Nostalgjia e afro një shekulli traditë teatrore vjen në ditët e sotme ku vihet re edhe një lloj krize e arteve dhe teatrit në veçanti. Tashmë të jesh aktor nuk është zgjedhja e parë dhe kjo për shkak të ekonomisë së tregut, rënies së vlerës së teatrit në funksion të kënaqësisë estetike të publikut dhe sidomos teknologjisë. Këto ndryshime dhe sfidat me të cilat përballet arti në përgjithësi e kanë bërë të vështirë arritjen e majave në pjesët që sillen në vazhdimësi për skenën.
Në sfidën e mbijetesës teatri “Skampa” i Elbasanit kujton me nostalgji një epokë të artë dhe tashmë një periudhë në rënie. Aktorët e rinj nuk kanë më interes të jenë vetëm të tillë dhe kjo duket në fjalët e më të rinjve që kanë provuar të aktrojnë duke hedhur edhe hapat e para. Aktorët shprehen se ka ndryshuar perceptimi mbi artin dhe interesi i rinisë, ndërsa drejtuesit shprehen se ka rënë tashmë përgjithësisht stimulimi për t’u bërë pjesë e teatrit pavarësisht përpjekjeve të mëdha të njësive vendore për ta mbajtur gjallë jetën teatrore në një qytet me traditë, siç është Elbasani.
Historia e Salsanos tregon se me talent dhe punë mund të arrihet
Muzikanti dhe kompozitori i njohur elbasanas Edmond Rrapi është ndër të parët që ka nisur një format spektakli për nxitjen e talenteve të reja. Maratona Rinore që zhvillohet çdo vit në Elbasan, është një nxitjet për talentet dhe një mundësi për të prezantuar atë çfarë të rinjtë dinë të bëjnë. Prej vitesh tashmë ky spektakël konsiderohet një konkurrim shkollash, por edhe një mundësi për furnizimin e teatrit “Skampa” me aktorë të rinj. Në një intervistë kompozitori i mirënjohur tregon vështirësitë që hasen sot si në mungesën e interesit nga të rinjtë, ashtu edhe në nxitjen për të arritur sukses.
Ju keni një rol të madh në zbulimin e talenteve të reja në Elbasan. Si e shikoni gjendjen aktualisht në furnizimin e teatrit me aktorë të rinj?
Të rinjtë sot i duan gjërat e gatshme dhe mjafton interneti që ata të mos lodhen. Të rinjtë tashmë nuk lexojnë, nuk eksperimentojnë. Rrjeti social ka bërë që të rinjtë vetëm të kalojnë kohën duke luajtur, duke u dukur dhe po i heqin kohën të marrurit me art dhe me sport. Unë e kuptoj këtë në punën time. Nëse më parë më vinin më shumë se 50 të rinj jashte maratonës që të provoheshin, ka rënë këto 5 vjetët e fundit.
A e konstatoni faktin se tashmë të bësh para dhe të bësh art konsiderohen dy gjëra të kundërta, sidomos nga të rinjtë?
Për të fituar sot mjafton të jesh një anetar partie, të marrësh një diplomë, dhe diplomat dihet si merren, dhe të bësh para. Të rinjtë nuk e kuptojnë se të bësh lekë me një profesion, do të duhet të lodhesh.
Nuk mjafton që të mbarosh një shkollë dhe ti je i talentuar përfundimisht. Ka me qindra që kanë mbaruar shkollën dhe nuk janë të gjithë të suksesshëm. Ai që është i talentuar thirret vetë, ka interes tregu vetë për të. Duhej shteti të funksiononte në disa pika. Duhet të stimulonte artin.
Në këtë kohë teatri po konkurrohet nga telenovelat. Pra, teatri duhet të ketë një supershfaqje që të tërhiqet publiku. Ne realizuam së fundi një shfaqje për 100-vjetorin dhe kishim 150 spektatorë. Ka humbur nacionalizmi, është zbutur. Po kështu duhet të ketë interes i talentuari të gjejë diku veten, të stimulohet.
Ju zbuloni shumë talente nëpërmjet Maratonës. Çfarë bëhet me këto talente pasi spikasin në këtë spektakël dhe në konkurse të tjera që zhvillohen?
Për fat të keq më pas nuk bëhet asgjë. Ne vetëm i zbulojmë dhe i rekomandojmë çfarë të bëjnë në vazhdim. Çdo gjë tani bëhet me pagesë dhe nuk kanë asnjë lloj mundësie për t’u futur në treg. Për të bërë një videoklip duhen minimalisht 3 mijë euro. Tani ka shumë mundësi për të marrë pjesë, por edhe atje duhet shpenzuar dhe janë familjet që duhet të sakrifikojnë.
Është e vërtetë që edhe prindërit nuk i stimulojnë fëmijët të ndjekin rrugën e artit?
Nuk dëshirojnë në art, pasi e konsiderojnë rrugë pa krye. Askush nuk e pranon të fitojnë lekë ngadalë. Të fitosh lekë me art është shumë e vështirë dhe këtë e bëjnë të talentuarit.
Ju jeni vëllai i një prej figurave qendrore të humorit sot, Salsano Rrapi. Ai do të bëhej i njohur për Elbasanin pikërisht nëpëmjet Maratonës. Kur e ka filluar Salsano rrugën e aktrimit?
Ai është aktivizuar qysh 5 vjeç në qendrën kulturore të fëmijëve. Fillimisht e filloi me violinën dhe më pas me firzamonikën. U përfshi më pas në aktrim rreth moshës 10 vjeç në estradën e qytetit të Cërrikut me role të ndryshme për fëmijë. Më pas kaloi në teatrin për të rritur me një pjesë të regjisorit Tomorr Shishmani. Më vonë bëri me dhjetëra shfaqje dhe mori pjesë në Maratonën e Elbasanit. Ishte ajo që e bëri të njohur në Elbasan. Ai u bë më pas një nga aktorët kryesorë. Pjesëmarrja në Ethet e bëri atë që është edhe sot.
Salsano është edhe shembulli se sa duhet për të arritur majat edhe kur je i talentuar. A është kjo rruga që duhet të ndjekin të rinjtë sot?
Salsano është shembulli që nëse do të arrish diçka, e arrin. Të rinjtë sot mendojnë se për të bërë diçka, është shumë thjesht dhe shumë e lehtë, por e kanë gabim. Vërtet është pak fati në mes, por për të bërë diçka dhe për të arritur atje ku do, duhet shumë shumë punë. Duhet pak talent dhe jashtëzakonisht punë. Të rinjtë nuk lexojnë, nuk angazhohen. Ata këngëtarë që kanë emër sot gati flinin në teatër, si: Rovena Stefa, Arbër Arapi, Miriam Gjata. Të rinjtë sot më mirë luajnë një orë poker në internet.
Si e shihni të ardhmen e teatrit Skampa?
Teatri do të ekzistojë. Teatri Skampa është gjëja më e bukur që ka qyteti i Elbasanit. Ai do ketë gjithmonë të talentuar që do ta furnizojnë dhe do vazhdojë të gjallërojë jetën artistike të qytetit.
Teatri elbasanas në fillesat e tij
Më 10 qershor 1918 me nismën e të palodhurit atdhetar Thanas Floqi, në Elbasan u formua një grup teatror i përbërë nga Thanas Floqi, Mustafa Curri, Zef Mosi, Tef Leka, Ali Cungu, Hysen Miraku, Peter Ndria, Hasan Ceka, Sif Dodbiba, Sif Popa, Hysen Miraku, Spiro Todhri, Vasil Bici dhe Kol Robja.
Pas një kohe të shkurtër përgatitjesh, më 26 korrik vunë skenë dramën e Sami Frashërit “Besa”. Kjo shfaqje u dha tri herë për publikun elbasanas, i cili e pëlqeu shumë jo vetëm nismën e grupit që vuri në skenë dramën, po edhe për lojën e aktorëve e veçanërisht për problematikën e kohës që trajtonte drama.
Më 4 gusht grupi themelues teatror merr emrin “Shoqënia Theatrore Elbasanit”, e cila zgjodhi një pleqësi me këtë përbërje: Thanas Floqi, Kryetar e Dirigjent, Hasan Ceka, Shkronjës, Tef Leka, Kontrollor, Zef Moso, plak (anëtar), Mustafa Curri, plak (anëtar). Pas zgjedhjes së pleqinisë, u hartua dhe rregullorja e kësaj shoqnie teatrore dhe menjëherë u nis puna për kryer shfaqjen tjetër teatrore.
Falë punës intensive që u krye dhe pasionit të madh që kishin vetë aktorët, më 14 gusht u vunë në skenë dy komeditë e autorit të njohur Kristo Floqi. E para mbante titullin “Dhëndër me përdhunë” dhe e dyta titullohej “Bija e Bankierit”.
Një etapë tjetër e historikut të teatrit amator elbasanas fillon pas vitit 1924. Pikërisht në këtë vit arsimtarët atdhetarë të qytetit me nismën e Abedin Çaushit krijojnë një grup të ri teatral, i cili me veprimtarinë e tij u bë shprehës i realitetit të kohës. Brenda pak kohe nga ky grup u shquan me talentet e tyre amatorët si Faik Haxhiymeri, Mustafa Shqerra, Faik Pajuni, Bukurosh Sejdini, Skënder D. Hoxha e më vonë Mustafa Shehu, Ismail Haxhimustaj, Sejdin Vyshka etj.
Në vitin 1930 u hap java e teatrit dhe e muzikës. Morën pjesë në këtë konkurs artistik trupat e Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Elbasanit etj. Grupi teatral i Elbasanit (arsimtarëve) iu përvesh punës. Po nën drejtimin e gjithanshëm të Abedin Çaushit grupi përgatiti tragjedinë “Aleksandri”. Kostumet dhe rekuizita u porositën privatisht në Vjenë. Shpenzimet u përballuan nga fitimet që ishin siguruar nga shfaqjet e dramës “Lulja e Kujtimit”.
Pasi u dha 5-6 herë në Elbasan, tragjedia “Aleksandri” u shfaq në Tiranë para jurisë filodramatik, e cila nderoi trupën e Elbasanit me Çmimin e Parë. Çmimi ishte kupë floriri me gjashtë thika e pirunj të cilat për siguri, qenë dorëzuar në arkën e Bashkisë Elbasan.
Në vitet ’30 nisur nga zhvillimi i madh që kishte marrë teatri, vjen në Elbasan një regjisor italian për të vënë në skenë tragjedinë “Aleksandri”, të shkruar nga dramaturgu i shquar elbasanas Et’hem Haxhidemi.
Meshkuj në role femrash
Nga shfaqjet teatrore të viteve ‘30, të vëna nga teatri amator i Elbasanit, është për t’u përmendur edhe një kuriozitet për periudhën kur luheshin këto pjesë. Në atë kohë vajzat nuk dilnin nga shtëpia. Kjo ishte një dukuri që mbizotëronte në të gjithë vendin. Edhe në Elbasan, pasi vajza mbushte moshën 12 vjeç, “mbyllej në shtëpi” dhe nuk e kalonte “pragun e derës” gjersa martohej. Në këto kushte aktorët e teatrit, kur në pjesën teatrale kishte femra, rolet e tyre, pra, rolet e femrave i luanin meshkujt. Kështu në dramën “Besa” kanë luajtur rolin e femrave përkatësisht Sif Dodbiba dhe Hasan Ceka dhe më vonë role të femrave kanë luajtur edhe aktorët Llambi Ndrija, Faik Pajuni e ndonjë tjetër.
Teatri profesionist
Teatri profesionist “Skampa” është krijuar zyrtarisht në 16 korrik të vitit 1962 dhe ka një kapacitet prej 292 vendesh. Premiera e parë u vu në skenë në 28 tetor të po atij viti. Trupa e teatrit “Skampa” ka vënë në skenë dramën “Shtatë Shaljanët” dhe komedinë “Njeriu që pa vdekjen me sy”, të dramaturgut rumun me origjinë shqiptare Viktor Eftimiu. Komedia me regji të Lec Shllakut, e cila u vu në skenë në vitin 1970, u ndoq nga afër nga dramaturgu Eftimiu, i cili vlerësoi lojën e aktorëve në përgjithësi, sidomos interpretimin e aktorëve Shpëtim Shmili, Robert Ndrenika dhe Haxhi Sejko. Deri në vitet 1980 trupa profesioniste e teatrit “Skampa” vuri në skenë mbi 30 drama e komedi, mes të cilave dhe shfaqjen “Familja e peshkatarit”, e cilësuar si një ndër më të suksesshmet. Të mirëpritura nga artdashësit kanë qenë dhe shfaqjet “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Dy krisma në Paris”, “Engjëjt e skëterrës”, “Turneu”, “Nepërka”, të cilat mbajnë ‘vulën’ e këtij teatri.
Lavdia nis me aktorë të tillë, si: Demir Hyskja, Robert Ndrenika, Lec Shllaku, Shpëtim Shmili, Astrit Cerma, Ermira Gjata, Olimbi Bilali, Valentina Kita, Zamira Begolli, Pirro Kita, regjisorët Spiro Duni dhe Adonis Filipi dhe shumë emra të tjerë, të cilët më pas mbajtën gjallë teatrin dhe kinematografinë në vend. Mbresa të pashlyera kanë lënë pjesët teatrore “Shtatë shaljanët”, “Udha e zavalinajve”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Familja e peshkatarit”, “Tokë e ndezur”, “Skënderbeu”, “Qytet rrethimi”, “Dy krisma në Paris” etj.
Drejtori i Qendrës së Artit, Bashkim Paheshti
“Të bëhesh aktor sot hyn tek sakrificat”
Drejtori i qendrës së Artit në Elbasan, Bashkim Paheshti, shprehet se Elbasani ka pasur një teatër me një histori të pasur dhe aktorë e regjisorë me emër. Në fillesat qysh në vitin 1917 -1918 ai u bë profesionit në vitet ‘60 dhe shënoi majat në vitet ‘70-‘80. Historia e teatrit është e mbushur me vlerësime dhe shfaqje për të mbajtur mend. Aktorë, personazhet dhe fytyrat e të cilëve janë fiksuar në kujtesën e popullit të Elbasanit, dhe jo vetëm. “Për të folur për teatrin sot është një sfidë. Të bëhesh aktor sot hyn tek sakrificat pasi nuk ka stimulimin e dikurshëm.
“Në periudhën e regjimit një aktor fitonte sa një drejtor dhe trajtimi ishte shumë i mirë. Është e vërtetë që nuk ka më prurje, por sërish vazhdojnë të dalin aktorë të mirë. Trupa teatrore ka sot katër aktorë në organikë dhe të gjithë ndjekin një jetë artistike në Tiranë. Kryeqyteti gjithmonë ka qenë një fokusim i aktorëve pasi ka më shumë hapësira, por edhe më shumë mundësi për t’u paguar më mirë. Ne si teatër kemi realizuar shumë aktivitete me qëllim nxitjen e talenteve të reja.
“Pak muaj më parë realizuam një konkurs për aktorë të rinj dhe interesi ishte i madh. Është fakt që shumë prej tyre nuk do të studiojnë për aktrim apo regji dhe kjo diktohet nga tregu i punës dhe zgjedhjes së një profesioni që familjet e konsiderojnë më të sigurtë dhe fitimprurës se arti”, përmbyll Paheshti.
Çala: Teatri duhet të jetë pararojë e një kombi
Eduart Çala është ndër aktorët që ka prekur dy kohë të ndryshme në historinë e teatrit “Skampa”.
Ai vjen nga shporta e aktorëve të teatrit “Skampa” të para viteve ‘90 dhe vazhdon të jetë pjesë e aktiviteteve teatrale në këtë periudhë duke drejtuar edhe teatrin e kukullave me një aktivitet të larmishëm për më të vegjlit. I pyetur se çfarë ka ndryshuar në dy periudhat e jetuara si artist, Çala përgjigjet se ka ndryshime të theksuara.
“Nëse para viteve ‘90 repertori zgjidhej brenda kuadrit të realizmit socialist dhe duhej t’u përmbaheshe parimeve të tij, sot mund të zgjedhësh një vepër artistike, mjafton të të kënaqë estetikisht dhe kaq. Mund të hedhësh çdo lloj mesazhi në publik. Mund të përdorësh çdo lloj zhargoni, mund të dalësh edhe nudo, mund edhe… me një fjalë, mund të bësh e të thuash ç’të duash në skenë. Mund të dalësh nga figura artistike e s’të gjen kush. Sigurisht nuk ka kufizime, por nuk mendoj se ky është arti. Arti ka qëllime fisnike, emancipon shoqërinë, paraprin jetën, e kulturon atë, e bën të barabartë me botën e qytetëruar.
Krijimtaria artistike dhe ajo dramaturgjike lë për të dëshiruar. Unë personalisht jam për tjetër lloj arti. Teatri duhet të jetë pararojë e një kombi. Investimet më të mëdha duhet të bëhen në teatër dhe sidomos në atë të fëmijëve. Ata janë e ardhmja. Po nuk mundëm të edukojmë brezin e ri me norma morale e ligjore, ky komb është i destinuar të shkatërrohet, të copëtohet. Për mua duhet të bien fuqishëm kambanat e alarmit për ta mbrojtur Shqipërinë nga copëtimi… Evropa, Evropë kurvë…?! Teatri dhe arti në përgjithësi, nuk mund të zhvillohet jashtë halleve kombëtare. Sot lulëzon çoroditja shpirtërore, prishja e familjes dhe degjenerimi total politik, ekonomik e moral.
Teatri, për mendimin tim, është në krizë, sepse është në krizë mendimi, mendimi intelektual për të shkruar dhe për të pasqyruar realisht jetën shqiptare, të vërë në qendër të konfliktit artistik plagët e shoqërisë shqiptare, dhe jo vetëm të konstatojë, por të shtrojë probleme për zgjidhje.
Kristi Kalemaj, gjimnaziste “Dhaskal Todri”
Kristi është ndër të rejat që angazhohet maksimalisht në teatër. Atë e shikon shpesh të angazhohet madje edhe në teatrin e kukullave. Pyetjes nëse e shikon aktrimin në të ardhmen ajo i përgjigjet me dëshirën e saj të madhe për t’u bërë e tillë. “Po, është e vërtetë që unë jam në fazat e para të përpjekjeve të mia për t’u bërë aktore. E kam idhull aktrimin, sepse më pëlqen të jem sa më pranë skenës dhe publikut, të luaj role të ndryshme dhe mbi të gjitha të përjetoj emocione të mrekullueshme nga duartrokitjet e publikut”.
E pyetur nëse familja e mbështet drejt kësaj rruge, Kristi shprehet se e ka këtë mbështetje dhe sidomos vullnetin për t’u bërë aktore. “Unë e kam provuar veten në konkurset që janë zhvilluar në teatrin “Skampa” dhe jam ndier e vlerësuar nga çmimet e fituara. Prindërit më mbështesin për këtë ëndërr që shpresoj shumë të më realizohet në të ardhmen.”
Rei Kasi, gjimnazist, shkolla “Konsdantin Kristoforidhi”
Të gjithë do ta vështronin Rein si një djalë çamarrok e të shkathët që arrin të marrë shumë role njëkohësisht. Ka qenë pikërisht ky detaj që e ka bërë atë pjesë të një roli dhe madje të fitojë edhe çmim. Me një sens humori ai e përshkruan në këtë mënyrë përvojën e tij të veçantë ndërsa fitonte çmim në konkursin e aktorëve të rinj. “Nga ai çmim besoj se shpëtova mirë. Gjithë ajo bombë që s’e prisja fare, mirë që s’më la ndonjë pasojë në tru (bëj shaka). Aktrimi? S’është se besoj shumë në fat, por besoj se ishte fati që më çoi në teatër. Ishte mësuesja e letërsisë në fakt që i sygjeroi “regjisores” sonë emrin tim për një rol pasi kishte lexuar pjesën.
Si fillim, e kisha çdo gjë shumë rrëmujë. Gjithçka pastaj filloi kur shkela skenën. S’do ta harroj kurrë sallën bosh, një bukuri e frikshme. Kështu filloi dashuria për aktrimin. Unë s’jam aktor, por sa herë shoh një shfaqje, mendoj si do ta luaja unë atë pjesë. Që të mos e zgjas shumë, mbas çmimit, që ishte i pari në rastin tim, filluan dhe komplimentet, dhe jo nga njerëz të çfarëdoshëm. Ishin me të vërtetë frymëzuese. Kam një dëshirë të paparë të vazhdoj për aktrim, megjithëse jetës kurrë nuk i dihet”.
Lysjena Çala, gjimnaziste “Dhaskal Todri”
“Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme. Aktrimi ka qenë ëndrra ime. Fatmirësisht m’u dha rasti të përjetoja realisht një nga pasionet e mia më të fuqishme. Ishte hera e parë që aktroja. Kujtoj me mall çdo detaj të asaj periudhe. Ka qenë thjesht unike, për të mos folur pastaj për momentin kur u shpalla fituese “aktorja më e mirë”.
Për mua as nuk mund të shikohet aktrimi si hobi. Për mua aktrimi është dëshirë e zjarrtë, pasion dhe mbi të gjitha, një ëndërr e madhe”.
Por edhe pse shprehet kështu për aktrimin, Lysjena nuk mund të marrë rrugën e studimeve në fushën e aktrimit. Ajo mendon të ndjekë një degë që i mundëson të ardhmen pasi me aktrimin nuk e mendon të sigurtë. “Jam në luftë të vazhdueshme midis thirrjes shpirtërore dhe logjikës që ma privon këtë. Siç e dimë teatri nuk është në ditët e veta më të mira. Duke qenë se unë nuk jam keq dhe me rezultatet në mësime mendoj të ndjek një degë e cila mund të më mundësojë të ardhmen.”
Aktore shume i madhe.