Hoyt Brian Yee vjen sot paradite në Tiranë në kuadër të gjetjes së një zgjidhjeje për ngërçin politik.
Zyrtari i lartë i DASH i njohur ndryshe si “Buldozeri”, është një njohës shumë i mirë i çështjeve të Ballkanit, pasi ka shërbyer në disa misione në këto vende.
Yee pritet të takohet në orën 10:30 me kreun e qeverisë Rama. Mësohet se do të takohet me kreun e Kuvendit njëkohësisht dhe presidentin e zgjedhur në orën 11:30 e ndërsa në orën 14:45 me liderin e PD Basha.
Rreth orës 17:00 pritet qe ai të takohet me deputetët e PD, Patozi dhe Bregu.
Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, do të vijë sot në Tiranë me detyrën e negociatorit pas dështimit të negociatave që Rama e Basha zhvilluan me zv.presidentin e PPE-së, McAllister, më 24 prill.
Duket se zyrtari i lartë amerikan do të vijë me mesazhe të qarta nga SHBA për liderët politikë në Shqipëri për zgjidhjen e ngërçit politik. Mesazhet politike, zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit i dha pa mbërritur në Tiranë. Gjatë fjalës së tij në forumin rajonal për siguri “2BS” në Budva të Malit të Zi, Yee u shpreh se ishte kundër çdo lloj bojkoti të institucioneve nga forcat politike.
