Edhe pse ‘i lënë në hije’, periferik në aktivitetet e vlerësimet zyrtare në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, figura dhe personaliteti i demokratit Fan Stilian Noli, ishte dhe mbetet një nga personalitetet më të njohura shqiptare që luftuan gjithë jetën për lirinë, pavarësinë e çështjen kombëtare shqiptare. Për kundër, në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë, mitifikohen e ‘vishen’ dhe me merita që si kanë monarku Ahmet Zogu apo figura të tjera me aktivitet të dyshimtë… Noli lindi më 6 janar 1882 dhe vdiq më 13 mars të vitit 1965… Ai mbetet shembulli i njeriut demokrat në mendime, në qëndrime dhe veprime, shkrimtar e poet, burrë shteti, publicist elokuent, personalitet i aftë i ortodoksisë shqiptare…
Fan Stilian Noli është një republikan i mirëfilltë. Çështjen kombëtare e ka pasur jo vetëm në boshtin dhe thelbin e publicistikës, por edhe të krijimtarisë letrare, të veprimtarisë fetare, të studimeve historike etj. Ai e ka ndjerë veten gjithmonë shqiptar të denjë e të dobishëm për kombin e vet edhe kur u bë kryetar qeverie, edhe kur u rrëzua nga kjo lartësi e merituar, edhe kur punoi si punëtor krahu, edhe kur shkëlqeu si intelektual poliglot… Në gjithë fushën e veprimtarisë, të cilën e pati mjaft të gjerë, të mbingarkuar dhe intensive, ai spikati si demokrat konsekuent, si republikan i mirëfilltë. Më se një herë e pohon drejtpërdrejt dhe pa asnjë ekuivok se, ishte për një qeverisje të vendit në formën e Republikës Demokratike, e cila do të qe njëherësh e vetmja formë efektive, më e mira, më e pranueshmja nga vetë populli shqiptar për shkak të formimit të tij psikologjik, por edhe nga mendësia e Fuqive të Mëdha me tradita të pasura në lëmin e qeverisjes dhe administrimit të vendit dhe popullit në demokraci. E analizon problemin në kushtet konkrete të Shqipërisë, ku mbisundon varfëria ekonomike dhe prapambetja kulturore, ku nuk njihet aspak kultura demokratike dhe s’ ka asnjë përvojë për pluralizmin politik, ku më së shumti ka munguar administrimi i mirëfilltë shtetëror edhe për shkak të pushtimeve të huaja, të cilat për fat të keq kanë rezultuar të shumta dhe me kohëzgjatje, ku nuk njihet veprimtaria parlamentare sepse më së shumti vendi është ndodhur pa qeveri dhe pa qeverisje, kur ka etje të theksuar për kuadro e intelektualë të mirëfilltë e patriotë dhe, sidomos kur, midis mjaft personaliteteve nuk ka ndershmëri atdhetare, e mjaft të tjera si këto, Noli shprehet prerazi e qartë për nevojën e një qeverisjeje me një republikë të popullit si “… republika e Kongresit të Lushnjes, me një komision prej disa vetë, në vend të një presidenti të njëshmë…”.
KUNDËR MONARKISË
Noli e kishte të konsoliduar fare mirë mendimin se, koha e monarkisë në të cilën sundon me pushtet të gjithëfuqishëm një njeri që thirret mbret, ka perënduar një herë e përgjithmonë; përfundim logjik që e formulon pas një analize të gjerë e të thellë që i bën këtij fenomeni shoqëror, në truallin shqiptar dhe më gjerë. Ruan mendimin se akti i shpalljes së Shqipërisë në vitin 1928 monarki dhe i A. Zogut mbret, është një akt i shkuar kohe, duke i dhënë kështu material të gatshëm borgjezisë evropiane që të tallet me mbretërinë e fundit të shpallur në jugperëndimin e saj. Këtë formë qeverisje mjaft vende që e kanë pasur edhe traditë, e hoqën ose me dhunë, apo pas një farë konsensusi mbarëkombëtar, ndërkohë që atje ku ruhet ende, pothuajse kemi të bëjmë me një ritual formal. Kjo sepse veprimtarinë ligjvënëse dhe ekzekutive e zhvillojnë parlamentet pluraliste, ndërsa mbreti dhe oborri i tij, më së shumti për forcën e traditës e të zakonit sesa si domosdoshmëri kanë pushtet shumë të kufizuar dhe veprimtaria e tyre është plotësisht e kontrolluar nga organet parlamentare, nga aparatet qeverisëse, nga individët e veshur me pushtet, por që të gjitha së toku ndodhen nën pushtetin e votës së drejtpërdrejtë dhe të lirë të komunitetit.
Noli i kompletuar me kulturë të gjerë e të thellë të së kaluarës dhe atë bashkëkohore demokratike, njohës kompetent i situatave dhe zhvillimeve në botë, zotërues i mirë i historisë së kombeve dhe i evolucionit të shtetit, pohon në mënyrë kategorike se monarkitë “… e kanë damkën e vdekjes në ballë dhe shpejt a vonë do të shporren pa lënë gjurmë…”. Jo thjesht për të pasur si pikë referimi, as edhe jo për të treguar se është erudit me përmasa madhore, deklaron me përgjegjësi intelektuali të formuar dhe politikani të zgjuar, por edhe atdhetari të përkushtuar se, figura të tilla si Uillsoni në SHBA, Mustafa Qemali (Ataturku) në Turqi, dhe disa të tjerë, kanë qenë kundër sistemit monarkik si formë qeverisjeje, prandaj edhe luftuan e i dhanë jetë republikës, si një formë qeverisje me frymëmarrje të gjerë e me mundësi të shumta për të shprehur dhe përmbushur dëshirat dhe interesat e shtetasve.
NOLI DEMOKRAT
Pozicionimin në lëmin e demokracisë konsekuente, Noli e shpalos kudo e kurdoherë, por më dukshëm dhe qartë kjo ndodh në veprimtarinë publicistike. Në mënyrë tepër koncize e shpreh këtë mendësi kur ai bëhet njohës dhe interpret i republikanëve demokratë, mes të cilëve ai radhit edhe veten me krenari. Përgatitjen sistematike dhe graduale të pushtimit ushtarak të Shqipërisë në të “Premten e Zezë” të 7 prillit 1939, Ai e gjykon si një veprimtari për t’i rrëmbyer popullit “… kafshatën,… kasollen dhe tokën…”, pra as më shumë e as më pak, t’i gërryejë dhe ndërpresë atij jetën. Me këtë ngarkese emocionale shtron pyetjen retorike: “Po ne ç’ qëndrim do të mbajmë?”, së cilës i përgjigjet po vetë fare qartë, se në këtë çështje nuk mund të ketë qëndrim të dyzuar, nuk mund të bëhet fjalë për qëndrim të pa anshëm, nuk mund të veprohet në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye apo edhe shkak “… edhe ashtu, edhe kështu, … edhe me atë, edhe me këtë, … edhe me popullin, edhe me pushtuesit…, nga ana e jonë, kemi zgjedhur prej kohe anën e popullit. Nga ajo anë kemi për të qëndruar deri në fund…”, artikulon F. Noli. Duke qenë kundër monarkisë në përgjithësi, ai është në veçanti prerazi kundër monarkisë zagolliane, e cila, gjithnjë sipas tij, mund të jetë një ndër shembujt e rrallë të një monarkie të prapambetur si nga ana e kulturës së përgjithshme, e asaj politike, administrative, pluri partiake, ekonomike etj., duke krijuar imazhin e një monarkie të vendeve aziatike apo afrikane, e cila e ka të vështirë, për mos thënë të pamundur, të integrohet në Evropë.
DHE KUNDËR MONARKISË
Në vitin 1931, por edhe më parë, meqenëse A. Zogu ishte i sëmurë dhe pa trashëgimtar, në qarqet politike brenda vendit dhe në kulisat diplomatike të Fuqive të Mëdha të Evropës thureshin intriga si dhe përgatiteshin kurthe kundër vendit tonë. U kristalizua edhe një mendim për rikthimin e Princ Viddit. Por F. Noli si analist i mprehtë politik konkludoi se, në këtë mënyrë vendin e një katili me tipare ballkanase do ta zërë një njeri i butë me tipare evropiane, i cili nuk vret prapa shpine kundërshtarët, vendin e një autokrati shqiptar me tipare të karakterit afrikan do ta zërë një mbret evropian, i cili do t’i japë popullit sado pak liri konstitucionale, por që gjithsesi përfundimi do të jetë fatal, do të vazhdojë rrokullisja e vendit deri sa të vijë momenti kur “fundi i tmerrshëm” aktual do të zëvendësohet nga një “tmerr i pafund”. Në vijim dhe prerazi Noli ruan mendimin se, Shqipërisë nuk i duhet një formë qeverisje oligarkike mbretërore me një mbret në krye, me një princ apo prijës në krye, por një republikë me grup intelektualësh patriotë në krye, ashtu sikurse edhe Sami Frashri pyetjes “Ç’duhet bërë?!”, i është përgjigjur prej kohësh i bindur se, forma e qeverisjes demokratike ku “…më i saktë se të gjithë grupet e veçanta është populli i tërë…”, është më e përshtatshmja dhe më e pranueshmja.
DËSHPËRIMET
Deziluzioni i Nolit mbetet një çështje momentale. Ky personalitet i spikatur, përgjatë udhëkryqeve ku u ndodh vendi dhe populli i tij, pati edhe momente dëshpërimi, deri në një farë gjendjeje diziluzioniste. Në dhjetor 1925, në vitin e parë të rrëzimit përdhunshëm të kabinetit qeveritar që ai pati nderin, obligimin dhe përgjegjësinë ta kryesojë, në analizë të ndarjes në grupime të intelektualëve shqiptarë në nacionalistë dhe anti-nacionalistë, i dëshpëruar shprehet: ”Posa Shqipëria nuk shpëtuaka veç dyke e copëtuar e duke vdekur…”, intelektualët shqiptarë të deklarojnë të harruar ëndrrën e forcimit të Shqipërisë dhe seicili të shikojë punën e tij. Pas një viti, i indinjuar nga mënyra e qeverisjes së kohës, duke stigmatizuar përkrahësit e regjimit, deklarohet afërsisht si vijon, është punë më e lehtë të prishësh se sa të ndreqësh, është më lehtë të vjedhësh se sa të krijosh pasuri, po ashtu më lehtë është të copëtosh se sa të rritësh një atdhe të vogël e të pafuqishëm, është “… më lehtë të robërosh një popull të mjerë e të skllavëruar, se sa ta ngresh, ta çlirosh…”, konkludon me keqardhje e dhembje. Por ai njëherazi nënvizon se, sistemit feudal i intereson padija, injoranca, varfëria, fanatizmi, spiunllëku etj., të cilat e ndihmojnë që t’i zgjatet jeta. I indinjuar prej gjendjes mjerane të popullit të vet, u bën thirrje me dhembje intelektualëve, atyre që u dhimbset atdheu, që ta shohin realitetin në sy dhe realisht, dhe, si atdhetarë të bëjnë përpjekje për të gjetur “ilaçin” që gjendja të shëndoshet. Njëherësh i bën thirrje popullit që të kërkojë shkaqet e gjendjes së mjeruar, të japë kundërpërgjigje të vendosur, e cila t’i japë fund bisedimit me fjalë, dhe të veprohet “… edhe me grusht, me grusht mbi kokën e kusarëve, që të vjedhin kur e ke, e të tallin kur zgjat dorën…”.
BASHKËPUNËTORËT
Nga sa më sipër dhe të tjera si këto, të arrijmë në përfundimin logjik se, Fan Noli në thelb ishte demokrat, se të ardhmen e Shqipërisë e gjykonte dhe gjente në shtratin e demokracisë dhe aspak në autokraci. Pozicionimin prej demokrati konsekuent e shikon dhe e deklaron me kurajë, por edhe me krenari. Më se një herë pohon se, nuk do të heqë dorë nga idealet kombëtare dhe se do të mbështesë po ata, që kanë këtë parim. Idhujt dhe bashkëpunëtorët e F. Nolit qenë republikanë demokratë si ai. Kishte si idhuj figura madhore dhe të nderuara të popullit shqiptar si Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rustemi, Hasan Prishtina, Zija Dibra, Hoxhë Kadri Prishtina, e të tjerë patriotë të ndershëm, të cilët i pati bashkëpunëtorë besnikë, por edhe të tjerë atdhetarë shqiptarë me të cilët nuk pati rast të punojë drejt për së drejti. Gjithashtu mbante mbi krye personalitete spikatëse të kohës si Uillsoni në SHBA, Mustafa Qemali (Ataturku) në Turqi, por edhe të tjerë më të hershëm në kohë si Abraham Linkolni në SHBA e të tjerë, të cilëve u referohet në veprimtarinë e tij të gjerë. Perifrazon Linkolnin, i cili nga ana e vet pati vlerësuar mençurinë e popullit dhe forcën e tij realizuese kur shprehet: ”Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë. Mund ta gënjesh edhe tërë popullin për ca kohë. Po kurrë nuk mund të gënjesh tërë popullin për tërë kohën”. Duke qenë demokrat, Noli pohon me krenari se e ka ndjerë veten shqiptar edhe përpara se të bëhej personi numër Një i qeverisë, që kryesoi në gjysmën e dytë të vitit 1924, por edhe kur u rrëzua përdhunisht nga kjo lartësi e merituar, për të cilën shpjegohet se (kryetar qeverie) nuk e zgjodhi dhe as nuk e lakmoi kurrë, por ja ngarkuan bashkë shokët dhe bashkëluftëtarët, pasi i kishin vlerësuar e çmuar atributet që ngërthente.
NOLI DHE SOCIALIZMI
Këto koncepte për qeverisjen demokratike dhe për vlerësimin e rolit pozitiv të intelektualëve, e imponuan në vitin 1956, dhe në të pastajmen, që të refuzonte me vendosmëri dhe palë kundje ftesën e qeverisë së Tiranës, atdheut të tij të cilin e deshi aqë shumë, për të vizituar Shqipërinë. Me intelektin e veçantë që ngërthente, me autoritetin që gëzonte, me kohë Fan Noli e pati kuptuar shumë mirë politikën antidemokratike që ndiqte qeveria e Tiranës, por edhe përmbajtjen djallëzore të ftesës që i bëhej për të rritur kredibilitetin politik në qarqet politike e diplomatike ndërkombëtare përmes një vizite në Shqipëri të një personaliteti madhor me përmasa më shumë sesa rajonale sikurse ishte ai, prandaj e refuzoi atë përtej kufijve të neveritjes. Njërës prej ftesave, sikurse mësojmë nga dokumentet e pabotuara, në thelb afërsisht i jep këtë përgjigje: “Njerëz si unë keni në Shqipëri, ke Sejfulla Malëshovën (i njohur me pseudonimin Lame Kodra) të cilin e ke braktisur ferrave të Myzeqesë…”. Zhvillimet politike, që e mbërthyen popullin shqiptar për dekada të tëra, e lanë atdhetarin Fan S. Noli dhe shokët e tij larg atdheut, në pamundësi që t’i ndodheshin atij pranë në hallet e shumta që ka pasur, të shkaktuara sa nga fqinjët e pabesë aq edhe nga fati i keq që pati qeverisje, që e mbajtën të izoluar, të ndrydhur, në varfëri të tej skajshme ekonomike. Thelbin e shpirtit të tij demokrat dhe të atdhetarit të spikatur e konsekuent e shpreh më mirë se kushdo tjetër vetë Noli, kur në mënyrë koncize artikulon edhe sa vijon: ”Jam në këmbë e me ballin lart, në krye të Kryqëzatës për idealet kombëtare demokratike..”. Kjo ka qenë motua e tij, ky ka qenë qëllimi i një jete të madhe, i një zemre atdhetare, që punoi veç për atdhe e popull.
(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)
FAN STILIAN NOLI
Fan Noli u lind më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), një fshat shqiptar në Traki, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës…
Shkollën fillore dhe të mesme i bëri në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll… Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë… Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Erdhi në Shqipëri për të parën herë më 1913. Përsëri shkoi në ShBA. Vatra e zgjodhi kryetar. Të kësaj kohe janë vjershat e tij të para dhe të parat shqipërime artistike. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë “Historia e Skënderbeut“. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve 20. Gjeti një lëvizje mjaft të gjerë për sigurimin e pavarësisë kombëtare dhe të tërësisë tokësore. Si deputet në Këshillin Kombëtar, mbrojti platformën e Kongresit të Lushnjes dhe u bë udhëheqës i krahut demokratik kundër feudalëve, që kryesohej nga Ahmet Zogu. Noli luajti një rol të dorës së parë në organizimin dhe në drejtimin e revolucionit demokratik të qershorit 1924, pas ngadhënjimit të cilit u caktua kryetar i qeverisë. Por revolucioni nuk u çua gjer në fund. Noli me shokë treguan butësi dhe ngathtësi. Revolucioni u thye nga bashkëveprimi i reaksionit të brendshëm dhe me forca te huaja. Më 24 dhjetor 1924, Noli mori udhën e mërgimit politik dhe s’u kthye më në Shqipëri… Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.