Letër e nënshkruar,
Pali Nito
I nderuar zoti Thano! Si qytetar dhe bashkëpunëtor i letrave në “Dita”, shpreh keqardhjen dhe zemërimin tim për një dukuri aspak normale që mesa duket ka fituar të drejtën e qytetarisë. Fjala është për disa zyrtarë të institucioneve tona ku shërbehet me kafe dhe gjithfarë pijesh, madje edhe ato alkoolike a thua se je në bare, lokale, kafene dhe jo në institucione e mjedise ku shërbejnë zyrtarë, nëpunës dhe shefa të administratës.
Është bërë e modës që kamarierë adoleshentë nxitojnë se kush t’u shërbejë më parë këtyre zyrtarëve pashallarë. Taksapaguesit megjithëse jo pak prej tyre me vështirësi financiare janë korrektë ndaj shtetit, paguajnë që këta zyrtarë t’u shërbejnë qytetarëve hallexhinj me devotshmëri, impenjim dhe përkushtim dhe jo për t’i kthyer zyrat e popullit në mjedise pijesh, alegrosh, qejfi dhe orgjie.
Veçanërisht më ka rënë në sy kjo dukuri e paprecedentë në hipotekën dhe zyrat e sigurimeve shoqërore në Tiranë. A mund t’u shërbehet qytetarëve duke pirë rregullisht kafe dhe pije në orarin zyrtar? Shërbesa ndaj qytetarëve kërkon 8 orë në punë. Prandaj bëj apel qytetar mbi këtë dukuri bajraktarësh.
