Ishte pjesëmarrës përkrah Ismail bej Vlorës në ngritjen e Flamurit më 1912 dhe përfaqësues dinjitos i Qeverisë së Vlorës në Paris
Rasih Dino, i biri i Abedin Dinos së parë dhe babai i piktorit Abedin Dino, mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Qeveria e Ismail Qemalit e caktoi atë përfaqësues të saj në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës dhe më pas përfaqësues të përhershëm pranë Konferencës së Paqes në Paris. Rasih Dino bashkë me Mehmet Konicën dhe Filip Nogën, në emër të Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, më 2 janar 1913, nga Londra, i kanë dërguar një memorandum ministrit të jashtëm britanik Eduard Grey, i cili ishte njëkohësisht dhe kryetari i kësaj konference. Një memorandum padyshim me vlera të veçanta historike dhe i shkruar nga njerëzit më të ndritur që kishte atëherë Shqipëria. Kush janë pinjojtë e Dinove të Çamërisë, një prej familjeve më të njohura shqiptare në shekuj. Në mënyrën më të mirë dhe më të plotë zbardhjen e historisë së familjes së famshme çame të Dinove e ka bërë ish-diplomati ynë në Paris, studiuesi, publicisti dhe shkrimtari Luan Rama. Me dokumente arkivore dhe të dhëna të shtypit të kohës, Rama vërteton se pinjojtë e disa brezave të kësaj familje kanë qenë politikanë, atdhetarë dhe artistë të mëdhenj të njohur në Ballkan dhe Evropë.
RRËNJËT
Familja Dino, me origjinë nga Çamëria, ka nxjerrë tre artistë, por edhe patriotë siç janë: Abedin Dino, Ali Dino dhe Arif Dino. Rrënjët e familjes Dino janë të vjetra. Të parët e Abedinit tregonin se më i moçmi i Dinove, Hysen Aga, në shekullin e XVII-të kishte qenë jeniçer në Damask dhe kishte luftuar në krah të një strategu të njohur të quajtur Bakaloglu. Më vonë ishte kthyer si një ushtarak i famshëm në brigjet shqiptare buzë Korfuzit, në Lopës të Çamërisë, ku ishte martuar me një bashkë atdhetaren e vet me të cilin pati djemtë e tij, Ali Dino dhe Zenel Dino. Shumë kohë më vonë, kur koka e prerë e Ali Pashës u vu në një kamare të Stambollit, që ta shihnin të gjithë, në mënyrë që askush më të mos guxonte të ngrinte krye kundër sulltanit, tokat e pashait shqiptar u konfiskuan dhe u shitën në ankand. Pikërisht atëherë, Dino i bleu shumë toka në Janinë dhe një pjesë të mirë të Prevezës. Ahmet Bej Dino (1785-1848), biri i Aliut, ishte martuar atëherë me një çame të quajtur Saliha Çapari, nga Çapari i Çamërisë. Kur Ahmeti vdiq i internuar në Konia, ku dhe u varros, që pronat të mos kumbisnin, e shoqja e mbetur e ve u martua brenda familjes me Ibrahim Aga Dino, me të cilin lindi Hysen Dinon, babain e nënës së Jusuf Vrionit. Pikërisht, këtu fillon lidhja e dy familjeve të mëdha: Dinot dhe Vrionasit. Ndërkohë, Ahmet Dino ishte gjyshi i Abedin Pashë Dinos, i cili do të jetë një nga figurat më të mëdha të kësaj familjeje dhe në historinë shqiptare për Pavarësi. Abedin Pashë Dino kishte gjithashtu një shpirt artisti dhe ai i njihte mirë filozofët francezë, si Pascal, Montaigne, veprën e Flammarionit, etj, të cilëve u referohet dhe në librin e tij Lumturia në këtë botë. Më 1895 u dekorua nga Akademia Franceze me “Palme”- n e saj. Ai la pas ithtarët e tij, që do të vazhdonin përpjekjet për mbrojtjen e trojeve shqiptare, siç do të ishte mes tyre dhe i biri, Rasih Dino, babai i piktorit të ardhshëm, Abedin Dino, i cili mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Qeveria e Ismail Qemalit e caktoi atë përfaqësues të saj në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës dhe më pas përfaqësues të përhershëm pranë Konferencës së Paqes në Paris. Rasih Dino bashkë me Mehmet Konicën dhe Filip Nogën, në emër të Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, më 2 janar 1913, nga Londra, i kanë dërguar një memorandum ministrit të jashtëm britanik Eduard Grey, i cili ishte njëkohësisht dhe kryetari i kësaj konference. Një memorandum padyshim me vlera të veçanta historike dhe i shkruar nga njerëzit më të ndritur që kishte atëherë Shqipëria.
GJENEAOLOGJIA
Rasih Dino kishte pesë fëmijë. Emrat e të gjithë djemve të Rasih Dinos fillonin me gërmën ‘A’ : Ali, Arif, Ahmet dhe Abedin. Ndërsa Lejlaja e kishte ‘A’-në në fund të emrit të saj. Sidoqoftë, për Abedinin, që ishte më i vogli i fëmijëve, ato ishin vitet e hapave të para në artin e vizatimit, dhe kjo si pasojë e të vëllait, Ahmetit. ‘Mikrobin’ e vizatimit e mora nga ai, – kujtonte më vonë Abedini. Ahmeti ishte më i bukuri i vëllezërve. Ishte një vallëzues i jashtëzakonshëm i tangos argjentinase. Mund të thuash se ishte vallëzuesi më i mirë i Gjenevës në atë kohë.“ Jeta në kryeqytetin zviceran Abedinin e lidhi ngushtë me të ëmën, Safeten, që, siç thoshte ai, ”ishte një zonjë, e cila fliste ngadalë dhe luante piano“. Pikërisht në Gjenevë është bërë dhe një fotografi e Abedinit pesë vjeçar i veshur me një kostum popullor çam, me fustanellën e bardhë dhe jelekun e qëndisur në ar. Në vitin 1920, familja Dino vendoset në Paris, në lagjen Auteuil pranë pyllit të Bulonjës, ku Abedini do të vazhdojë shkollën fillore. Lufta e Parë Botërore apo Lufta e Madhe (La Grande Guerre siç quhej atëherë), tashmë ka mbaruar por i jati është gjithnjë i angazhuar me çështjen shqiptare, ashtu si dhe vëllai i madh, Aliu. Më pas familja vendoset në Korfuz, në Hotel d’Angleterre, një nga hotelet më të njohura të Korfuzit, i cili në atë kohë ishte një ishull kozmopolit.Familja largohet dhe vendoset më së fundi në Stamboll, në lagjen Bogaziçi dhe më vonë do të studiojë në Robert College, një shkollë amerikane. Që nga ky moment, prindërit e tij nuk do të lëvizin më nga Stambolli.
ALI DINO
Ali Dino ishte vëllai i madh. Për gjithë karikaturistët, ai ishte një emër ekzotik, “I famshëm nga emri, i jashtëzakonshëm nga puna”. Po cili ishte në fakt ky piktor i famshëm, aq i njohur në Athinë dhe në Prevezë? Aliu (1891-1938). Pasi studioi në Sorbonë të Parisit për shkencat politike, ai u kthye në Athinë. E donte shumë artin dhe pikturën. Shpejt, skicat e tij do të premtonin për një artist me të ardhme të madhe. Dhe ajo që spikati që në fillim tek ai, ishte piktura sociale, vizatimi dhe rrokja e jetës në dinamanikën e vet, kritika ndaj të vjetrës dhe perspektiva e së resë e modernes. Krijimet e tij e vendosin atë ndër karikaturistët dhe humoristët më të mirë të Evropës. Një nga temat e tij ishin dhe kostumet shqiptare. Seria e skicave të tij nga Çamëria ishte jo vetëm me humor, por dhe me një satirë sociale. Ali Dino i vizatoi me dashuri vallet greke e shqiptare, vallet ”çamikos“ apo portrete atdhetarësh të mëdhenj, mes të cilëve Musa Demin nga Filati, një nga patriotët më të mëdhenj të Çamërisë në vitet 10-30-të të shekullit XX-të. Madje një seri karikaturash, ai i bëri me figurën e të jatit Rasih Dino nëpër rrugët dhe pazaret e qytetit. Mjaft të bukura janë padyshim portretet e njerëzve të familjes së tij, mes të cilëve dhe portrete që i kishte bërë Abedinit. Ali Dino ishte gjithashtu dhe një politikan i njohur, për të cilin nuk është folur ose është folur shumë pak në studimet shqiptare. Pothuaj njëzet vjetët e fundit të tij ishin të mbushura me një veprimtari të madhe politike që tregon për një njeri me mjaft kurajë, po të kemi parasysh se jetonte në Prevezë dhe Athinë. Arkivat e dëshmojnë më së miri këtë periudhë të tensionuar dhe për politikën shqiptare të qeverive të Mitat Frashërit, Sulejman Delvinës apo Fan Nolit, të cilët u kërkuan Fuqive të Mëdha që në këto shkëmbime të mos përfshihej popullsia e Çamërisë, që ishte shqiptare, pavarësisht se nga feja ishte më shumë myslimane. Studimet e tij për traditat dhe lashtësinë e kulturës shqiptare përbëjnë një referencë tjetër mbi botën e intelektualëve të njohur shqiptarë të kësaj periudhe. Gruaja e tij Alba Montini, ishte italiane nga brigjet dalmate. Fatkeqësisht ai vdiq i ri, në vitin 1938, në Athinë.
Në dialogun e tij me poetin e madh francez Alain Bosquet, Jashar Qemal kujton rininë e tij dhe miqësinë me dy vëllezërit Arif dhe Abedin Dino. Arifin e cilësonte si frymëzuesin e tij shpirtëror, që siç shkruan „përmes tij unë zbulova rrugët që të çonin tek njeriu“. „Që para se Dino-t të vinin në Adana, unë e njihja emrin e tyre dhe kisha dëgjuar për ta“ – shkruante ai. – Kisha lexuar poezitë e Arifit dhe kisha parë vizatimet e Abedinit.
Arifi ishte një admirues i Rimbaud (Rembosë), madje e dinte përmendësh. Bashkë kalonim orë të tëra, duke përkthyer poezi të Rembosë dhe duke folur gjatë për to. Kështu përkthyem poezinë e tij Anija e dehur (Bateau Ivre). Libri i parë që më ka tronditur ishte Don Kishoti. Isha shtatëmbëdhjetë vjeç, kur e lexova. Ishte Arifi që më bëri të lexoja atë dhe klasikët. Kur Arif Dino (1892-1957) shiti ca toka, më dhuroi nja njëqind libra të klasikëve. Kur hapa kutitë, gjeta tri kopje të Don Kishotit. Shkova dhe i thashë se gabimisht më kishte dhënë tri kopje, por ai më tha: “Jo, t’i kam dhënë që t’i lexosh për gjithë jetën”.
ABEDIN DINO
Është nga të fundmit e dinastisë së njohur, që ka jetuar deri në vitin 1993. Abedin Dino konsiderohej piktor turk, e njëkohësisht evropian, por të paktë ishin ata që dinin se rrënjët e tij shtriheshin thellë në një tokë shqiptare. Të flasësh për Abedin Dinon, për veprën dhe jetën e tij, padyshim të shkon mendja në imazhin e lumturisë dhe të utopisë, pasi piktori e kërkoi këtë imazh gjithë jetën e tij, nga kalldrëmet e Stambollit dhe rrugët e pluhurosura të Adanasë e Anadollit e gjer në bulevardet dhe lagjet e vjetra parisiane. Ai ishte mik i poetit të madh turk, Nazim Hikmet.Të dy ata, që në rininë e tyre ngjitën udhët e shoqërisë ideale të Campanella-s, të Thomas More-it etj, kërkuan idealin e vëllazërimit, të paqes, të lirisë dhe të dashurisë mbarënjerëzore. Por le të rikthehemi tek Abedin Dino, piktori, pasi ai ishte jo vetëm piktor, por dhe letrar dhe një lloj filozofi, esteti. Figura e tij ishte poliedrike, e shumanëshme, çka na kujton artistin francez Jean Cocteau: Abedini ishte dhe piktor, dhe skulptor, dhe eseist, por edhe kineast. Ai punoi pikturë dhe në telajo, me vaj, edhe akuarelë, edhe vizatime e karikatura, apo kaligrafi otomane, etj, çka e bêri shumë të larmishëm e të pasur artin e tij. Dino i përdori tê gjitha stilet dhe teknikat, si dhe punoi në gjini të ndryshme.
SOM 1
Rasih Dino bashkë me Mehmet Konicën dhe Filip Nogën, në emër të Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, më 2 janar 1913, nga Londra, i kanë dërguar një memorandum ministrit të jashtëm britanik Eduard Grey, i cili ishte njëkohësisht dhe kryetari i kësaj konference. Një memorandum padyshim me vlera të veçanta historike dhe i shkruar nga njerëzit më të ndritur që kishte atëherë Shqipëria.
SOM 2
“Abedin Dino është nga të fundmit e dinastisë së njohur, që ka jetuar deri në vitin 1993. Abedin Dino konsiderohej piktor turk, e njëkohësisht evropian, por të paktë ishin ata që dinin se rrënjët e tij shtriheshin thellë në një tokë shqiptare”
KUSH ISHTE ABEDIN DINO I VJETËR
Një nga figurat më të shquara në historinë e kësaj familjeje është padyshim, ajo e Abedin Pashë Dinos, apo Abedin Pashë Prevezës (1843-1908), i cili fillimthi kishte qenë vali në Varna dhe më pas ”Komisar i Portës së Lartë” në Stamboll. Në broshurën e tij Biografia, mbi jetën e tij, ai shkruan se ’Ahmeti, babai im, i përkiste një prej familjeve fisnike të Çamërisë, pra të popullsisë çame“. Në pragun e Kongresit të Berlinit, sulltani e dërgoi atë në Janinë, pasi Greqia, e ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha, kërkonte të zgjeronte territoret e saj në dëm të territoreve etnike shqiptare. Ai shkoi me qëllim që të organizonte revoltën e shqiptarëve për t’iu drejtuar Fuqive të Mëdha, se ato toka nuk kishin asnjë lidhje me Greqinë e re të pas revolucionit; se në ato troje flitej gjuha shqipe dhe prej shekujsh jetonin shqiptarët. Një nga miqtë e ngushtë të Abedinit ishte në këtë periudhë Sami Frashëri, i cili atë kohë ishte sekretari i Komitetit Ushtarak Turk, të kryesuar nga Abedini. Simpatia mes tyre do të vazhdonte vite me radhë dhe veçanërisht në Stamboll ku ata do të pikë takohen përsëri. Abedini, i cili zemrën e kishte në shtëpinë e tij në Prevezë, u lidh shumë me çështjen shqiptare dhe veçanërisht me krerët e Çamërisë e më pas me udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit.
Si anëtar i delegacionit shqiptar bashkë me Abdyl Frashërin dhe Mehmet Vrionin, ata zhvilluan një turne nëpër Evropë për të dëshmuar të vërtetën dhe të drejtat mbi shqiptarët e Greqisë. Në Itali, veç personaliteteve të shumta të parlamentit italian, ata takojnë dhe bashkëpatriotin e tyre Krispi ; në Londër takohen me Vadingtonin dhe ministrin e jashtëm Salisberi; në Vienë dhe në Berlin takojnë gjithashtu ministrat e jashtëm. Më 1879 Abedinin e gjejmë vali në Selanik, ku do të shpallet «bejlerbej», pra kryevali i Rumelisë. Shpejt emri i Abedinit bëhet mjaft i njohur në arenën ndërkombëtare dhe është kjo arsyeja që sulltani Abdylhamid e emëroi ministër të Jashtëm të perandorisë. Ikjen e tij nga Selaniku për në Stamboll e përshkruan dhe Krajevski, përfaqësuesi i atëhershëm francez: «Largimi i tij i papritur nga Selaniku për në Stamboll, për postin e ministrit të Jashtëm, shkaktoi keqardhje në të gjithë popullatën e vilajetit». Ai e vlerësonte filohelenizmin e tij dhe e konsideronte „mik të grekëve“ e „njeri liberal“. Madje veprat e tij do të vlerësoheshin më pas edhe nga shoqata greke letrare e Parisit ”Silogos“. Dino filloi punë si ministër në 10 qershor të vitit 1880, ndërkohë që katër ditë më vonë do të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, ku Fuqitë e Mëdha, nuk pranuan dhe e lanë jashtë bisedimeve Turqinë, edhe pse cenoheshin kufijtë e perandorisë.
Për Abedinin situata ishte mjaft e vështirë, pasi duhej të ndihmonte mbrojtjen e territoreve shqiptare. Perandoria tashmë po merrte të tatëpjetën. Kryengritjet shqiptare po përgatiteshin në Veri. Tre muaj më vonë, atëherë kur sulltani pranoi kushtet e Fuqive të Mëdha për t’i lëshuar dhe Ulqinin Malit të Zi, i zemëruar nga braktisja e fateve të Shqipërisë, ai dha dorëheqjen. Megjithëse sulltani e çmonte shumë këtë njeri kurajoz dhe të mençur, e syrgjynosi në Adana, larg në fushat e shkreta të Anadollit ndërsa më parë e kishte dekoruar me medaljen më të lartë “Urdhrin Mexhid”. Në të njëjtën periudhë internohet dhe kreu tjetër i lëvizjes shqiptare Abdyl Frashëri. Duke kujtuar veprimtarinë e madhe të Abedin Dinos, Anastas Kullurjoti, miku i tij, do të shkruante më vonë në një gazetë të Athinës se “Abedin Dino ishte shpirti i Lidhjes shqiptare të Prizrenit”. Publicisti i njohur dhe miku i tij Dervish Hima shkruante:”Abedin Dino nga paria e Çamërisë përfaqëson një nga figurat më të nderuara të popullit fisnik shqiptar… Ai mbrojti me heroizëm atdheun tonë dhe njëherazi e ndihmoi atë materialisht”.