Kryeministri Berisha ka udhëtuar sot drejt Elbasanit, ku zhvilloi një bashkëbisedim me mësues dhe pedagogë të këtij qyteti. Kreu i qeverisë tha se për të shkolla mbetet jetike dhe vendimtare. Sipas Berishës, rrogat e mësuesve janë dyfishuar gjatë mandateve të tij, ndërsa prioritet mbetet rendja pas cilësisë në arsimin parauniversitar.
“Ne do të takoheshim në këtë sallë me rritje rrogash të mësuesve në një shkallë të tillë si asnjë vend tjetër. Mësuesit e arsimit parashkollor kishin rrogë 200 mijë lekë sot kanë një rrogë mbi 400 mijë lekë. Po kështu arsimi i mesëm dhe i lartë, ku pagat janë dyfishuar. Kjo është e merituar dhe do vazhdojë sa kohë ne të jemi në pushtet e të votohemi nga shqiptarët. Sepse për ne shkolla është jetike dhe vendimtare. Çfarë mbetet para nesh, të rendim para cilësisë. I kemi të gjitha mundësitë që në arsimin parauniversitar të ngjitemi me shpejtësi drejt niveleve më të larta. Kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë mes mësuesve dhe nxënësve”, tha Berisha.