Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë vendosur se si do të jetë protokolli që do të zbatohet për hapjen e shkollave, si edhe skenarët që do të zbatohen në vazhdimësi në kushte aspak të zakonshme pas një ndërprerje prej 7 muajsh.
Zv.ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Nina Guga, ishte ftuar për të diskutuar për këtë çështje, në programin “Rudina”. Ajo u shpreh se vendimi për hapjen e shkollave erdhi i konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Guga shtoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit kanë prioritet mirëqenien dhe shëndetin e nxënësve që do t’u rikthehen bankave të shkollës.
Nina Guga: Që të vijmë në vendimin që shkolla të fillojë në 14 Shtator sigurisht erdhëm pas shumë kërkesave të vetë nxënësve dhe prindërve, por dhe të mësuesve sigurisht, se nuk mund të krahasohet mësimi direkt me mësimin online. Ky vendim për hapjen e shkollave erdhi i konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë, ku në radhë të parë si Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit kanë mirëqënien dhe shëndetin e nxënësve që do t’i kthehen bankave të shkollës. Kështu që ky vendim duke u parë edhe në të gjitha vendet e tjera në rajon dhe në Europë, që tendenca ishte për të hapur në kushte fizike shkollën dhe ne menduam që në këto momente rikthimi në shkollë i nxënësve do t’i bënte mirë jo vetëm mësimit dhe marrjes në mënyrë interaktive, direkt në marrëdhënie me mësuesit dhe nxënësit e tjerë, por edhe për zhvillimin e sistemit mendor dhe shëndetësor të vetë nxënësve, por sigurisht edhe me mësuesit. Ky protokoll është një protokoll strikt që duhet zbatuar nga të gjithë, duhet të rritet shumë shkalla e ndërgjegjësimit për t’u zbatuar nga të gjithë aktorët e sistemtit tonë arsimor, duke filluar nga drejtuesit e institucioneve, nga vetë mësuesit.
Ju keni një strategji për këtë?
Nina Guga: Patjetër që është një strategji e mirëmenduar dhe Ministria e Shëndetësisë në protokollin që ajo ka nxjerrrë dhe ne ia kemi bashkëngjitur udhëzuesit të fillimvitit shkollor është një protokoll strikt, që duhet zbatuar rreptësisht sipas atyre, që le të themi, imponon ky protokoll.
Më tej, Guga shprehet se nuk është një proces i lehtë dhe kërkon në radhë të parë ndërgjegjësim. Nëpër shkolla do të jenë të pranishme dhe grupet e monitorimit që do të shohin zbatimin e protokollit në shkolla. Në rast se një nxënës ose mësues rezulton me Covid, e gjithë klasa do të izolohet dhe mësimi për ta do të kryhet online.
Nina Guga: Nuk është proces i lehtë, është proces i vështirë, kërkon në radhë të parë shumë ndërgjegjësim, kërkon ta zbatosh me rreptësi këtë rregull. Prandaj dhe nëpër shkolla janë caktuar grupet monitoruese që do ta shohin zbatimin e protokollit në shkollë. Këto grupe monitoruese kanë të bëjnë qe me hyrjen, kontrollin e distancës, kontrollin e temperaturës së nxënësve dhe do t’i shoqërojnë deri në klasat e tyre që janë me numra të përcaktuara.
Çfarë do të ndodhë nëse konstatohet një mësues ose nxënës me Covid? Cilat janë masat që merren?
Nina Guga: Atëherë në momentin e konstatimit vetë ekipi shëndetësor i shkollës do të komunikojë me Qendrat e Institutit të Shëndetit apo me mjekun e familjes dhe familjarët, dhe do të bëhen të gjitha hapat e protokollit. Që do të thotë nëse tamponi do të dalë pozitiv në atë klasë ku ka një fëmijë, atëherë ajo patjetër që do të izolohet si klasë dhe e gjithë klasa do të kalojë në mësimin online.
Po familjarët, prindërit e nxënësve?
Nina Guga: Do të respektohet protokolli, do të ndiqet gjurmimi.
Do të bëhet tampon për të gjithë?
Nina Guga: Patjetër!
Do të duhen shumë tamponë!
Nina Guga: Aq sa të duhen!
a.t / dita
