Ish të përndjekurit, Lirak Bejko iu dha sot lamtumira e fundit. Por, persekutimi vazhdon dhe pas vdekjes. Kategoria e ish të përndjekurve politike duket se është e destinuar të vuajë rregjimin, pavarësisht se u dha me të gjitha forcat e saj për të bërë të mundur ardhjen në pushtet të forcës politike, e cila trumbetoi në mbështetje maksimale për përfaqësuesit e kësaj shtrese. Sot realiteti krejt tjetër. Pushtetarët refuzuan të pinë dhe kafen e zezë, në ditë morti. Nuk u pa asnjë nga ato politikanë, që dje gjëmuan derë më derë të përndjekurit, duke i kërkuar votën, që t’i jepte lamtumirën e fundit njërit prej përfaqësuesve të kësaj kategorie. Përkundrazi, u shkua deri atje sa drejtuesit e kësaj mazhorance u përpoqën që të justifikonin diktatin e tyre përmes deklaratave absurde të zëdhënësve të tyre. Sipas deklaratave, në homazhe nuk duhej të shkonte asnjë nga përfaqësuesit e politikës, me qëllim që të përjashtohej politizimi i ceremonisë. Justifikim që dhe vetë deklaruesi duhet ta ketë kuptuar absurditetin e përmbajtjes së tekstit, nisur nga vetë fakti se Lirak Bejko ishte viktimë e neglizhencës së mazhorancës qeverisëse, për të dëgjuar minimalisht kërkesat e një përfaqësie të ish të përndjekurve politikë që për një muaj u ngujuan në grevë urie në pritje të një reflektimi nga ana e pushtetit. Përballë injorimit dhe neglizhencës grevistët panë si rrugë vetë flijimin.
Homazhet
Në orën 10:30 të mes drekës arkivoli me trupin e pajetë ka dalë nga banesa në Laprakë dhe sikurse ishte lajmëruar në orën 10:00 është vendosur për homazhe në godinën e Institutit e ish të Përndjekurve Politikë, në rrugën e Elbasanit. Veç familjarëve, miqve dhe ish të përndjekurve, në ceremonialin e organizuar në nder të kujtimit të Bejkos, rreth orës 11:15, shkoi edhe kryetari i Partisë Socialiste, i shoqëruar nga deputetë socialistë. Pjesë e këtij ceremoniali ishin dhe përfaqësues të Aleancës Kuqezi dhe të FRD-së, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, ai i PLL-së e njëherësh zv/ministër i Mbrojtjes Ekrem Spahia, si dhe kreu i PLD-së Spartak Ngjela. Pas ceremonisë, trupi pajetë është shoqëruar për në varrezat e qytetit. Bejko, ndërroi jetë në 3 nëntor, në një klinikë mjekësore në Itali, ku kurohej për plagët e rënda të marra gjatë vetëdjegës në datën 10 tetor, gjatë grevës së ish të përndjekurve politikë.
Ngushëllimi i Ramës
Kryetari kreu i PS-së është shprehur në rrjetin social “Tuitter” se vdekja e Lirak Bejkos duhet të shërbejë si një reflektim dinjitoz. “Lamtumira për Lirakun mes njerëzish të vrarë 22 vjet në çdo shpresë prej atyre që u morën votën dhe u ofruan veç një ferr të ri zhgënjimesh. E pashlyeshme pamja ëngjëllore e dy vajzave jetime që babanë e dalë gjallë nga ferri komunist ua treti në flakë ferri i ri i zhgënjimeve. E pamundur të harrohen nëna dhe gruaja e të ndjerit të ndarë forcërisht prej tyre nga fuqia shkatërruese e arrogancës së këtij pushteti! U prehtë në paqen që se gjeti dot asnjë sekondë në rrugën e vet nga një ferr në tjetrin dhe shërbeftë akti i tij për një reflektim dinjitoz” shkruante dje Rama.
Reagimi i AK
Përfaqësuesit e Aleancës Kuqezi kanë akuzuar qeverinë për vdekjen ish të përndjekurit Lirak Bejko. Për këtë arsye AK i bëri thirrje qytetarëve që ta ndëshkojnë me votë kryeministrin Berisha. “Kemi humbur një njeri të mrekullueshëm. Sot Shqipëria ka një pishtar të demokracisë më pak. Lirak Bejko është pishtar që nuk do të shuhet në zemrat e shqiptarëve. Në 100 vite pavarësi nuk ishte njohur një vdekje e tillë. Ne shpresojmë të ketë mbetur pak ndërgjegje për të reaguar. 22 vite më parë, njerëzit vriteshin burgjeve, sot vriten në mes të ditës. Lirak Bejko dhe shokët e tij ishin desidentë të një regjimi politik që ende nuk është rrëzuar. Ka ardhur koha që Berisha të marrë përgjigjen e merituar dhe atë duhet t’ia japë populli”, apeluan përfaqësuesit e AK-së.
Deklarata e Oketës
Deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa shprehu ngushëllimet e tij për familjen Bejko, duke shpresuar që ky të jetë një ditë reflektimi për të gjithë, për të kthyer vëmendjen tek shtresat në nevojë. “Do të dëshironim t’i shprehnim ngushëllimet më të thella familjes dhe gjithë bashkëvuajtësve, atyre që ishin një simbol për gjithë qytetarët shqiptarë pas viteve 90’. Sot një ditë ku të reflektojnë të gjithë shqiptarët, humbjes së jetës së Lirak Bejkos nuk duhet t’i japim ngjyrime politike, sot të reflektojmë, të kthejmë vëmendjen jo vetëm tek ish të përndjekurit por edhe tek të gjitha shtresat në nevojë”, vuri në dukje Oketa, gjatë prononcimit për shtyp dhënë pas homazheve në ndër të kujtimit të Lirak Bejkos.
.