Dosja sekrete e gjyqit të Kadri Hazbiut
Dëshmia:’Dështuam me arratisjen e Liri Gegës e Dali Ndreut, po i mbrojtëm në hetuesi e gjyq. Për arratisjen e Panajot Plakut në Qafë Thanë, bashkëpunuam me agjenturën jugosllave’
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e datës 23 gushtit 1983 të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, ku vazhdojnë deponimet e ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Mihallaq Ziçishti, nëpërmjet dëshmive e provave konkrete, përvijohet zgjerimi i mëtejshëm i aktivitetit në shërbim të agjenturave të huaja të akuzuarve Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Fiqret Shehu, Panajot Plaku etj… Ziçishti, duke pranuar pjesëmarrjen direkt në ‘aktivitetin armiqësor’, rrëfen sabotimet e bujshme që bënte ky grup armiqësor që ‘kryesohej nga Mehmet Shehu e punonte në shërbim të agjenturave të huaja’ si në destabilizimin në vend, ashtu dhe në arratisjen e funksionarëve të lartë shqiptar, të vënë me kohë në komandë të shërbimeve të huaja. “Rezultatet në sabotimin e bërë në Konferencën e Partisë për Tiranën, shërbyen për rritjen e aktivitetit të grupit tonë të kryesuar nga Mehmet Shehu, sipas porosive të zbulimit sovjetik e atij jugosllav, me synim, krijimin e kushteve për rrëzimin sa më të shpejtë të regjimit komunist. Tashmë, drejtuesit e grupit, Mehmet Shehu, Kadriu, Beqir Balluku, Feçorri, Fiqreti, unë etj, kishim funksione të rëndësishme e mundësi për aktivitet, ndërkohë, bashkëpunëtorët tanë, i kishim ofruar në poste të rëndësishme në Tiranë e rrethe të vendit. Pas konferencës së Tiranës, në planet tona ishin përgatitjet dhe realizimet e bujshme që do fillonin me Liri Gegën, Dali Ndreun, Panajot Plakun, Teme Sejkon, etj…”- dëshmon në gjyq Ziçishti…
Llambi Ziçishti:-…Para arratisjes së tyre, më mirë të themi para largimit të tyre, se ata nuk e realizuan arratisjen, para largimit nga Tirana, Liri Gega i ka dhënë Fiqret Shehut një material armiqësor ku kompromentoheshim edhe ne. Kopjen e këtij materiali ajo ja kishte dhënë edhe Zvetozar Kokiçit. Dhënien e këtij materiali ata e bënë edhe me qëllim që të garantohej arratisja e tyre. Prandaj lidhur me këtë , dobësuam përpunimin e tyre, siç thashë së bashku, dobësuam survejimin e tyre dhe në mënyrë të ndryshme, lehtësuam vajtjen e tyre në Sllovë të Peshkopisë, gjoja për pushim. Mirëpo kjo u mor vesh nga Udhëheqësi i Partisë(Enver Hoxhës nuk i përmendej emri në gjyq), i cili urdhëroi që ata të ktheheshin menjëherë në Tiranë. Ne morëm menjëherë masa dhe i kthyem në Tiranë. Liri Gega u arrestua menjëherë. Dali Ndreu, u internua, në mos gabohem, në Ballsh, dhe pastaj, u arrestua edhe ai më vonë. Në hetuesi të Liri Gegës kam shkuar unë, i kam marr materiale të veçanta që ja kam dhënë Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut. Gjithashtu i kam dhënë porosi se çfarë duhet të fliste në hetuesi dhe më vonë në gjyq, duke i premtua se do të ndërmjetësohet që tu falej jeta. Natyrisht, të gjithë këtë veprimtari e kemi bërë në shpinë të udhëheqjes së Partisë dhe në bashkëpunim me zbulimin jugosllav. Harrova të themë se në hetuesinë e Dali Ndreut ka vajtur Kadri Hazbiu, i cili, ashtu si unë, i ka marrë Dali Ndreut materialet të veçanta të cilat, siç thashë, kanë përfunduar në dorë të Mehmet Shehut….
Çështje tjetër, është ajo e arratisjes së Panajot Plakut, një akt tjetër ky armiqësor që e kemi organizuar ne…
Kryetari:– Është e vërtetë kjo që thotë Hodo Bega se kur dole ti nga takimi me Lirinë, më porositi që të mos i thotë hetuesit për këtë takim?
Mihallaqi:- Unë para gjyqit them që unë e kam përpunuar Liri Gegën se çfarë të thoshte në hetuesi e në gjyq, i kam marrë dhe materiale të veçanta, Kadri Hazbiu i ka vajtur Dali Ndreut, i ka bërë të njëjtën gjë… Prandaj atë që thotë Hodo Bega, është në këtë kontekst….
Thashë, një akt tjetër i kësaj natyre është dhe organizimi i arratisjes në Jugosllavi i Panajot Plakut, në maj të vitit 1957, në marrëveshje me zbulimin jugosllav. Edhe për këtë veprim është biseduar gjatë e gjerë, se kjo ka qenë një çështje e hershme, është bërë një plan i hollësishëm, të cilin e kemi diskutuar dhe e kemi rrahur Mehmet shehu, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, unë dhe vetë Panajot Plaku. Cilat ishin rrethanat që na detyruan të kryenim një veprimtari të tillë, domethënë, të organizonim arratisjen e Panajot Plakut në
Jugosllavi………
Së pari, zbulimi dhe goditja e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut.
Së dyti, vdekja e papritur e vëllait të Panajotit, Kalo Plaku, të cilin ai e kishte si ndërlidhës midis tij e zbulimit jugosllav.
Së treti, na detyruan disa të dhëna që kishin filluar të dilnin mbi veprimtarinë armiqësore të Panajot Plakut.
Të gjitha këto, natyrisht, e frikësuan Panajot Plakun dhe grupin tonë të kryesuar nga Mehmet Shehu. Kështu që , për të shpëtuar lëkurën tinë nga njera anë, atë të panajot Plakut nga ana tjetër, në marrëveshje me zbulimin jugosllav dhe me insistimin e vetë Panajotit, grupi jonë vendosi të organizoj arratisjen e tij në Jugosllavi. Par realizimin e arratisjes u studiuan disa variante. Më përpara u hodh varianti nga ana e Dibrës, por ky u pa i pa përshtatshëm dhe u vendos që arratisja të bëhej nga ana e Qafë Thanës, sepse në këtë drejtim ai mund të justifikonte vajtjen e tij në Korçë dhe shmangien e shoferit duke marrë vetë makinën. Përveç arsyeve të mësipërme që thashë, arratisja e Panajot Plakut kishte në përmbajtje të sajë edhe arsye të thella politike. Siç po zhvillohej atëherë situata në Bashkimin Sovjetik dhe në ish-vendet e demokracisë popullore, arratisja e një kuadri të lartë siç ishte Panajot Plaku do të bënte bujë dhe do t’u jepte armë armiqve për të luftuar PPSH. Për mënyrën e arratisjes, drejtimin dhe organizimin e saj, pasi biseduam gjatë me anëtarët e grupit puçist që shpjegova më sipër, nga Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu u ngarkova unë dhe Feçor Shehu për ta realizuar në praktikë. Kështu, unë shkova në Qafë Thanë, nxora preteksin se kishim të dhëna për kalim kufiri mbi Qafë Thanë, urdhërova që të merreshin masa mbi Qafë Thanë duke dobësuar anën tjetër, anën e poshtme, domethënë anën e liqenit. Për përfundimin e detyrës që mora, njoftova Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun. Ata ishin dakord dhe Mehmet Shehu urdhëroi që për këtë plan të njoftohej zbulimi jugosllav për të marrë dhe ai masat përkatëse. Kështu, me anë të lidhjeve të tij, Panajot Plaku njoftoi për planin e arratisjes zbuluesit e legatës jugosllave në Tiranë, duke më thënë gjithashtu se ky plan do të realizohej. Domethënë, arratisja e tij në Jugosllavi, kur Mehmet Shehu do të ishte me pushime në Bashkimin Sovjetik. Kjo me qëllim që edhe të organizohej ndonjë takim me ‘të në Bashkimin Sovjetik. Me sa di unë, një takim i tillë është bërë, por në se është bërë në këtë kohë, apo në një kohë tjetër, nuk e di mirë. Nga ana tjetër, nga ana e jugosllavëve, për këtë arratisje, sipas marrëveshjes që kishte bërë vetë Panajot Plaku dhe që e diskutuam, do të vinin ter zbulues jugosllavë në Lin për ta marrë. Përsa i përket ditës së arratisjes, ai më tha se do të njoftohesha unë nga agjentura jugosllave. Kështu që me njoftimin sekret që do të më bënte zbulimi jugosllav, ashtu siç më bëri me anë të ndërlidhëses së tij që kishte ‘Zana’ dhe ‘Afizi’, unë do të kuptoja se zbuluesit jugosllavë do të kishin ardhur për ta marrë Panajotin, i cili, të nesërmen në mbrëmje duhej të nisej me makinën e tij, duke e marrë(drejtuar) atë vetë. Kështu, me të marrë njoftimin, siç thashë, nga ky ndërlidhës, së bashku me Feçor Shehun, shkuam së bashku në fshatin Linzë, lamë shenjat me gurë për tu treguar se njoftimin e kishim marrë. Gjithashtu, porosita Feçor Shehun që të kishte kujdes në atë zonë për ta dobësuar survejimin, e nga ana tjetër, të kontrollonte edhe rrugën e Shëngjergjit që të nxjerr në Labinot-Fushë, matanë Elbasanit. Rrugë që në fakt ndoqi Panajoti ditën e nesërme për arratisje. Ky ishte plani i përpunuar nga ne, siç thashë, nga unë, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu e Panajot Plaku, me miratimin e Mehmet Shehut dhe me dijeninë e agjenturës jugosllave. Por në fakt, ndonëse Panajot Plaku kishte ndjekur këtë rrugë, domethënë rrugën e caktuar në plan, siç deklaroi shoferi i tij të nesërmen e arratisjes, ky, në pamundësi të shmangë shoferin, e mori me vete e shkoi në kantierin e Çervenakës. Atje e la shoferin me pretekst se do të vinte në Pogradec, mashtroi dhe punonjësit e kantierit, e la shoferin aty, mori makinën vetë, shkoi në Qafë Thanë ku e prisnin zbuluesit jugosllavë, e jo në Lin sipas planit të bërë. Kështu që u arratis në atë drejtim, domethënë në drejtimin e Mullirit. Si përfundim, tërë çështjen e arratisjes së Panajot Plakut, e dinë mirë, se së bashku e kemi hartuar, nën drejtimin direkt të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Fiqret Shehu dhe unë.
(Mbaron seanca)
SEANCA E DATËS 23 GUSHT 1983
Kryetari:– Lidhur me kërkesat e të pandehurve Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, gjykata mori këtë vendim:
Gjykata, pasi dëgjoi dhe mendimin e prokurorit lidhur me kërkesat e të pandehurve Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, vendosi të thirren në cilësitë e dëshmitarit Ismet Isufi, Eli Kokushta, Avni Buxheli dhe Jonuz Mersini. Të kërkohen nga Ministria e Punëve të Brendshme për të marrë si prova shkresore: E para, raporti mbi konkluzionet e analizës të vitit 1955, dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme Komitetit Qendror të PPSH. E dyta, raporti i vitit ’70 mbi objektivitetin në punën agjenturore-operative. E treta, pretendimi i Kadri Hazbiut mbi faktin se hetuesia nuk e ka njohur me materialet e çështjes, nuk qëndron. Në dosje ndodhet procesverbali i njohjes me materialet e çështjes, në përfundim të hetimeve të firmosura nga vetë i pandehuri.
Me gjithë këtë, për të siguruar sipas ligjit mbrojtjen e tij, gjykata i jep për t’u rinjohur akt ekspertizat që ndodhen në dosje….
Kryetari:- I pandehuri Mihallaq Ziçishti, vazhdoni deponimet….
Mihallaqi:- Për këtë, thirra Feçor Shehun, për veprimin që do të bënim, hartuam planin e takimit. Ai e rregulloi punën që pa u mar vesh nga punonjësit e degës, duke e maskuar këtë si kombinacion operativ, gjëra të zakonshme që bëhen nga organet e punëve të brendshme. Shkova në Shkodër pas disa ditësh, takova Feçorin, i cili i kishte marr masat duke shmangur rojet e kufirit. Më raportoi. Kështu në mbrëmjen e caktuar shkuam në vendin e caktuar duke i lënë makinat me shoferët. Ne kemi bëtë të gjitha kombinacionet e ata nuk dinin se ç’bënim, e nuk kanë mbajtur shënime. Kur vajtëm në vendin e takimit Feçori dha shenja me dritë dhe na u përgjigjën në të njëjtën mënyrë, se Panajot Plaku priste prej kohësh atje. Kjo nuk u bë atë natë, po u bë të nesërmen. Ata na u përgjigjën me të njëjtën mënyrë, kështu që me një lundër erdhën Panajot Plaku, i shoqëruar nga dy vetë. Pasi u përshëndetëm me Panajot Plakun, na pyeti për Mehmet Shehun e për familjen e tij. I dhashë plikon (zarf me materiale) që kisha marrë. Ai, gjithashtu më dha një pliko të mbështjellë mirë që t’ia dorëzoja Mehmet Shehut. Në këtë mënyrë, ne mbaruam këtë takim të shkurtër. Pas kësaj unë u ktheva në Tiranë, ndërsa Feçor Shehu u kthye në Shkodër. Kur u ktheva në Tiranë i raportova Kadriut, pas tij dhe Mehmet Shehut, mbi mënyrën se si e kishin realizuar takimin. I dhashë dhe plikon që kisha marrë. Për përmbajtjen e dokumenteve që fola më sipër, si për ata që më dha Mehmet Shehu, dha atë që më dha Panajot Plaku, unë nuk kam dijeni. Nuk di gjë gjithashtu në se Kadriu është në dijeni të përmbajtjes së tyre…
Një çështje tjetër që dua të shtjelloj, në kundërshtim me porositë e vazhdueshme ët Partisë dhe të udhëheqjes, Kadri Hazbiu dhe unë, nuk u kemi mbajtur asnjë sekret këshilltarëve sovjetikë, atyre u kemi dhënë gjithçka….
Një veprim të poshtër që kemi bërë me anëtarët e organizatës puçiste, të kryesuar nga krye agjenti Mehmet Shehu, është dhe trajtimi i Teme Sejkos. Teme Sejko njihej me Mehmet Shehun e Panajot Plakun dhe dinin pozicionet armiqësore të njëri-tjetrit. Gjithashtu edhe Kadri hazbiu njihej, po në këtë kuadër me Teme Sejkon, se kanë punuar në ushtri. Ata më kanë folur edhe mua për Teme Sejkon, për konsideratën që kishte. Unë e dija që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik, ishte filo sovjetik, etj… Nuk di nga cili zbulim, organet e Sigurimit kanë ardhur në dijeni për aktivitetin e tij. Por, më kujtohet qysh para Konferencës së Partisë të Tiranës, më 1956,, kam mësuar nga Kadri Hazbiu, për një të dhënë që bënte fjalë për Teme Sejkon në shërbim të sovjetikëve dhe amerikanëve. Ashtu siç më ka thënë Kadri Hazbiu atëherë, kur e pyeste nga është burimi, ai më ka thënë: që kur agjenturat e huaja kanë kontradikta me njëra-tjetrën, ata diku na japin edhe të dhëna për ti prishur punë njëra-tjetrës. Fillimisht, unë nuk jam marrë me çështjen e Teme Sejkos dhe nuk di të them për burimin real. Është thënë që çështja e Teme Sejkos ka dalë, ose e dhëna është marrë nga ‘Gjoksi” e ‘Trimi’. Kjo, domethënë çështja e ‘Gjoksit’ dhe e ‘Trimit’ dhe marrja e informacionit prej tyre, këto janë profka, këto janë organizuar nga Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu me rastin e 20-vjetorit të themelimit të organeve të punëve të brendshme. Për këtë çështje, domethënë për çështjen e Teme Sejkos, kemi biseduar gjerë e gjatë me Mehmet Shehun, unë, Kadri Hasbiu, Fiqret Shehu, Beqir Balluku, Halim Xhelo, etj… Se thashë, është e dhënë prej kohësh. Si kemi vendosur!?. Gjatë diskutimit kemi vendosur të veprohej në mënyrë të tillë që të fitohej kohë për të vendosur se çfarë do të bëhej me ‘të. Kështu që u hoq emri i burimit, u hoq dhe emri i Teme Sejkos, duke thënë që në ushtri, agjenturat e huaja kanë një agjent kolonel. Çështjen e mori për sipër Kadri Hasbiu dhe për këtë krijoi dhe një grup operativ. Kjo, natyrisht, për ta sorollatur çështjen. Në vazhdim të ndjekjes së këtij problemi, kemi diskutuar disa variante. Fillimisht diskutuam variantin që ai të arratisej në Greqi për të organizuar Këshillin për Çlirimin e Shqipërisë. Një komitet të tillë kishte organizuar dhe Panajot Plaku në Jugosllavi. Kështu që duke e shqyrtuar këtë çështje dhe duke parë situatën, që në atë kohë ishin dënuar Liri Gega, Dali Ndreu, Dhora leka, etj.., në vendet revizioniste po ndodhnin ngjarje të rëndësishme nën ndikimin e revizionistëve sovjetikë. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI
-Dëshmia në gjyq e Mihallaq Ziçishtit. Si sakrifikuam(arrestim e pushkatim) e bashkëpunëtorit Teme Sejkon, unë, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu për të shpëtuar zbulimin e grupit tonë të vënë në shërbim të agjenturave të huaja.
-Si i mbante lidhjet me zbulimet e huaja, kryetari i grupit tonë Mehmet Shehu.
-Si realizuam detyrën e zbulimeve të huaja për emerimin në të gjithë postet drejtuese në ushtri e Ministrinë e Punëve të Brendshme të anëtarëve të grupit tonë agjenturor.
SOM 1
“Liri Gega u arrestua menjëherë. Dali Ndreu, u internua dhe u arrestua më vonë. Në hetuesi të Liri Gegës kam shkuar unë, i kam marr materiale të veçanta që ja kam dhënë Kadri Hzabiut e Mehmet Shehut. I kam dhënë porosi se çfarë duhet të fliste në hetuesi dhe më vonë në gjyq, duke i premtua se do të ndërmjetësohet që tu falej jeta. Në hetuesinë e Dali Ndreut ka vajtur Kadri Hazbiu, i cili, ashtu si unë, i ka marrë Dali Ndreut materialet të veçanta të cilat, siç thashë, kanë përfunduar në dorë të Mehmet Shehut”
SOM 2
“Ziçishti pohon në gjyq:’Një akt tjetër armiqësor është organizimi i arratisjes në Jugosllavi i Panajot Plakut, në maj të vitit 1957, në marrëveshje me zbulimin jugosllav. Edhe për këtë veprim është biseduar gjatë e gjerë, është bërë një plan i hollësishëm, të cilin e kemi diskutuar dhe e kemi rrahur Mehmet shehu, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, unë dhe vetë Panajot Plaku. Arratisja e Panajot Plakut, ishte një sukses tjetër i grupit tonë armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu, në shërbim të zbulimeve të huaja”
SOM 3
“Për mënyrën e arratisjes së Panajot Plakut, pasi biseduam gjatë me anëtarët e grupit puçist që shpjegova më sipër, nga Mhmet Shehu e Kadri Hazbiu u ngarkuam unë dhe Feçor Shehu për ta realizuar në praktikë. Kështu, unë shkova në Qafë Thanë, nxorra preteksin se kishim të dhëna për kalim kufiri mbi Qafë Thanë, urdhërova që të merreshin masa mbi Qafë Thanë duke dobësuar anën tjetër, anën e poshtme, anën e liqenit. Për përfundimin e detyrës që mora, njoftova Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun”