Prindërit e fëmijëve me autizëm janë mbledhur për herë të parë nga fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, dhe në takimin “Dëgjesë Prindërore për Autizmin” ata kërkojnë mbështetjen e qeverisë për të patur mësues kujdestarë dhe orë terapie për fëmijët e tyre.
“Më thoni çfarë mund të bëj unë me 200 mijë lekë të vjetra. Unë kam 6 vite që paguaj mësuesen ndihmëse të djalit tim që e çoj në shkollë. Do ta paguaj sepse unë e di që fëmija im nuk mundet të qëndrojë më vehte. Çfarë të bëj më parë”, tha njëri nga prindërit e pranishëm.
“Ju pushtetarë dëgjojeni zërin e nënës. Merrni në konsideratë nevojat dhe kërkesat tona për mbështetje në terapi, financim, shëndetësi”, u shpreh një tjetër prind.
Midis tyre gjendej edhe Prof. Edmond Tupe, i cili u gjend pranë prindërve të pranishëm duke iu drejtuar kështu: Qëndrimi im ndaj autizmit të tim biri ka evoluar që nga libri i parë, sidomos që nga libri im i dytë me realizëm. Domethënë, prindër unë ju them mos u shkurajoni, mos u ligështoni. Misioni juaj është që sa të jeni gjallë ta bëni të lumtur këtë fëmijë.
Thirrjes së tyre iu bashkua edhe drejtuesja e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha.
“Bëhuni bashkë, bëhuni iniciatorë të lëvizjeve të mëdha dhe kini vëmendjen e veçantë ndaj këtyre nënave,ndaj këtyre fëmijëve. Përpiquni për ligje që t’i mbështesni, për ligje sa më të buta. Që të ndihen të lehtësuara”, u shpreh ajo.
Drejtuesja e fondacionit, Liri Berisha, kërkoi edhe nga vetë prindërit që të mos dekurajohen ndaj indiferencës dhe paragjykimeve.
Ky takim bëri bashkë mbi 100 prindër të fëmijëve me autizëm, por edhe të fëmijëve të tjerë me aftësi të kufizuar.
s.a/dita
