Gjithë jetën…
Në jetën time-moj mike,
njoha borën edhe brymën,
edhe flladet romantike,
por asgjë s’ma zuri frymën.
Ato fllade që më frynin,
vesë lulesh nëpër sy,
si ato petale binin,
sapo kthehesha tek ty.
S’kam bërë mëkate në jetë,
siç thotë botë e çoroditur,
në kam bërë një gjë vërtetë,
them se isha i mërzitur.
Më tutje fjalën ç’ta ngasim,
ecëm tok e patëm fat,
njerëzit nga mërzia vrasin,
jo më unë-pakëz mëkat!.
S’ja vlen më që të llafosim,
ato vite që janë tretur,
bashkë e nisëm e do sosim,
këtë rrugë që na ka mbetur…
Unë jam rob i bukurisë…
I përpi hiret e tua,
po s’ndihem aspak në faj,
unë të bukurën e dua,
them se jam një rob i saj.
S’ka nevojë të jesh poet,
me zjarr e me fantazi,
që një ylle të vërtetë,
ta zhveshësh vetëm me sy.
Ta zhveshësh vetëm me sy,
ta shikosh si ta ka ënda,
përsëri e përsëri,
thesaret që fsheh përbrenda.
Thesaret që fsheh përbrenda,
përmbi ta ti të harrohesh,
mos ki frikë se s’të lë zëmra,
mos u tremb se nuk verbohesh!
2 Gusht 2017