Vetëm dy kompani të huaja kanë dorëzuar ofertat për zonën ekonomike të Spitallës. Ministria e Ekonomisë zhvilloi sot procedurat e përzgjedhjes, ku njëra nga kompanitë ishte nga Kina, ndërsa tjetra italiane.
Sipas Ministrisë, paraqitën oferta konsorciumi i kompanive kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd”, oferta e të cilëve parashikon një vlerë investimi në shumën e 1.5 miliardë USD.
Periudha e përfundimit të të gjitha fazave e ofruar është 9 vjet, ndërsa aktivitetet që do të zhvillohen brenda në zonë përfshijnë industrinë e lehtë dhe atë të mesme. Në planin e saj të biznesit, kompania kineze parashikon hapjen e rreth 90 mijë vendeve të punës brenda periudhës në fjalë.
Kompania e dytë, e cila dorëzoi ofertën e saj ishte kompania italiane “RENDur4” sh.p.k, për të cilën komisioni është duke shqyrtuar ofertën.
Komisioni i vlerësimit do të tërhiqet për të vazhduar punën për verifikimin e dokumentacionit të paraqitur me ofertat, nga kompanitë pjesëmarrëse dhe pas vlerësimit do të përgatisë Raportin përkatës të Vlerësimit dhe brenda 30 ditëve do të njoftojë në mënyrë zyrtare të gjithë ofertuesit pjesëmarrës për ditën, vendin dhe orën për klasifikimin përfundimtar të kandidatëve/ofertues. /Dita/
