Dosja sekrete e gjyqit të Kadri Hazbiut
Dëshmia:”CIA na dorëzoi bandat e Etem Çakos, Alush Leshanakut e Zelel Shehut, ndërsa ne, nën drejtimin e Kadriut, përgatitëm arratisjen e bandës së Xhelo Koçiut!”
(Vijon nga numri i kaluar)
Dëshmitë e zëvendësministrit Mihallaq Ziçishti në seancën në vazhdim të gjyqit kundër Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij, akuzuar si bashkëpunëtorë të agjenturave të huaja me synim rrëzimin e pushtetit socialist, përqendrohen në mënyrën e bashkëpunimit të drejtuesve të ‘grupit armiqësor’ që kryesohej nga Mehmet Shehu dhe sabotimet e tyre konkrete, kryesisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në strukturat e ushtrisë. Në këtë gjyq që nisi më 22 gusht të vitit 1983, midis të tjerave, Mihallaq Ziçishti pohon: “Tashmë, nën drejtimin e Mehmet Shehut, ne drejtuesit kryesor të grupit të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, Kadri Hazbiu, unë, Fiqret Shehu, Feçor Shehu etj, kishim zënë poste të larta dhe kishim mundësi që të punonim më mirë, më me efektivitet e në mënyrë të maskuar në drejtim të realizimit të detyrës që kishim, rrëzimin e regjimit komunist e të Udhëheqësit(Enver Hoxhës), e vendosjen e shtetit borgjez. Për këtë kishin ndihmën e CIA-s e zbulimeve për të cilët punonim. Fillimisht, nisëm lojën me asgjësimin e bandave të arratisura që na i sillnin zbulimet e huaja, me qëllim forcimin e besimit tek krerët e shtetit. Më pas, objekt ishte goditja që do jepej në Konferencën e Partisë për Tiranën, në vitin 1956”….
Mihallaq Ziçishtit:…Një nga këto akte armiqësore që ka kryer grupi ynë puçist, i kryesuar nga krye agjenti Mehmet Shehu, në bashkëveprim me Kadri Hazbiun, mua dhe Halim Xhelon, ishte organizimi i arratisjes së Xhelo Koçiut e bandës së tij. Siç kam shpjeguar në proceset e mia në hetuesi, Halim Xhelo ka qenë një nga pjesëtarët aktivë të organizatës sonë puçiste kundër revolucionare. Në bisedat e ndryshme që kemi bërë midis nesh, personat që thashë, kam mësuar prej tyre dhe se i njihnin. Kadri Hazbiu i njihte, Halim Xhelo po e po, e Mehmet Shehu po ashtu. Kam mësuar prej tyre se Xhelo Koçiu kishte qenë eksponent i Ballit Kombëtar dhe vepronte si agjent i zbulimit amerikan duke pasur në aktivitet dhe një grup armiqësor. Lidhur me këtë, duke ditur pozicionin e njëri-tjetrit, domethënë, duke ditur Xhelo Koçiu pozicionin e Mehmet Shehut, si agjentë të dy të zbulimit amerikan, Halim Xhelo merret në organet e Sigurimit. U morë, me një fjalë, si garanci. Megjithatë, në vitin 1949, organet e Sigurimit të Shtetit, kishin të dhëna për veprimtarinë e Xhelo Koçiut e grupit të tij, e për ‘ta, natyrisht ishte hapur përpunimi. Këtë e dinim mirë që të tre, unë Kadriu dhe Mehmet Shehu. Gjatë rrahjes së problemit, pasi ishte një çështje delikate, domethënë çështja e Xhelo Koçiut, ishte një vrimë nga mund të depërtonte si të thuash, zbulimi i figurës së Mehmet Shehut. Çështjen e rrahëm mbarë e prapa dhe vendosëm si të vepronim. Në këtë kohë kishim në ndjekje një grup që drejtohej nga një farë Dervish Hodo. Prandaj vendosëm, për ti lënë kohë grupit të Xhelo Koçiut që të përgatiteshin, siç ndodhi më vonë, për tu arratisur. Hoqëm vëmendjen e organeve të Sigurimit nga ky përpunim, nga përpunimi i Xhelo Koçiut, dhe e drejtuam nga Banda e Dervish Hodos. Kështu, me qëllim, zmadhuam artificialisht këtë grup që vepronte në atë kohë në përgjithësi në rrethin e Vlorës, organizuam shumë punëtorë operativë për këtë synim, me qëllim të caktuar dhe kjo, që të bënim bujë për këtë “organizatë të madhe”, e cila, ta them që tani, nga 100 e ca vetë që thirrëm e këshilluam, nja 7 apo 8 vetë mbetën në burg. Dërguam në Vlorë Halim Xhelon që të informonte të atin për rrezikun që u kanosej atij dhe grupit që kryesonte. Gjithashtu e dërguam dhe me qëllim që të organizonte arratisjen. Siç më kujtohet, nëpërmjet zbuluesit tonë atë kohë në Itali, Nesti Kopalit, i cili pas këtij veprimi edhe tradhtoi, u njoftua zbulimi i huaj për kohën dhe vendin ku do të arratisej Xhelo Koçiu dhe grupi i tij. Si u bë kjo marrëveshje me zbulimet e huaja, këtë e di më mirë Kadri Hazbiu dhe të deponoj para gjyqit se është marrë ai direkt. Sipas këtij plani, nën drejtimin direkt të Mehmet Shehut, dhe me aktivizimin e Kadri Hazbiut, timin dhe të Halim Xhelos, u realizua arratisja e grupit të Xhelo Koçiut nga ana e Karaburunit. Të nesërmen e kësaj ngjarje, jam dërguar unë nga Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu në Vlorë si zjarrfikës në këtë çështje. Aty shkova, mora takim me Gjon Banushin, që ishte kryetar i degës së punëve të brendshme. Pamë si të thuash gjurmët nga ishin arratisur. Punë kjo që duhet ta bënte Kadri Hazbiu, se e kishte sektorin e tij ndjekjen e këtij grupi, dhe jo vetëm kaq, por e njihte. Një çështje tjetër që kisha të them për Xhelo Koçinë dhe grupin e tij, me ‘të, ka bërë takim Mehmet Shehu duke qenë prezent dhe unë. Takim të ‘rastit’, ka bërë në Dukat. Gjithashtu, takime të tilla, me sa di unë, ka bërë dhe Kadri Hazbiu me Xhelo Koçinë. Për të zbuluar këtë veprimtari të poshtër armiqësore që bëmë me grupin e Xhelo Koçiut, si shpërblim, zbulimi amerikan na dha bandën e Etem Çakos. Kjo u bë në marrëveshje me zbulimin anglo-amerikan dhe italian. Kështu, kjo bandë u desantua me avion në një teren të papërshtatshëm për ‘ta, në Kurvelesh, ku menjëherë u kap nga populli në mënyrë të bujshme. Kadri Hazbiu, me sa më kujtohet, shkoi pa vënë dhe mua në dijeni dhe menjëherë amerikanët dhe italianët filluan të hyjnë në lojë me ne. Lojë, e cila zgjati disa muaj, duke mos e marr vesh asnjë zbulim. E them në thonjëza këtë, sepse vazhdoi kaq muaj, e dinte populli që e kishte kapur, ishte bërë çështje e popullit. Kjo vërteton atë që thashë, qëllimin përse na u dha kjo bandë. Domethënë, për të mbuluar veprimtarinë tonë që kishim bërë me arratisjen e bandës së Xhelo Koçiut…..
(Bëhen 15 minuta pushim)
Mihallaqi:- Loja që bëmë me bandën e Etem Çakos, siç e thash, u bë në marrëveshje me zbulimin amerikan dhe italian. Marrëveshje kjo që u bë me anë të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. U bë me qëllim që të kompensonte si të thuash, veprimin e poshtër që bëmë, domethënë, arratisjen e bandës së Xhelo Koçiut. Dhe nga ana tjetër, u bë që të rrisë prestigjin tonë tek Udhëheqësi. Po për këtë qëllim zbulimi amerikan na dha dhe bandën e Zenel Shehut, duke premtuar gjithashtu të na japë edhe diversantë të tjerë të njohur, për të rritur prestigjin e agjenturës së tyre të rëndësishme në Shqipëri, siç ishte Mehmet Shehu, unë dhe Kadri Hazbiu. Të gjitha këto veprime u bënë nga Mehmet Shehu, Kadri Hasbiu dhe unë, në bashkëpunim me zbulimet e huaja. Siç dihet, për të vërtetuar këtë, loja me Zenel Shehun nuk shkoi deri në fund, domethënë, ne nuk rrëzuam avionin, megjithëse ishin të gjitha mundësitë.. Dhe kjo me qëllim të caktuar, sepse rrëzimi i avionit do të nxirrte çështjen jashtë kufijve të Shqipërisë edhe do të bënte bujë në arenën ndërkombëtare….
Një veprim tjetër që desha të theksoj, në kuadrin e veprimtarisë sonë për të sabotuar punën e organeve të Sigurimit të Shtetit, është dhe çështja e Alush Leshanakut. Alush Leshanaku ishte agjent i Fulcit, kishte mbaruar me Mehmet Shehun dhe si i tillë, e dinte figurën e Mehmet Shehut. Domethënë, vënien e Shehut në shërbim të Fulcit. Pra, megjithëse ishin të tëra mundësitë për ta kapur të gjallë Alush Leshanakun, me qëllim të caktuar, ai u vra. Për vrasjen e tij, e kemi bërë plan së bashku, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe unë. Përveç qëllimit që thashë se ai dinte pozicionin armiqësor të Mehmet Shehut, marrja e vendimit për ta vrarë Alush Leshanakun u bë dhe për faktin se ai kishte hyrë në mosmarrëveshje me Biçakçinjtë që drejtonin atëherë qendrën e zbulimit amerikan e italian në Itali. Për këtë mosmarrëveshje nuk kishte dokumente, prandaj që të mos dëmtonim punën e zbulimit amerikan, dhe të Biçakçinjve që ishin në krye të kësaj pune, për këtë, në vend të kapej, Alush Leshanaku, u vra….
Si përfundim i të gjitha këtyre sa thashë, lufta kundër bandave të armatosura ka qenë një luftë e gjatë, por ka qenë një luftë e një anshme e organeve të Sigurimit të Shtetit. Megjithatë, ajo e rriti prestigjin e Mehmet Shehut, të Kadri Hazbiut e timin, por sidomos të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut, të cilët më vonë zunë poste të rëndësishme, përkatësisht ai u bë kryeministër, ndërsa Kadri Hazbiu u bë ministër i Punëve të Brendshme….. Situata e krijuar në Bashkimin Sovjetik, pas vdekjes së Stalinit, ku filloi ndryshimi i vrullshëm i stategjisë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, e në ndikimin e saj dhe ndryshimi i stategjisë së Partive të ish-vendeve të demokracive popullore, e vuri PPSH në një situatë delikate duke zbutur një taktikë të tillë që të mos cënonte aspak stategjinë dhe vijën e saj të përgjithshme. Në këtë situatë, për të arritur qëllimet e tyre kundër vijës së përgjithshme të PPSH, filloi aktivizimi i vrullshëm i agjenturës jugosllave dhe sovjetike. Për këtë qëllim u sollën në ambasadën jugosllave në Tiranë zbulues të njohur si Zvetozar Koçiç, Rexhep Xhija, etj, të cilët kishin qenë edhe më parë në Shqipëri, para luftës, gjatë e pas dhe kishin lidhje e filluan të kontaktojnë me shumë njerëz duke aktivizuar kështu agjenturat e tyre. Nga ana tjetër përveç aktivizimit të agjenturës jugosllave, në këtë kohë filloi dhe procesi i këshilltarëve sovjetikë për të tërhequr vëmendjen e organeve tona nga veprimtaria e zbulimit jugosllav. Kjo, sidomos, u bë më e theksuar, pas vajtjes së Hrushovit në Jugosllavi. Përfundimisht, e gjithë kjo punë antiparti që po zhvillohej për të goditur vijën e përgjithshme të PPSH-së, dhe udhëheqjen e saj u organizua nga grupi ynë puçist nën drejtimin direkt të Mehmet Shehut dhe në bashkëveprim me agjenturat jugosllave e sovjetike, dhe u shpreh në prapaskenat e Konferencës së Partisë së Tiranës në vitin 1956. Në këtë prapaskenë, si të thuash, prapa kësaj prapaskene, në gjithë veprimtarinë tonë armiqësore, siç thashë dhe më sipër, kanë qëndruar agjenturat jugosllave dhe sovjetike. Në këtë prapaskenë, nën udhëheqjen direkt e të vazhdueshme të Mehmet Shehut, një rol të rëndësishëm kemi luajtur unë, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Beqir Balluku, Feçor Shehu, etj…, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me njëri-tjetrin dhe me Mehmet Shehun, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë dhe për këtë qëllim postet e rëndësishme që kishim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Veprimtarinë tonë në prapaskenën e Konferencës së Partisë të Tiranës të vitit 1956 do ta ndaj në tre faza kryesore…..
Faza e parë, faza përgatitore. Siç e thash, organet e Sigurimit kishin të dhëna për veprimtarinë që ishte duke u përgatitur në prag të konferencës së Tiranës dhe të aktivitetit të tepruar që kishin filluar njerëzit e ambasadës jugosllave, Svetozar Koçiç, Rexhep Xhija, etj… Këtë çështje e kemi diskutuar gjatë e gjerë me Mehmet Shehun unë dhe Kadri Hazbiu, e së bashku kemi vendosur që ndaj ambasadës jugosllave të dobësohej suverjimi, në mënyrë që tu lihej dorë e lirë për të vepruar. Nga ana tjetër, duke biseduar, të tre kemi vendosur që të bllokonim çdo të dhënë për komitetin Qendror të Partisë mbi gjendjen që po zhvillohej. Në këtë situatë, ashtu siç shpjegova, para konferencës së Tiranës kam bërë edhe takimin me Svetozar Koçiç në spitalin e Tiranës. Duke qenë se në këtë situatë mbanim lidhje të vazhdueshme me njeri-tjetrin dhe me Mehmet Shehun, në një takim që kemi bërë unë, Fiqret Shehu, Kadri Hazbiu e Mehmet Shehu, në shtëpinë e tij, Mehmeti na tha se ne kemi biseduar përpara me Kadri Hazbiun … Nuk më kujtohet nëse ishte Kadriu në këtë mbledhje, pasi e përmenda pak më parë… Mehmeti na dha këto detyra:
Së pari:-Të merrni të gjitha masat për të dobësuar suverjimin e punonjësve të ambasadës jugosllave , të cilët vepronin aktivisht.
Së dyti:-Të bllokoni çdo informacion që mund ti vinte Komitetit Qendror nga ana tjetër, pa u hapur e kontrolluar.
Së treti:-Të nxisnim elementët armiq dhe antiparti për të propaganduar Jugosllavinë si vend socialist, që gjoja, qëndrimet e PPSH ndaj saj nuk ishin të drejta. Në linjën ku punonte Fiqret Shehu, e cila në atë kohë ishte sekretare e Parë e Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, ju dha dhe kësaj detyra që të bllokohej me informacion Komiteti Qendror. Po në këtë takim, Mehmet Shehu na porositi që të thërrasim e të vëmë në dijeni e të ngarkojmë me punë dhe Feçor Shehun. Para se të zhvillohej kjo mbledhje, pozicionin e Feçor Shehut në shërbim të zbulimit jugosllav e sovjetik e kam marr vesh në vitin 1949 nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Ai është vënë në shërbim të sovjetikëve kur ka qenë në shkollë. Në parantezë dua të them se aty nga viti 1950, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu shkuan në Moskë për disa probleme. Midis të cilave, ata biseduan për lejimin e sovjetikëve që të ngrenë agjenturë në radhët e studentëve që ishin në Bashkimin Sovjetik, e nga ana tjetër, me sa di, u bisedua dhe për çështjen e sovjetikëve. Pasi u larguam nga Mehmet Shehu rreth çështjeve që biseduam, biseduam me Kadriun gjerë e gjatë. Aty përcaktuam hollësirat, problemet që do të ndiqnim duke thirrur edhe Feçor Shehun, të cilin e vumë në dijeni për takimin që zhvilluam me Mehmet Shehun. I treguam për udhëzimet që kishim marrë, detyrat që i takonin atij… E porositëm që të na informonte rregullisht në mënyrë që të tërë së bashku, të ishim në gjendje që ta informonim për gjendjen e atëhershme Mehmet Shehun. Para fillimit të konferencës së Partisë të Tiranës, unë jam takuar edhe me Fiqret Shehun. Me Fiqret Shehun biseduam, shkëmbyem mendime mbi gjendjen e atëhershme. Unë i fola për punën që kishte bërë Feçor Shehu, që kishim bërë edhe ne dhe i thashë që ne ishim të kënaqur . Edhe ajo gjithashtu tha se ishte e kënaqur nga puna. Në këtë rast ajo më tha se me Feçor Shehun, ishin hapur me njeri-tjetrin. Ajo i kishte thënë që ishte vënë në shërbim të zbulimit jugosllav dhe Feçor Shehu i kishte thënë se dhe ajo ishte vënë në shërbim të zbulimit jugosllav e sovjetik….`(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshmia e Mihallaq Ziçishtit: Mbledhja sekrete e grupit në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe detyrat që morëm unë, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu për sabotimin e Konferencës së Partisë për Tiranën në vitin 1956.
-Përpunimi konkret i Beqir Ballukut, të deleguarit të Komitetit Qendror në Konferencën e Partisë për Tiranën dhe roli i gjeneralëve të ushtrisë, delegatë në këtë konferencë.
-Si përgatit nga Mehmet Shehu skenari i arratisjes nga Shqipëria i Liri Gegës e Dali Ndreut.
SOM 1
“Për të zbuluar këtë veprimtari të poshtër armiqësore që bëmë me grupin e Xhelo Koçiut, si shpërblim, zbulimi amerikan na dha bandën e Etem Çakos. Kjo u bë në marrëveshje me zbulimin anglo-amerikan dhe italian. Kështu, kjo bandë u desantua me avion në një teren të papërshtatshëm për ‘ta, në Kurvelesh, ku menjëherë u kap nga populli në mënyrë të bujshme. Kadri Hazbiu, kontaktoi me zbulimin amerikan dhe ata hynë në lojë me ne”
SOM 2
“Lufta kundër bandave të armatosura ka qenë një luftë e gjatë, por ka qenë një luftë e një anshme e organeve të Sigurimit të Shtetit. Megjithatë, ajo e rriti prestigjin e Mehmet Shehut, të Kadri Hazbiut e timin, por sidomos të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut, të cilët më vonë zunë poste të rëndësishme, përkatësisht ai u bë kryeministër, ndërsa Kadri Hazbiu u bë ministër i Punëve të Brendshme…..”
SOM 3
“Në këtë prapaskenë,(Konferenca e Tiranës, viti 1956), nën udhëheqjen direkt e të vazhdueshme të Mehmet Shehut, një rol të rëndësishëm kemi luajtur unë, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Beqir Balluku, Feçor Shehu, etj…, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me njëri-tjetrin dhe me Mehmet Shehun, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë dhe për këtë qëllim postet e rëndësishme që kishim në Ministrinë e Punëve të Brendshme”
Eshte bere shume mire botimi i ketyre te dhenave, qe populli te informohet se
kush ishin ne te vertete ata qe internonin, torturonin,denonin, e vrisnin ne
Shqiperi pas luftes se dyte boterore.
Letër e Hapur drejtuar:
– Klasës politike të Tiranës e të Prishtinës.
– Ambasadorit amerikan në Tiranë.
– Gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.
Jam azilant politik në Bruksel, për shkak të një libri me personazhe realë e ngjarje të jetuara: Odiseja e një Detektivi (dy vëllime). Krerët e dy klaneve politike, blu e rozë, e njohin mirë këtë libër, mbasi policia civile e Tiranës ka paguar 100 $ për çdo kopje që u dorëzohej, kur ai u shpërnda në disa fakultete të UT. Nga ana tjetër, eksperti belg, që shqyrtoi imtësisht dosjen time për një kohë të gjatë, ka shkuar dy herë në Tiranë për të verifikuar identitetet e personazheve realë të librit dhe saktësinë e disa ngjarjeve të veçanta, të jetuara. Meqenëse unë këmbëngulja gjatë seancave të intervistës, që të egzaminoheshin patjetër skeletet e dy heronjve që prehen në varrezat e Tiranës – Fatmir Merdari e Afrim Pahia (personazhe të librit) –, eksperti belg u detyrua të pohonte:
«Nuk është nevoja për asnjë lloj ekspertize. Për vdekjen e atyre të dyve ekzistojnë dosjet përkatëse në Tiranë, ku unë kam parë edhe fotografitë e tyre kur ishin të plagosur rëndë dhe në çastin e vdekjes. Gjithashtu kam verifikuar edhe identitetet e protagonistëve të tjerë të ngjarjeve që trajton libri juaj.»
Natyrisht, pa autorizimin e qeverisë shqiptare nuk kryhen dot veprime të tilla. Ndërsa në mars të vitit 2009 gazeta SOT botoi në tre pjesë artikullin tim të gjatë me titull: Një zë nga shkretëtira shqiptare, ku trajtohen peripecitë e mia të azilit, të cilat përbëjnë një odisé më vete. Artikulli në fjalë gjendet endé në sajtin e gazetës SOT ; kushdo mund ta lexojë në internet. Me kërkesën e shumë bashkatdhetarëve, të cilët me kohë kishin rënë në gjurmët e vëllimit të parë të librit dhe të artikullit në fjalë, prej një muaji kam publikuar nëpërmjet internetit të dy vëllimet e librit Odiseja e një Detektivi. Vëllimi i dytë i ka bërë edhe më tepër përshtypje opinionit publik me ngjarjet dhe provat që sjell.
Në mesazhet elektronike që po marr, shumë bashkatdhetarë më bëjnë një vërejtje që më ka preokupuar:
«Një sekret i rëndësishëm, që lidhet me fatet e kombit e të popullit shqiptar, nuk duhet lënë që ta mbulojë pluhuri i kohës në asnjë rrethanë e për asnjë arsye. Përndryshe edhe ju, si autor i librit, bëheni bashkëfajtor me keqbërësit, në një kohë që edhe Afrika po rilind, ndërsa ne po rrëzohemi gjithmonë e më poshtë.»
Në fakt të gjithë jemi dëshmitarë se Hosni Mubarak, lideri i një populli 80 milionësh në Afrikë, u detyrua të braktiste postin prej qëndrimit unanim kundër tij të diplomacisë amerikano-evropiane, për shkak të vrasjes së 300 demonstruesve.
Gjithashtu të gjithë e dimë se në një vend të injoruar evropian me emrin Shqipëri, në vitet 1997-1998 politika vrau mbi 3500 shqiptarë (12-fishin e vrasjeve që kreu regjimi i Mubarakut në një popullsi njëzet herë më të madhe!), plagosi mbi 11 mijë të tjerë, shkatërroi institucionet e brishta shtetërore, hapi depot e municionit për të nxitur tërthorazi një luftë të verbër civile, dogji vendin, dhe po e njëjta diplomaci amerikano-evropiane i la të njëjtët politikanë ish-komunistë në pushtet.
Rastësi?
Politika e të mëdhenjve e përjashton kryekëput rastësinë; madjé, ajo vepron me plane afatgjata e të kalkuluara mirë. Politikanët mëkatarë të Tiranës u lanë qëllimisht në pushtet, për tu përdorur prej diplomacisë amerikano-evropiane për punë të mbrapshta antikombëtare, të cilat po i jetojmë përditë. Është utopi e naivitet i skajshëm politik t’iu kërkosh autorëve të tragjedisë së vitit 1997-1998 të gjykojnë me drejtësi dramën e Gërdecit, apo vrasjet e 21 janarit 2011. Edhe sikur krerët e politikës së sotme shqiptare (pozitë-opozitë) të tentonin të gjykonin me drejtësi tragjedinë e Gërdecit, ustallarët e prapaskenave të politikës – ambasadori amerikan në Tiranë dhe të dërguarit e Brukselit atje – do t’iu thoshnin me buzëqeshje diplomatike:
«Dakord, por më parë duhen gjykuar vrasjet e vitit ’97-’98, mbasi krimet nuk parashkruhen. Pastaj u vjen radha tragjedisë së Gërdecit dhe vrasjeve të 21 janarit 2011.»
E ç’mund të bëjnë ata atëherë, ndërkohë që dihet mirë se për megakrimin ‘97– ‘98 përgjigjen njësoj të dy klanet blu e rozë? Mëkati i vërtetë i politikanëve të Tiranës (pozitë-opozitë) është pranimi i misionit antikombëtar për hir të karrierës së pameritur; më tej krimi automatizohet. Pasojat merren lehtë me mend dhe janë prezente çdo ditë në faqet e shtypit, i cili gjithashtu është dyngjyrësh në shërbim të dy klaneve politike. Në këto kushte unë i bëj thirrje kryeministrit shqiptar, i cili aktualisht nuk është veçse një skllav rrethanash, të kontribuojë për denoncimin mbi baza dokumentare të aktit antishqiptar e prodiktatorial të CIAs që sabotoi në maj të vitit 1984 komplotin kundër diktaturës, të organizuar prej 22 trimave shqiptarë të Sigurimit të Jashtëm të asaj kohe. Nëpërmjet një veprimi të tillë, kryeministri shqiptar do të shpëtonte në radhë të parë vetveten dhe bashkëfajtorët e tij prej situatës pa rrugëdalje ku gjenden, pastaj gjithë kombin e popullin shqiptar, që janë në zgrip për shkak të politikës së tij regresive. E vërteta e kësaj çështjeje është thjeshtësisht e verifikueshme, mbasi në arkivat e shërbimit sekret gjenden dosjet përkatëse të atyre 22 trimave, disa prej emrave të të cilëve i kam cituar shpesh. Ndërkohë po ju jap edhe adresën dhe numrin e telefonit të njërit prej tyre në Amerikë:
Dari Meli
3609 BROADWAY, Apt. 4L,
NEW YORK, N.Y. 10031
U. S. A.
Tel. 00 12 12 – 491 – 12 12
Numri i cituar i përket një linje telefonike speciale, e cila i filtron telefonatat. Mënyrën sesi komunikohet nëpërmjet një linje të tillë ua shpjegon ish-Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Jashtëm (DSJ) në atë kohë, Ilir E. Hoxha, të cilin mund ta gjeni në selinë e Partisë së Punës të Riorganizuar në adresën:
Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar
Rr. «Hafiz I. Dalliu», Pallati 17/2, kati i parë,
Tiranë.
Megjithëse kryeministri shqiptar për njëzet vjet me radhë ka harruar t’ia heqë titujt Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste diktatorit Hoxha, besoj se ai nuk do të ngurrojë t’i kërkojë sqarimet e duhura Ilir Hoxhës lidhur me problemin madhor në fjalë.
Ato ngjarje janë një fragment lavdie i historisë së popullit shqiptar, realizuar nga 22 burra guximtarë të prejardhur prej 22 familjeve të nderuara ish-komuniste nga më të afirmuarat e kohës, siç zgjidheshin detektivët prej diktaturës. Prejardhja ime është nacionaliste e antikomuniste, por kjo nuk më pengoi të lidhja miqësi në burg me ish-detektivin më të shquar të DSJ-së, Hamit Meli, idetë dhe vlera njerëzore e të cilit qëndronin ndjeshëm mbi ideologjitë. Asnjë i burgosur nuk e njihte të kaluarën e tij, mbasi ajo ishte fshehur qëllimisht prej përpiluesve të dosjes penale të ish-detektivit. Ky u hap në mirëbesim tek unë. Miqësia me Hamit Melin u bë shkak që unë të lidhesha më vonë tërthorazi me grupin komplotist të Guri Stretos. Ilir Hoxha i njeh në detaje këto të vërteta të dokumentuara. Ai duhet të tregojë sot se ku gjendet ish-zëvendësi i tij në detyrë, Guri Streto, i cili ishte përkohësisht edhe baxhanak i tij (i martuar ditën e enjte më 26 janar 1984). Ilir Hoxha duhet të tregojë gjithashtu ku gjenden aktualisht dy vëllezërit Hamit e Dari Meli, si edhe të pohojë rrethanat e vërteta të vdekjes së dy heronjve të rënë në prill-maj 1984, të cilët prehen në varrezat e Tiranës. Ata u varrosën me madhështi e të dekoruar si të rënë në krye të detyrës, por e vërteta është krejt tjetër. Përndryshe unë, i burgosur politik në vitin 1984 (qysh prej vitit 1978), nuk kisha nga ta dija se Fatmir Merdari është goditur natën me dy plumba pas shpine prej një distance të afërt, ndërsa Afrim Pahia ka kryer tentativë vetëvrasjeje, duke përplasur fort kokën pas murit në çastin e arrestimit me urdhër të Ilir Hoxhës. Ka vdekur në spital. Nëse u bëhet ekspertiza skeleteve të këtyre dy heronjve (mbasi t’iu jetë bërë më parë analiza e ADNsë), gjithçka bëhet e qartë edhe për më naivin e shqiptarëve. Por, normalisht, nuk lind nevoja të ndjekësh gjurmët, kur ujkun e ke përpara syve. Ilir E. Hoxha di gjithçka dhe e di shumë mirë ku i ka arkivuar dosjet e kësaj ngjarjeje, një substrakt i së cilës i është treguar edhe ekspertit belg që shqyrtoi dosjen time. Është në të mirën e krerëve të korruptuar të politikës shqiptare dhe të vetë Ilir Hoxhës që gjithçka t’i bëhet e ditur sot popullit shqiptar, para se ky t’i detyrojë ata të shprehen kundër dëshirës së tyre për një gjë të tillë. Tekefundit shqiptarët në këtë rast nuk do të kërkojnë asgjë më tepër se hapjen e dosjeve të një ngjarjeje të para 27 vjetësh. Të tjerat vijnë vetë pastaj… Institucionet, dokumentet, historia janë pronë e popullit shqiptar, jo e qiraxhinjve politikanë. Ashtu siç janë edhe heronjtë e atyre ngjarjeve bij të popullit e jo të politikanëve. Ndërkohë normat e demokracisë amerikane, opinioni i shëndetshëm publik amerikan, media e fuqishme amerikane si një pushtet i katërt real, ia bëjnë të pamundur diplomacisë amerikane dhe CIAs fshehjen e mëtutjeshme të një skandali që ndriçohet sadopak. Populli shqiptar është proamerikan nga natyra dhe ky është një virtyt, ndërkohë që po jetojmë epokën e qytetërimit amerikan. Por miqësitë në politikë nuk mbahen symbyllas: ky është një ves fatal, i cili jo vetëm që kushton tepër shtrenjtë, por bëhet shkak të fitosh edhe përbuzjen e mikut të pasinqertë, duke të quajtur të padenjë për miqësinë e tij. Një ndër presidentët më të respektuar amerikanë, Ronald Regan, pas pushtimit të Grenadës së vogël më 1983, deklaroi: «Nuk mund të jemi të pafajshëm në një botë që nuk është e tillë.» Ne duhet t’ua bëjmë të qartë sot me argumente miqve tanë amerikanë fajin që ka bërë CIA dhe dipolmacia e fshehtë amerikane ndaj Shqipërisë në maj 1984, ashtu si dyzetë vjet para kësaj date.
Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jemi miq të amerikanëve, por nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë që trojet tona në jug të Shqipërisë dhe në veri të Kosovës e ndofta më gjerë, t’iu shërbejnë atyre për ujdi politike me Rusinë në Afganistan, Iran, apo në hartën e re gjeopolitike të Afrikës. Ne nuk mund dhe nuk duhet të pranojmë që, për hir të një miqësie fiktive, kombi ynë, tejet i dobësuar e aktualisht në një proces shpërbërjeje të dukshëm, të tretet me kalimin e kohës si kripa në ujë në Unionin Ballkanik – ide kjo e hedhur rishtas prej diplomacisë amerikane në marrëveshje me BE. Të gjitha shenjat janë të qarta se kush do ta dominojë Unionin Ballkanik, ndërkohë që, siç shprehej dikur patrioti i shquar Sali Nivica, Serbia është Rusia prapa kodrës dhe Greqia, Rusia prapa malit. Ende pa u formuar ky Union, Greqia po avancon lirshëm në Shqipërinë e Jugut dhe Serbia është ulur këmbëkryq në veri të Kosovës dhe në enklavat e saj brenda territorit të Kosovës. Ndërkohë Serbia, me ndihmën e Ilir Metës e të kryeministrit, pretendon për minoritet edhe në Shqipëri.
Politikanët e Tiranës, të cilët janë të gjithë me origjinë komuniste, kanë sot një shanc historik, për të shpëtuar veten e tyre dhe kombin nga baltovina e pështirë ku po fundosen çdo ditë. Njëzet ish-kuadrot e rëndësishëm të DSJ-së, për të cilët bëhet fjalë, rrjedhin nga familje të mirëfillta komuniste; kjo imagjinohet lehtë, gjersa dihet se biografia politike ishte busulla e diktaturës. Më të moshuarit e atyre burrave sypatrembur janë sot 62 vjeç dhe gëzojnë shëndet të shkëlqyer. Shumë prej politikanëve të sotëm të Tiranës ka të ngjarë të kenë miqësi apo njohje të afërta me ata të njëzetë ose me familjarët e tyre, mbasi të dy palët i përkisnin pjesës më të privilegjuar të shoqërisë shqiptare nën diktaturë. Në këto rrethana tejet të favorshme për ta, politikanët e sotëm shqiptarë nuk duhet të ngurrojnë për t’iu mundësuar atyre trimave rikthimin zyrtarisht në atdhe. Ata të njëzetë do të shërbenin si një kontigjent i shkëlqyer për zgjidhjen e situatës kritike shqiptare, mbasi gëzojnë mirëbesimin e plotë të autoriteteve amerikane dhe janë të mbrujtur tashmë me kulturën politike e qytetare të Amerikës demokratike. Si rrjedhojë, ata janë shumë të besueshëm prej autoriteteve të SHBA, mbasi kanë dhënë prova aftësie e guximi në kuota të tilla, ku politikanëve të rëndomtë shqiptarë nuk u shkon dot as fantazia. Ata trima atdhetarë do të mundësonin një fazë të re e të shëndetshme të miqësisë shqiptaro-amerikane dhe një klimë të favorshme mbarëshqiptare për një Lidhje të Tretë.
Në kasafortat e diplomacive të mëdha ekziston gjithmonë edhe një plan B për çështjet në proces. Politikanë të Prishtinës, Gjithë duke e vlerësuar kontributin amerikan për bombardimin e Serbisë nga NATO, ne nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se politika nuk udhëhiqet kurrë prej bamirësisë, por nga kalkulimet e interesit perspektiv. Dhe kjo është e natyrshme; e kundërta do të ishte utopi. Po nuk kuptuam kaq gjë, Ndërkombëtarët kanë të drejtë të na trajtojnë si një popull naiv, i sapozbritur prej pemëve. Dymbëdhjetë vjet pas bombardimeve të NATOs, realiteti po tregon se SHBA nuk e çliruan Kosovën me qëllim që ta bënin një shtet të fortë e të qëndrueshëm (kur u intereson, ata dinë më mirë se kushdo tjetër në botë ta realizojnë diçka), por për ta pasur si resto hesapesh politike në sirtarët e diplomacisë së tyre të fshehtë. Ndonëse Millosheviçi vdiq në burg, Serbia sot jo vetëm nuk trajtohet si shtet agresor, por dalëngadalë asaj po i krijohen koniuktura të tilla politike që e bëjnë optimiste për rifitimin gradual të Kosovës. Ndërkohë që Veriu i Kosovës është realisht nën zotërimin serb dhe enklavat e manastireve shënojnë plasdarmet e ardhshme të Serbisë ndaj Kosovës së rraskapitur, Greqia po anekson në mes të ditës Jugun e Shqipërisë. 354,3 km² të detit Jon iu falën Athinës nga kryeministri shqiptar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e pezulloi atë, por kryeministri filogrek, i cili është shqiptar vetëm nga pasaporta, ka autorizuar sërish bisedime të kundërligjshme në heshtje, për ta rivlerësuar paktin antikombëtar të detit. Nuk duhet harruar për asnjë çast se ai det nuk u përket vetëm shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe atyre të Kosovës e më gjerë. Mirëpo sipas të gjitha gjasave, kryeministri shqiptar ka ndërmend t’ia bëjë këtë dhuratë Athinës në vjeshtë, me rastin e festës së tyre. Së bashku me regjistrimin e popullsisë sipas besimit fetar.
Natyrisht, gjersa grekët po u ndërrojnë kombësinë eshtrave të të vdekurve shqiptarë, për t’i përdorur pastaj si sinorë të Vorioepirit në Korçë e gjetkë, pse të mos bëjnë të njëjtën gjë edhe me të gjallët e një populli të braktisur prej kreut të tij?
Ndërsa para autoriteteve të Athinës kryeministri ynë qëndron kokulur si ndonjë vajzë e ndrojtur, qytetarët paqësorë shqiptarë ai i vret pa gjë të keq në mes të bulevardit, pastaj hedh valle me eunukët e partisë së tij, disa metra matanë pllakave të përgjakura. Dhe për të gjitha këto akte antishqiptare e antinjerëzore, pa llogaritur korrupsionin më të madh në Evropë dhe ngujimet e gjakmarrjes mesjetare të mijëra familjeve, ambasadori amerikan në Tiranë i akordoi titullin burrë shteti. Dihet se për të kryer punë të pisëta në vendet pa zot, nevojiten instrumente të pisët, me etiketë të ndryshuar. Ky është një mësim i lashtë i historisë.
Natyrshëm lind pyetja: Nëse SHBA do të ishin miq të sinqertë të shqiptarëve (në Kosovë e Shqipëri), a do t’i stimulonin vallë këto veprime kaq të dëmshme në vendet tona respektive? A do të akuzohej aq rëndë kryeministri i Kosovës në prag të dialogut me Serbinë dhe mandej gojët akuzuese të heshtnin si me magji, mbasi të merrte rrugë ky dialog me leverdi të njëanshme?
Nuk është e nevojshme të jesh politikan, për të kuptuar se gjashtë milionë izraelitë bëjnë ligjin në mes të qindra milionë arabëve, duke mos zbatuar as rezolutat e OKBsë, vetëm pse janë aleatë strategjikë, pra, miq të amerikanëve. Atëherë, si mund të mendojmë ne se amerikanët na vlerësojnë vërtet si miq, ndërkohë që kombi ynë po shkon qartazi në shpërbërje graduale, populli shqiptar në Kosovë e Shqipëri po vuan të zitë e ullirit i nëpërkëmbur prej serbëve e grekëve, dhe amerikanët u thonë kryeministrave tanë “kështu vazhdoni, se e keni mirë” ? «Miqësi» të tilla kanë kosto më të lartë se armiqësitë e shpallura. Jo, angloamerikanët kanë qenë miq të Enver Hoxhës dhe të bëmave të tij antishqiptare qysh prej Luftës së Dytë Botërore, për hir të objektivave të politikës së tyre në rajonin e Ballkanit. Këtë mbështetje të hapur ndaj diktaturës së Enver Hoxhës ata e përsëritën edhe në maj të vitit 1984. CIA vazhdon t’i mbajë edhe sot në Amerikë njëzet komplotistët që rrezikuan jetën në luftë kundër diktaturës (dy prej atyre ranë në atë luftë), ndërsa i biri i diktatorit, Ilir Hoxha, është beniamin i tyre edhe sot. Populli shqiptar duhet ta bëjë të flasë ish-Drejtorin e DSJsë, i cili di shumë për veprimtarinë agjenturore të babait dhe të tijën. Dalja në dritë e të vërtetës së ngjarjeve të majit 1984 është domosdoshmëri jetike për popullin e për kombin shqiptar, nëse duam të kemi vërtet të ardhme të denjë. Ne duhet të bëjmë çmos që autoritetet amerikane ta njohin zyrtarisht padrejtësinë që i kanë bërë popullit e kombit tonë, t’i kompensojnë dëmet e shkaktuara konform ligjeve përkatëse dhe ta korrigjojnë në të ardhmen shënjestrën e diplomacisë së tyre ndaj kombit shqiptar. Në arkivin e shërbimit sekret shqiptar ekzistojnë të gjitha dosjet përkatëse, që mundësojnë zbardhjen e kësaj çështjeje jetike brenda një gjysmë ore. Nuk ka forcë që ta mposhtë të vërtetën. Politikanët e opozitës kosovare janë në pozicion të përshtatshëm për të dhënë një kontribut të çmuar në këtë drejtim, pa u ndikuar as prej pushtetit të Tiranës e as prej atij të Prishtinës. Popullarizimi i këtij problemi madhor do të vinte në lëvizje median e fuqishme amerikane, zëri i së cilës dëgjohet me vëmendje prej institucioneve autoritare të Washingtonit, si Kongresi apo qeveria federale. Është e sigurtë se zbardhja e kësaj çështjeje jetike do të shënonte një erë të re si në marrëdhëniet amerikano-shqiptare edhe për të ardhmen e popullit dhe të kombit shqiptar.
Zoti Ambasador Arvizu
Dosja ime si azilant politik në Bruksel ka trajtën e një aktakuze ndaj CIAs. Vetëkuptohet që bëhet fjalë për një aktakuzë të mbështetur në prova të pakundërshtueshme, përndryshe ajo nuk do të pranohej kurrë prej aleatëve tuaj të Brukselit. Depozitimi, pas shumë përpjekjesh, i asaj aktakuze më ka kushtuar shtrenjtë. Jo vetëm që autoritetet belge më lanë shtatë vjet e gjysmë pa dokumentet përkatëse, por gjatë gjithë kohës, edhe tani, jam i privuar nga e drejta e komunikimit me median belge, si edhe nga e drejta për të pasur një avokat. Kam shkuar edhe në Luksemburg, Francë e gjetkë, për të siguruar një avokat. Nuk ka vonuar shumë dhe ata janë tërhequr, të sinjalizuar prej dikujt. Kjo këmbëngulje për të fshehur një të vërtetë dramatike, që po çon drejt një perspektive të zymtë kombin dhe popullin shqiptar, më bënte më të vendosur për të hedhur me çdo kusht dritë mbi të, megjithëse kisha dy fëmijë të vegjël dhe po ballafaqohesha me disa vështirësi të paparashikuara, të organizuara prej atyre që teorikisht i ngrejnë në qiell të drejtat e njeriut. Ju jeni diplomat karriere i një superfuqie dhe i kuptoni më lehtë se kushdo tjetër edhe ato që unë nuk i them dot në këtë shkrim. «Diplomacia është një polici me kostum madhështor», ka thënë Napoleoni. Këto fjalë të gjeniut korsikan m’u kujtuan atë ditë kur ju i akorduat titullin burrë shteti vrasësit gjakftohtë të katër bashkatdhetarëve të mi paqësorë. Ju mund të thoni me të drejtë: «Para se të vriste ata të katër, ai dhe bashkëfajtorët e tij kanë vrarë disa mijëra shqiptarë më 1997–’98, vranë fukarenjtë e Gërdecit e po tallen prej vitesh me dosjen e tyre gjyqësore, po lënë të vriten përditë familjet e ngujuara nga gjakmarrja, pastaj vranë ata të katër më 21 janar 2011. Natyrisht, ekspertët amerikanë, pas një sorollatjeje të gjatë, do të shpallin fajtorë dy-tri koka turku. Ra shi, e piu dheu. Tekefundit gjaku shqiptar dëm ka shkuar përherë.» Po, kjo nuk do të jetë një risi, z. Ambasador. Kështu veprohet në kolonitë e pashpallura, ku ambasadorët amerikanë luajnë rolin e diplomatëve–guvernatorë. Shpresoj se kjo gjendje nuk do të vazhdojë më në trojet shqiptare, mbasi të ndriçohet e vërteta që po mbahet e kyçur në arkivat e shërbimit sekret shqiptar, si edhe në Langley. Do të ishte në të mirë të prestigjit të superfuqisë që përfaqësoni ndërhyrja juaj për ta bindur burrin e shtetit, që të urdhërojë zbardhjen e asaj të vërtete të madhe me hapjen e dosjeve përkatëse. Gjithashtu ju mund t’i sugjeroni edhe mikut të preferuar të CIAs, Ilir Hoxhës, të japë kontributin e tij për zgjidhjen e shpejtë të një çështjeje të qartë si drita e diellit. Ndihmesë mund të japin edhe katër kriminelët e afirmuar të Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste, të cilët punojnë në ambasadën tuaj prej dy dekadash, së bashku me shumë kolegë të tjerë të sojit të tyre. Në një libër të botuar para një viti në Tiranë me titull Heronjtë e Kotësisë, unë kam publikuar një listë me emrat e 26 Sigurimsave shqiptarë të inkriminuar, të cilët punojnë në ambasadën tuaj kundër rregullave të parashikuara në pikën 35 të formularit të aplikimit për punësim të miratuar nga DASH, i cili ndalon punësimin në atë ambasadë të ish-komunistëve, ish-fashistëve dhe ish-dëshmitarëve në hetuesi ose gjyq të të burgosurve politikë në kohën e diktaturës. Shumica dërrmuese e të punësuarve shqiptarë në ambasadën tuaj i përkasin pikërisht kategorisë të tre «ishave » të lartpërmendur, ndërsa ata të 26 kanë të kaluar kriminale. Për ilustrim po ju citoj vetëm emrin e njërit prej atyre 26 keqbërësve të popullit shqiptar, që ju vazhdoni t’i strehoni e t’i ushqeni në ambasadë. E quajnë Rrapo Hazizi, nga Skrapari. Ka qenë shef i kufirit të Jugut në Shqipëri deri më 1991. Prej datës 3 shkurt 1990 deri në 23 gusht 1990 (pak më shumë se 6 muaj) me urdhër të mysafirit tuaj të nderuar, Rrapo Hazizi, janë vrarë në pika të ndryshme të kufirit të Jugut 23 djem shqiptarë me moshën mesatare 27 vjeç, në një kohë që me ligj arratisja në këtë periudhë nuk cilësohej më “tradhti ndaj atdheut” dhe neni përkatës i Kodit Penal parashikonte si dënim maksimal pesë vjet burg. Në faqen 269 të librit “Heronjtë e Kotësisë” është botuar lista e plotë e 23 viktimave të pafajshme të kryemikut tuaj, Rrapo Hazizi, me emër, mbiemër, rrethi ku ka lindur secili prej tyre, mosha, posta kufitare ku është vrarë dhe data e saktë e vrasjes. Biznesmeni i sukseshëm amerikano-shqiptar, Geri Kokalari, i ka shkruar dy herë DASH-it për 26 kriminelët e Sigurimit të Shtetit diktatorial, që ambasada amerikane në Tiranë po strehon prej dy dekadash, duke abuzuar me nenin 35 të formularit të aplikimit për tu punësuar atje. Mirëpo gjithçka bie në vesh të shurdhër… I citova këto detaje për të treguar se, kur ua kërkojnë interesat e kamufluara, amerikanët i shkelin pa teklif rregullat dhe ligjet e tyre. Ashtu siç kanë shkelur edhe parimet bazë të demokracisë, duke mbështur për gjysmë shekulli një diktator mizor si Enver Hoxha, për hir të synimeve të fshehta në rajonin problematik të Ballkanit. Natyrisht, ju zbatoni udhëzimet që ju jepen dhe kjo është normale. Mirëpo do të jetë diçka krejt anormale, sikur ju të porositni nën zë burrin e shtetit, që të mos lejojë zbardhjen e çështjes për të cilën po ju shqetësoj, ndërkohë që ajo është e vetëzbardhur, veçse duhet pranuar zyrtarisht nga Tirana dhe nga Washingtoni.
Motra e Vëllezër shqiptarë, kudo që gjendeni
Në historinë e dhimbshme të popujve të nëpërkëmbur, por mjaft rezistentë ndaj së keqes, ka një çast të papërsëritshëm kur Zoti i shpërblen ata, duke u ofruar mundësinë e shpëtimit të përhershëm me një çmim modest. Ky është sahati i bekuar i historisë së tyre, që vjen si kompensim i gjakut të derdhur pa hesap, i djersës së shkuar lumë në dobi të keqbërësve, i vuajtjeve shekullore të një populli që ka mbijetuar gjithmonë me shpirt ndër dhëmbë, por që nuk ka mundur kurrë të jetojë në mënyrë të denjë. Ky shanc historik nuk u paraqitet të gjithë popujve të vuajtur, por vetëm atyre që kanë vuajtur më shumë se të tjerët dhe kanë rezistuar më shumë se të tjerët. Cili popull i Evropës ka vuajtur më shumë se shqiptarët dhe cili komb evropian është masakruar sa kombi ynë? Sot shqiptarët kanë në duart e tyre mundësinë e zgjidhjes rrënjësore të problemit shoqëror e kombëtar në mënyrë të qytetëruar. Ne jemi në gjendje t’i argumentojmë në mënyrë bindëse shtetit më të fuqishëm të botës – superfuqisë amerikane – se na ka borxh lirinë e sabotuar në favor të diktatorit Hoxha dhe, si rrjedhojë e paevitueshme e këtij veprimi, shkrehjen e kombit, që po shkon gradualisht drejt shpërbërjes përfundimtare. Provat për këtë janë të shumta e të shumëllojshme. Të njëzet e dy komplotistët kanë dosjet e tyre në arkivin e shërbimit sekret shqiptar, si edhe nga një album fotografish, që ilustron misionet e tyre më të rëndësishme të kryera jashtë atdheut. Dosja ime në Bruksel është një akuzë e mirëfilltë ndaj CIAs për ngjarjet e atij komploti të sabotuar. Gjithë përmbajtja e dosjes është verifikuar një për një prej ekspertit belg, që ka shkuar posaçërisht në Tiranë. Si përfundim, asnjë detaj i saj nuk është hedhur dot poshtë. Ajo është vulosur e kyçosur në kasafortë. Përballë provave dokumentare, me protagonistë ngjarjesh të gjallë e të vdekur, me dosje e me albume në arkivat sekrete të Tiranës e në Langley, ato ngjarje nuk mund të mohohen dot më prej kurrkujt. Veçse duhen hedhur hapat e nevojshëm që Tirana vasale dhe Washingtoni padron t’i pranojnë ato zyrtarisht. Nuk është në stilin qeverisës dhe në natyrën e shtetarëve amerikanë që të heshtin e të fshihen si struci, kur një popull u kërkon me zë të lartë që të prononcohen rreth një akuze që bie mbi ta. Veçse vendosmëria në veprim është gjithmonë e domosdoshme për zgjidhjen e problemeve madhore. Ne jemi dëshmitarë të luftës heroike që po bëjnë popujt e Afrikës për lirinë e tyre. Ndërsa shqiptarëve nuk u kërkohet sot një sakrificë e tillë për të fituar lirine dhe dinjitetin kombëtar të nëpërkëmbur. Në këto kushte, le të tregohemi të paktën një herë popull i ndërgjegjësuar e jo turma të çoroditura, të cilave nuk iu bën më përshtypje përçarja e sundimi. Ata të njëzetë duhet t’i çlirojmë ne prej CIAs, mandej është radha e atyre të na çlirojnë prej skllavërisë së dyfishtë. Për të arritur këtë objektiv madhor, duhet të luftojmë të gjithë së bashku, shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë, pa dallim bindjeje politike e ngjyrash partiake – thjesht si SHQIPTARË. Ne duhet t’i detyrojmë patjetër politikanët tanë t’i japin rrugë pa vonesë zgjidhjes së kësaj çështjeje vendimtare, për të cilën disponohet një dokumentacion i pasur, që hedh dritë të plotë mbi të gjitha detajet. Po hoqëm dorë nga zgjidhja e këtij problemi lehtësisht të zgjidhshëm, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kemi hequr dorë përfundimisht nga liria dhe dinjiteti ynë si popull e si komb. Në këtë mënyrë ne do t’i nënshtrohemi vullnetarisht një skllavërie pa fund në shekullin XXI, duke mbajtur përgjegjësi për të ardhmen e zymtë të fëmijve tanë, të brezave që vijnë, si edhe për kombin e kërcënuar nga shpërbërja graduale.
Agim Hamiti
P.S. Kush është i interesuar për të lexuar dy vëllimet e librit “Odiseja e një Detektivi”, për të cilin bëhet fjalë në artikullin e mësipërm, mjafton të dërgojë një kërkesë të thjeshtë në e-mailin tim: [email protected] dhe unë do t’i a nis atë falas në pdf.
Zoti Agim Hamiti që është autori i disa romaneve. në kohën që ka vedekur Enver Hoxha,ndodhej në burg politik.Komanda vendosi që të burgosurit ti nisnin një telegrom nënës Nexhmije që ta ngushllonin për vdekjen e diktatorit një nga të burgosurit ishte Agim Hamiti që firmosi telegramin.Shumë pak të burgosur pranuan të firmosnin.
Së shpejti ai telegram do botohet ne disa gazeta dhe Agimi do shohi emrin dhe firmën e tij. –