Zonjë, a jeni paptisur?

anazapta

Pyetje:

Jam një grua e martuar rreth të tridhjetave. Nëna më ka vdekur nga kanceri i mitrës. Jam shumë e frikësuar. Kam dëgjuar se ka një vaksinë që mbron nga kanceri i mitrës. A keni mundësi të më shpjegoni pak më shumë? Faleminderit

Përgjigje: 

Ka një vaksinë për të cilën është folur shumë në vitet e fundit. Kjo vaksinë, quhet “Gardasil” dhe vë nën objektivin e saj shtamet 6, 11, 16 dhe 18 të Human Papiloma Virusit (HPV), që janë përgjegjëse për kancerin e qafës së mitrës.

Ekspertët mendojnë se kjo vaksinë duhet të shtohet në listën e vaksinave që duhet të bëjnë vajzat e shkollave, përpara se te kenë filluar jetën aktive seksuale. Këto duhet të mbrohen përpara se të jenë ekspozuar me virusin, sepse vaksina nuk ka asnjë efekt pasi vajza të jenë infektuar.

Vaksina mbron nga infeksioni, por nuk është efektive për të pastruar infeksionin kur ai është instaluar. Vaksinimi mund të mbrojë çdo grua që, akoma, nuk është infektuar me virusin HPV. Për gratë që nuk janë të infektuara me HPV, vaksina mund të jetë e vlefshme, është kjo arsyeja që ekspertët e pranojnë idenë që mund të vaksinohen edhe gratë deri në 26 vjeç.

Sipas specialistëve, politika më e mirë për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës është që vajzat të bëjnë kujdes të mos infektohen me Herpes Papilloma Virusin.

Për të arritur këtë qëllim duhet që:

a-Vajzat të përpiqen ta shtyjnë sa më shumë fillimin e jetës aktive seksuale

b- Kur të vendosin të fillojnë jetën seksuale, të jenë shumë të kujdesshme që bëjnë, çdo herë, seks të sigurtë

c- Të vaksinohen me Gardasil përpara se të fillojnë jetën seksuale

Pas daljes së vaksinës Gardasil, ka patur një konfuzion shumë të madh, tek doktorët dhe në popull. Vaksina, gabimisht, u konsiderua efektive edhe për gratë që, tanimë, ishin të infektuara.

Siç e thashë edhe më sipër, studimet kanë vërtetuar se vaksinimi kundër kancerit të qafës së mitrës, parandalon infektimin me HPV. Por vaksinimi, as pakëson dhe as eliminon infeksionet që  kanë ndodhur para tij. Kjo do të thotë se vaksinimi me Gardisil ose Cervarix, nuk vlen si mjekim për gratë e sëmura HPV, që është sëmundja seksualisht e transmetueshme më e zakonshme dhe që është shkaku kryesor për kancerin e qafës së mitrës. Sot, nuk ekzistojnë teste të veçanta, që të përcaktojnë nëse një grua është e infektuar me virusin HPV. Kjo do të thotë, se për një vajzë që është seksualisht aktive, doktorët nuk kanë asnjë mënyrë që të zbulojnë nëse ajo është infektuar me ndonjërin nga shtamet karcinogjene të HPV. Por, një gjë duhet të dihet mirë: Vajzat infektohen me këto shtame shumë shpejt pas fillimit të aktivitetit seksual. Është me rëndësi të dini se “Gardesili” ka efekt vetëm për katër shtame të HPV. Por, ekzistojnë edhe shumë shtame të tjera që shkaktojnë kancerin e qafës së mitrës. Për të gjitha këto arsye që përmenda më lart, rekomandimet për kryerjen e “Testit Pap” mbeten të pandryshuara.

Gratë, që e kanë filluar jetën seksuale, me shumë probabilitet janë të infektuara me virusin HPV dhe përdorimi i vaksinës “Gardasil” nuk ka kuptim. Masa më e mirë prevenuese për këto gra e vajza është depistimi i hershëm i kacerit të qafës së mitrës, me anë të “pap testit”. Çdo Vajzë dhe grua, e vaksinuar ose jo me gardasil, që dëshiron të evitojë kancerin e qafës së mitrës, duhet të kryejë rregullisht testin Pap. Sot, kjo është e vetmja politike efektive në luftën kundër kancerit të qafës së mitrës.

Në vitin 1952, Dr. Papanicolaou, pas dyzetë vjet përpjekjesh (për shumë vjet, ai çdo ditë mori strishio edhe nga qafa e mitrës së gruas së tij), arriti ta bindë National Cancer Institute, që të bënte të njohura provat e shumta klinike, të parat në historinë njerëzore që mundësonin parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, duke përdorur teknikën e tij të strishiove. Thuajse, çdo femër e rritur, banuese e Kontesë Shelbi në Tennessee, gjithsej, 150.000 gra, të shpërndara në tetëqind milje katrore, u testuan me Pap-test.

Strishiot erdhën nga qindra drejtime, nga zyrat e vogla njëdhomëshe të doktorëve, nga pikat për testim të hapura në fermat e kuajve të Germantownit, e deri nga klinikat e mëdha të shpërndara në qytetin e Memphisit. “Klinikat Pap”, përkohësisht, u ngritën në fabrika dhe në pallatet shumëkatëshe plot me zyra. Materiali, sapo merrej nga gruaja, dërgohej në qendrën mikroskopike gjigante të Universitetit të Tennessit. Në muret e kësaj qendre ishin varur fotografi të strishiove normale dhe anormale, të vendosura në korniza. Teknikët lexonin strishiot ditë e natë dhe i krahasonin me pamjet mikroskopike te varura në mure. Rreth njëmijë strishio ekzaminoheshin çdo ditë.

Sic edhe pritej, ekipi i Shelby, gjeti tek gratë lezione kanceroze të avancuara. Në studimin e 150.000 rasteve të para, kanceri cervical invaziv u konstatua në 555 gra. Ajo që bëri përshtypje të madhe ishte fakti, se në 557 gra të tjera, u gjetën lezione kanceroze parainvazive, ose gjendje prekanceroze. Ky ishte stadi i hershëm me lezione lokale, që janë të kurueshme me anë të procedurave kirurgjikale, relativisht, të thjeshta. Shumica e këtyre grave ishin pa simptoma dhe nuk ishin testuar më parë. Ato kurrë nuk ishin dyshuar dhe nuk ishin konsideruar me lezione parainvazive.

Ka shumë rëndësi të theksohet, se mosha mesatare e grave të diagnostikuara me këto lezione parainvazive, ishte, mesatarisht, njëzet vjeç më e vogël, nga mosha e grave me lezione invazive. U kuptua se kancerogjeneza është një marshim i gjatë nga lezionet parainvazive në ato invazive. Dhe ky fakt ka vlerë shumë të madhe praktike. Pap-strishiot bënë të mundur që kanceri të zbulohet rreth dy dekada më herët, në stadin e tij preinvaziv. “Paptesti” bëri të mundur që kanceri cervikal, nga kryesisht i pakurueshëm, të bëhet kryesisht i kurueshëm. Ky është një sukses shumë i madh në luftën kundër kancerit të mitrës Pas këtyre njoftimeve shkencore, që unë i përmenda fare shkurt, a nuk na lind e drejta të pyesim çdo grua:

Zonjë, a jeni Paptisur?
Pyetjet: [email protected]
New York, Shkurt 8, 2014

 

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *