Ardian Cuculi rikthehet te Shkëndija e Tetovës

redaktor

Ardian Cuculi firmos kontratë 2-vjeçare me Shkëndijën, duke u rikthyer në skuadër vetëm 12 muaj pasi u largua drejt Partizanit

Ardian Cuculi ishte pjesë e ekipit historik që në sezonin 2010-2011, ku fitoi titullin e kampionit dhe Superkupën e Maqedonisë. Vetëm 12-të muaj pas largimit, mbrojtësi i majtë, Ardian Cuculi, rikthehet në taborin kuqezi. Kryesia e klubit tetovar dhe kërçovari kanë arritur akordin për bashkëpunim 2-vjeçar dhe pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm është zyrtarizuar kalimi i tij te Shkëndija. Cuculi vitin e kaluar ishte ndër më të mirët te Partizani i Tiranës, që arriti të sigurojë pjesëmarrje në eliminatoret e Ligës së Europës.

Ardian Cuculi prezantohet te Shkëndija e Tetovës

Edhe në kampionatin shqiptar, Cuculi konfirmoi kualitetin si futbollist, duke u bërë një ndër pikat kyçe të formacionit të Shpëtim Duros. Pikërisht rendimenti shumë i mirë i shfaqur këtë periudhë bëri që Shkëndija të vendosë ta rikthejë kërçovarin në skuadër, me të cilin përpos se ngritet kualiteti i repartit difansiv, njëkohësisht angazhohet një futbollist që e njeh mirë ambientin dhe nuk do të ketë nevojë për adaptim.

“Normal, duke parasysh se për çfarë klubi bëhet fjalë, çdo rikthim i imi sjell një emocion më të madh. Unë vij në një ambient të njohur, kthehem në shtëpinë time dhe shpresoj që së bashku me bashkëlojtarët e tjerë, me gjithë drejtuesit, do të arrijmë qëllimin, që Shkëndija të arrijë atje ku i ka objektivat“, – deklaroi Ardian Cuculi në prezantimin e tij si futbollist i Shkëndijës.

Për kërçovarin kjo është hera e tretë që i bashkohet Shkëndijës, pasi paraprakisht në dy raste mbajti fanellën kuqezi. Duke qenë një periudhë të gjatë në Tetovë, ai është konvertuar në një futbollist që mund të llogaritet si vendas. Cuculi rrjedh nga shkolla e futbollit të Vëllazërimit të Kërçovës, për të cilët debutoi në Ligën e Parë në moshë shumë të re, ndërsa në vitin 2007 për herë të parë bëhet pjesë e Shkëndijës.

Më vonë luajti për Pobedën e Prilepit dhe Milanon e Kumanovës. Më pas u kthye te Shkëndija. Partizani i Tiranës e ndau edhe një herë me fanellën kuqezi, por jo më shumë se një vit. Ardian Cuculi ishte pjesë e ekipit historik, që në sezonin 2010-2011, ku fitoi titullin e kampionit dhe Superkupën e Maqedonisë, ndërsa është futbollisti që ka shënuar golin e parë të Shkëndijës në Kupat Europiane. 27-vjeçari Cuculi është përforcimi i parë i Shkëndijës në këtë merkato, kur ekipi bëhet gati për pjesëmarrje në eliminatoret e Ligës së Europës.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *