Zjarri në Laboratorin e Kriminalistikës shkatërroi disa prova?

Saimir Lleshi

Zjarri i rënë në katin e dytë të godinës së policisë shkencore dyshohet se ka shkrumbuar disa raporte të ekspertimeve balistike, bashkë me një sasi kanabisi, ende të papërcaktuar në sasi.

Prokuroria e Tiranës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kanë nisur hetimet për ngjarjen në një nga institucionet që konsiderohet i sigurisë së lartë, pasi ka dyshime se zjarri ka qenë i qëllimshëm.

Hetuesit kanë këqyrur vendngjarjen, ndërsa kanë gjetur disa parregullsi në funksionimin e godinës. Në momentin e rënies së zjarrit nuk funksiononin kamerat e sigurisë, nuk kishte rënë alarmi për zjarrin, apo alarmi për hapjen e dyerve.

Dyshimet shtohen më tej edhe për mungesën e rojeve brenda në godinë, ashtu siç e parashikojnë edhe rregulloret e Laboratorit Kriminalistik.

Prokuroria ka dyshime se zjarri mund të jetë vënë për fshirjen e provave, ku janë djegur disa raporte të ekspertimeve balistike apo një sasi kanabisi.

Së fundmi, policia shkencore dorëzoi raportin në prokurori për çështjen ndaj Armando Prengës, ndërsa burimet e “Shqip” nga grupi hetimor për zjarrin nuk përcaktojnë nëse janë djegur apo jo provat për këtë çështje. Për kanabisin, dyshimet janë se mund të jetë djegur mostra të drogës të sekuestruar vitin e kaluar pranë lagunës së Vilunit, në Velipojë.

Gjithsesi, këto janë dyshimet e para ndërsa verifikimet e mëvonshme, apo provat e mbledhura, mund të hedhin dritë mbi zjarrin e rënë në godinën e Policisë Shkencore, e cila duhet të ruhet 24 orë, me roje brenda dhe jashtë godinës, siç edhe parashikohet në rregullore. Hetuesit do të verifikojnë nëse ka qenë neglizhenca apo vetëdija e drejtuesve të laboratorit që shkaktuan zjarrin në godinë.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *