Përpjekja për të shpëtuar nga grabitja disa biznese për të cilat paguhej si roje, i ka kushtuar shtrenjtë një 50-vjeçari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm, kur kalimtarët gjetën të masakruar me sende të forta dhe të pajetë, pranë xhamisë në lagjen “Apolonia”, trupin e Petrit Saliaj. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore dhe grupi i hetimit me prokurorin e gatshëm. Ekspertët konstatuan se viktima ishte goditur me mjete të forta hekuri në kokë e fytyrë, por edhe në trup, që i kanë shkaktuar vdekjen. Dyshohet se motivi i krimit është tentativa e grabitjes dhe se janë marrë 45 mijë lekë në dyqanin e valutës dhe thyer dera e xhamisë. Ngjarja ka ndodhur larg nga vendi ku viktima punonte si roje i disa objekteve, ndaj edhe po hetohet nëse sulmi ka qenë ndaj tij për grabitje apo motive të tjera, e nëse ai është përpjekur të shmangë një tjetër plaçkitje.
Ngjarja
Burime nga policia bëjnë të ditur se 50-vjeçari Petrit Saliaj është gjetur i pajetë mëngjesin e djeshëm pranë xhamisë, në qendër të qytetit të Fierit. Viktima ishte i punësuar roje nate për sigurinë e një dyqani Exchange dhe disa lokaleve pranë. Sulmi mendohet se ka ndodhur afër tunelit të pallateve ku shërbente roja, ku u gjetën edhe gjurmë gjaku. Ai ka qenë ende në shërbim në atë moment. Sipas ekspertëve, dyshohet se 50-vjeçari mund të ketë parë agresorët duke grabitur biznesin dhe është përpjekur të parandalojë ngjarjen. Por aty është sulmuar për vdekje. Gjithashtu mendohet edhe pista që viktima t’i ketë ndjekur agresorët edhe i plagosur dhe ata e masakruan me sende të forta duke e lënë trupin pranë xhamisë.
Hetimet
Policia vendore tha se vdekja e 50-vjeçarit ka ardhur nga goditja me mjete të forta pas koke. Por kishte edhe plagë të tjera në trup. Gjatë kontrolleve në terren, në një kosh plehrash pranë vendngjarjes, janë gjetur edhe dy armë të ftohta, thika, që dyshohet se i kanë hedhur autorët ende të paidentifikuar. Ekspertët konstatuan edhe fraktura në gjymtyrë që mendohet se kanë ardhur nga goditjet, por ndoshta edhe përplasja me makinë nga autorët gjatë arratisjes. Saliaj punonte si roje objektesh tregtare, ndërkohë që gjatë natës së mbrëmshme është thyer gjithashtu xhamia dhe janë vjedhur 45 mijë lekë të reja në një dyqan të këmbimit të valutës. Skena e krimit përfshin 100 metra, ku ka edhe gjurmë gjaku.