Dosja sekrete e gjyqit të Kadri Hazbiut
“U përpunuam një nga një nga agjentura jugosllave e cila na vuri si detyrë që grupi jonë me kryetar Mehmet Shehun, të punonte për rrëzimin e komunizmit dhe vendosjen e borgjezisë”
(Vijon nga numri i kaluar)
Kërkesat e të pandehurit Feçor Shehu lidhur me kundërshtimet ndaj akuzës për tradhti, në përfundim të seancës së parë të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij në të cilësuarin ‘Grup puçist e armiqësor i kryesuar nga Mehmet Shehu, me qëllim rrëzimin e komunizmit e vendosjen e sistemit borgjez’, zhvilluar më 22 gusht të vitit 1983, i hapin rrugën pyetjes së të pandehurve. I pari, është Mihallaq Ziçishti. Që në fillim, i pandehuri Ziçishti pranon se ‘jam një nga drejtuesit e grupit armiqësor puçist që kryesohet nga Mehmet Shehu, të rekrutuar nga shërbimet e huaja që kemi për detyrë rrëzimin e komunizmit’. Renditja më pas në dëshminë e gjatë të tij e personave të rekrutuara nga agjenturat e huaja(jugosllave, amerikane e më pas ruse) e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Fiqret Shehut, etj…, shpalos një skenar që do të sillte pështjellime të pa parashikuara në vazhdim të gjyqit…
(Vazhdim i seancës)
Kryetari:– I pandehur Feçor Shehu, ke ndonjë gjë ti?
Feçorri:- Ju luta gjykatës që të shikonte disa dokumente, e po qe nevoja për ti rrumbullakosur, i rrumbullakosim, por dokumenet janë dokumente. Mihallaq Ziçishti më ka akuzuar se për arratisjen e Kllopçishtit ka ardhur në byronë e Partisë së Peshkopisë i deleguar i Komitetit Qendror dhe atje e ka kaluar cekët. Kurse analiza e vërtetë, sipas Llambi Ziçishtit, është bërë me Kadri Hazbiun, Mehmet Shehun e Feçor Shehun. Unë i lutem, i jam lutur dhe hetuesisë, të shikohet se jam i bindur qind për qind që sa kam qenë unë në Peshkopi, ai s’ka ardhur asnjë herë në Byronë e Partisë. Prandaj të shikohet, jo ndonjë gjë tjetër, po ka procesverbal në byro. Lidhur me Jonuz Mersinin, mua nuk më kujtohet Jonuz Mersini, por thashë më përpara Zoi Themelin…
Kryetari:– Zoi Themelin e ke dëshmitarë dhe ti ke të drejtë ta pyesësh.
Feçori:- Unë them se Aqif Lleshi dhe Stafë Lleshi kanë qenë satrapë të popullit shqiptar në Dibër të Madhe dhe nuk kanë qenë bashkëpunëtorë ashtu siç thotë ai. Një kjo, e dyta, u arratisën me rolin e dopio rolit, thotë Mihallaqi. Të pyetet Zoi Themeli që ka qenë në Zbulim. Unë e di Zoi Themelin çfarë personaliteti ka, por të paktën edhe të tjerë që mua s’më kujtohen, nëse atë dopio rol që pretendon Mihallaq Ziçishti për Njazi Agollin dhe për Beqir Laçin. Ata kanë qenë të dy anëtarë byroje dhe nuk mund të ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit. Pra, rrjedhimisht, pa qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Jugosllavisë, nuk ka dopio rol….
Kryetari:– Mirë, tani ka këtu një lidhje me atë kur të përgjigjesh do të flasësh. Tani është puna e kërkesave…
Feçori:- Prandaj thashë që ka një drejtor Zbulimi dhe mund të pyetet kjo, është e vërtetë kështu si them unë apo s’është.
Kryetari:– Mirë, dakord….
Feçori:- Prokurori e reduktoi tek shoferi. Edhe unë e di që shoferi nuk ka qenë se Mihallaq Ziçishti thotë e ngava unë. Po që të vinte në Pentarë jo Mihallaqi, por duhet ndonjë Piro Lera…
Kryetari:– Tani, ti ke kërkuar…
Feçori:- Unë kam kërkuar Avni Buxhelin, Faik Koprenckën dhe shoferin në kuptimin tjetër, domethënë, ja ka dorëzuar Mihallaq Ziçishtit makinën ky, se kjo makinë duhet të dorëzohej, ta furnizonte, e Kadri Hazbiu e di si është Pentara…
Kryetari:– Ndonjë gjë tjetër?
Feçori:- Këta kisha kërkuar unë, të tjerat pastaj…
Kryetari:– Mirë, ulu. Gjykata lidhur me kërkesat, me propozimet, vendimin e prokurorit, do të shprehet nesër në seancën e mëngjesit… Vazhdojmë me shpjegimet e të pandehurve. I pandehur Mihallaq Ziçishti! Jep shpjegime lidhur me akuzën e tradhtisë ndaj Atdheut?
Mihallaqi:- Së pari, duhet të shpjegoj para gjykatës se jam një nga anëtarët aktiv të organizatës kundër revolucionare, puçiste, të kryesuar nga krye agjenti Mehmet Shehu. Që ka pasur për qëllim të rrëzojë diktaturën e proletariatit në Shqipëri dhe të vendosë rendin borgjezo-revizionist. Veprimtaria ime kundër Partisë është e hershme. Këtë veprimtari unë e kam filluar që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Jam pranuar në parti në tetor të vitit 1942. Mirëpo, prejardhja ime në Parti, është nga grupi i të rinjve të Korçës, nga i cili kam trashëguar shumë pikëpamje antimarksiste si dhe shumë vese të këqija, të cilat i kam manifestuar dhe më vonë. Nën ndikimin e këtyre pikëpamjeve, fillimisht, nisën të bëjnë dhe përpunimin tim ideologjik. Unë kam pranuar që në vitin 1940 të vete si xhovanofashist në Itali për një javë me 200 e ca studentë që vajtën atëherë. Kjo është një njollë në biografinë time. Gjithashtu, gjatë pushimeve të shkollës, Liceut të Korçës, gjatë verës kam punuar në ndërmarrje të ndryshme si në Korçë, Durrës. Në vitin 1942, pas formimit të Partisë Komuniste u pranova në radhët e rinisë komuniste dhe kam punuar kryesisht në Devoll. Në fillim, nga fundi i vitit 1942, kam hyrë në çetë. Mirëpo meqë u krijua organizata, celula e Devollit, më nxorën nga çeta dhe u pranova në Parti, duke punuar në teren. Në fund të këtij viti, domethënë të 42-shit, i akuzuar për imoralitet me një nga shoqet e grupit të të rinjve, jam përjashtuar për tre muaj nga Partia dhe jam transferuar në Gorë, partizan i thjeshtë. Edhe në çetë, partizan e thjeshtë isha, në çetën e Zaho Zvarishtit. Në vitin 1943, para mesit të vitit, jam kthyer në Devoll. Kur erdha në Devoll, aty në çetë, gjeta një situatë jo të mirë, ku protagonistë ishin Panajot dhe Jorgo Plaku. Thelbi i çështjes ishte këtu, domethënë, të krishterëve nuk u jepej përgjegjësi. Konkretisht çështja ishte tek përgjegjësia që pretendonin ata për të marrë, pra Jorgo Plaku në çetën e Devollit. Për këtë kanë ardhur të deleguar të ndryshëm si Pandi Kristo, Pëllumb Dishnica, të cilat midis të tjerave kanë sjellë edhe pikëpamje antimarksiste që sillnin të deleguarit jugosllavë si Vkmanoviç Tempo, etj, lidhur me Konfederatën Ballkanike. Cilat janë disa veprime të miat në kundërshtim me vijën e Partisë gjatë kësaj kohe:
Së pari, ne kemi bërë një kompromis me gjermanët në Bilisht, ditën e dytë të kapitullimit të Italisë. Nuk u ramë gjermanëve. Partizanët i lëshuam për të mbledhur materiale atje dhe lufta me ‘ta filloi kur ata na arrestuan dy partizanë. Atje filloi ndeshja, atje dhe jam plagosur. Ky ishte kompromis, jo të thuash si ai i Beratit, por tamam si i Beratit. Kjo është përsëri një njollë në biografinë time. Kjo ishte një shprehje e veprimtarisë sime armiqësore, megjithëse ishte një vendim që u morë nga shtabi i batalionit…
Një çështje tjetër që rrjedh nga formimi im ideopolitik, është ajo e staneve të Butkës. Stanet e Butkës, janë në Kolonjë, në kufi me Greqinë. Kishte ndodhur një vrasje dhe kishim dijeni se vrasësit ishin në stan. Për ti asgjësuar shkova unë, e meqenëse ishte kufi, bashkëpunuam me forcat greke, domethënë me forcat e EAM-it. Atje zumë Cute Selenicën dhe Qazim Prodanin. Cute Selenica ishte komandant çete dhe kishte tradhtuar, ndërsa Qazim Prodani ishte eksponent i Ballit Kombëtar në Kolonjë. Unë këta nuk i arrestova, i lashë të lirë, megjithëse duhet ti arrestoja. Kjo, përsëri është rrjedhim i qëndrimit tim, i formimit tim ideologjik.
Një çështje tjetër, prapë, është se në fund të 43-shit, u transferova në Brigadën e 4 Sulmuese. Kemi qenë në një shtab unë, Zija Kambo dhe Niko Ceta. Në Operacionin e Dimrit, aty nuk u rashë gjermanëve. Gjermanët ishin në tërheqje, ne kishim zënë pritë. Duke biseduar me shtabin, vendosëm të mos godasim pararojën. Ata vetë ishin pararoja, kështu, atë mundësi që kishim për të dëmtuar gjermanët, nuik e shfrytëzuam. Në mbrëmje të asaj dite, na thërret Koçi Xoxe në një shtëpi në Shtyllë. I shpjeguam çështjen, e për çudi, jo vetëm që nuk na kritikoi, por filloi të na shpjegoj për luftën në epiqendër të së cilës, me pak fjalë, ishte dhe çështje e Jugosllavisë. Na foli edhe ky atë natë për çështjen e Konfederatës Ballkanike….
Një çështje tjetër, që dua të trajtoj, është vrasja e komandantit të çestës së Devollit, Fuat babanit, e cila është kryer me ndërmjetësinë ose me inisiativën, me ndërhyrjen ose me pjesëmarrjen e Jorgo Plakut. Si ndodhi çështja? Në kundërshtim me të gjitha rregullat, Jorgo Plaku, i fut të gjithë forcat në fshat, në vend që ti ndanin ashtu siç ishte rregulli. Nuk mori masa sigurimi, e kjo me qëllim. Nga ana tjetër, në marrëveshje me Igumenin, do të shpjegoj cili është ky Igumen, lajmëruan forcat italiane të cilat erdhën, rrethuan fshatin dhe si përfundim, atje u vra Fuat babani me dy partizanë të tjerë. Çështja e Igumenit lidhet dhe me Panajot Plakun. Igumeni i Oçishtit, i cili ishte në manastirin e Oçishtit ishte në elitën e të krishterëve dhe kishte ardhur në manastir se Devolli, siç dihet, kufizohet me dy shtete, me Greqinë dhe em Jugosllavinë. Pasi nga Devolli kishte shumë emigrantë, lehtësohej puna e tij si zbulues i huaj. Pas ndodhjes së çështjes Jorgo Plaku me disa të tjerë, e vranë Igumenin edhe dogjën të gjitha dokumentet e tij, që ishin shumë të rëndësishme.
Si përfundim, gjatë kohës që kam punuar në Devoll, jam përpunuar në dy drejtime kryesore ideologjike, në kundërshtim me vijën e Partisë. Në drejtimin pro jugosllav jam përpunuar nga të deleguarit që vinin dhe nga përgjegjësi që kishte Myzafer Spaho dhe në drejtimin pro amerikan, nga Jorgo Plaku, i cili ka qenë agjent i amerikanëve i rekrutuar nga Hari Fulc në kohën që ka qenë në Shkollën Teknike të Fulcit. Gjatë zhvillimit të Luftës Nacionalçlirimtare, që shkonte në ngjitje në sajë të vijës së drejtë të Partisë, isha natyrisht në luftë me vetveten me këto njolla që kisha në psikologjinë dhe përbërjen time, si të them në përpunimin tim ideologjik, në formimin tim ideologjik. Kështu që bëra shkëputje, bëra tentativa, isha në luftë em veten që të shkëputem. Por siç u zhvilluan ngjarjet më vonë, jo vetëm që nuk u shkëputa dot, por hyra më thellë derisa kreve atë veprimtari armiqësore për të cilën sot po jap llogari para këtij gjyqi. Kështu, menjëherë pas çlirimit, u vura në shërbim të Koçi Xoxes, i cili më joshi. Dinte nga Panajot Plaku për qëndrimin tim, përpunimin që më kishte bërë Panajot Plaku dhe në sajë të gjithë këtyre, ai më vuri në shërbim të tij, duke më ngarkuar të kryej detyra edhe në kundërshtim me vijën e Partisë. Kështu, pasi humba besimin tek partia dhe tek Udhëheqësi i saj, hyra në shërbim si kuadër i organeve të punëve të brendshme. Fillimisht e kam filluar me forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit. Kam marr pjesë edhe në suverjimin e kuadrove të ndryshëm që bëheshin atëherë në kohën e Koçi Xoxes në zyrën e tij, duke i hapur seicilit dosje, edhe çështje të tjera… Nga tetori i vitit 1946 kur ndodhi çështja e Postribës në Shkodër, më thërret Koçi Xoxe në zyrën e tij, në selinë e Komitetit Qendror, sepse ishte edhe Sekretar i komitetit Qendror, dhe më komunikon se isha emëruar komandant i Qarkut të Shkodrës për mbrojtjen. Pasi më la edhe një herë të kuptoja për pozicionin tim armiqësor, për lëkundjet dhe mosbesimi që kisha që gjatë luftës ndaj Partisë deh ndaj Udhëheqësit të sajë, më ngarkoi dhe me detyrë konkrete… Ai më tha që, nën preteksin e luftës kundër bandave dhe armiqve, pas ngjarjes së Postribës, të bëja reprezalje në popull që këta të armiqësoheshin me Partinë dhe me forcat e armatosura. Duke më ngarkuar këtë detyrë më tha se një detyrë të tillë i kishte ngarkuar edhe Zoi Themelit. Kështu, si përfundim, me sa më lejuan rrethanat, unë e zbatova këtë detyrë duke shkaktuar pakënaqësi në zonat e Veriut… Me ardhjen e poli agjentit Mehmet Shehu në krye të Ministrisë së Brendshme, vazhdoi rruga e Koçi Xoxes. Por tani, natyrisht me Mehmet Shehun në krye. Fill pas ardhjes së tij në Ministrinë e Punëve të Brendëshme jam vënë në shërbim të tij agjenturor nga Panajot Plaku dhe si rrjedhim, u bëra një nga anëtarët aktiv të organizatës puçiste kundër revolucionare të kryesuar prej tij. Tani, si jam vënë unë në shërbim të agjenturës jugosllave. Jam vënë në shërbim të agjenturës jugosllave nga Panajot Plaku. Panajot plaku ka punuar para luftës dhe në prag të saj, për Luftën Nacionalçlirimtare e kam fjalën, në një agjenci tregtare përfaqësioniste në Durrës që kishte lidhje me jashtë dhe atje, ishte rekrutuar në shërbim të zbulimit amerikan, Kjo ka qenë në vitin 1941-1942. Për vënien e tij në shërbim të amerikanëve ka ndikuar vëllai i tij, Jorgo Plaku, i cili kishte mbaruar shkollën e Fultsit dhe kishte ide pro amerikane, duke qenë vënë edhe vetë në shërbim të zbulimit amerikan nga Fulcit. Siç më ka shpjeguar vetë Panajot Plaku, ai në vjeshtën e vitit 1943 është vënë në shërbim të zbulimit jugosllav nga përfaqësuesi jugosllav Dushan Mugosha, ‘Çalamani’.
Çfarë zbuloi Panajot Plaku tek unë për të më vënë në shërbim të agjenturës jugosllave:
Së pari, lidhjet e vjetra që kemi pasur gjatë luftës Nacionalçlirimtare. Ai kishte mësuar prej meje që unë kisha ardhur në Parti prej grupit të të rinjve, se isha përjashtuar dhe se nga këto unë ruaja pakënaqësi.
Së dyti, shfrytëzoi përpunimin që më kishte bërë vëllai i tij Jorgo Plaku, që siç thash, ishte vënë në shërbim të amerikanëve dhe e shikonte çlirimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm nën tutelën e amerikanëve.
Së treti, shfrytëzoi përpunimin që më kishin bërë persona të ndryshëm që vinin atëherë në Devoll të deleguar dhe sillnin pikëpamjet e të deleguarve jugosllavë si Vukmanoviç Tempo, etj…, për Konfederatën Ballkanike nën drejtimin e Jugosllavisë, ide të cilat i kisha përvetësuar dhe i kisha propaganduar edhe unë.
Së katërti, ai shfrytëzoi simpatinë që kisha për koçi Xoxen dhe mbështetjen nga ana ime që i kisha bërë atij kundër vijës së Partisë dhe udhëheqjes së saj në favor të realizimit të konfederatës Ballkanike.
Së pesti, shfrytëzoi aktivitetin tim në dëm të vijës së Partisë dhe udhëheqjes së saj. Gjatë kohës që Koçi Xoxe ishte ministër i Punëve të Brendëshme dhe unë kisha zhvilluar një aktivitet të gjerë si kuadër me përgjegjësi, siç thashë, në forcat e Divizionit të Mbrojtjes. Në përgjithësi këto shfrytëzoi ai për të më vënë në shërbim të jugosllavë duke dalë hapur në këtë mënyrë për qenien e tij në shërbim të jugosllavëve. Për të forcuar besimin që unë të pranoja të hyja në shërbim të jugosllavëve, më thotë gjithashtu se nga Dushan Mugosha kishin qenë rekrutuar në shërbim të agjenturës jugosllave edhe Mehmet Shehu e Fiqret Shehu. Përfundimisht, pasi pranova, i dhashë një deklaratë që pranoja bashkëpunimin, më dha pseudonimin ‘Mëhilli’ për mua, gjithashtu, për veten e tij, më dha dy pseudonime, ‘Çardhaku’ dhe ‘Batani’…. Duke qenë lidhje direkte me Mehmet Shehun dhe Fiqret Shehun, pozicionin armiqësor të të cilëve, siç shpjegova , ai e dinte mirë që kur ishte në Brigadën e Parë Sulmuese, kur Mehmet Shehu erdhi ministër i Punëve të Brendshme, ai më vuri në shërbim të tij. Gjithashtu, në shërbim të tij në këtë kohë është vënë edhe Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Beqir Balluku, Panajot Plaku, Llambi Ziçishti, Fiqret Shehu e të tjerë….Si e kam marrë vesh, vënien në shërbim të agjenturave të huaja të Mehmet Shehut:
Së pari, siç e thashëm, e kam marr vesh që ai ishte vënë në shërbim të agjenturës jugosllave nga Dushan Mugosha.
Së dyti, e kam marr vesh nga proceset që ishin zhvilluar deri atëhere kundër agjentëve të ndryshëm të agjenturave të huaja, domethënë, deri sa erdhi si ministër, në kohën e Koçi Xoxes.
Së treti, e kam marr vesh nga Llazar Papastoli, i cili ka qenë bashkëpunëtor me Mehmet Shehun në shkollën e Hari Fulcit. Kanë qenë njerëz të afërt të tijë dhe që të dy ishin vënë në shërbim të tij. Këtë ma ka thënë vetë Lari Posti, domethënë ky Llazar Papapostoli. Llazar Papapostoli, prej vitesh kishte emigruar në Amerikë dhe në kohën e luftës, në mënyrë enigmatike, erdhi në Shqipëri. Natyrisht, pëor ti shërbyer agjenturës amerikane. Me ‘të mu dha rasti të takohem në shtëpinë e një miku në Tiranë. Ai, pasi më foli për Mehmet Shehun, siç thashë, kërkoi nga unë që ti organizoja një takim me ‘të. I thashë e kam të pamundur se unë nuk e njoh, edhe nuk e njihja… Atëherë ai ishte zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Kështu që i thash nuk ta plotësoj dot dëshirën. Kështu e njoha unë pozicionin e Mehmet Shehut në shërbim të agjenturave të huaja. Më vonë, kjo njohje u thellua gjatë veprimatrisë që kam zhvilluar në kuadrin e organizatës puçiste, kundër revolucionare të kryesuar prej tij. Gjithashtu, siç thashë, një nga anëtarët e organizatës puçiste kundër revolucionare të kryesuar nga krye agjenti Mehmet Shehu, është dhe Fiqret Shehu. Për Fiqret Shehun e kam marrë vesh që është vënë në shërbim të agjenturës jugosllave nga Dushan Mugosha. Duke qenë si e tillë, domethënë agjente në shërbim të zbulimit jugosllav dhe si bashkëshorte e Mehmet Shehut, ajo ka qenë një nga pjesëtaret më aktive të organizatës sonë dhe siç e vija re, ajo dinte, ajo futesh kudo, fuste lugën në çdo gjellë… Bile, siç e vija re në kohën që më jepej rasti të futesha për punë kur ishte ministër dhe më vonë, ajo dinte dhe për çështje të Sigurimit dhe për çështje të tjera. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Unë Mihallaq Ziçishti, gjatë kohës që kam punuar në Devoll, jam përpunuar në dy drejtime kryesore ideologjike… Në drejtimin pro jugosllav jam përpunuar nga të deleguarit që vinin dhe nga përgjegjësi që kishte Myzafer Spaho, e në drejtimin pro amerikan, nga Jorgo Plaku, i cili ka qenë agjent i amerikanëve i rekrutuar nga Hari Fulc në kohën që ka qenë në Shkollën Teknike të Fucit”
SOM 2
“Koçi Xoxe, për të forcuar besimin që unë të pranoja të hyja në shërbim të jugosllavëve, më thotë gjithashtu se nga Dushan Mugosha kishin qenë rekrutuar në shërbim të agjenturës jugosllave edhe Mehmet Shehu e Fiqret Shehu. Përfundimisht, pasi pranova, i dhashë një deklaratë që pranoja bashkëpunimin. Më dha pseudonimin ‘Mëhilli’. Gjithashtu, për veten e tij, më dha dy pseudonime, ‘Çardhaku’ dhe ‘Batani’”
SOM 3
“Gjithashtu, një nga anëtarët e organizatës puçiste kundër revolucionare të kryesuar nga kryea gjenti Mehmet Shehu, është dhe Fiqret Shehu. Për Fiqret Shehun, e kam marrë vesh që është vënë në shërbim të agjenturës jugosllave nga Dushan Mugosha. Duke qenë si e tillë, domethënë agjente në shërbim të zbulimit jugosllav dhe si bashkëshorte e Mehmet Shehut, ajo ka qenë një nga pjesëtarët më aktive të organizatës sonë, e siç e vija re, diktonte realizimin e skenarit”
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshmia e Mihallaq Ziçistit në gjyq lidhur me rekrutimin e Kadri Hazbiut si agjent i jugosllavëve e më pas i rusëve dhe përpjekjet për zgjerimin dhe fuqizimin e grupit, me qëllim rrëzimin e regjimit komunist.
-Plenumi i 8-të i Komitetit Qendror; si u realizua skenari për ‘djegien’ e Koçi Xoxes si anti jugosllav me qëllim përforcimin e pozicionit të Mehmet Shehut që ishte kryetari i grupit.
-Dëshmitë e të pandehurit Ziçishti lidhur me nxitjen e arratisjeve masive, me qëllim destabilizimin e situatës në Shqipëri.