Bajerni i Munihut ka bërë goditjen e parë të madhe në vitin 2014, teksa ka firmosur me sulmuesin e Borusia Dortmund, Robert Levandovski. Polaku 25-vjeçar do të transferohet si lojtar i lirë më 1 korrik, pas skadimit të kontratës me Dortmundin, dhe do të veshë fanellën e kuqe për pesë vitet e ardhshëm, deri më 30 qershor 2019. Lajmi është përfolur prej kohësh, madje edhe në ditët e para të këtij viti u raportua për vizita mjekësore në Munih, ndërsa dje në mbrëmje u bë zyrtar nga vetë klubi kampion i Evropës. Kryetari i bordit të Bajernit, Karl Hainc Rumenige, shprehur lumturinë e tij për ardhjen e Levandovskit, të cilin e konsideron si një nga sulmuesit më të mirë në botë. Polaku ka shkëlqyer me Borusian e Dortmundit dhe vetë Bajerni ka qenë një nga “viktimat” e preferuara në takimet midis tyre. Ai fitoi famë ndërkombëtare në gjysmëfinalet e sezonit të shkuar në Champions League, kur shënoi katër gola në fitoren 4-1 kundër Real Madridit. Klubi spanjoll, plus një numër skuadrash angleze ishin në gjurmët e polakut, me shpresën se nuk do të realizohej kalimi i përfolur te Bajerni. Bavarezët e kërkuan atë që në verë, por Dortmund nuk e shiti, duke preferuar më mirë ta lejonte të largohej si lojtar i lirë, ndërkohë që vetë sulmuesi refuzoi të shitej në një klub tjetër jashtë Gjermanisë. Të gjitha spekulimet morën fund dje, me firmën që e bashkon me Bajernin, ku do të gjejë Mario Gëcen, i cili i parapriu lëvizje së polakut në fund të sezonit të kaluar, kur aktivizoi klauzolën e lirimit prej 37 milionë eurosh. Ndërkaq, Bajerni ka kthyer menjëherë mbrapsht ofertën e Arsenalit për të blerë në janar sulmuesin kroat Mario Manxhukiç, por mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në verë, me ardhjen e polakut.
