Nxjerrja e ligjit të ri për sportin do të bënte që të evitoheshin mjaft gjëra që sot nuk ecin mirë në këtë sektor. Kemi disa presidentë në sport, sidomos në futboll që bëjnë “ligjin”, në kuptimin e keq të fjalës, që heqin e vënë trajner kë të duan e sa herë të duan, ose blejnë sa të duan dhe kë të duan. Dhe këto veprime disa prej tyre i bëjnë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Tipik është rasti i fundit me trajnerin e Tiranës të futbollit, z. Shkëlqim Muça. Deri aty kanë arritur sa të marrin dhe drejtues teknik të huaj, a thua që s’kemi njerëz të zotë dhe të aftë ne. Fatkeqësisht sot në sport disa forume si komunitet drejtuese të federatave, klubeve sportive, këshillat e trajnerëve të disa sporteve nuk funksionojnë ose mblidhen formalisht. Vendimet i merr presidenti dhe sekretarët e federatave apo shefat e klubeve. Përvoja ka treguar dhe po tregon se në mjaft raste presidentë zgjidhen disa njerëz që duan të përfitojnë nga sporti dhe jo të ndihmojnë konkretisht. Bile që me fondet e shtetit kanë abuzuar. Kjo sepse dhe politika ka ndërhyrë. Qe nga viti 2006-2007 me ligj u është ndaluar e drejta specialistëve më të mirë që të zgjidhen në këto forume për të dhënë kontributin e tyre. Dhe kjo është justifikuar si “konflikt interesi”, që nuk është e drejtë. Mendoj se asgjë të keqe nuk ka që një trajner i mirë me rezultate të larta apo shef klubi të zgjidhet në kryesinë e një federate sipas profilit që ka dhe që e njeh sportin. Ose për të zgjedhur specialistët më të mirë si sekretar të përgjithshëm të federatave në statutin e vitit 2007 thuhet “të ketë arsimin e lartë, mundësisht jurist ose ekonomist apo kualifikime të vërtetuara pasuniversitare për menaxhim”. Pra as që bëhet fjalë fare për specialistë të mirëfilltë të sportit, gjë qe nuk është e drejtë. Pse u dashka që një ekonomist ose jurist të vijë në federatën sportive, kurse një specialisti të sportit nuk i lejohet të punojë në doganat apo tatimet?
Nga ana tjetër, mendoj se derisa shteti jep fonde për sportin, duhet që t’i kontrollojë dhe ndihmojë federatat. Mendoj se dhe kohëzgjatja e mandatit të presidentit, sekretarit të përgjithshëm të federatave dhe anëtarëve të tjerë të mos jetë 4 vjet, por më i shkurtër, 2-3 vjet dhe ata të mos zgjidhen më shumë se 2 herë. Puna e mirë e gjithsecilit duket që vitin e parë. Sporti është në dinamikë dhe i duhet përgjigjur realitetit. Akoma në federatat tona ka njerëz jashtë profilit dhe që qëndrojnë për një kohë të gjatë. Kjo nuk është e drejtë. Edhe pagat e trajnerëve të të rriturve dhe të rinjve (12800 dhe 8800) lënë për të dëshiruar. Atyre dhe 20% u mbahet nga TVSH-ja. Kjo është arsyeja që në mjaft raste trajnerët dhe specialistët më të mirë nuk marrin ekipe pranë klubeve. Këtyre fenomeneve duhet t’u pritet rruga me ligj. Dhe së fundi, njëanshmëria në sport nga bashkitë e qyteteve duke lënë pas dore sportistë cilësorë si në mundje, ngritje peshe, not, çiklizëm, atletikë etj.
Letër e nënshkruar,
Bashkim Aliraj, trajner i merituar