Edhe pse ekonomia e Eurozonës po tregon shenja të zbehta të rritjes, Banka Qendrore Europiane pritet të dërgojë mesazhin se do të lehtësojë më tej politikat monetare për të mbështetur ringritjen e brishtë ekonomike. Pas rënies së inflacionit në 0.7%, shumë më poshtë objektivit prej 2% të Bankës Qendrore Europiane, UBS dhe Royal Bank of Scotland janë në mesin e atyre bankave që parashikojnë një ulje të normës bazë të interesit në takimin e ditës së Enjte. Disa ekonomistë të tjerë presin që Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, të sinjalizojë se balanca e riskut të anojë drejt lehtësimit të mëtejshëm, pjesërisht për shkak se forcimi i euros në kohët e fundit do të dëmtojë eksportet. Por shumë analistë të tjerë besojnë se BQE nuk do të ndërhyjë deri në Dhjetor, kur stafi i bankës do të përditësojë parashikimet për rritjen ekonomike dhe pritshmëritë për inflacionin. Por megjithatë të gjitha opsionet janë të hapura.
Një veprim tjetër mund të jetë ulja e interesit për depozitat nën zero, që do të ketë një efekt më të madh në normat e interesit të tregut të parasë. Ose Banka Qendrore mund të premtojë një operacion tjetër të rifinancimit afatgjatë për të siguruar bankat se do të ketë likuiditet të bollshëm. Megjithëse euro e fortë mund të ushtrojë presion mbi çmimet, rënia e inflacionit pasqyron një “plogështi” të madhe në Eurozonë, në një kohë që edhe papunësia në Shtator preku një nivel të ri rekord prej 12.2%. Edhe bankat e tjera qendrore po marrin masa shtesë për të mbështetur ekonomitë respektive, pasi është reduktuar presioni mbi çmimet për shkak të ngadalësimit të kërkesës nga Kina dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu në linjë me kursin e bankave qendrore globale, në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë edhe pse nuk ndryshoi politikën e saj monetare, përsëri premtoi se do të vazhdojë me politikën lehtësuese.