Kombëtarja pëson humbjen e tretë radhazi, e tradhtuar nga mbrojtja, e mposhtur nga një kundërshtar i organizuar dhe klasi i Shaqirit. Me tri humbje radhazi, kualifikueset kthehen nga ëndërr në makth.
E saktë si një sahat zviceran, skuadra e Otmar Hicfeldit mori një fitore të merituar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe siguroi kualifikimin në finalet e botërorit Brazil 2014, pa pritur ndeshjen e fundit. Në të kundërt, Shqipëria, pasi iu shua edhe matematikisht ëndrra e kualifikimit, tani është pushtuar nga ankthi i tri humbjeve radhazi dhe i vendit të parafundit në renditje, të cilin mund ta shmangë vetëm falë ndonjë mrekullie. Pasi qanë mungesën e Mërgim Mavrajt në dy ndeshjet e mëparshme, kuqezinjtë (ku përfshihen lojtarë, trajner, tifozë e gazetarë) panë me horror se si as rikthimi i tij nuk mundi t’i arnonte të çarat e mëdha në mbrojtjen shqiptare, fajtore edhe për humbjen e pësuar dje. Trajneri Xhani De Biazi vlerësoi paraqitjen taktike të skuadrës së tij, por në të vërtetë Shqipëria as nuk sulmoi dhe as nuk u mbrojt. Ndonëse e mbledhur e gjitha në gjysmëfushën e vet gjatë pjesës së parë, kombëtarja shqiptare krijoi hapësira të jashtëzakonshme, mes të cilave penetronin lehtësisht futbollistët e Zvicrës. Shaqiri ishte shqetësimi kryesor për shqiptar, lojtar i një niveli tjetër, të cilin vendasit mundën ta ndalnin vetëm me ndërhyrje të parregullta. Shpeshherë të njëjtin trajtim ofruan Inler e Behrami për mesfushorët krijues të Shqipërisë, duke i marrë frymën Ramës e Kaçes, pa i lejuar në asnjë moment të organizonin sulme. Pjesa e parë e tregoi qartë superioritetin e miqve, mahnitshëm të saktë në çdo aksion, ndërkohë që fillimi i të dytës zhduku idenë naive të tolerimit nga ata që i kemi të një gjaku e që njëkohësisht i kemi denigruar e mallkuar deri në pafundësi, si pjesë e “lojës jashtë fushe”. Xhaka gjuan nga jashtë zonës, topi përplaset te Shaqiri që e kontrollon pak brenda zonës (ndoshta edhe me ndihmën e dorës) dhe gjuan saktë ngjitur me shtyllën, pa i lënë asnjë shans Berishës. Goli shërben si katalizator për Shqipërinë, e cila hidhet përpara, por është shumë e paqartë dhe aksionet janë të pasakta. Rama nuk mundet të driblojë, përherë nën morsën e kundërshtarëve, ndërsa Salihi i hyn detit në këmbë teksa në tre raste kërkon të gjuajë me roveshatë, pa e kapur kurrë topin. Futja e Odise Roshit e gjallëron lojën, teksa mesfushori fierak galopon fuqishëm nga e majta. Falë tij ishim shumë pranë barazimit, teksa me një gjuajtje të fuqishme tund traun, ndërsa Salihi nuk arrin ta shtyjë topin e kthyer në rrjetën e boshatisur, duke gjuajtur jashtë nga pak metra. Dy minuta më pas, një tjetër çorbë e mbrojtjes kuqezi dhe mbrojtësi Lang shënon golin e dytë. “Game over”, por jo plotësisht. De Biazi fut Mehmetin, i cili fiton një penallti kur pengohet në mënyrë të parregullt nga portieri Benalio. Salihi gjuan saktë dhe shkurton diferencën, ndërkohë që tri minutat shtesë japin ende shpresa. Një gjuajtje e Agollit dhe një goditje këndi nga Roshi ishin shumë pak për të tundur për herë të dytë rrjetën dhe Zvicra i gëzohet fitores, bashkë me të kualifikimit në botëror. Arritje të merituara, ndërsa Shqipëria duhet ende të rritet për të hyrë në skenën e madhe.

Po lerini cfare merreni me keta katundaret e Kosoves ne Zvicer, ja dine per nder Zvicres qe i dha nje cope buke baballareve te tyre se ne Kosove ne ato katune nga vijne ata pula vetem gure ha. Kosovaret vete e dine se kush shkoi me punu ne Zvicer atehere, ata qe s`kishin te hanin ne Kosove.