1. Qan me lot një gur i thinjur!
Tani shkoj në fshat pa zhurmë,
se syri m’u mjegullua,
qan me lot një gur i murmë,
qan për vete-qan për mua.
Trupin drejt s’e mbaj më dot,
m’u venitën sytë e zinj,
guri i murmë derdhi lot,
dhe nga fati im u thinj.
Trokëllij ngadalë me shkop,
në qilim të Luarisë,
bëj t’i ngjall e s’i ngjall dot,
kujtimet e miturisë.
Në rrugicën me barishte,
jap e marr të bëhem djalë,
në një këngë labërishte,
them të tretem dalëngadalë.
Në një këngë labërishte,
them të rri-e them të tretem,
të tretem si rreze drite,
dhe përjetë aty të mbetem.
Të më gjejnë si mjaltë i tretur,
gjithë ata që dot s’më panë,
në Labovë ende ka mbetur,
për poetin një kambanë.
Për poetin një kambanë,
një kandil-një qiri,
ju të gjithë merrni dynjanë,
unë këtu përjetë do rri.
Unë këtu përjetë do mbetem,
në rrjetat e dashurisë,
do më bëhem Monument,
Gur i murmë i Luarisë.
Te ky prag e te ky krua,
buza kurrë s’më është nginjur,
qan për vete-qan për mua,
qan me lot një gur i thinjur.
2. E gjithë jeta…
Njëqind vite po të rrosh,
dhe njëqind e një,
ca maraze edhe derte,
mbeten ç’ke me të!
Dikush jetën e ka tepër,
tjetrit s’i mjafton,
si në pasqyrë mjegullore,
e gjithë jeta shkon…
Si në pasqyrë mjegullore,
tretet lamtumira,
lum ai që këtë jetë,
bëri veç të mira.
Lum ai që në këtë jetë,
na dha ujë në vapë,
jetën tjetër nuk e dimë,
që t’ia nisim prapë.
Lum ai që këtë jetë,
s’bëri dëshpërime,
jetën tjetër nuk e dimë,
të bëjmë korrigjime.
16 Gusht 2017
Si gjithnje llagar, mendime shpehur-Poeti..
Poeti qe vec, mbrodhesi lakonte..e tija- PENE,
I madhi te mbedhenjve Poeti;Arben Duka … Ndiese Paste!vepra e Tij,MONUMENT mbete ! Si-*Guri Naimitt* mes Dangellise Naimjane-Monument; Areben Duka,SHKENDIJE e pejetshme do te jetw! Dhimbia e madhe POPULL me Te dhe VEPREN e Tij! Nga Toronto *Pasuesit Veterane*-jane e-do te JENE !