Ndërsa kardinalët e Kishës Katolike Romake u mblodhën të hënën në Vatikan për konsultime paraprake për zgjedhjen e Papës së ri, bastvënësit anglosaksonë i janë përveshur punës për të gjetur se kush do të jetë pasardhësi i Benediktit XVI dhe çfarë emri do të mbajë ai
Ditën e hënë filloi java e ngjeshur e mbledhjeve me dyer të mbyllura në Sallën e Sinodit në Vatikan, ku anëtarët e Kolegjit të Kardinalëve nga e gjithë bota do të zgjedhin datën e fshehtë të mbajtjes së Konklavës për zgjedhjen e Papës së ri.
Zakoni e do që paraprakisht të qepen tre variante të së njëjtës veshje për kreun e ri të Selisë së Shenjtë pasi nuk dihet se cili do të jetë dhe ç’përmasa trupore do të ketë. Për këtë arsye, në rrobaqepësinë “Gammarelli” në qendër të Romës ndodhen të ekspozuara tre veshje papnore të masave të ndryshme. Njëra nga veshjet është rroba e bardhë me pelerinën e kuqe, të cilën Ati i shenjtë do ta mbajë kur të shfaqet në ballkon menjëherë pas zgjedhjes.
Kandidat për kreun e Kishës mund të jetë kardinali i bëshëm amerikan, Timoti Dolan, por edhe trupvogli Luis Antonio Tagle i Filipineve. Dhe kur fjala bie te kandidaturat e mundshme për postin më të lartë të Kishës, bastvënësit mendojnë se Papa i ri nuk do të jetë as shumë i vjetër, por edhe jo pa eksperiencë. Kisha ka nevojë për një drejtues të aftë për të ndërmarrë reforma që do t’i japin asaj një fytyrë të re.
Pasardhësi i 265-të i Pietros (Papa i parë) nuk duhet të jetë më shumë se 65 vjeç. Duhet të jetë i fortë sa duhet për të drejtuar reformat për të cilat Kisha ka një nevojë urgjente. Këto janë dy nga cilësitë që përkojnë me profilin që bastvënësit anglosaksonë mendojnë se do të ketë kreu i ardhshëm i kardinalëve. Në Mbretërinë e Bashkuar janë hapur të paktën 16 adresa interneti që pranojnë baste mbi pasardhësin e mundshëm të Benediktit të XVI.
Kush do të bëhet Papë?
Më të kuotuorit janë italianët Anxhelo Skola e Tarcizio Bertone dhe ganezi Peter Turkson. Në vend të katërt, por me një distancë të madhe nga të parët, kuotohet kanadezi Mark Oulet, dhe pas tij italiani Anxhelo Banjasko dhe hungarezi Peter Erdo. Kërkesa për një rinovim të përgjithshëm të Kishës i shton pikët për kardinalët e ashtuquajtur të “jashtëm”. Në veçanti për Shon O’Malei nga Bostoni, Kristofer Shoenborn nga Viena, Luis Antonio Teigël nga Manila, që janë dhe shumë të preferuar nga opinioni publik kishtar.
Për atë që dëshiron të hedhë një bast për kënaqësi dhe jo për të fituar, mund të shënojë kandidaturën e një gruaje në krye të Kishës Katolike (të paktën brenda 2100-s) për këtë të fundit mundësia e kuotimit është 500 me 1, ose mund të marrë në kosideratë hipotezën për një Papë me ngjyrë e që njëkohësisht të mbajë emrin Pjetër (kjo do të realizonte profecitë e Malakiasit dhe Nostradamusit).
Si do të quhet?
Por anglezët nuk vënë vetëm baste se kush do të jetë Papa i 266-të, por edhe mbi emrin që do të mbajë ai, e që mund të jetë: Pio, Pjetër, Xhovani Paolo. Këta janë emrat që konsiderohen si më të mundshmit, ndërsa për emrin Benedikt ka shumë pak gjasa që Papa i ri të mbajë të njëjtin emër me paraardhësin e tij.
Përgatiti:Dorina Gjuzi