Belgjika sot voton në zgjedhje të trefishta, legjislative, rajonale dhe evropiane. Me një strukturë politike të komplikuar, të përbërë nga 3 rajone (Flandër, Valoni, Bruksel), 3 komunitete (flamand, francez, gjerman) dhe 5 parlamente në total (Flandër, Valoni, Bruksel, parlamenti i Komunitetit francez, dhe Parlamenti i Komunitetit gjermanofon) qytetarët belgë do të vendosin për të ardhmen 5-vjeçare të vendit të tyre.
Në rajonin e Brukselit dhe të Valonisë gara është e ngushtë midis dy forcave politike kryesore Lëvizjes Reformatore (MR) parti e djathtë dhe Partisë Socialiste. Në zonën e Flandrës sondazhet paraprake shfaqin fituese partinë nacionaliste dhe separatiste “Aleanca e Re Flamande” (NVA) të Bart De Wever.
NVA dhe separatizmi flamand
NVA është partia më dominuese në rajonin e Flandrës. E krijuar në vitin 2001 nga fraksioni i qendrës së djathtë “Unioni i Popullit”, ajo është një parti me bazë të gjerë nacionaliste. NVA ka njohur një rritje të shpejtë në skenën politike. Zgjedhjet legjislative federale të vitit 2010 e shndërruan në partinë më të madhe të Belgjikës. Pas negocimeve të zgjatura në kohë për krijimin e qeverisë, NVA nuk pranoi të merrte pjesë në koalicionin qeverisës, për shkak të përplasjeve të forta ideologjike me unionistët frankofonë socialistë, të cilët kishin mundur të krijonin një koalicion më të gjerë për të qeverisur. Në zgjedhjet lokale të 2012, NVA vazhdoi të shfaqë rritje të konsiderueshme në elektorat.
Duke qenë një parti separatiste, synimi i saj është krijimi i Republikës së pavarur të Flandrës. Por, gjithsesi përqasja e kërkuar nga NVA drejt separatizmit, kalon nëpërmjet skemës së transformimit federal në një sistem konfederal, deri sa të arrihet gradualisht në një panoramë politike, që do të çonte Flandrën de facto drejt pavarësisë. Një parti gjerësisht ultra liberale me qëndrime konservative, NVA mbështet tregun e lirë dhe taksat e ulëta. Është kundër politikave sociale, karakterizuese të sistemit aktual politik belg dhe mbron linja të ashpra ndaj imigracionit.
Mbështetja e saj në elektorat shpjegohet nga qëndrimet konservatore partiake, pozicionimet nacionaliste flamande dhe personalitetit popullor, që gëzon lideri i saj Bart De Wever në zonën e Flandrës. NVA është anëtare e koalicionit qeverisës në Flandër, por në nivel federal është në opozitë. Ajo pritet që të renditet në krye për zgjedhjet evropiane dhe legjislative në Belgjikë.
Konteksti i separatizmit flamand
Koncepti i nacionalizmit flamand, aktualisht është përfaqësues i një pozicioni pragmatist politik-ekonomik. Flandra, e cila konsiderohet si zona ekonomikisht më e fuqishme e Belgjikës, duke lënë pas rajonin e Valonisë dhe Brukselit, vlerëson se, nuk duhet të paguajë më koston e mbajtjes ekonomike të Valonisë dhe të një sistemi federal politik të kushtueshëm me skemë monarkike (qëndrimi politik i NVA-së).
Ndërsa rajoni i Valonisë dhe i Brukselit dhe klasa e tyre përfaqësuese politike, janë kundër skemës ndarëse të vendit, duke luftuar politikisht për ruajtjen e unitetit të tij.
Konteksti politik
Por, panorama është më e komplikuar, pasi nacionalizmi flamand i ka rrënjët më thellë, të shtrira gjithashtu në një kontekst historik, që prej shpalljes së pavarësisë së vendit, më 1830.
Pas shpalljes së pavarësisë, ndonëse flamandët përbënin shumicën e popullsisë, gjuha zyrtare e vendit u vendos të jetë frëngjishtja, gjuhë e cila flitej nga fisnikëria dhe borgjezia në vend, duke përfshirë këtu dhe klasën e fisnikërisë flamande. Gjuha flamande dhe ajo wallone u konsideruan thjesht dialekte, duke mos marrë statusin e gjuhës kombëtare. Por, kjo filloi të krijojë probleme të rënda për shumicën e popullsisë flamande, që nuk e njihte aspak gjuhën frënge, pasi çdo shërbim (administratë, gjyqësor, arsim, etj) ofrohej vetëm në gjuhën frënge. Kjo çoi gradualisht në krijimin e rrymave të para nacionaliste flamande (1840), që kërkonin njohjen e gjuhës flamande si gjuhë zyrtare në vend. Vetëm pas 58 vitesh, në 1898, u krijua një ligj që barazoi gjuhën frënge me atë flamande. Pas arritjes së këtij objektivi, nacionalizmi flamand shkoi drejt kërkimit të të drejtave të tjera, si pasja e një pushteti më të madh mbi marrjen e vendimeve në fusha të rëndësishme politike-ekonomike, në mënyrë të pavarur nga qeverisja qendrore, etj.
Lëvizjet nacionaliste flamande u shoqëruan edhe me lëvizje të ngjashme paralele në Valoni deri sa arrihet në një sërë kompromisesh: krijimi i kufirit ndarës gjuhësor (1962); krijimi i 3 komuniteteve (1970); krijimi i tre rajoneve, deri sa vijmë në krijimin e plotë zyrtar të shtetit federal belg, në 1993.
Konteksti ekonomik
Për sa i përket kontekstit ekonomik, Valonia e cila menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në 1830 njohu një industrializim të shpejtë, duke u fuqizuar ekonomikisht dhe duke qenë rajoni më i zhvilluar i Belgjikës, vazhdoi me këtë ritëm deri në vitet ’50 të shekullit të XX. Gjatë zhvillimit dhe fuqizimit të ekonomisë valone, Flandra një rajon kryesisht i varfër, bazohej thjesht në agrikulturë. Rënia e ekonomisë së Valonisë, duke filluar nga vitet ’60, fillon të shoqërohet me një fuqizim gradual ekonomik të Flandrës, e cila njohu investime të mëdha në fushën e industrisë. Aktualisht Flandra është rajoni më i pasur i Belgjikës.
Pretendimi politik flamand, se Flandra e pasur, nuk duhet të paguajë më koston e mos zhvillimit ekonomik të Valonisë së varfër, shoqërohen me kundër argumente nga pala tjetër, se solidariteti kombëtar është një vlerë e rëndësishme dhe se, Valonia e ka mbështetur për periudha të tëra ekonomikisht Flandrën, kur ajo nuk kishte aspak mundësi ekonomike.
Opsionet e mundshme qeverisëse
Lideri i NVA-së, Bart De Wever, në ndryshim nga herët e tjera, ka shprehur hapur ambicien për të qenë kryeministri i ardhshëm i Belgjikës.
Ndonëse është pak e palogjikshme që pikërisht përfaqësuesi ideologjik i anti-federalizmit të mund të qeverisë në krye të një sistemi federal, duket se forca e pragmatizmit, arrin të shpërfill edhe vlerën e bërthamës krijuese ideologjike partiake.
Por, për të arritur këtë objektiv, NVA duhet fillimisht të fitojë 30% të votave në Flandër, çka do i krijonte mundësinë të hynte direkt në negociata për formimin e qeverisë së ardhshme federale. Pasqyrimi i fushatës elektorale në media, me një fokus konstant mbi NVA-në, duke mos nënvlerësuar aspiratat ideologjike të saj: separatizmin dhe një program të konsideruar asocial i krahasuar me programin aktual social të Belgjikës, vlerësohet se ka ndikuar në uljen paraprake në sondazhe me 29,8% nga 30%, që tashmë kishte arritur.
Sistemi politik belg është i bazuar në kompromis dhe koalicioni qeveritar duhet të përfaqësohet nga një numër i caktuar partish. Një kompozim i qeverisë federale pa socialistët, konsiderohet thuajse i pamundur, duke marrë parasysh kryesimin e saj në Valoni dhe garën e ngushtë, që po shfaqet në Bruksel mes PS-së dhe MR-së. Partitë e tjera, të cilat janë kundër ndarjes së vendit, e kanë të vështirë që ideologjikisht të pranojnë një bashkëqeverisje me nacionalistët-separatistë të NVA-së, të cilët pa kompromis, nuk mund të formojnë dot koalicionin qeverisës. Por, çdo surprizë mund të pritet gjatë negociatave politike, që pritet të fillojnë ditën e hënë, nën drejtimin e mbretit Filip të sapo ardhur në fron. Zgjatja e tyre në kohë nuk mund të parashikohet dot, nëse marrim parasysh negociatat e fundit për krijimin e qeverisë federale, që zgjatën më shumë se një vit e gjysmë. Ndërsa për sa i përket pozicionit të NVA-së, në formimin e qeverisë së Flandrës, nëse 3 partitë e tjera kryesore tradicionale flamande, Kristian – Demokratët, Liberalët dhe Socialistët arrijnë së bashku të marrin shumicën, atëherë NVA rrezikon edhe të kalojë në opozitë.(im.ta)
Kjo, me takt, i duhet kujtuar Sekuive, Fuleve e te gjithe Doris Pakeve qe kerkojne Konsensus nga Shq.
NUK DO TA JAPIN STATUSIN, PRANDAJ KERKOJNE “KONSENSUS”
POR E KANE SHUME TE QARTE EDHE VETE KETE PUNE.