Ziza tenton flijimin për herë të tretë

redaktor

I dënuari me burgim të përjetshëm për përdhunimin dhe mbytjen e një fëmije me lidhëse këpucësh në vitin 2007, tenton të flijohet në qeli për herë të tretë që pas momentit të arrestimit të tij. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Burgun e Zaharisë në Krujë dhe mësohet se i dënuari që tentoi të vetëvritej është Shpëtim Ziza. Akti është tentuar të kryhet në gjendje të rënduar depresive, pasi Ziza vuan nga çrregullime të vazhdueshme mendore. Por gardianët e kanë ndaluar të riun pikërisht në momentin fatal, pak pasi është lidhur me çarçaf pas shtratit dhe e ka tërhequr për t’u mbytur. Menjëherë pas ngjarjes, Ziza është lëvizur nga qelia duke u dërguar për një mjekim të specializuar dhe u trajtua me një psikolog. Dyshohet se akti ka ardhur pas ngjarjes së fundit të ndodhur në Tiranë, kur vëllai i të dënuarit, Saimir Ziza, u vra në motive të dyshuara hakmarrjeje për krimin e vitit 2007. Shpëtim Ziza është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 10-vjeçarit Besim Çenga.
Tentativa e tretë

Shpëtim Ziza ka tentuar të paktën dy herë të tjera që të vrasë veten në burg dhe kjo sipas hetuesve vjen për shkak të gjendjes së tij depresive në qeli. Dy vjet pas krimit ai preu damarët në qeli dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e burgut të Krujës. Familjarët hodhën atëkohë dyshime se 26-vjeçari nuk ishte autori i atij krimi dhe se të tjerë persona qëndronin pas aktit makabër. Herë pas here Ziza në qeli shfaq shenja të çrregullimit të theksuar mendor, duke u bërë edhe agresiv. Edhe vitin e kaluar i dënuari ka tentuar të vetëvritet po në ambientet e këtij burgu dhe u shpëtua nga ana e gardianëve.

 

Krimi në 2007
Sipas dosjes hetimore të prokurorisë, Ziza e ka pranuar krimin duke pohuar se e kishte përdhunuar vogëlushin dhe më pas e kishte mbytur me lidhëse këpucësh. Policia tha se Shpëtim Ziza, në atë kohë 19-vjeç, është një i sëmurë psikik dhe me kartelë mjekësore. Ai kishte qenë i dënuar edhe në Greqi për krime të rënda pedofilie dhe dëbuar drejt Shqipërisë. Trupi i pajetë i 10-vjeçarit Besim Çenga u gjet në një përrua afër fshatit Tomin të rrethit të Dibrës, 5 ditë pas zhdukjes, më 23 tetor 2007. Ai ishte fëmija i madh i Ylli Çengës, banor i lagjes “Kamen” të qytetit të Peshkopisë. Sipas vendimit të gjykatës, Shpëtim Ziza kishte mashtruar 10-vjeçarin duke e ftuar të shkonte me të për të luajtur.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *