Raportet e politikës me qytetarin ndonëse konsiderohen se duhet të jenë korrekte, transparente dhe në dobi të këtij të fundit, realiteti shpeshherë sjell përmbysje të skemës klasike të dëshiruar. Fushatat elektorale janë momenti më i rëndësishëm, ku devijimi nga realiteti nëpërmjet deklaratave, shprehjeve dhe fakteve të përdorura, është një nga mjetet politike makiavelike në funksion të mbajtjes apo ardhjes në pushtet. Nga ky fenomen, nuk kanë shpëtuar as drejtuesit e BE-së dhe një sërë politikanësh drejtues, në të gjithë vendet anëtare të saj.
Fillimi i fushatës elektorale për zgjedhjet e Parlamentit Europian ka sjellë dhe krijimin e një mekanizmi, që monitoron dhe verifikon faktet e deklaruara nga liderët politikë, përgjatë fushatës elektorale. “FactcheckEU” është krijuar nga bindja se, BE duke qenë një hapësirë gjithmonë e më shumë e integruar, mundësia e verifikimit të argumenteve të përdorur në debatet publike është tejet thelbësore. Qëllimi është zgjerimi në maksimum i debateve në Europë, duke i bazuar më tepër në realitetin e shifrave dhe të fakteve, se sa në steriotipe dhe paragjykime.
Monitorimi deri më tani ka sjellë një sërë deklaratash të pavërteta, ndër të cilat spikasin edhe deklaratat e Presidentit të Parlamentit Europian Martin Schulz, i cili është edhe kandidatura e shpallur nga PES për postin e Presidentit të Komisionit Europian. Deklaratat e tij, prekin disa fusha: situata ekonomike, evazioni fiskal, impakti i legjislacionit të BE-së në vendet anëtare.
“Ne kemi një problem të madh me evazionin fiskal. Çdo vit, 2 trilion euro humbasin në 28 vendet anëtare”,- deklaron Schulz, gjatë fushatës në një prej vendeve anëtare.
Sipas verifikimeve të kryera nga stafi monitorues, shifrat e përdorur nga Schulz janë larg realitetit. Komisioni Europian në faqen e tij të internetit mbi taksimet dhe unionin doganor vlerëson se BE mund të humbë rreth 1 trilion euro në vit si pasojë e evazionit fiskal. E njëjta e dhënë figuron edhe në serverEuroskop.
Deklarata të tjera të kryera nga Schulz, si ato mbi situatën ekonomike, vijojnë në të njëjtën logjikë dezinformimi. Gjithashtu vlerësimi që Schulz jep mbi impaktin legjislativ të BE-së mbi vendet anëtare, se “70% e legjislacionit të vendeve anëtare vjen nga BE”, është konsideruar e pavërtetë. Përqindja aktuale e impaktit të legjislacionit që buron nga BE vlerësohet sipas studimeve të kryera në 15.5 % për Britaninë e Madhe, 14% për Danimarkën, 10.6% për Austrinë, ndërmjet 3 dhe 27 % për Francën, ndërmjet 1 dhe 24% për Finlandën dhe 39.1 % për Gjermaninë. Por, gjithsesi kjo ngelet një fushë e vështirë për t’u llogaritur saktësisht.
Deklarata të tilla që konsiderohen, se synojnë rritjen e vlerës aktuale të BE-së, janë vëzhguar edhe te Komisionerja për Drejtësinë në BE, Viviane Reding. Por, ajo që konsiderohet si absurde është fakti se të dy krahët, pro dhe anti-BE po diznformojnë me të njëjtën metodë, mbi të njëjtën temë, por në kahe të ndryshme: njëri kah pretendon se BE ka impakt në 70% të legjislacionit në vendet anëtare dhe kahu i kundërt thekson faktin se, si BE ndikon negativisht në jetën e qytetarit të saj, pikërisht nga ky 70% i legjislacionit që sipas tyre imponohet nga BE.
Pasaktësi dhe dezinformime vihen re edhe në deklaratat e kryera nga Presidenti aktual i Komisionit Europian José Manuel Barroso, si edhe nga pretendenti i PPE-së për postin e Presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, etj.
Ndërsa në nivel drejtuesish politikë në vendet e ndryshme anëtare, vërehen dezinformime në deklaratat e liderit të UKIP në Britani, Nigel Farage partia e të cilit po lë mbrapa konservatorët e Kamerun, deklaratat në Francë të Marine Le Pen partia e së cilës gjithashtu renditet në vend të dytë në sondazhe, duke lënë mbrapa socialistët e Hollande, Beppe Grillo në Itali, etj.
Por, çfarë po ndodh realisht dhe a kemi të bëjmë me një propagandë politike mbi fakte të dyshimta dhe si po transformohet ky realitet në mbështetje votash në elektorat?
Sigurisht, që këto konstatime dhe vëzhgime konfirmojnë faktin e një politike irreale, e cila ka zgjeruar gradualisht terrenin e saj në elektorat, duke e transformuar atë. Nëse prezantimi i fakteve të pavërteta nga klasa politike, synon krijimin e një perceptimi të rremë në opinionin publik, ky fenomen komplikohet më tej, kur spektri vijon drejt prezantimit të fakteve mbështetëse të ideologjive ekstreme.
Ajo çfarë është konstatuar në shumë vende, është se propaganda ideologjike e partive të ekstremit të djathtë e mbështetur në fakte të diskutueshme, ka shkaktuar një rrëshqitje të klasës kryesore politike drejt këtyre politikave. Kjo rrëshqitje vërehet si në ashpërsim të retorikës, por edhe në aplikim politikash shtrënguese, që gjenezën e tyre e kanë pikërisht tek ky ofrim faktesh të pavërteta. Kjo situatë është vëzhguar në Francë, Britani e Madhe, Danimarkë, Holandë, etj. Në një skenë politike, vështirësia për të monitoruar çdo fakt dhe argument, që mbështet ideologjitë përkatëse, sidomos të kahut ekstrem, shndërrohet në një problematikë, që arrin të prekë kufijtë dhe principet demokratike të funksionimit të një shoqërie. Përtej thyerjes së kësaj skeme, logjika domosdoshmërish ngre një pyetje të nivelit retorik: A mund të jetë realisht funksionues morali propagandues demokratik, i niveleve të larta të BE-së, i ofruar si etalon modeli për vendet me demokraci të pakonsoliduar, ku ndër to bën pjesë dhe Shqipëria?!/im.ta/