Letër e nënshkruar
Eri Demo, emigrant
Ka vetëm një mënyrë për t’u shqyrtuar kjo çështje dhe është probabiliteti i rrezikut. Të ndalemi për një moment tek kapacitetet teknologjike, kushtet natyrore, personeli i kualifikuar, buxheti i nevojshëm dhe të gjitha teknikalitetet e tjera si këto që Shqipëria nuk i ka, por që për hatër të argumentit i marrim të mirëqena. Pra marrim të mirëqenë faktin se plotësohen kushtet, por përsëri na ngelet çështja thelbësore për t’u konsideruar – Sa është probabiliteti i rrezikut? Sa është probabiliteti se mund të ndodhë një aksident? Një sulm terrorist? Një sabotazh? Një fatkeqësi natyrore si tërmet, përmbytje, rrëshqitje dheu, etj?
Unë për t’u treguar konservativ po them se probabiliteti është jashtëzakonisht i vogël. Dhe këtu ngec karkaleci.
A ka Shqipëria e vogël supe për të hyrë me vullnet në një aventurë ku ekziston probabiliteti (sado i vogël) i efekteve të lartpërmendura nga këto helme që janë armë të shkatërrimit në masë? A është e përgjegjshme që një qeveri t’i lejojë vetes të marrë vendim për të futur vendin në një aventurë të tillë? Dhe këtu duhet të fokusohen aleatët, miqtë dhe palët e interesuara. Shqipëria nuk ka supe për këto pesha.