Moikom Zeqo
– Çfarë po lexon, më pyeti befas me zë të qetë Makabe Zaharia.
– Çfarë po lexoj? Librat e Herman Hesse-s.
– A, librat e Herman Hesse-s?
– Edhe ti i ke lexuar? Apo jo?
– Po i kam lexuar.
– Ti di gjermanisht, lexon drejtpërdrejtë në gjuhën e origjinalit. Hesse është shkrimtar gjerman.
– Shkrimtar i madh.
– Padyshim. Kam lexuar romanin e tij “Demiani rrëfimi për rininë e Emil Zinklerit”. Roman i hershëm i tij, por tronditës. E kam krahasuar me “Verterin” e Gëtes. Carl Gustav Jung-u pohon se “efekti i këtij libri mund të krahasohet lirisht me dritën e një feneri në një natë me stuhi.”. Sipas Hesse-s jeta e çdo njeriu është rruga për tek vetja. Asnjë njeri s’ka qenë kurrë krejtësisht ai vetë: megjithatë secili synon të bëhet një vetvete e lartë. Secili mban në qenien e tij mbeturinat e lindjes, gëlbazën dhe lëvozhgën e një lashtësie paranjerëzore. Disa nuk arrijnë të bëhen kurrë njerëz, mbeten bretkosa, hardhuca, buburreca. Disa të tjerë janë nga mesi e lart njerëz nga mesi e poshtë peshq, ose mace, krokodilë, gjarpërinj, ujq, gomarë. Secili është pjellë e natyrës, kemi prejardhje të njëjtë, dalim nga vrima e njëjtë. Mirëpo secili synon qëllimin, lartësimin ose gremisjen. Ne mund ta kuptojmë njëri tjetrin, por ama secili flet për veten e vet, pa pyetur për tjetrin. Ky roman më ka tërhequr edhe në një pikë Makabe. Aty flitet për hyun demon të gnostikëve Abraxas. Në roman personazhi kryesor gjen një letër ku thuhej: “Zogu del nga veza. Veza është bota. Kush do të lindë patjetër që do ta asgjësojë një botë. Zogu fluturon tek Zoti. Zoti quhet Abraxas.”
– Abraxas-i?
– Po Abraxas-i!
– Më kujtohet. Ti ke studiuar mozaikun e një bazilike të Antikitetit të vonë në Mesaplik pranë Vlorës ku është figura në profil e një burri si dhe mbishkrimi enigmatik Aparkeas. Ti mendon se Aparkeas është forma e korruptuar, ose një variant tjetër i emrit Abraxas. Ke të drejtë në këtë arsyetim. Edhe fjala Abrakadabra lidhet me Abraxas, që rrjedh nga fjala hebraike Beraka – që do të thotë Bekim. Abrakadabra është një shprehje magjike e formuar nga Abraxas që në lashtësitë e hershme dhe ka qenë një fjalë kyç për kabalistët dhe alkimistët e mesjetës.
– Ke të drejtë Makabe. Abraxas rrjedh nga Baraka. Fjalën dhe nocionin Abraxas e ka lartësuar dhe sublimuar filozofi gnostik i shquar Bazilidi (gjysma e parë e shekullit II të erës sonë). Sipas Bazilidit dhe dishepujve të tij funksioni magjik i emrit Abraxas lidhet me vlerën numerike që mbart çdo germë shuma e të cilëve përbën numrin 365 (a=1, b=2, r=100, a=1, x=60, a=1 dhe s=200 – gjithsej 365). Pikërisht numri 365 simbolizon Hyun. Në veprën e tij “Përgënjeshtrimi i të gjitha herezive” shkruar nga teologu i krishterë Ipoliti i Romës bën fjalë për këtë emër magjik dhe thotë: “Sipas gnostikëve, ekzistojnë 365 kupa e qiellit të qiellit dhe Arkondi i tyre i madh quhej Abraxas, sepse emri i tij ka vlerën simbolike 365, në këtë mënyrë vlera simbolike e këtij emri përfshin çdo gjë dhe pikërisht për këtë arsye viti i ka 365 ditë”. Hyu Abraxas i hebrenjve krijoi një kult sinkretizmi me Jahovain e të krishterëve në shekujt II dhe VI edhe në rrethinat e Vlorës, ku dihej që gjallonte edhe një komunitet hebrenjsh. Mozaiku i Mesaplikut me këtë subjekt ikonografik është i vetmi në gjithë botën e Antikitetit të Vonë.
– Është shpjegim i logjikshëm. Ka një histori të disa komuniteteve hebrenjsh në Shqipëri sidomos në mesjetë.
– Duke lexuar Hesse-n m’u ravizua dhe m’u ringjall sërish në vetëdije ky motiv. Gnostikët u demonizuan dhe u përndoqën nga të krishterët. Abraxas u bë hyu demon për shkak të konkurrencës me figurën e Krishtit. Abraxas-i qe Mbreti i Universit të një sistemi idesh dhe përkushtimesh misterioze dhe të humbura përfundimisht. Një lloj Fausti fetar dhe filozofik i gnostikëve. Një Faust i tjetërsuar. Por dëshmia e mozaikut të Mesaplikut nuk mund të harrohet dot. Botëkuptimi i Abraxas-it është shpërbërë, shpërndarë, tretur, pluhurizuar.
– E kuptoj. Abraxas-i mund të pllenojë një fantazmagori letrare. Është një modem ari për një shkrimtar. Subjekt i jashtëzakonshëm.
– Çudi! E kam menduar këtë gjë Makabe! Ti i kap me shpejtësi kumtet që mbart e Panjohura. Ke nuhatje të sigurtë.
– Trupi i Shqipërisë është plot tatuazhe të tilla, gati magjike, tatuazhe që i zbulon arkeologjia. Shkrimtarët shqiptarë janë mjaft të paditur, për dreq s’e kuptoj që kanë një horizont kulturor të mangët.
– Jo të gjithë Makabe.
– Me ndonjë përjashtim. Është e trishtueshme pse është kështu. Me që ra fjala tema e Atlantidës ka frymëzuar shumë shqiptarë të botës në shekuj dhe gjuhë të ndryshme. Si Atlantidë është edhe vendi përrallor i quajtur Agartha. Me termin Agarthi ose Agarttha nënkuptohet një botë misterioze e nëndheshme, e përbërë nga një shoqëri Anëtarësh dhe e vendosur në vendet e fshehta të Azisë (për disa në afërsi të shkretëtirës së Gobit, për të tjerë në Mongoli, ndërsa për disa në Tibet). Për ekzistencën e saj Perëndimi hyri në dijeni në sajë të disa veprave të botuara nga udhëtarë e studiues të ekzoterizmit që jetuan midis viteve ‘800 dhe ‘900. Zbulimi i Agarthit është kështu shumë i vonshëm për atë që na përket, por natyrisht ky vend ekziston gjithmonë, të paktën sipas zbulimeve të atyre që kanë dëgjuar të flitet.
Një botë e nëndheshme. “Çdo gjë në botë është në gjendje të vazhdueshme ndryshimi, tranzicioni: popujt, shkencat, fetë, ligjet dhe zakonet (…). Ajo që mbetet e pandryshuar është e Keqja, vepra e shpirtërave të këqinj. Më shumë se gjashtëmijë vjet më parë, një Njeri i shenjtë u zhduk me një fis të tërë nën tokë dhe nuk u duk më kurrë (…). Askush nuk e di ku është ajo mbretëri: dikush thotë në Afganistan, dikush në Indi. Atje të gjithë njerëzit janë të sigurtë nga e Keqja; krimi nuk ekziston. Atje shkenca është zhvilluar e pashqetësuar; asgjë nuk është e kërcënuar nga shkatërrimi. Populli i nëndheshëm ka arritur njohuritë më të larta. Tani numëron miliona frymë, nën qeverinë e Mbretit të Botës, që njeh të gjitha forcat e natyrës dhe ligjet në të gjithë shpirtrat njerëzorë dhe në librin e madh të fatit të tyre. Ai drejton tetëqind milionë njerëz të gjallë që nuk shihen në sipërfaqe të tokës, të cilët ekzekutojnë urdhrat e tij”. Ky është përshkrimi që në vitet ’20 një lama tibetian bëri për historinë e Agarthit. U riprodhua nga eksploratori polak Ferdinand Ossendowski në librin e tij ‘Kafshë, Njerëz dhe Perëndi’, shkruar në 1923 pak pas kthimit të tij nga një udhëtim aventuresk në Azi. Ossedowski deklaroi se kishte nxjerrë informacione për mbretërinë e nëndheshme në Mongoli, pasi kishte dëgjuar të flitej për një personazh misterioz të quajtur Mbreti i Botës. Kërkimi i tij e çoi përballë Lamave të rëndësishëm dhe princërve mongolë të cilët, fillimisht të heshtur, i zbuluan ekzistencën e komunitetit të fshehur duke përshkruar më në detaje origjinën dhe arsyen e tij të ekzistencës. Një prind me emrin Cultun Bejli i tregoi se mbretëria e Agarthit shtrihet nëpër të gjitha rrugët nëntokësore të të gjitha botës. “Dëgjova një lama të mençur kinez të thoshte se të gjitha zgavrat nëntokësore të Amerikës janë të banuara nga popullsia antike që u zhduk nën tokë – i tha princi Ossedowskit – këta popuj dhe këto vende nëntokësore janë qeverisur nga mbretër të cilët janë vasalë të Zotit të Botës. Nga ky fakt nuk duhet të habiteni shumë. Ju e dini se dy oqeanet më të mëdhenj në lindje dhe në perëndim kanë qenë dy kontinente. U zhdukën nën ujë, por popujt e tyre kaluan në mbretërinë e nëndheshme’. Në këto fjalë të fundit është më shumë se logjike të supozosh se princi i takuar nga Ossendowski ju referohet dy kontinenteve mitike të zhdukur të Atlantidës dhe të Mu-së, njerëzit e të cilëve pra nuk do të jenë zhdukur të gjithë gjatë kataklizmës e cila do të ketë zhytur këto toka, por ende jetojnë të fshehur mirë në tunele dhe shpella të nëndheshme që përshkojnë të gjithë globin. Këto shpella duhet të ndriçohen nga një dritë e veçantë e cila bën të mbijnë farat, të rriten bimët dhe duhet t’i dhurojnë njeriut një jetë të gjatë e pa sëmundje. Kryeqyteti i Agarthit është qyteti Shamballa, i kërkuar më kot nga eksploratorë të shumtë (thuhet se deri dhe Hitleri organizoi një ekspeditë në Tibet me qëllim për të kontaktuar Mbretin e Botës), sepse për ta arritur është e domosdoshme të jesh i pastër shpirtërisht. Bota e Agarthit është e prekshme dhe shpirtërore në të njëjtën kohë. Duket se ajo është e lidhur me kryqëzime të këtyre rrugëve të nëndheshme që gjithmonë njerëzit i mendojnë të vërshojnë nën sipërfaqen e tokës, në formën e një energjie të zanafillës që mund të jetë e kanalizuar ose e drejtuar për qëllime ezoterike. Të vizitosh Agarthin është shumë e vështirë, në mos e pamundur. Bota e nëndheshme ka hyrje të ndryshme në shumë pjesë të botës, por ekziston rreziku të humbasësh nëpër galeritë shumë të gjata që lidhin qendrat e saj kryesore. Aq më shumë që vetë Agarthi është i mbrojtur nga një lloj vibrimi i cili, mesa duket, ngatërron mendjet e atij që i afrohet.
Përveç Ossedowskit dhe shkrimtarë të tjerë kanë sjellë lajme lidhur me mbretërinë e nëndheshme. Louis Laccolliot ndoshta foli i pari nga të gjithë në veprën ‘Les fils de Dieu’. Tek ‘Mission de l’Inde en Europe’, libër i shkruar në 1887 dhe i botuar në 1910, mendimtari dhe okultisti francez Saint-Yves D’Alveydre tregon për Agarthin duke e vendosur në një lokalitet të panjohur të Himalajave. Saint-Yves deklaronte se e kishte vizituar në sajë të një lloj dyzimi mistik të personalitetit. Por sinteza më efikase e realizuar pikërisht për të sjellë qartësi në të dhënat e Ossedowskit me shokë, është ajo e ekzoteristit francez Rene Guenon i cili në librin ‘Mbreti i Botës’ tërheq fijet e diskutimit duke hetuar për legjenda të shumta që i referohen Agarthit lidhur me traditën e gjithë botës Në fakt, duke patur parasysh shumë kultura antike tregohet për ekzistencën e një Moshe të Artë mitike, gjatë së cilës njerëzit jetonin në paqe dhe ndiqnin njohuritë e vërteta. Sipas fesë braminike, gjatë kësaj epoke të mbushur me spiritualitet disa dijetarë arritën Ndriçimin, duke themeluar një fe universale e cila pajtohej me të gjitha besimet e mundshme. Ky komunitet vendosi të transferohej nëntokë me ardhjen e një epoke të ndyrë të quajtur Kali-Juga, ku e Keqja, materia dhe racionaliteti morën epërsi. Lindi kështu Agarthi (që do të thotë ‘E paarritshme’).
Periudha aktuale është pra një periudhë e errësimit dhe konfuzionit dhe kushtet e saj janë të tillë që derisa vazhdon njohuria iniciatike detyrimisht duhet të qëndrojë e fshehur. Gjatë udhëtimit në Mongoli të Ossendowskit, ndërsa ai dhe shokët e tij përshkonin një ultësirë pranë Tzagan Luk, ndodhi diçka shumë e çuditshme. Udhërrëfyesi mongol që kishin marrë me vete bëri shenjë të ndalonin. Zbriti nga gamilja e tij dhe kjo e fundit u gjunjëzua vetë. Udhërrëfyesi ngriti duart para fytyrës në një akt solemn lutje dhe filloi të përsërisë një frazë të shenjtë. Edhe mongolët e tjerë që merrnin pjesë në ekspeditë bënë të njëjtën gjë dhe polaku mbeti shumë i habitur. Vazhduan të luteshin për pak kohë dhe pastaj u nisën përsëri. Kërkesës së Ossendowskit për t’ia shpjeguar këtë, udhërrëfyesi iu përgjigj kështu: “E pe se si gamilet lëvizën veshët të trembura? Po atë tufën e kuajve në lëndinë që qëndroi pa lëvizur dhe e kujdesshme, si dhe bagëtitë e dhentë të grumbulluara në tokë? Edhe zogjtë nuk fluturonin, ketrat nuk vraponin, qentë pushuan së lehuri. Ajri dridhej me ëmbëlsi dhe sillte nga larg muzikën e një kënge që depërtonte zemrat e njerëzve dhe kafshëve të tokës dhe të ajrit. Era nuk frynte më, dielli kishte ndaluar. Në një moment si ky ujku që afrohet vjedhurazi tek qengji ndalon aty ku ndodhet. Të gjitha qeniet e gjalla të frikësuara kanë ngecur në mënyrë të pavullnetshme duke u lutur dhe presin fatin. Kështu ndodhi një moment më parë. Kështu ndodh gjithmonë kur Mbreti i Botës në pallatin e tij nën tokë, lutet dhe vëzhgon fatet e të gjithë popujve dhe racave”. Ishte si pasojë e kësaj ngjarje që Ossedowski vendosi të grumbullojë të dhëna për Mbretin e Botës. Po kush është Mbreti i Botës?
Përveçse sovran i njohur nga Agarthi, ai do të jetë në të njëjtën kohë kreu suprem i të ashtuquajturës Sinarkia, qeveria e fshehtë që ka detyrë të organizojë zhvillimin e historisë njerëzore brenda skemave të përcaktuara të natyrës hyjnore. Mbreti i Botës është quajtur edhe Brahatma (suport i shpirtërave në Shpirtin e Zotit). Ai ka cilësi të flasë ballë për ballë me Zotin, si dhe është në lidhje me mendimet e të gjithë atyre që drejtojnë fatin e njerëzimit. Njeh qëllimet dhe idetë e tyre. Nëse ata i janë mirënjohës Zotit, Mbreti i Botës i favorizon me ndihmën e tij të padukshme. Nëse përkundrazi e hidhërojnë Zotin, Mbreti do të shkaktojë dështimin e tyre: Mahatma që ‘njeh përfundimin e ngjarjeve të ardhshme’ dhe Mahanga i cili ‘drejton shkaqet e këtyre ngjarjeve’.
Mbreti i Botës drejton në pjesën më të madhe të kohës së tij Panditët dhe Gorot, ose të diturit e Agarthit. Megjithatë nganjëherë i le dhe shkon i vetëm në kriptën e Tempullit ku shtrihet, në një sarkofag të zi, trupi i paraardhësit të tij. Shpella është e zhytur në errësirë, por kur Mbreti i Botës hyn brenda, muret vizohen me shirita zjarri dhe nga kapaku i sarkofagut ngrihen gjuhë flake. Në këtë moment mbreti lutet ngadalë pastaj afrohet tek sarkofagu dhe shtrin dorën. Shiritat e zjarrit në mure ndërthuren për të formuar fjalë të shkruara në alfabetin vatanan (gjuha e Agarthit) dhe nga sarkofagu lëshohet një dritë e çuditshme që me zor shihet. Bëhet fjalë për mendimet e paraardhësit të Mbretit të Botës. Fjalët që formohen nëpër mure shprehin vullnetin e Zotit. Në këtë çast solemn Mbreti i Botës është në lidhje me mendimet e të gjithë njerëzve që kanë ndikim mbi fatin dhe jetën e njerëzimit. Kjo fuqi i është dhënë mbretit nga shkenca misterioze e Om, fjalë me të cilën fillojnë të gjitha lutjet tibetiane. Shumë larg për ta konsideruar një legjendë, murgjit dhe banorët e vendeve të ndryshme të Himalajave pohojnë se Mbreti i Botës shpesh herë shfaqet në botën e sipërfaqes ku pritet dhe nderohet si një lloj perëndie dhe ku ai shpërndan bekime. Shfaqjet e tij në publik kanë ndodhur për herë të fundit në 1890 pranë manastirit Narabanki, në 1923 në Siam dhe në 1937 në Delhi të Indisë.
Sipas asaj që murgjit i kanë thënë Ossedowskit, ai do të shfaqet përsëri kur do të ketë ardhur koha për të udhëhequr të gjithë njerëzit e mirë kundër atyre të këqinj.
Rrëfimi i Makabe Zaharisë qe i gjatë dhe pasionant. Ç’kujtesë ka ky njeri, mendova. E doja dhe e çmoja Makabenë. Dituria e tij më befasonte. Nuk qe një dituri e thjeshtë. Makabe Zaharia s’është aspak i thjeshtë. Ai fliste jo sikur të ishte një njeri, por tërë njerëzimi. Kishte një shkathtësi mendore për të krijuar lidhjet, raportet, shumëfishimin e kuptimit të parabolave, dijeve, mistereve. Makabe Zaharia përherë fliste kështu, me module subjektesh, i abstragonte, i vinte në një rend shpirtëror dhe metaforik. Ai përgjithësisht rrinte i heshtur dhe fliste vetëm kur duhej folur. Refuzonte t’i shkruante këto histori të skajshme. Mendonte se të tëra historitë janë konceptualisht e njëjta histori.
– Besoni se ekziston Agarthi Makabe? Ju tregoni diçka fabulare me stilin e kronikës nuk i harroni dhe referencat.
– Po ju besoni tek Atlantida?
– Atlantida është përgjysmë e besueshme. Platoni e përshkruan qartë. Katastrofat natyrore kanë ndodhur – kjo s’mohohet. Është një çështje e hapur.
– Edhe Agarthi.
– Troja, Tiri, Babilonia u shkatërruan, por arkeologët i saktësuan legjendat. Askush nuk dyshon më.
– Askush nuk dyshon.
– Çdo qyet i vjetër projekton mitin e vet, një binjak urbanistik në kujtesë. Ky dyzim është i habitshëm. Rasti më befasues është Jerusalemi Qiellor që përshkruhet në Apokalips. Jepen saktë përmasat e mureve, numri i kullave dhe portave. Një projekt urbanistik i përsosur, gjeometrik. Një qytet konkret fluturues.
– Si ishulli qytet Laputa përherë në fluturim që e pa me sytë e tij Guliveri i Swiftit.
– Swifti bën një parodi.
– Ka parasysh Civitas Dei – Qytetin e Zotit të shën Agustinit, teologut të tmerrshëm. Është i njëjti me Jerusalemin Qiellor të Apokalipsit, por pa përshkrimin empirik të rrugëve dhe arkitekturave. Një Jerusalem jo autentik. Një Jerusalem meditativ dhe simbolik.
– Teknikë abstraguese e procesit të të menduarit. Mos të harrojmë edhe Hadin, Qytetin e të vdekurve. Odiseu, Orfeu madje edhe Dantja thuhet se e kanë parë konkretisht. Dantja ja vizaton në mënyrë marramendëse përmasat, hartën më të hollësishme të Hadit.
– Ja pra një përngjasje dhe afërsi me Agarthin. Hadi është mbretëria e nëntokëshme. Ashtu si Agarthi.
– Ke qenë në Romë?
– Sigurisht që kam qenë. Po pse po më pyet?
– Nëntoka e Romës ruan ende katakombet e të krishterëve të hershëm. Këta të krishterë besonin tek Jerusalemi Qiellor padyshim. Për simetri, a ndoshta për asimetri, të sipërmen e bënë të poshtme, dmth krijuan Jerusalemin e të vdekurve dhe martirëve.
– Kështu plotësohet formula e Trinitetit. Kemi një Jerusalem real në tokën e Palestinës, Jerusalemin në qiell dhe Jerusalemin nën tokë.
– Interesante. S’më kishte shkuar ndër mend. Vërtet interesante.
– Atlantida është një arketip më i thjeshtë: mbi det dhe nën det. S’ka të bëjë me qiellin, as me nëntokën. Atlantida frymëzoi një letërsi utopike të pashembullt. Jerusalemi një teologji të paimagjinueshme.
– Agarthi përfaqëson një botë më të vetmuar, por shumë më të veçantë. Por edhe Agarthi s’shkëputet dot nga Atlantida dhe Jerusalemi. Me një tipologji gjithsesi më mistike.
– Po Mbreti i Botës? Ç’është Mbreti i Botës?
– Ky është problemi.
– Mbreti i Botës nuk dihet se ç’është. Simbol universal po pa tipare, pa emër. Ne dimë emrat e Jahovait, Zarathustrës, Budës, Krishtit dhe Muhamedit. Kanë atribute të Mbretit të Botës. Por ata s’janë Mbreti i Botës. Mbreti i Botës është diçka tjetër. Kryefigurë më e abstraguar, më metafizike.
– Më enigmatike.
– Shumë më enigmatike. Pafundësisht më enigmatike.
– Prandaj nuk mund të mohohet apo të injorohet.
– Mbreti i Botës. Tek ai sikur sintetizohen tiparet e një Qenie Supreme. Ai administron mrekullisht një botë.
– Një botë alternative.
– Po, sikur i takon një planeti tjetër nga ai i Tokës.
– Dhe njëkohësisht brenda planetit të Tokës.
– Jashtë dhe brenda. Ose brenda dhe jashtë.
– Me ekzistencë dhe jo me ekzistencë.
– Saktësisht.
– Mbreti i Botës s’është as Aleksandri i Madh, as Napoleoni, as Abraham Linkolni, as Lenini dhe as Mao Ce Dun-i.
– S’ka asgjë prej tyre.
– Dhe është sundimtar universal. Zotërues i pushtetit. Një shëmbëlltyrë që s’e njeh dot Makiaveli.
– S’i referohet dot.
– Mbreti i Botës është metafora më e pangjashme e autoritetit.
– Metafora e së Mirës jo e së Keqes.
– Në këtë kuptim Mbreti i Botës është më tipik. Njerëzimi kurrë nuk ka ëndërruar diçka të ngjashme si Mbreti i Botës. Sublimim i ëndërrave.
– Ah, Mbreti i Botës!
– Çdo njeri i thjeshtë, çdo skllav, çdo person i parëndësishëm i njerëzimit mbase është Mbreti i Botës.
– Si mundësi?
– Si mundësi e fshehur.
– Çdo pushtetar i madh mbi tokë s’është i tillë. Jashtë historisë është Mbreti i Botës, por ama nën tokë.
– Diçka si kulti i fuqive ktonike.
– Një plotfuqishmëri ktonike.
– Frojdi do të thonte: një triumf i nënvetëdijes.
– Ç’ma përmend Frojdin! Ai është dogmatik i formulave. Kush e dëgjon Frojdin sot?
– Është i tejkaluar.
– I kapërcyer. S’ngjall më habi.
– Krejtësisht e saktë!
– Mitet greke krijuan Prometeun.
Shekspiri Hamletin dhe Mbretin Lir. Letërsia kështu sfidoi personazhet e mëdhenj të historisë. Lindja e Largët me Mbretin e Botës sfidon edhe letërsinë edhe historinë. Në një realitet të tretë. Kjo është e pabesueshme.
– Filmi hollivudian fokuson Shpëtimtarin e Botës. Batmanin. Superheroin. Por ka modeluar një robot kibernetik. Përherë fitimtar dhe të mërzitshëm. Happy End! Grackë imazhesh.
– Mbreti i Botës s’ngjan me këto krijesa gati ortodokse dhe kallëpe të gatshme.
– Me të vërtetë nuk ngjan!
***
Kaluan dhjetë ditë monotone nga biseda me Makabe Zaharinë. Jetë pa ngjarje. Pa emocione. Pa ngacmime idesh. Dhjetë ditë. Si një ditë e vetme. Solla ndërmend dialogun me të. Abraxas. LIBËR PSLAMORUM. Pslamus 90,4 : « Quoniam mile anni ante oculos tuos tanquam dies hesterna quae praeterit et custodia in nocte. » (« Sepse njëmijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që kaloi, ose sikur të gdhish një natë. ») Studiuesit biblikë këtë atribut jo matematik të Kohës e lidhin me gjenezën e Abraxas e akoma më herët me atë të hyut Mithra. 365 ditët janë më shumë se 365 milion vite. Fillimi i Kohës pa fillim. Mbarimi i Kohës pa mbarim. Çdo mit imiton. Njësohet me këtë nocion infinit të Kohës. Është si një virus i dukshëm i rrjedhjes së kohës së padukshme. Virus vizioni në terr. Si lindin vizionet? Si e bëri artisti i lashtë fytyrën e hyut Abraxas në mozaikun e bazilikës në Mesaplik? Si mund të shfaqet fytyra e një hyu? Kush i di tiparet e tij? Apo vetë njeriu i shpik këto tipare? Pra i falsifikon?
Para 14 shekujsh një artist erdhi në malet dhe pyjet e Mesaplikut. Emri Mesaplik lidhet me mesapët ilirë, që kapërcyen Adriatikun dhe emigruan në brigjet italike. Artisti e kompozoi mozaikun në dyshemenë e bazilikës. Ai e bëri portretin e hyut Abraxas. Shekuj më pas bazilika e braktisur u mbulua nga dherat e rënda. Çdo gjë u harrua. Jeta e nëndheshme e portretit qe e gjatë, shumë e gjatë. Errësirë pa asnjë dritë. Pjesa e Agarthit. (Banorët e Agarthit kanë bërë udhëtime nga Lindja në Perëndim, përherë nën koren e gurtë të planetit, mbase kanë arritur në Mesaplik, por pa dalë në sipërfaqe. Shumë më përpara arkeologëve!) Ndërkohë mbi tokë ikonografia e Krishtit Triumfues zotëroi mendjet. Gnostikët u mallkuan. Librat e tyre u dogjën. U zhdukën. Por mënyra gnostike e të menduarit nuk humbi përfundimisht. Rrëfimet e Campanella-s dhe Bacon-it. Ata shkruajnë jo për Atlantidën platoniane të mbytur, por për dy Atlantida të Reja, që kinse i kishin parë me sytë e tyre. I përshkruajnë qartë. Në detaje. Për ta gnosis (njohja) është metoda për të vënë rend në botë “për shpëtimin e vetes dhe të botës” Tek libri i tij “Atlantida e Re” Bacon-i flet se në këtë vend të pabesueshëm (dhe real) kishte një qendër shkencore të matematikës, ku një dijetar i tha: “Ne kemi gjithashtu vende të iluzionit të shqisave, ku paraqesim lloj lloj veprime lojërash të shpejtësisë, dukjesh të rreme, mashtrimesh e iluzionesh dhe ekspozimin e tyre. Dhe me siguri ju do të na besoni me lehtësi se ne, që kemi kaq shumë gjëra me të vërtetë natyrore që ngjallin admirim, do të mundnim në një pafundësi gjërash të veçanta të gënjenim shqisat nëse do t’i maskonim ato gjëra, dhe do të përpiqeshim t’i bënim ato më të çuditshme.”
Vende të iluzionit të shqisave? Ideja e filmit të ardhshëm? Botës digjitale dhe kibernetikës? Iluzioni i fytyrave dhe emrave të hyjnive të zanafillës dhe kohërave moderne? Abraxas-i si makinë e vegimeve? Mbreti i Botës në Agarthin e imagjinatës? Pse ndodh kjo gjë? A është kjo në natyrën e vetë njeriut si qenie e dyfishtë materiale dhe shpirtërore? Pse njeriu e ka nevojë jetike të tjetërsohet nga imagjinata e vetvetes? Këto pyetje më shpërbënin të tërin, më thithnin, më shpërndanin në kozmos. Ah, Abraxas! Ah, Mbreti i Botës!
Mbeti i Botes ka qene,eshte dhe do jete sa te rrotullohet kjo Toke,Greqia e Lashte.
Atje kane lindur Mbreterit e Botes te quajture Baballare.
Hipokrati,Babai i Mjejesise.
Sokrati,Babai i Filo-Sofise.
Omiros,Babai i Poemes se pare te civilizimit Evropiane.
Eskili, Babai i Trago-dhias.Tragjedi.
Greqia,Nena e Dhimo-Kratise,Lojerave per Perendite e Olimpit,
Krijuesja e Alfa-Betas.
Parthenonit Simboli i Civilizimit Evropiane.
Eratosthenis,Njeriut qe mati Diametrin e Tokes.
Arkimedin,Njeriun Perendi qe zbuloi kompjuterin e Pare te Njerezimit ate te gjetur rastesisht ne ishullin e Antiqithires.
Shyqyr qe u mbyt anija dhe u gjet ne 1912en nga polumbaret Greke se ndryshe do ta kishin shkrire te mallkuarit e Krishterimit,se keto ishin te “Dhia-volos” Diallit.
Ashtu sic kthyen ne Kishe Parthenonin dhe me vone islamiket ne Xhami.
Njesoj si Talibanet edhe te Krishteret,Varvare,shkatertuan pasurite e persosura dhe Mrekullite brenda ne Parthenon.
Dhe keto shkaterrime jene bere ne emer te nje Feje Abrahamike qe ka brenda ziline,pafuqine Shpirterore,semundjen e pasherueshme te Psiho-pathiseve.