zhvillimeve të kirurgjisë së trurit, çka do të thotë se edhe kirurgjia shqiptare ka bërë shumë përparime. Por, me arritjet e fundit të shkencës mund të bëhet edhe më shumë, veçanërisht sa i takon zhvillimit të kirurgjisë spinale. Sigurisht që kjo gjë është pak e vështirë për shkak të kostos që mbartin këto metoda”, vë në dukje doktor Louis.

Megjithatë, ai shton se mund të gjenden mundësitë që nëpërmjet skemës së sigurimeve shëndetësore, këto trajtime të jenë të mundshme edhe në spitalet shqiptare, duke lehtësuar kostot me të cilat duhet të përballen pacientët shqiptarë.

“Është parë që kirurgjia e shtyllës kurrizore është shumë e rëndësishme dhe është bërë e mundur që nëpërmjet laparoskopit të bëhen ndërhyrje për ta stabilizuar shtyllën kurrizore, çka do të thotë se pacientët do të vuajnë më pak nga ndërlikimet e raportuara”, shton më tej doktor Louis.

Sipas tij, po punohet me ritme të shpejta edhe në zhvillimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim për përgatitjen e mjekëve shqiptarë në lidhje me aplikimin e këtyre metodave edhe në vendin tonë. Ndërkohë që ka premtuar për shtrirjen e bashkëpunimin në shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet stafeve mjekësore të dy vendeve.

Kush është doktor Kenneth Maliq Louis

Doktor Kenneth Maliq Louis është specialist i neurokirurgjisë në Tampa, Florida. Ka kryer studimet e larta dhe është diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Universitetin Shtetëror Wayne në vitin 1977.

Duke pasur më shumë se 41 vjet eksperiencë në zhvillimin e neurokirurgjisë, aktualisht Dr Kenneth Maliq Louis bashkëpunon me shumë spitale dhe qendra mjekësore në Amerikë, si dhe me mjekë e specialistë të tjerë rreth zbatimit të procedurave  të kirurgjisë së shpinës, aplikimit të kirurgjisë spinale minimalisht invazive, si dhe trajtimit të ndërlikimeve të tjera të shtyllës kurrizore. DITA 

p.k/dita 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *