Zinedin Zidan njoftoi një konferencë shtypi surprizë për të zyrtarizuar largimin e tij nga Reali i Madridit, një rrufe në qiell të hapur për tifozët e skuadrës së rikonfirmuar kampione e Europës.
Tekniku francez rrëfeu vendimin e pakthyeshëm në qendrën e Valdebebas, duke lënë skuadrën spanjolle në kulmin e suksesit, pas plot 878 ditësh në drejtim dhe 9 titujsh të fituar.
Zidane ka dalë përkrah presidentit Florentino Pérez, e ka marrë fjalën prej tij, duke komunikuar: “E mora këtë vendim, sepse e dua shumë këtë klub. Mendoj se sot, për mua dhe për të gjithë, është mirë të ndryshojë diçka dhe si trajner të mos vazhdoj sezonin e ardhshëm. Ky është vendimi im, ka njerëz që mund të mendojnë ndryshe, por pas tre vjetësh, është koha për t’u larguar. E shoh qartë atë që duhet të bëj, të ndryshoj më mirë, të mos vazhdoj dhe të bëj gjëra të pakuptimta . Futbollistët e dinë, nuk kam folur drejtpërdrejt me ta, as veç e veç, por stafi ua ka bërë të ditur. Do të flas me të gjithë. Për momentin kam biseduar me kapitenin Sergio Ramos.
Unë mendoj se është koha të largohem. Lojtarëve u duhet një ndryshim. Unë dua t’i falënderoj lojtarët, sepse ata luftojnë në fushë. Ky është një klub shumë i kërkuar. Historia e këtij klubi është shumë e madhe.
Çfarë tjetër mund të kërkoj unë? Është koha që të vijë një tjetër trajner dhe të fitojë përsëri. Fitimi i trofeve për këtë klub është një çështje për të gjithë, jo për një, ose dy njerëz.
Real Madridi më ka dhënë gjithçka, unë do të jem pranë këtij klubi gjatë gjithë jetës time. Ky vendimi ndoshta nuk ka kuptim për shumë persona, por jo për mua. Është koha për të bërë një ndryshim, edhe për lojtarët është mirë.
Pas tri vitesh, mendoj se është vendimi i duhur.
Mbi të gjitha dua të falënderoj tifozët, që na kanë mbështetur gjithmonë. Kam një dashuri e respekt të veçantë për ta. Dëshiroj t’i falënderoj përsëri, për të gjithë mbështetjen tuaj e tyre, edhe kur kemi pasur momente të komplikuara, edhe kur na kanë vërshëllyer, por kjo është pjesë e këtij klubi.
E përsëris, ky është një vendim për të mirën e të gjithëve, ndryshimi është i domosdoshëm për të mbajtur fitoret. Nuk duhet të shkoj përtej kësaj. Tani ndihem mirë.
Kjo nuk është një ditë e trishtuar për mua, por një kohë… e komplikuar. Unë njoh shumë njerëz këtu dhe kjo nuk do të ndryshojë marrëdhënien. Kujtesa ime më e mirë është kur presidenti Perez më solli këtu për të luajtur, në këtë klub të madh.
Unë e kam jetuar, por po ju them se kjo është ëndrra e shumë lojtarëve. Gjëja më e bukur është kur presidenti më mori për të luajtur në këtë klub të madh. Largohem si tri herë fitues i Champions-it në rolin e trajnerit, me njëfarë hidhërimi që dështuam në La Liga këtë sezon. Gjëja më e keqe për këtë sezon ishte eliminimi nga Kupa e Mbretit, kundër Leganés.
Vendimi për t’u larguar është më i thjeshtë se sa duket. Ka faza në të cilat jetoni shumë momente të vështira e nuk dorëzoheni, por në futboll duhet të dini kur të ndaleni. Unë e bëj këtë për të mirën e këtij ekipi dhe këtij klubi. Dua ta përfundoj këtë fazë, kur çdo gjë shkon mirë.
Nuk jam lodhur nga trajnimi, por është koha për ta mbyllur këtu. Mendoj se është koha për t’u larguar”.
a.s/dita
