Trajneri italian ndihet i braktisur nga fati, por edhe e merr si shembull Zvicrën, me një trajner e grup që punojnë prej vitesh së bashku.
Xhani De Biazi është ndierë i braktisur nga fati për humbjen e mbrëmshme, ndonëse i ka dhënë meritat Zvicrës për fitoren, por vetëm për pjesën e parë. Për të dytën, trajneri i referohet rastit të humbur nga Salihi pas traversës së goditur nga Roshi, por ishte vërtet shumë pak për të pretenduar se Shqipëria nuk pati fat në këtë ndeshje. “Fati nuk na ka ndihmuar shumë në ndeshjet e fundit. Skuadra e meritonte të shënonte dy gola e të merrte një tjetër rezultat, i cili nuk do të ishte i pamerituar”, tha italiani pas ndeshjes. “Në ndeshjet e fundit nuk kemi marrë rezultatet që meritonim nga ajo që kemi dhënë në fushë. I referohem më shuamë ndeshjes me Slloveninë dhe me Zvicrën. Besoj se edhe sot (dje) bëmë një ndeshje me dy fytyra. Në pjesën e parë Zvicra ishte shumë më mirë, ndërsa në të dytën ne u rritëm, por nga dy episode të çuditshëm pësuam dy gola dhe ata shkuan në 2-0, ndërsa ne mund të kishim barazuar me rastin e Roshit që goditi shtyllën, kur edhe Salihi nuk mundi të shtynte topin në rrjetë”. Trajneri bëri përsëri ndryshime në formacionin titullar, por e përligji këtë me problemet që ka pasur më parë me lojtarët, të cilët kanë munguar si shkak i dëmtimeve apo kartonëve. “Jemi përpjekur të bëjmë më të mirën e mundshme. Kemi pasur mungesa nga dëmtime apo shkaqe të tjera, ndaj edhe formacioni ka ndryshuar”. Edicionit i ka mbetur vetëm një ndeshje, ndërkohë që me Zvicrën ishte e fundit në shtëpi. De Biazi pritet të vazhdojë si trajner, ndërkohë që përmend me të drejtë rastin e Zvicrës e cila nuk është bërë ky i ekip i fortë brenda një kohe të shkurtët. “Besoj se do të vazhdoj me Shqipërinë, sigurisht nëse nuk ka ndryshuar ndonjë gjë pas kësaj ndeshjeje”, thotë duke buzëqeshur De Biazi. “Më ka mbetur peng vetëm që nuk kemi marrë plotësisht atë që meritonim. Megjithatë, Zvicra ka nëntë lojtarë që luajnë në Champions League, të tjerët luajnë Europa League dhe kanë të njëjtin trajner prej pesë vjetësh. Është një projekt në vazhdimësi, nuk mund ta ndërtosh shtëpinë për një ditë”.
ndoshta ka te drejte, gjithmone ka nje justifikim!!