Një spital u përfshi nga zjarri gjatë natës në jug të Arabisë Saudite duke lënë pas të paktën 25 të vdekur dhe mbi 100 të tjerë të plagosur, thanë zyrtarët lokalë.
Flakët shpërthyen në departamentin intensiv të kujdesit dhe lindjes në Spitalin e Përgjithshëm të Jazanit, njoftoi Agjencia e Mbrojtjes Civile.
Të plagosurit janë transferuar në spitalet e tjera në zonë. Për rastin kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit. 21 ekipe të mbrojtjes civile kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit.
Fotot e publikuara nga media arabe “Okaz”, tregojnë djegiet e shumta nëpër dhomat e spitalit.
Jazani është në afërsi të kufirit me Jemenin, i cili prej muajsh është i përfshirë në luftime ndërmjet rebelëve Houthi dhe forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite.
Megjithatë, BBC shkruan se nuk ka ende asnjë pikë lidhje nëse zjarri mund të jetë shkaktuar nga konflikti. Më herët, një raketë u qëllua në drejtim të Jazanit nga Jemeni, por u ndal nga ushtria arabe. /Dita/
