Prof. Dr. Irakli Koçollari
ROLI UNIK I SHBA NË MBROJTJEN SHQIPTARËVE DHE TË TOKËS SË TYRE!
Në historinë e kohëve moderne, për krijimin e shtetit shqiptar dhe veçmas luftën për mbrojtjen e këtij vendi të vogël nga copëtimi, zhbërja dhe asgjësimi definitiv i tij, prej fqinjëve dhe më gjerë, është shkruar dhe vazhdon të shkruhet, janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen studime, hulumtime, kërkime arkivore, analiza, të cilat në mënyrë permanente kanë nxjerrë dhe vazhdojnë të nxjerrin në dritë rolin që luajtën aktorët, fuqitë e mëdha, por edhe vende më të vogla në shpalljen e shtetit të pavaruar shqiptar. Kishte në radhët e fuqive europiane nga ata që kërkuan copëtimin definitiv të trojeve të këtij populli, të tjerë që insistuan në reduktimin minimal të sipërfaqes ku jetonin shqiptarët, sigurisht edhe të tjerë që kërkuan të paktën ato dimensioni që ka Shqipëria e sotme, duke lënë jashtë mëse gjysmën e trojeve të tij. Por, kishte dhe ka një vend që në mënyrë konseguente dhe pse jo unike, ka kërkuar mbrojtjen dhe mbijetesën e Shqipërisë dhe të popullit të saj, të drejtat e tij historike, legjitime dhe të patjetërsueshme! Ai vend quhet SHBA!
Kontributet dhe kontributorët e atij vendi për Shqipërinë janë të shumtë dhe zënë fill që në kohën e krijimit të shtetit shqiptar, në çastet kur fatet e këtij populli kërcënoheshin me genocid, krime dhe gjakderdhje…
XHORXH WILLIAMS -1914
Një diplomat amerikan që sakrifikoi karrierën personale për Shqipërinë(!) dhe një politikan shqiptar që sakrifikon Shqipërinë për interesat e tij!
Duket se zëri i parë që vjen nëpër histori nga ai kontinent që thirret Amerikë, kundër krimeve barbare mbi popullsinë shqiptare, të fillimit të shekullit të XX, është protesta e një diplomati, që tani pothuaj është harruar. Ai quhej Xhorxh Uilliams. Ishte Antar i Dhomës së Përfaqësuesve, Anëtar i Kongresit Amerikan, Antar i Konventës Nacionale të Demokratëve. Në vitin 1914 u caktua Ambasador Fuqiplotë i SHBA për Greqinë dhe Malin e Zi.
Po këtë vit, më 1914 ai shkeli në tokën shqiptare në portin e Durrësit dhe prej andej zbriti drejt jugut në Vlorë. Aty pa me sytë e tij, pra ishte dëshmitar okular i masakrave të forcave shoviniste greke kundër popullsisë shqiptare të trojeve të jugut, fshatrat që digjeshin, njerws që masakroheshin, etj …. Kjo dhe shumë ngjarje të tjera të dhimbshme e bënë atë të kthejë vëmendjen dhe bashkë me të impenjimin e tij politik, diplomatik, kërkimor madje edhe shpirtëror ndaj popullit shqiptar. Njoftoi me disa relacione politikën qendrore amerikane për masakrat e përgjakshme, krimet monstruozë dhe spastrimet etnike që kryheshin ndaj popullsisë shqiptare dhe trojeve të saj! Por, kur William, nuk pa reagimet e mjaftueshme të institucioneve amerikane në mbrojtjen e çështjes shqiptare, në shenjë proteste ai dha dorëheqjen përfundimtare prej funksionit të tij si Ambasador dhe si diplomat dhe u kthye në SHBA …
Edhe pas këtaj ai me vendosmëri punoi për çështjen shqiptare. Një vit më vonë, më 1915, botoi një studim serioz për historinë e popullit shqiptar, origjinën e tij të lashtë, mesjetën, dhe gjer kohët moderne. Vepra e tij titullohet “The Albanians – The Skiptars”. Përmes saj i bënte thirrje politikës amerikane dhe asaj europiane të mbështesin ngritjen e shtetit shqiptar si një akt dhe e drejtë legjitime e patjetërsueshme e një populli të lashtë me vlera për qytetërimin europian e më gjerë. Insistoi pranë Presidentit amerikan Willson, si këshilltar dhe mik i tij i afërt, në mënyrë të vazhdueshme, të kthente sytë nga Shqipëria dhe tu ndalte dorën fuqive Europiane nga copëtimi i saj.
ISAIAH BOWMAN – 1918
Një personalitet i rëndësishëm që ndikoi thellësisht në poltikën amerikane për fatet e popullit shqiptar.
Ende nuk e mirë çfarë e lidhi atë njeri me shqiptarët dhe fatet e popullit tonë? Ishte ndonjë rrënjë e largët e origjinës së tij, ishte ndonjë lidhje miqsore, ishin rrethana rastësore, apo ishte gjenija dhe shpirti i tij për të identifikuar popujt, vlerat, të drejtat apo padrejtësitë që ata vuanin mbi shpirtin e tyre.
Pasi mbaroi studimet në Harvard më 1905, u emërua në “American Geografical Society” dhe në vitin 1917 u thirr në Kabinetin Qeveritar për ti ofruar Presidentit Amerikan, Ëillson të dhënat e rëndësishme të këtij instituconi. U ngarkua nga Presidenti për të hartuar raportet për Konferencën e ardhshme të Paqes në Paris, për ndalimin e Luftës së Parë Botrore, më 1919. Në këtë punim dhe studim të rëndësishëm, të vlerësuar si “Doktrina mbi Gjeopolitikën dhe Gjeostrategjinë amerikane për shekullin e XX”, çuditërisht, një vend të caktuar zë Shqipëria!!! Studimi i thellë, i hollësishëm dhe tërësisht shkencor i historisë së popullit tonë pasqyron me realizëm origjinën e shqiptarëve, autoktoninë në trojet e tij, padrejtësitë historike, vendimet e fuqive të mëdha, copëtimin e territoreve të tij etj.
Ajo që e bën mjaft interesant këtë dokument me vlera unike për historinë është paragrafi përmbyllës i vlerësimeve dhe parashikimeve përspektive që bëjnë këta analistë të politikbërjes amerikane për vendin tonë! Nëse do ti shohim me vëmëndje prognozat, pra çfarë parashikojnë dhe cilat duhet të jenë etapat nëpër të cilat duhet të kalojë ky popull gjer në formimin e një shteti të unifikuar shqiptar, do të dallojmë qartë se në rjedhat e kohëve ngjarjet politike që kanë shoqëruar fatet e këtij vendi kanë rendur pothuaj saktësisht në shtratin e këtij prospekti. Në këtë vlerësim gjeostrategjik është prognoza që ai i parashtron qeverisë amerikanë për të shbërë padrejtësitë historike ndaj këtij populli dhe ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, etj!
Në funksionin e këshilltarit të Presidentit amerikan, Bowman luajti gjithashtu një rol përcaktues në ndarjen e hapsirave dhe territoreve toksorë të Ballkanit. Analiza dhe punimet e përgatitura nga ana e tij u paraqitën nga delegacioni Amerikan dhe vetë Presidenti Willson – në Konferencën e Paqes në Paris.
XHORXH SCRIVEN – 1919
Një gjeneral amerikan që hartoi një panflet në mbrojtje të çështjes shqiptare!
George Scriven! Ishte Gjeneral Brigade i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mori këtë gradë prej Presidentit Amerikan dhe bashkë me të edhe funksionin më të lartë të Shefit Ushtarak të Sinjaleve, Komandant i Divizionit të Aeronautikës, pararendëse e “Unitet States Air Forces”. Shërbeu si Atashe Ushtarak në Romë. Në vitin 1919 botoi thirrjet dhe studimet e tij në disa prej gazetave më në zë amerikane. Iu drejtua politikës amerikane, rretheve të larta ushtarake dhe vetë Presidentit Amerikan Ëillson në disa raste të mbështesnin konsolidimin e shtetit shqiptar dhe progresin e popullit të tij.
Në vitin 1919 Skriven ngriti zërin e tij të protestës kundër pushtimit italian të Vlorës dhe mbështeti luftën e popullit shqiptar kundër këtij invazioni. Shkroi në gazetat e kohës duke tërhequr vëmëndje e politikës dhe të opinionit amerikan në mbrojtjen e çështjes shqiptare. Ndër studimet e tij me mjaft rëndësi është “Pamfleti në Mbrojtje të një Populli – Zgjimi i Shqipërisë”. Ne fund të pamfletit, duke iu drjtuar opinionin ndërkombëtar, Skriven shkruan: “Lërini Shqipëtarët e Shqipërisë të vendisin vetë për fatin dhe të ardhmen e tyre…!
Nuk dimë në çrethana njohu nga afër Shqipërinë dhe historinë e popullit shqiptar, por iu dedikua Shqipërisë dhe shqiptarëve me disa kërkime historike, shkrime, dhe gjer pamflete në mbrojtje të Shqipërisë!? Ndoshta geni i lirisë dhe dimensioni human i tij!
PRESIDENTI WILLSON
Sigurisht, qëndrimi i shpallur botërisht i Presidentit Willson, më 1920 do të ishte akti më sublim, në historinë e shtetit Shqiptar. Prononcimi dhe paralajmërimi publik i tij për t’i thënë “ndal!” duarve të intrigës të Fuqive të Mëdha në Lidhjen e Kombeve, në mbojtje të Shqipërisë nga copëtimi dhe zhbërja përfundimtare mbetet si ai guri i parë i piramidës në kufijtë e shtetit shqiptar…
Atëhere kur përfaqësuesit e dy prej fuqive më të mëdha, Francës (Gout dhe Laroche) dhe Anglisë (Sir Eyre Growe) ishin në mbështetje të plotë të pretendimeve greke (Venizellos) për Shqipërinë e Jugut. Atëhere kur kryeministrat Klemanso dhe Lloyd George kërkuan që Shqipëria të dilte në ankant… dhe përballë tyre përfaqësuesi i SHBA (Day) qëndronte i vetëm… pikërisht atëhere ishte Presidenti Willson, që me qëndrimin e tij të prerë, më 25 Shkurt 1920, hodhi poshtë projektet dhe propozimin frango-brianik dhe planet ogurzeza të grekëve, jugosllavëve dhe Italisë, për ndarjen e Shqipërisë në tre pjesë!
“…. Le të merren jugosllavët dhe italianët me njëri tjetrin për mosmarveshjet në ndarjen e kufijve të tyre dhe të heqin dorë nga Shqipëria!”, deklaronte Ëillson duke marë kështu në dorë përfundimisht fatet e këij vendi të vogël dhe të pambrojtur.
1943 – Qëndrimi amerikan në mbështetje të rezistencës së armatosur të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore
Pushtimi nazi fashist i Shqipërisë do t’i ofronte vendit tonë edhe një herë mbështetjen dhe aleancën kundër makinës famëkeqe ushtarake të Boshtit nazi-fashist.
Kreu i misionit ushtarak amerikan në Shqipëri, Tom Stefani ishte me origjinë shqiptaro-amerikane. Prindërit e tij kishin emigruar në fillimin e shekullit të XX nga Korça në Amerikë. U mobilizua shpejt në shërbimin ushtarak amerikan. Mbriti në territoret e okupuara shqiptare në Mars të vitit 1944, në krye të një grupi ushtarakësh amerikanë të OSS (Office Strategic Services), për të mbështetur dhe koordinuar luftën dhe rezistencën e përbashkët kundër pushtuesve nazifashistë. Ai nxiti dhe mbështeti fuqimisht të gjitha forcat që u rreshtuan kundër Fuqive të Boshtit Nazi-fashist dhe u reshtuan në krah të Aleatëve Anglo-Amerikan-Sovjetikë. Koordinoi dhe bashkëpunoi ngushtësisht me Shtabin e Përgjithshëm të Fontit Nacional Çlirimtar, ndërmjetësoi në dërgimin e ndihmave ushtarake dhe ekonomike për luftën kundër okupatorit dhe çlirimin e vendit tonë. Sugjeroi pranë politikës amerikane zgjerimin dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve edhe pas çlirimit.
1949 – Amerika kundër provokacioneve greke në kufijtë e Shqipërisë se jugut dhe ndërhyrjes së mundshme ushtarake!
I prerë, kategorik dhe tërësisht i papranueshëm do të ishte për Departamentin e Shtetit përpjekjet e Greqisë për një invazion ushtarak ndaj territoreve të Shqipërisë së jugut, më Gusht të vitit 1949. Paralajmërimi i Marshallit Papagos dhe vetë qeverisë greke për parandalimin e synimeve ekspansioniste greke, në një kohë kur Shqipëria nuk kishte mardhënie diplomatike me Amerikën, ishte një tjetër mbështetje për vendin e vogël ballkanik në rrugën e konsolidimit dhe të mëkëmbjes së tij;
1952, Amerika – kundër një plani ushtarak jugosllav (të panjohur), për invazion dhe copëtimin e Shqipërisë.
Mbi të njëjtat principe, të njohjes dhe respektimit të sovranitetit të shtetit shqiptar, do të mbështetej paralajmërimi i Departamentit të Shtetit të SHBA, ndaj Ambasadorëve jugosllavë dhe grekë, në mesin e vitit 1951, për planet e fshehta të Jugosllavisë dhe Greqisë për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në territoret e Shqipërisë, mbi bazën e një plani ushtarak të hartuar nga gjeneralët Petko Dapcevic, Zvetozar Vukmanovic Tempo dhe Kosta Naxhi;
1999 – Kundër gjenocidit serbomadh në mbrojtje të një populli të pambrojtur në Kosovë.
I tillë ishte qëndrimi dhe vendimi, tanimë i njohur në mbarë opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar, i SHBA më 1999, që së bashku me aleatët e tjerë dhe NATO-n, do të ndërhynin për të parandaluan masakrat e përgjakshme dhe gjenocidin e Miloshevicit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.
E tillë ishte dhe vazhdon të jetë mbështetja amerikane për krijimin dhe kosolidimin e këtij shteti të ri të pavarur; mbështetja e pakursyer që vazhdon të japë në çdo aspekt Shqipërisë dhe çështjes shqiptare nën një konseguencë permanente.
***
Këto evidenca historike janë një pasqyrë fare e shkurtër e tërë atij mobilizimi të madh, asaj ndihme politike, ushtarake, diplomatike, kulturore, morale që SHBA i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin Shqipërisë dhe popullit shqiptar! Për më shumë se një shekull, veç mbështetjes politike, diplomatike dhe ushtarake, shqiptarët kanë gjetur në rrugët e tyre të mërgimit drejt atij kontinenti, vatrën e ngohtë të një atdheu të dytë, në orë e çaste të vështira, në ditët e nevojave dhe halleve të mëdha.
***
Askush nuk mund të vërë në dyshim se pa praninë, vëmëndjen dhe mbështetjen e kësaj fuqi të madhe të demokracsë në botë, të këtij potenciali politik, ekonomik dhe ushtarak, vetë fati i Shqipërisë do të ishte përpara një dileme ekzistenciale.
***
Nuk ka as më të voglin dyshim se këto qëndrime, ndihmë dhe mbështetje aktive e SHBA-së ndaj vendit tonë burojnë vetëm prej shpirtit demokratik të atij vendi, të atij kombi të formuar nëpër histori nga të gjitha kontinentet, Europa, Azia, Afrika dhe Oqeania, nga të gjitha ngjyrat dhe trashëgimitë morale e kulturore, por i ushqyer gjer në ind me dimensionet e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë. Është pikërisht ky vend, që në mënyrë publike, në çastet më kritike të popullit të vogël ballkanik, ka ngritur zërin e tij në mbrojtjen e fateve të tij.
Dhe për ironi të fatit, nën një cinizëm fatal, nën britmat e një kasneci që kërkon të fshehë mëkatin, duke bredhur nga një anë në tjetrën… njeriu me emrin Berrishë, ka ngritur zërin dhe shtuar mallkimet kundër Amerikës. I mobilizuar tërësisht, kundër këtij aleati strategjik, për interesat e tij personale, ai don të sakrifkojë gjithcka, madje edhe vetë interesat e Shqipërisë nëse është e mundur!!!
BRITMAT KUNDËR AMABASADORIT AMERIKAN… NË FAKT JANË THIRRJE KUNDËR AMERIKËS!
Duke yshtur kinse nën një rrufjanllëk tinëzar një grup pasuesish, ky kasnec shfaqet jo drejt për drejt kundër Amerikës; jo ballë për ballë saj, por kundër përfaqësuesit zyrtar të SHBA në Tiranë!!! E bën këtë sepse kërkon të shfaqet me fasadën e rreme se gjoja “nuk ka gjë me Amerikën por me nëpunësit e saj”; Nën këtë maskë të dalë boje, kasnecët ngjiret kundër Ambasadoreshës së SHBA, zonjës Juri Kim!
Por, kjo fushatë dhe frazeologji as më shumë dhe as më pak, është vetëm një mënyrë cinike dhe qesharake bashkë e antiamerikanizmit, sepse të gjithë e dinë se asnjë përfaqësues diplomatik, i kujtdo vendi qoftë, akredituar nëpër botë, kurrsesi nuk flet në emrin e tij personal, por vetëm në emrin dhe me miratim të institucionit që drejton politkën e jashtme – thirret kjo Ministri e Jashtme, Departament i Shtetit, apo ndryshe.
Kush nuk e di këtë të vërtetë të thjeshtë: – ose i përket një takëmi diletantësh që nuk dinë çështë shteti dhe mënyra e funksionimit të tij, – ose që i takon shtresave të analfabetizmit periferik rural politik, – ose kërkon djallëzisht të manipulojë një grup britmëtarësh që nuk njohin askënd përtej veç bajrakut të katundit të tyre, – ose cedojnë skajshmërisht në intelektualizëm dhe dimensionin qytetar të tyre – ose duan të godasin pas maskave që mbajnë, sipas porosive të dhëna nga diku, për destabilitet në këto kohë delikate luftrash, për ti shërbyer më mirë kërcënimit rus dhe atij sërb në rajon.
Por, për të gjithë është e qartë se, i tërë ky grup që shfaqen si “patriotë të revoltuar” apo “të shqetësuar se po u cënohet sovraniteti”, në thelb janë kundër qëndrimeve dhe luftës që ka ndërmarrë Amerika ndaj korrupsionit dhe të korruptuarve, kundër krimit të organizuar transnacional, lidhjeve të shumëfishta e të dyshimta që cënojnë demokracinë e popujve, etj.
“SOVRANITET I PAPREKSHËM…” KONCEPTE TË VJETËRUARA TË SHEKULLIT TË XIX
Dhe për tu shfaqur si “hiperpatriotë, si të tronditur thellë nga ajo që ngjau (“non grata”), ky grup, nën zë e mbi zë ankohet se “se po ndërhyhet në punët e brendshme të vendit …. se po cënohet sovraniteti i vendit…. se sovraniteti është i shenjtë…!!!”
Por, kush janë këta dashnorë të thekur të “sovranitetit të pastër?” Cilët janë këta qytetarë idealë që pretendojnë sovranitet dhe liri absolute, të pakushtëzuar nga asgjë, gjer në limitet ekstreme???
Koncepti i kësaj tureme për sovranitetin është tejet i vjetëruar dhe prapambetur në kohë, madje ajo që ata prtendojnë i takon shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX.
Koncepti i sovranitetit në botën moderne sot, është i një natyre relative. Koncepti i sovranitetit absolut u zhvillua, në shekullin e 19 -të apo edhe në gjysmën e parë të shekullit të 20 -të, por paskëtaj ai nuk vazhdoi të ekzistojë më.
Çdo shtet sovran sot, ka një numër detyrimesh të rendit ndërkombëtar, të cilat janë regjistruara në akte ligjore, sikundër karta e e OKB-së, OSBE –së, Këshillin e Sigurimit, NATO, etj. Në këto kushte, të gjitha shtetet që kanë nënshkruar dokumentet e mësipërme, kanë një sërë detyrimesh ndërkombëtare, detyrime këto të pranuara vullnetarisht, duke kufizuar kështu sovranitetin e tyre.
Kështu, në Kushtetutën Franceze të vitit 1946, thuhet: “në varësi të reciprocitetit, Franca bie dakord me kufizimet e sovranitetit të nevojshme për të organizuar dhe mbrojtur paqen”.
Edhe në kushtetutat e shteteve të tjera anëtare të BE -së shprehet qartë transferimi falas dhe vullnetar i një pjese të të drejtave dhe fuqive të shteteve në Bashkimin Evropian nw institucione dhe strukturat ndwrkomwtare. Kështu, në kapitullin 2 të nenit. 9 tw Kushtetutës Austriake thuhet: “Disa të drejta sovrane të Federatës mund t’i transferohen institucioneve ndërkomëtare dhe organeve të tyre”.
Ndërsa, Ligji Themelor i Republikës Federale të Gjermanisë (neni 24) flet qartë për “kufizimin e të drejtave sovrane të dikujt” dhe transferimin e tyre në institucionet ndërkombëtare.
Në këto rrethana duhet kuptuar se për qytetërimin modern, sovraniteti i një shteti është mjaft i pajtueshëm me vetë-kufizimin e akteve themelore mbi sovranitetin shteror dhe pajtohet me transferimin e elementëve apo pjesë të sovranitetit në organet, organizatat, marveshjet dhe traktet ndërkombëtarë.
***
“SOVRANISTËT” – PARAPËLQEJNË VETËM TË DREJTA
POR KURRSESI DETYRIMET!
Nëse njerëzit që i shkojnë pas “liderit” Berisha besojnë vërtet në “sovranitetin e nëpërkëmbur”, apo se “po u rrezikohet vatani”, as më shumë dhe as më pak ata i ngjajnë tablos së piktorit mesjetar gjerman Brygel, të titulluar “Të verbërit”. Ajo pikturë paraqet një rrjesht të verbërisht që të lidhur dorë për dorë po bien në një humnerë, sepse vetë i pari në rrjesht që i drejton po bie vetë në humnerë!
Në këtë botë të globalizuar, ku popuj dhe shtete janë lidhur aq shumë me njëri tjetrin, për interesa të panumërta politike dhe ekonomike, sociale dhe ushtarake, janë antarësuar në Organizata dhe organizma ndërkombëtarë, kanë nënshkruar dhe ratifikuar Traktate dhe Marrëveshje dy dhe shumë palëshe; bashkë dhe përmes tyre, të gjithë ata kanë marë dhe përfituar të drejta, garanci dhe siguri, por bashkë me to sigurisht ata kanë pranuar detyrime.
Po çjanë detyrimet mes palëve?
Janë lëshime, cedime, për interesa të përfitimeve. Janë pjesë e balancës ligjore në garancitë e marrëveshjes apo kontratës. Kush njeh fare pak nga normat e së Drejtës Ndërkombëtare nënkupton fare qartë të drejtat dhe detyrimet e Marrëveshjes; nënkupton fare mirë përfitimet nga Marrëveshjet por edhe lëshimet, pra detyrimet që lindin prej tyre. Të gjitha këto pleksje të shumëfishta e kanë lëkundur në themel konceptet dhe bashkë me të dimensionin real të “sovranitetit absolut”, që pretendojnë njerëzit e foltoreve. Kjo paradigmë vlen për të gjitha subjektet e të drejtës ndërkombëtare (shtetet e njohura si të tillë), madje edhe për fuqitë më të mëdha në këtë botë.
Por, mesa duket ky takëm pëlqen vetëm njërën anë të kontratës, – atë të përfitimit nga Kontrata (nga Traktatet, Marrëveshjet dhe anëtarësimet në struktura dhe organizma shumëpalëshe) – por nuk pëlqen dhe nuk pranon anën tjetër – detyrimet!!! Pra, pëlqen mbështetjen për të ardhur në pushtet, por kurrsesi – detyrimin – që kanë të tjerët për të supervizuar respektimin e standardeve të ushtrimit të pushtetit, të demokracisë. Nuk pranojnë tu bëhen present, të evidentohen aktet e paligjshme, shkeljet dhe bashkë me to vendimet, shpalljet “non grata”, kur ti ke abuzuar me pushtetin, me lirinë dhe dimensionet e demokracisë!
Përpara këtij tundimi, për të mos pranuar kurrsesi – detyrimet, llogaridhënien, apo thjesht mëkatin, të çoroditur lëshojnë mallkime direkt apo indirekt kundër Aleatit tonë strategjik, pa bërë asnjë lloj llogarie, pa parë asnjë aspekt apo evidencë të dobësisë tonë në këto kohë tranzicioni, ushtarake, ekonomike, njerëzore – përballë kësaj bote të trazuar, përballë krizave ushtarake dhe politike në rajon dhe më gjarë, përballë kërcënimeve reale dhe virtuale…
Të synosh këto lloj “koncertesh” kundër të vetmit aleat real dhe potencial rreth të cilit lëvizin, zhvillohen dhe marrin jetë pjesa dërmuese e interesave afatshkurtra dhe afatgjata të vendit tonë, do të thotë të jesh vetë kundër vendit tënd. E thënë shkoqur antiamerikanizmi është antishqiptarizëm!
Irakli ,urime ,një nga shkrimet analitike më dinjitoze për mbështetjen e USA ndaj çështjes shqiptare. I mbështetur në dokumenta , punë e pastër në parashtrimin e asaj çka ke dashur të paraqesësh.Respekte për punimin.
1-Autori artikullit eshte thjesht nje studiues. Iu dha shansi te behej oficer zbulimi, por nuk pati rezultat! Deshtoi dhe si drejtues i Sherbimit, ashtu si dhe Inspektor i KM per arsye te paaftesise.
2-Nuk jam dakord ne parim me shkrimin. USA e di qe shqiptaret e duan pa mase e nuk kane nevoj per lepirje te tilla peshtirosese! Aty trumbetohet servilizmin e ketij zotrie ndaj USA, te cilet nuk e kane më kete person ne refene! Me artikuj te tille, ky kerkon te terheq vemendjen, por e ka te kotë! Nese USA do e mbeshtesnin si profesionist, nuk do e kishin lene Berishen ta fuste ne burg ne vitet ’90.
3-Poltika amerikane ka merita te medha, ashtu siç ka dhe deshtime dhe skandale ne Shqiperi! Thurja e ditirambeve nga artikullshkruesi sipas modelit “Hoxha” nuk sherben!