Zjarret në Portugali, shpërthejnë 268 vatra në një ditë

Gazeta Dita

Portugalia vijon betejën kundër zjarreve që kanë pushtuar vendin për shkak të temperaturave të larta. Më shumë se 3,000 zjarrfikës u angazhuan gjatë fundjavës për të shuar flakët, ndërkohë që në një ditë të vetme kanë shpërthyer 268 vatra të reja zjarri. Në ndihmë të autoriteteve portugeze kanë ardhur edhe zjarrëfikës nga Njësia Spanjolle e Emergjencave.

Zjarrfikës të Njësisë Spanjolle Ushtarake të Emergjencave iu bashkuan forcave portugeze pasi qeveria e vendit aktivizoi Protokollin Europian për Mbrojtjen Civile duke kërkuar ndihmë nga Europa si një masë paraprake për të luftuar zjarret që kërcënojnë të përhapen akoma më shumë për shkak të motit të nxehtë në ditët në vijim. Më shumë se 3,000 zjarrfikës luftuan të shuanin zjarret në pyjet përqark Portugalisë gjatë fundjavës.

Shërbimet e emergjencave deklaruan se gjatë fundjavës kanë shpërthyer 268 vatra zjarri, numri më i lartë i regjistruar për këtë vit në një ditë të vetme, ndërkohë që 6,500 zjarrfikës në total luftonin për t’i vënë nën kontroll. Moti ekstremisht i thatë dhe i nxehtë nxiti katastrofën më të rëndë të zjarrit në Portugali më herët gjatë kësaj vere, ku 64 persona humbën jetën.

Flakët kanë vijuar të përfshijnë vendin javët e fundit me ardhjen e një vale të re të të nxhetit. Më shumë se 140,000 hektarë pyje janë djegur këtë verë në Portugali, tre herë më shumë se mesatarja e 10 viteve të fundit, sipas të dhënave të Bashkimit Europian.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *