Zika, virusi që shkakton keqformime të rënda tek të sapolindurit si mikrocefali (kokë e vogël) dhe që ka prekur 22 vende sidomos të Amerikës Latine, ka mbërritur edhe në Europë. Në Itali janë regjistruar 4 raste, 3 raste në Britani dhe 2 në Spanjë.
Të gjithë të infektuarit kanë udhëtuar në zonat e prekura të Amerikës Latine. Për këtë arsye Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve (ECDC) rekomandoi gratë shtatzëna të mos udhëtojnë në vendet e prekura, sidomos në Amerikën Latine. Sipas specialistëve kërcënimi është i vogël pasi virusi nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu, por vetëm mes pickimit të mushkonjave.
Mund të ndodhë që një person që është infektuar në një vend të Amerikës Latine pickohet nga një mushkonjë tigër, e cila më pas transmeton virusin tek të tjerët. E njëjta gjë ka ndodhur me virusin Dengue, nga i cili pati një epidemi në Francën jugore verën e shkuar. Ndërsa Shërbimi Shëndetësor Britanik njoftoi në sajtin e tij ueb se që nga fillimi i janarit 2016 tre udhëtarë që vinin nga Kolumbia, nga Surinami dhe Guajana janë infektuar.
Ky shërbim nuk jep asnjë detaj për rastet, por nënvizon se Zika nuk ndodhet natyrshëm në Mbretëri dhe nuk transmetohet direkt nga njeriu te njeriu. Aktualisht nuk ekziston ndonjë një kurë, apo vaksinë për infeksionin nga virusi Zika, që transmetohet nga mushkonja Aedes Aegypti.
Virusi ka simptoma të lehta, të ngjashme me ato të gripit, por së fundmi është zbuluar se nëse e infektuara është shtatzënë, mund të shkaktojë anomali tek fetusi, mikrocefali, një gjendje në të cilën fëmijët lindin me koka të vogla dhe tru të pazhvilluar. Në Brazil, ku numri i të prekurve ka arritur 1.5 milionë janë rritur në maksimum edhe rastet e mikrocefalive.
Zyrtarët e shëndetësisë në Brazilia janë duke hetuar rastet dhe ndërkohë u kanë rekomanduar grave të shtyjnë shtatzënitë për një periudhë të caktuar. Virusi u zbulua për herë të parë në vitin 1947 në xhunglën Zika të Ugandës shumë i ngjashëm me viruset që shkaktojnë ethet tropikale, ethet e verdha, encefalitin japonez, apo virusin e Nilit Perëndimor. /DITA
