Një nga surprizat më të mëdha të Pep Guardiolës që nga momenti kur u emërua trajner i Bajernit, është aktivizimi i Filip Lahm si shkatërrues para mbrojtjes, ndërkohë që pozicioni i tij i zakonshëm është ai i mbrojtësit të krahut. Në kombëtaren e Gjermanisë ai është aktivizuar në këtë pozicion vetëm në një miqësore ndaj Anglisë, në vitin 2007, kështu që 29-vjeçari ndjen nevojën për të folur për këtë çështje me trajnerin Joakim Lëv, pasi botërori po troket dhe nuk ka më kohë për eksperimente.
“Sigurisht që do ta diskutoj me trajnerin këtë çështje. Gjatë botërorit nuk mund të ketë lëvizje nga një pozicion në tjetrin, secili prej nesh do të ketë një detyrë të caktuar. Ndeshja kundër Suedisë tregoi se aktivizimi im si mesfushor qendre është një opsion, gjithsesi unë duhet ta di se cili do të jetë pozicioni im në “Kupën e Botës”. Lahm ka treguar se mund të përshtatet mirë në të dy pozicionet, por ai këmbëngul se nuk i pëlqejnë lëvizjet e shpeshta.
“Nuk më pëlqen të ndryshoj pozicion, edhe pse është e rëndësishme që një futbollist të mund të përshtatet në disa role në fushë. Në mesfushë unë ndihem mirë, sepse kam edhe më shumë influencë te shokët e skuadrës. Në të vërtetë unë kënaqem shumë si mesfushor, por nëse do të më pyesnit se cilin pozicion preferoj, do të përgjigjesha; si mbrojtës i djathtë.