Adriano Galiani do të largohet nga drejtimi i Milanit pas 28 vjetëve si krahu i djathtë i Silvio Berluskonit, një periudhë në të cilën ka arritur suksese si askush tjetër. Administratori i klubit kuqezi e kishte paralajmëruar që pas fitores me Sëlltikun dhe dje ka konfirmuar se do të largohet pas përfundimit të ndeshjeve në grupin e Champions League, ku Milanit i ka mbetur edhe ndeshja me Ajaksin në “San Siro”.
Përçarja midis tij dhe Barbara Berluskonit nuk është mbyllur, përkundrazi është thelluar edhe më tepër, ndaj Galiani nuk sheh rrugë tjetër veç largimit. “Do të largohem për një kauzë të drejtë, me ose pa marrëveshje. Jam dakord me ndryshimin e drejtimit, por duhet bërë me stil dhe jo në këtë mënyrë”, thotë administratori. Në fillim të muajit pati një takim kokë më kokë me presidentin Berluskoni, i cili jo vetëm i dha mbështetje por edhe kohë që deri në fund të sezonit për të gjetur një zgjidhje për të gjitha problemet te Milani dhe ndërkohë, ndoshta tensioni do të shuhej. Madje ish-kryeministri i ka propozuar edhe angazhimin në partinë e tij, Forza Italia, skenar që me sa duket nuk e ka entuziazmuar Galianin.
“Respekti që kam për presidentin Berluskoni është dhe do të mbetet i njëjtë. Për të ardhmen nuk kam asnjë plan dhe për momentin nuk do të pranoj asgjë nga askush”. Me bisedimet e ndërprera për një divorc me mirëkuptim mes palëve, 50 milionë euro është shifra e majme që pritet të shkojë në llogarinë e Galianit, që në gjithë këto vite ka pasur çdo rol të nivelit të lartë në drejtimin e shoqërisë.
Në 28 sezone, 69-vjeçari është parë si zëvendëspresident, administrator i deleguar dhe mbikëqyrës i sektorit komercial, pa llogaritur angazhimin e tij të mëparshëm te Mediaset, para mbërritjes së Piersilvio Berluskonit.