Aeroportit të Prishtinës i ka arritur një letër nga kompania Darwin Airlines për mes së cilës Belle Air operon nga Prishtina në Zvicër, dukë i bërë me dije se i anulon të gjitha fluturimet dhe bashkëpunimin me Belle Airlines me shtetin zviceran nga data 1 nëntor ku edhe fillon sezoni dimëror. Kështu kanë bërë të ditur burime nga kompania Darwin Airlines. Zyrtarisht nga Aeroporti i Prishtinës nuk deklarojnë rreth këtij vendimi, ndërkohë që mësohet nga shteti helvetik se Belle Air ndëshkohet për shkak të shumë skandaleve që ka shkaktuar kjo kompani gjatë sezonit të verës me pasagjerë duke i lënë nëpër aeroporte.
“Për shkak të problemeve financiare, pasigurisë, pakënaqësive të udhëtarëve, e borxheve milionëshe është vendosur që të mos i lejohet më kësaj kompanie të operojë me shtetin zviceran” ka treguar burimi i gazetës.
Skandali i fundit me kombëtaren e Shqipërisë ka ndodhur para dy ditësh, ku së bashku me gazetarët e të gjithë stafin kanë mbetur të bllokuar në Islandë. Aeroplani i Belle Air, duhej të ishte nisur qysh në orën 11:00 por nuk e kishte bërë një gjë të tillë dhe si rezultat kombëtarja ka mbetur e bllokuar në aeroportin e Rejkjavikut. Kjo kishte ndodhur për shkak se Belle Air nuk e ka paguar korridorin ajror dhe aeroplani nuk mund të nisej.
Vetëm gjatë muajve të fundit, qershor, korrik gusht, në hapësirat e aeroportit të Prishtinës ‘Adem Jashari’, jo rrallë herë ndodhej e njëjta gjë.
E përfshirë në skandale të njëpasnjëshme, aviokompania ‘Bell Air’, që vepron edhe në Kosovë, vazhdon të dëshpërojë e malltretojë udhëtarët e Kosovës dhe për këtë të mos ndëshkohet nga autoritetet e vendit.
Gjatë gjithë muajve të verës, kjo aviokompani ka ditur që të lërë udhëtarët e Kosovës në pritje, të ndërrojë destinacionin, t’ i lërë edhe krejt pa fluturim e në disa raste ajo edhe ka shitur bileta ndërsa fluturimi nuk ka qenë as në agjendë dhe si përfundim asnjëherë nuk ka dhënë llogari, kompensim për çka është i detyruar ligjërisht.
Qindra qytetarë të Kosovës, që destinim kishin vendet e Evropës, kanë humbur vendin e punës, fëmijët shkollën, sepse aeroplanët e Bell Air nuk niseshin, sipas planifikimeve.
Në të shumtën e rasteve, ‘Zëri’, ka qenë në vendin e ngjarjes ku ka intervistuar qytetarët e dëshpëruar që tregonin se askush nuk i kishte paralajmëruar për ndërrim destinacioni, vonesë nisjesh apo edhe anulim të tërë të nisjes.
Maltretimet ndaj udhëtarëve ‘Belle Air’, njëjtë i ka bërë edhe viteve të kaluara, për çka kanë reaguar edhe njerëz të Qeverisë së Kosovës.
Ishte ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, i cili në gusht të këtij viti tha për ‘Zëri’ se nuk kalon ditë që në zyrën e tij nuk paraqiten me dhjetëra ankesa nga mërgimtarët, të gjitha për “Belle Air”.
Por edhe pas gjithë këtyre skandaleve Departamentit të Aviacionit Civil, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, vazhdon të mos ndërmarrë masa. Kjo kompani pos skandaleve të vazhdueshme me udhëtarë, ajo edhe më tej ka borxh shuma milionëshe Aeroportit të Prishtinës .

Kerkojani demet Lulzim Bashes, pronarit te fshehur te Kompanise mafioze, qe eliminoi kunder ligjit kompanite e tjera shqiptare. Kur shkruani, bjerini ne koke fajtorit , mos i dilni larg e larg, se s’ka asnje vlere. Lulka do ua paguaj vuajtjet udhetareve me vuajtje edhe me te medha ne se e lini te operoje ne kete menyre.