Pas tetë ditësh do ta ketë përballë: në lojë është Champions League.
Ajo e Kardifit është padiskutim një finale e veçantë për Zidane: Reali i tij kundër Juves së tij. Ashtu si në 1998-ën, por me fanellat e kundërta: “Humbja e asaj finaleje ishte një dhimbje e madhe – ka rrëfyer Zizou, në kohët e tij si bardhezi, për UEFA.com – por për fat të mirë fitova me Realin. Allegri? I madh, ka përmirësuar Juve-n. Buffon? Lider i lindur, por unë kam Ronaldon: me të gjithçka është e mundur”.
Portugezi është njeriu kyç i Real Madri-it, në një formë të shkëlqyer falë edhe menaxhimit të kujdesshëm të trajnerit të tij: “Është një vendim që e kemi marrë së bashku, duke folur”, saktësoi Zidane, duke iu referuar pikërisht minutazhit të paktë të CR7. “Jemi inteligjentë, e ndonjëherë edhe ai ka nevojë të luajë pak më pak. Jo sepse nuk është në gjendje, por sepse kërkon të jetë në më të mirën e tij për fazën e fundit të sezonit, ku në lojë është trofeu më i rëndësishëm. Këtë vit nuk ka luajtur shumë, kjo për t’i dhënë pak frymëmarrje. Nuk ka fjalë që mund të përkufizojë Cristiano Ronaldon. E tregon veten sa herë që zbret në fushë, duke shënuar. Tani ka kaluar 400 gola me Real Madridin në të gjitha kompeticionet. Janë statistika të jashtëzakonshme, por me të gjithçka është e mundur”.
Nga Juventus-i, Zizou vlerëson forcën aktuale, meritë mbi të gjitha e Allegrit: “Meriton gjithçka që ka arritur dhe e ka treguar se është ndër trajnerët më të mirë në botë. Ka rindërtuar ose të paktën përmirësuar Juve-n. Natyrisht është meritë edhe e shoqërisë dhe lojtarëve, por mbi të gjitha e trajnerit. E respektoj shumë”.
