Rrëfim i gjeneralit 88-vjeçar për karrierën e gjatë në ushtri
Malinovski më tha: “Ç’keni ju shqiptarët, po u mbajmë me bukë. Jeni bërë si spec i kuq!” Ju përgjigja: “Shqiptarët janë popull heroik, askush s’mund t’i fyejë!”
(Vijon nga numri i kaluar)
Pohuat se në ditët dhe javët e fundit para largimit nga Moska, protogonistë të incidenteve me ju ishin dhe drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes e të shtetit sovjetik?
-Po e ilustroj këtë fakt me një nga shumë shembujt që kam përjetuar në këto vite, pikërisht atë që lidhet me Malinovskin, në shkurt të vitit 1961, në një pritje me rastin e festës së ushtrisë hungareze. Si zakonisht, pritje të tilla ishin pothuaj të përditshme në Moskë. Edhe me këtë rast ishin ftuar Atashetë Ushtarakë nga shumë vende të botës. Në të merrnin pjesë edhe ushtarakë të lartë sovjetikë, me në krye Malinovskin. Si zakonisht, ardhja e tyre të fundit në sallë tërhiqte edhe vëmendjen e të pranishmëve. Unë si zakonisht, edhe në këtë pritje, në sallë qëndroja bashkë me Atashetë Ushtarakë të vendeve të tjera. Këtu do të ndodhesha para një befasie, përplasja me Malinovskin… Për befasinë time shoh një gjeneral sovjetik të më afrohet e të më thotë se më kërkon Malinovski. Mendova se mund të kishte ndonjë problem të rëndësishëm që mund të kishte lidhje me marrëdhëniet tona ushtarake me sovjetikët, të cilat ishin në përkeqësim, e ai mund të kishte diçka për të më komunikuar dhe biseduar. Për mirësjellje dhe për postet që mbante, nuk mund ta refuzoja takimin. Kështu që shkova ta takoj…
Çfarë ndodhi në përballjen me të?
-Pa pikën e etikës e të mirësjelljes më normale, Marshalli, pa më dhënë as dorën, m’u drejtua me arrogancë me fjalët fyese: “Çfarë doni ju shqiptarët që ju kemi ushqyer deri tani dhe me qumësht, nuk mund as të bisedohet më me ju, jeni bërë si piperi i kuq…” I thashë vetëm këto fjalë: ”Shoku Marshall, në këto momente, në veten time ndjej një çudi dhe indinjatë për fjalët fyese që më thoni në adresë të popullit tim, se në fjalimet tuaja në Shqipëri, ju keni vlerësuar edhe marrëdhëniet tona në fushën ushtarake midis vendeve si dhe vlerat e popullit shqiptar. Populli shqiptar, shoku Marshall, nuk është spec i kuq, siç thoni ju tani, por popull heroik.”
Pati reagime tek të pranishmit ky debat?
-Po. I gjithë ky debat i ndezur me Marshallin Malinovski, në një rast dhe në një vend krejt të papërshtatshëm, u bë në sy të Atasheve Ushtarakë të shumë vendeve, personaliteteve diplomatike të botës, e tërhoqi vëmendjen e pothuaj të gjithëve. Ky incident ishte një sinjal tjetër se marrëdhëniet ushtarake e politike mes dy vendeve nuk kishin përmirësim, por po përkeqësoheshin më tej. Edhe ky veprim tregonte se udhëheqja e Forcave të Armatosura të Bashkimit Sovjetik, nuk ndalej para asgjëje për të na vënë edhe ne ushtarakëve shqiptarë përballë udhëheqjes sonë shtetërore e partiake. Këtë qëndrim, Marshalli Malinovski, e përsëriti përsëri ndaj nesh…
Ku dhe në çfarë rrethanash ndodhi përplasja tjetër me Marshallin Malinovski?
-Këtë e bëri përsëri Malinovski pas mbledhjes së nivelit të lartë të Këshillit Konsultativ në fund të marsit të vitit 1961 në Shtëpinë Qendrore Sovjetike në Moskë me Petrit Dumen… Tashmë gradat e gjeneralëve, gjokset e tyre plot me dekorata, autoriteti i tyre që mbulohej me forcën e madhe të ushtrisë sovjetike dhe me faktin se ne ishim përgatitur në shkollat dhe Akademitë e tyre ushtarake, u “zgjuam” pak me vonesë, por nuk na bënin më përshtypje kur ishte fjala për të mbrojtur prestigjin e atdheut tonë. Por Marshallët Malinovski dhe Greçko, si gjatë periudhës që kryeja studimet në Akademinë Ushtarake Frunxe në Moskë, edhe kur punoja në Shtabin e Bashkuar të Ushtrive të Traktatit të Varshavës, siç dëgjoja atje, ishin ngritur në detyra të larta dhe u ishin dhënë grada deri në Marshall. Hrushovi, siç njihej e siç pashë dhe unë, i mbante afër ata…
Pse më vonë këta Marshallë ndryshuan qëndrim?
-Më vonë, kur Nikita Hrushovit ju lëkundën pozitat, pra, në fund të viteve ’60-të, të dy këta Marshallë, Malinovskin e Greçkon, aq të lavdëruar nga ai, u pozicionuan kundër tij duke mbështetur ardhjen në fuqi të Brezhnjevit. Në kujtimet e tij, mes të tjerave Hrushovi evidenton: “Me sytë e mi kam parë shumë njerëz, e kam biseduar e përcjellë shumë të tjerë, por për Marshallin Greçko mund të them se ndërmjet këtyre njerëzve ai më është dukur si kameleoni më tipik.” Por nuk harroj se mes Marshallëve dhe ushtarakëve madhorë, kishte dhe shumë miq të mirë të shqiptarëve…
Kë kujtoni mes tyre?
-Marshalli Rakovski, ishte një ndër ta. Marshalli Rakovski, në Forcat e Armatosura dhe në gjithë Bashkimin Sovjetik, njihej e vlerësohej si një nga strategët e shquar që sollën fitoren në Luftën e Dytë Botërore. Ai shfaqej hapur edhe si mik i Kombit Shqiptar. Gjenerali Petrit Dume, që bashkë me ministrin tonë të Mbrojtjes Beqir Ballukun morën pjesë në vitin 1952 në një rajon të Republikës së Kazakistanit të quajtur Totskoje, në një provë me shpërthim atomik më ka treguar: “Në pritjen e organizuar me këtë rast, Marshalli Rokovski ngriti një dolli për popullin shqiptar duke u shprehur në këtë pritje se këtë dolli e pi në shenjë respekti për historinë e lavdishme të shqiptarëve. Këtë histori e mësova duke lexuar bëmat e Heroit të tyre Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në një libër të shkruar nga prifti shkodran me emrin Barleti, ju lutem ju të gjithëve këtu, ta lexoni këtë libër.” Personalisht kam dëgjuar nga punonjësit e Ambasadës sonë në Poloni se edhe kur Marshalli Roskovski(në vitet ‘50-të) ishte ngarkuar me funksionet e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Polonisë, vizitonte rregullisht ambasadën tonë dhe atje flitej për miqësinë mes popullit polka e atij shqiptar…
Nga qenia si përfaqësues i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, përplasjet e shumta me rusët e vasalët e tyre, cili është një konkluzion i shkurtër sot pas disa dekadave?
-Në kujtimet e mia për vitet e punës si Atashe Ushtarak në Moskë dhe përfaqësues i Shqipërisë në Komandën e Forcave të Bashkuara të Traktatit të Varshavës, veçanërisht për pikun e përplasjeve në datat 27 dhe 28 mars, kam hedhur vetëm disa momente që kam përjetuar. Por mes shumë kujtimeve të tjera, duke konsultuar shënimet e mia, arkivat e kohës dhe ngjarjeve të mëvonshme, arrij në këtë konkluzion: Superfuqia Sovjetike përdori në atë periudhë të gjithë arsenalin e saj ekonomik, politik, përdori presionet ushtarake edhe të agjenturës së saj për të gjunjëzuar një popull dhe një ushtri të një vendi të vogël siç ishte Shqipëria, e rezultatet dihen nga të gjithë. Ata dështuan. Siç dihet, udhëheqja e ushtrisë sonë, gjeneralët e asaj periudhe, kanë qenë në ballë të kësaj lufte.
Cilat data dhe evenimente mund të veçoni?
-Janë shumë, por unë do të përmend shkurtimisht vetëm disa prej tyre.
– Më datën 28 mars të vitit 1961, kur zhvillohej kjo mbledhje (mbledhja e fundit ku ne morëm pjesë në Traktatin e Varshavës) ne, delegacioni shqiptar morën në Moskë një radiogram nga Enver Hoxha me këtë përmbajtje: “Në mbledhjen që zhvillohet aty, mos i kurseni ata që po na sulmojnë, u bini dhe ju atyre me sopatën e dardharit!”
– Këtë mbledhje të nivelit të lartë të Traktatit të Varshavës dhe vendimet që u morën aty, vetë Nikita Hrushovi i ka cilësuar si: “Hapi i fundit që shënoi shkëputjen tonë me shqiptarët!”.
– Më 24 maj të vitit 1961, unë u ktheva në atdhe i dëbuar nga qeveria sovjetike si person “Nongrata”. Më datë 27 maj, në zyrën e Enver Hoxhës në Tiranë dhe më vonë në një nga mbledhjet e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, vetë ai e vlerësoi punën time dhe të gjithë ushtarakëve tanë që mësonin në atë periudhë në shkollat dhe Akademitë Ushtarake të Bashkimit Sovjetik si: “Qëndrim i lartë patriotik dhe i guximshëm antirevizionist!”
– Më datë 16 dhjetor 1974, siç dihet, në mbledhjen e Plenumit të VI-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, në drejtim të udhëheqjes së ushtrisë (Gjeneralëve) siç e kam provuar edhe unë, me cilësitë e prokurorit dhe të gjykatësit, na bëri dhe mua, shumë akuza. Mes tyre, ajo më kryesorja ishte gjunjëzimi para presioneve të qeverisë ruse…
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Avaria me avionin e Stalinit në udhëtimin Moskë-Pekin dhe si u evitua një tragjedi e rëndë.
Jo Marshall Rokovski e as Roskovsi por Rokosovski vilktor hoti
Po i nderuar Viktor Hoti, si gjithnje i vemendshem ndaj Ramohitove, eshte shkruar gabim nga intervistuesi sigurisht (lapsus), ne liber mund ta verifikosh, kete edhe shume gjera te tjera.
Te pershendes Magda RAMOHITO