“Zonja Argita, e kujt është toka që i ofruat biznesmenit pakistanez?”

anazapta

dokumentiDeputeti socialist, Erion Braçe, kërkon sqarime nga vajza e kryeministrit në lidhje me tokën që kjo e fundit i ka ofruar biznesmenit pakistanez Zafar Ansar. Braçe ngre pyetjen për pronësinë e tokës së ofruar si dhe kërkon sqarime për faktin si arriti Damir Fazlliç të blinte gjithë atë tokë pranë Porto Romanos.

“Toka është elementi tjetër kyç në çështjen “Zonja 3 milionë euro”.

Po vijoj të bëj pyetjen e të kërkoj përgjigje:

Zonja Argita, e kujt ishte toka që ju i ofruat për të blerë zotit Zafar Ansar? E juaja? Nëse po, si u bëtë ju pronare e saj? E shtetit? Si e disponuat ju atë? E dikujt tjetër? E kujt?

Por kam edhe një pyetje tjetër:

Si i bleu “Crown Aquisitions” e Damir Fazlliç 25.030 m2 tokë në fshatin Rinia, buzë detit, aftër Porto Romanos në Durrës? Besoj se do të përgjigjeni. Ju jeni transparente”, shprehet deputeti socialist, duke publikuar edhe një faksimile të certifikatës së pronësisë së tokës.

 

*************

 

Në qendër të akuzave ndaj vajzës së kryeministrit, Argita Berisha Malltezi, u vu një korrespondencë mes zyrës së saj avokatore dhe biznesmenit pakistanez Zafar Ansar, i cili kërkonte të investonte në Shqiperi në fushën e energjitikës.  Por cili është qëndrimi i zotit Ansar për të gjithë këtë histori nisur në vitin 2007?  Zafar Ansar thotë se Shqipërinë e ka vizituar për herë të parë kur një mik ishte ambasador i Pakistanit në Romë, që mbulonte edhe Shqipërinë. Ai  Kryeministri ishte i gëzuar që po dëgjonte rreth këtij projekti dhe më tha se do të bënte gjithcka që mundej duke shtuar se shpresonte që unë të bashkëpunoja me njerëz të mirë në Shqipëri. Zafar Ansar e ftoi ta shoqëronte kur do t’i dorëzonte letrat kredenciale presidentit të Republikës.  Zafar Ansar thotë se kompania e tij kryesisht merret me financë dhe projekte energjitike. Në Shqipëri ai donte të blinte bankën e kursimeve, por ky projekt nuk u realizua pasi Ministria e Financave zotëronte 40% të aksioneve.  Më pas Ansar deklaron se nisi eksploronim mundësisë për të investuar në energjitikë. Me zotin Ansar bisedoi gazetari Muhamed Veliu.

 

Veliu: Si mundët të takoheni me kryeministrin Berisha dhe çfarë biseduat?
Ansar: Takimi u organizua nga ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite. Vajta e takova për ta informuar se kisha në plan të ndërtoja një Tec me kapacitet 12 Mega Ëat. Kryeministri ishte i gëzuar që po dëgjonte rreth këtij projekti dhe më tha se do të bënte gjithçka që mundej duke shtuar se shpresonte që unë të bashkëpunoja me njerëz të mirë në Shqipëri. E falenderova duke i thënë se do të jetë kenaqësi e imja.
Veliu: Si jeni njohur me ambasadorin shqiptar në Arabinë Saudite, Admir Banaj?
Ansar: Në vitin 2007 Pakistani organizonte takimin e ministrave të Jashtëm të Konferencës Islamike në Islamabad. Merrte pjesë edhe Shqipëria duke u përfaqësuar nga zëvendësministrja e Jashtme, Edith Harxhi. Zoti Admir, ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite, ishte pjesë e delegacionit të saj. Kjo ishte hera e parë që e takova.
Veliu: Kush ju prezantoi me kompaninë avokatore të Argita Berishës?
Ansar: Takimi është organizuar nga zoti Admir, ambassador në Arabinë Saudite.
Veliu: A jeni takuar personalisht me Argita Berishën?
Ansar: Disa herë.
Veliu: A bëri ndonjë premtim Argita Berisha?
Ansar: Ne biseduam se çfarë ishim të interesuar të bënim. I tregova për mungesën e energjisë elektrike në Shqipëri dhe interesin që kisha në ndërtimin e një Teci. Ajo më tha se kjo është një diçka që na duhet dhe ne ju inkurajojmë për ta bërë atë.
Veliu: Si mund të na e përshkruani të gjithë korrespondencën që patët me të?
Ansar: Ju keni aksesin e të gjithë e-maileve nga ku mund të shikoni të gjithë bashkëbisedimin që ne patëm, ku tregohet se si mund të ecnim përpara me këtë projekt. Ajo më këshilloi se duhej të përgatisnim një ofertë për kompaninë KESH. Ne e bëmë një gjë të tillë. Dhe kështu filluam.
Veliu: A ju la Argita Berishë ndonjë llojë impresioni se ajo po përdorte statusin e saj si vajza e kryeministrit për të plotësuar kërkesat tuaja?
Ansar: Fakti që ajo është vajza e kryeministrit më bëri të mos kisha asnjë dyshim në mendjen time se ajo do të mundësonte duke përdorur influencën e saj për të arritur objektivin që kisha, sa më parë pa patur probleme. Prandaj edhe rash dakort që të punoja me të.
Veliu: A ka patur ndonjë lloj presioni gjatë korrespondencës tuaj në blerjen e tokës për të cilën ishit i interesuar?
Ansar: Fillimisht nuk e dija që ajo kishte interes në shitjen e tokës të cilën më ofroi. Fillimisht më pyeti nëse dëshiroja të bleja tokë dhe çfarë hapësire. I tregova se kisha nevojë për tokë ku mund të ndërtoja Tecin. Këtë e bëra nëpërmjet një e-maili ku i shpjegoja specifikat e tokës që më duhej. Ajo më pas më informoi se toka ishte gati dhe se duhet të veproja shpejt në mënyrë që ta bleja pasi më vonë s’do të kisha mundësi. Toka e ofruar prej saj ishte jo e përshtatëshme, pa infrastrukturën e nevojshme, shumë e shtrenjtë dhe nuk përmbushte kërkesat e mija. E informova se ishte pak herët për mua të bleja token, pasi fillimisht duhet të aprovohej projekti dhe më pas të investoheshin miliona euro për blerjen e  tokës. Ajo më tha se aprovimi i projektit nuk do të përbënte problem. Lexoni e-mailet dhe nxirrini vetë konkluzionet. Shitja e tokës ishte një mundësi e shpejtë për të bërë para. Po, kishte presion ndaj meje për të blerë tokën. Pasi vedosa mos ta blija tokën, mu tha se projekti për ndërtimin e Tecit 120 Mega wat do të ketë probleme. Më pas nuk pata asnjë komunimin nga KESH-in. Nuk mu besua se si kjo mundësi për ndërtimin e Tecit u injorua në këtë mënyrë pasi do të lehtësonte nevojat e njerëzve për energji elektrike. E gjitha një humbje mundësie për të patur një investim prej 100 milionë eurosh.
Veliu: Cili është komenti juaj në lidhje me kërkesën e Flutura Kolës, partnere në kompaninë avokatore të Argita Berishës, e cila në e-mailin e datës 6 tetor 2007 thotë se, nëse investimi do të jetë i suksesshëm, ateherë ju duhet t’i paguanit kompanisë avokatore 1.5% deri në 3% të vlerës së investimit?
Ansar: Vlera e projektit shkonte në 100 milionë euro. Mu duk shumë e çuditshme për një kompani ligjore që të kërkonte të paguhej, krahas punës me aspektin juridik edhe me pagesë për suksesin e investimit pavarsisht sigurisë 100% në realizimin e qëllimit nga investitori. Praktika e përgjithëshme në Europë për kompanitë avokatore konsiston në pagimin nga klienti, vetëm të orëve të punës të avokatëve. Ata nuk kërkojnë të paguhen për atë që njihet si “pagesë për suksesin”: Në këtë rast duket qartësisht se meqënëse ajo është vajza e kryeministrit gjen mënyrën dhe e bën.
Veliu: Cilat ishin arsyet që u tërhoqët nga ky investim?
Ansar: Mund t’ju them se nuk u tërhoqa nga ky projekt, por mu tha se nuk mund të merrja lejen për ta ndërtuar Tecin. Arsyeja e vetme që mund të mendoj përse kjo ndodhi lidhet me mosblerjen e tokës me atë çmim aq të lartë që mu ofrua. Edhe sikur të më jepej leja, unë nuk do ta kisha blerë atë tokë, pasi nuk ishte e përshtatshme për të ndërtuar atë që une doja. Më erdhi shumë keq që s’munda ta realizoja një investim të tillë prej 100 milionë euro.
Veliu: Pas publikimit të korrespondencës tuaj në median shqiptare a jeni kontaktuar nga ndokush, për të mohuar përmbajtjen e këtij bashkëbisedimi nëpërmjet postës elektronike?
Ansar: Në kohën kur e-mailet e mia u publikuan, zoti Admir Banaj më kërkoi disa herë që të hidhja në gjyq gazetarin që i publikoi ato. Sa herë që ma ka kërkuar ta bëja një gjë të tillë, iu përgjigja se nuk kam ndërmend të përfshihem në politikën e brendshme. Ai nuk hiqte dorë nga kjo kërkesë për të çuar në gjyq gazetarin, madje më bëri edhe oferta joshëse. Më prezantoi me një avokat në Tiranë, i cili ishte i gatshëm te merrej me këtë çështje, natyrisht me një kosto goxha të lartë. Përsëri i thash zotit Admir se nuk dua të merrem me këtë çështje. Ai u mërzit shumë me mua. Përdori influencën e tij në Ministrinë e Jashtme dhe në zyrën e kryeministrit për të më hequr titullin si “konsull nderi i Shqipërisë në Pakistan”.
Veliu: Sipas jush, heqja e titullit lidhet direkt me vendimin për të mos vazhduar me këtë projekt në Shqipëri, pas ndërprerjes së bashkëpunimit me zyrën e vajzës së kryeministrit?
Ansar: E çfarë tjetër mund të ishte? Nuk ishte e drejtë të më kërkonin me forcë të thoja gjëra që nuk doja t’i thoja. Ambasadori donte që unë të thoja se gjërat ishin në rregull, në mënyrë që të përfitonte njëri apo tjetri. Nuk rash dakort me të tilla kërkesa.

**********
Historia e email-eve dhe biznesit Ansar-Malltezi

Korrespondenca për të gjetur marrëveshjen për shitjen e tokave në Porto-Romano nga studioja legale e Argitës drejt biznesmenit Ansar dhe negociatat për aprovimin e projektit energjitik nga qeveria shqiptare në vitin 2007.

Ndahen në dy faza botimet e email-eve mes biznesmenit Zafar Nasar dhe studios Malltezi. Një pjesë e email-eve dolën në media në vitin 2009, ndërsa paketa e dytë e këtyre email-eve u bë publike nga deputeti Taulant Balla javët e fundit. Në email-et e botuara në media në vitin 2009 dukej qartë  qartë se ndërmjet Argita Malltezit dhe Zafar Ansar është zhvilluar një takim “shumë i frytshëm”. “E dashur zonja Malltezi, ishte një kënaqësi të takohesha me ju dhe të diskutonim për ndërtimin e një parku energjetik me fuqi 100-120 MË në Shqipëri. Siç ramë dakord, kërkesat tona për tokën janë 50-60.000 metra katrorë….”,- është e-maili i parë i shkëmbyer mes Argita Malltezit dhe Zafar Ansar. Në të, shtetasi i huaj paraqet të gjitha kërkesat e tij për tokën si dhe i kërkon Malltezit edhe informacione në lidhje me lejet që duhet të marrë nga shteti shqiptar për ngritjen e impiantit. Në e-mailet e tjera vajza e kryeministrit dhe shtetasi i huaj Zafar Ansar diskutojnë për tarifat që do të marrë Argita Malltezi për punën e saj. Këto tarifa janë nga 150 deri në 200 euro për çdo orë pune. Më pas Argita Malltezi i sugjeron klientit të huaj që të negociojë edhe me KESH-in në mënyrë që të nisë projekti për ndërtimin e parkut energjetik.
Opsionet
Pas shumë diskutimesh, Argita Malltezi i jep Zafar Ansar dy variante: i pari për një tokë që ndodhet pranë nënstacionit elektrik por edhe pranë një zone të pabanuar; i dyti është disi më larg nënstacionit por është shumë prane një zone industriale. “Unë ju sugjeroj që të zgjidhni variantin e dytë, i cili është edhej zgjedhja më e sigurtë”,- këshillon Argita Malltezi Berisha në lidhje me tokën e Damir Fazlliç. Më pas ajo i kërkon Zafar Ansar që të nxitojë me zgjedhjen e tij pasi ka shumë presion nga agjentët e saj në terren. Në këtë pikë Zafar Ansar i shpjegon Argita Malltezit që përpara se të merren vendimet duhet marrë miratimi i KESH-it. Dhe më pas ai i bën propozimin “Në lidhje me tokën unë do të ndjek sugjerimet e tua por marrëveshja përfundimtare duhet bërë vetëm pasi të kemi marrë përgjigje pozitive nga KESH-i, e cila mund të arrihet me përpjekjen tuaj”,- thuhet në e-mailin drejtuar Argita Malltezit.
Në letërkëmbimin e vajzës së kryeministrit me shtetasin e huaj Zafar Ansar përveç pagesës fikse, e cila është 150- 200 euro për çdo orë pune, Argita Malltezi parashikon edhe një tarifë përfundimtare. Kjo është disa herë me e lartë se sa e para pasi studioja “Malltezi& Kola” kërkon që të paguhet tre për qind e shumës totale të investimit në rast se marrëveshja realizohet. Toka iu ble fshatarëve me çmime qesharake me pretekstin se ishte e helmuar. Kur dolën këto email-e të para në vitin 2009 reagoi dhe Argita malltezi zyrtarisht duke i konsideruar këto letër-këmbime si një marrëdhënie normale mes një studioje ligjore dhe një kompanie investimi, duke akuzuar asokohe opozitën se po përpiqej të ngrinte në këmbë një skandal që nuk ekzistonte. Këto email-e janë risjellë në vëmendjen e publikut tre javë më parë nga deputeti socialist Taulant Balla, i cili ka nxjerrë në dritë dhe disa email-e të reja ku si element i ri erdhi roli i ish-amjbasadorit shqiptar në Arabinë Saudite Admir Banaj. Nga email-et kuptohej se ishte Banaj ai që kishte afruar Ansarin me studion Malltezi, ndërsa pas kushteve të Argita malltezit duket se Ansar është revoltuar me të dhe indinjatën e tij ia ka shprehur dhe ambasadorit Banaj. Ky i fundit në njërin prej email-eve i kërkonte ndjesë për presionin që kishte ushtruar Argita mbi të, por sikundër ka deklaruar dhe dje Ansar në intervistë, pasi email-et u bënë publikë fillimisht në vitin 2009, ishte pikërisht ambasadori Banaj ai që i kërkoi Zafar Ansarit që të hidhte në gjyq gazetarin Mero baze i cili i botoi këto email-e në gazetën Tema.

 

 

Tokat e parkut energjitik në pronësi të Damir Fazlliç

Tokat që studio Malltezi ka tentuar ti shesë biznesmenit Zafar Ansar në Porto Romano  në fakt ishin toka që kanë implikuar dhe biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazllic. Pasi ky i fundit kaloi në filtrin e prokurorisë, u zbulua se Fazlliç kishte blerë sipërfaqe gjigande tokash në Porto Romano me çmim shumë të lirë dhe i kishte rivendosur në shitje me çmim disa herë më të lartë pasi shpalljes së kësaj zone si Park Energjitik nga qeveria shqiptare. Prokuroria e Tiranës pas hetimeve disa mujore në vitin 2008 ka zbardhur të gjitha kontratat e shit-blerjes së dy parcelave në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës, ku serbo-boshnjaku Damir Fazlliç ka blerë 14 hektarë tokë. Mësohet se nga sekuestrimi i të gjitha kontratave të shit-blerjes ka rezultuar se kompania e drejtuar nga shtetasi Damir Fazlliç “Croën Acquisition” e cila është shitur më pas tek kompania e tij me seli në Qipro “Altarie Reserach Limited” ka blerë 140 mijë metra katror truall në dy parcela në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës. Kjo sipërfaqe e tokës, sipas kontratave, është blerë me shumën e rreth 2 milionë eurove, që nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se 1 metër katror është blerë nga Fazlliç me 14 euro. Dyshohet se kjo shumë qesharake është vlerësuar pas “mashtrimit” të pronarëve të tokës që prona e tyre nuk është e vlefshme pasi është e helmuar. Sipas akuzës, kompania e personit në hetim serbo-boshnjakut Damir Fazlliç “Crown Acquisition” i ka blerë këto prona në dy parcela, ku njëra prej tyre ka kushtuar 900 mijë euro dhe tjetra rreth 1 milion e 75 mijë euro, ku në total kap një sipërfaqe prej 140 mijë metrave katror.

 

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *