Rrëfim i 88-vjeçarit Ramohito për vizitën zyrtare në Kinë në vitin 1954
Ramohito: “Mao Ce Duni na tha: Kina e madhe ecën si deve, ju shqiptarët si tigri që s’ndalet. Ne kemi se çfarë të mësojmë nga Shqipëria!”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në rrëfimin në vazhdim, gjeneral Halim Ramohito tregon për takimin e delegacionit shqiptar(pjesë e të cilit ishte dhe ai) në tetor të vitit 1954 me Mao Ce Dunin në Kinë. “Sigurisht, takimi më i rëndësishëm i delegacionit tonë ishte ai me Mao Ce Dunin. Ndjemë ngazëllim. Mao kishte informacion për situatën në Shqipëri, e veçanërisht për vështirësitë ekonomike. Ndërsa me mua si i vetmi ushtarak në delegacion, Mao bisedoi gjatë për luftën e popullit tonë për liri, ushtrinë heroike Nacionalçlirimtare që së bashku me aleatët solli lirinë si dhe nevojat që ajo kishte në modernizimin e saj” -tregon për ‘Dita’ gjeneral Ramohito…
Çfarë mund të na thoni për takimin me Mao Ce Dunin?
-Takimi tjetër dhe më kryesori gjatë kësaj vizite, ishte me udhëheqësin e popullit të madh kinez, Mao Ce Dunin. Ai ishte si perëndi për popullin shumë milionësh… Në një farë mënyre, edhe ne pjesëtarët e delegacionit shqiptar ishim jo vetëm kureshtarë, por dhe të emocionuar, jo vetëm se do të takonim udhëheqësin e popullit të madh kinez, por dhe se fama e emri i tij, ndonëse në një kohë të shkurtër nga çlirimi, ishte kthyer në një mit për vendasit e kishte kapërcyer shtete e kontinente. Ndjemë impresione të mëdha…
Diçka për impresionet që përjetuat?
-Të pa përshkruara… U gjendëm në vendpritjen e Maos, mes një përkujdesje dhe një shqetësimi të atyre që na shoqëronin, në Pallatin ‘Perandor’, ose në “qytetin e ndaluar“ siç njihej e thirrej në popull. U mahnitëm nga kubatura e sigurisht bukuria solemne e sallave të rralla, ku dyshemetë e shtruara me qilima të trashë e të shtrenjtë me predominim të ngjyrës së kuqe dhe pikturat e rralla të stilit kinez të varura në mure të impresiononin. Veçmas, në ato momente kur pritej të takonim e bisedonim me Maon, ishte një ndjesi e atmosferë pothuaj mistike.
Kush ishte në këtë pritje?
-Në pritjen e bisedimet e delegacionit tonë me Mao Ce Dunin, ishin dhe Presidenti i Republikës Li Shao Çi dhe Kryeministri Çu En Lai. Ishin përcaktuar dhe vendet si do të uleshim. Pas takimit me Maon, ne u ulëm nëpër vendet tona. Vetë Mao Ce Duni ishte ulur në mes të tavolinës, në një krah kishte Kryeministrin, në krahun tjetër Presidentin. Ndërsa në të njëjtën tavolinë, përballë Maos ishte ulur Ministri jonë i Jashtëm Behar Shtylla dhe ne të tjerët përkrah tij. Behar Shtylla, ishte një nga kuadrot udhëheqës të luftës nacional çlirimtare, i pajisur me një kulturë perëndimore të admirueshme, e njëkohësisht me arsim e njohuri të thella politike e juridike, veçanërisht në fushën diplomatike.
Çfarë kujtoni nga fillimi i bisedës me Maon?
-Më kujtohet që, i pari në këtë pritje, fjalën e mori Mao, duke na uruar për fitoren e popullit tonë në luftën kundër pushtuesve dhe në vazhdim, për ndërtimin e vendit. Në përgjigje, Behari e falënderoi Maon për fjalët e ngrohta në adresë të popullit dhe qeverisë shqiptare dhe i shfaqi njëkohësish edhe falënderimet për pritjen që na u bë kudo në Kinë. Pastaj Behari nënvizoi rolin e madh të Kinës në kampin socialist, si dhe ndihmën që ajo i pati dhënë dhe po i jepte Shqipërisë… Ndërkohë, erdhi radha e Maos…
Ku u përqendrua biseda e Mao Ce Dunit?
Në vazhdim e mori fjalën Mao duke theksuar: “Në emër të vendit tim, të popullit kinez, ju uroj ju e popullin mik shqiptar për fitoren në luftën Nacionalçlirimtare dhe ndërtimin e vendit!” Ndërhyn Behari, duke i theksuar mirënjohjen e Shqipërisë e udhëheqjes së saj për Kinën e Mao Ce Dunin, si në përkrahjen politike dhe rrugën e zgjedhur për rindërtimin e vendit të dalë nga lufta, rolin e madh të Kinës në Kampin Socialist e veçanërisht për ndihmat që kishte dhënë vendi i tij për Shqipërinë. Më pas, shtoi dhe kënaqësinë e popullit shqiptar për hapat e mëdha që ka hedhur Kina në ecjen galopante përpara. Aty për aty, në një situatë miqësore që mbizotëronte në ato momente, ndërhyn Mao duke thënë: “Ju shqiptarët të mbani parasysh dhe këtë kur na lavdëroni se me të vërtetë Kina dhe populli i saj janë të mëdhenj, por ajo hapat akoma po i hedh ngadalë, si të një deveje, kurse Shqipëria me të vërtetë është e vogël, por i ngjan një tigri që ecën shpejt përpara, ndaj është detyra që dhe ne të mësojmë prej vrullit të saj!” Por gjatë bisedës, përkthyesi ngeci dhe pothuaj u krijua një incident…
Cili qe incidenti me përkthyesin gjatë bisedës me Mao Ce Dunin?
-Gjatë bisedës me Maon, në një moment, na ndodhi dhe një incident i vogël nëse mund ta quajmë kështu. Përkthyesi, një djalë i ri, siç duket i impresionuar nga fjalët e Maos, nga kinezçja në frëngjisht, nuk i përktheu me saktësi. Në përkthim e sipër të shprehjes së fundit, pra kur po komunikohej(përkthehej Mao) nga përkthyesi, ndërhyn Çu En Lai. Siç duket ai e zotëronte mirë frëngjishten, e duke ju drejtua përkthyesit, saktësoi drejt shprehjen…
Si reagoi Mao në këtë situatë?
-Mao e kuptoi këtë ndërhyrje, e aty për aty ju drejtua Beharit, kryetarit të delegacionit tonë me fjalët: “Atëherë, deri tani, nuk paskemi komunikuar unë dhe ti, por ti me përkthyesin tim. Në moment përkthyesi e humbi toruan, por pas pak, gjithçka u normalizua dhe biseda vazhdoi natyrshëm. Pas bisedës së Mao Ce Dunit me kreun e delegacionit tonë, Mao nisi bisedën me mua…
Çfarë diskutoi me ju Mao Ce Duni?
-Pas bisedës me Beharin, Mao m’u drejtua mua. Kisha dëgjuar me vëmendje të madhe gjithçka u bisedua deri në ato momente. Isha i veshur me uniformën ushtarake, me gradën e nënkolonelit atë kohë. Unë isha djalë i ri, e me thënë të drejtën, uniforma ishte e bukur. Dukesha mirë e paksa më i madh në moshë se sa isha në realitet. Siç duket, sa për të hapur bisedën, ai më tha: “E shoh që keni luftuar fort kundër okupatorit të vendit tuaj me një ushtri partizane dhe keni fituar mbi okupatorin. Ndërhyra dhe i dhashë përgjigje…
Çfarë pohuat në këtë rast?
-Ju përgjigja: “Po. Me ushtrinë tonë me një efektiv prej 70 mijë vetë ne luftuam në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar dhe këtë luftë e lidhëm me aleatët e mëdhenj Anglo-Sovjetik, me luftën çlirimtare të popullit tuaj dhe fituam. Tani mbi bazën e eksperiencës së luftës sonë dhe ushtrisë së Kuqe Sovjetike, ushtrisë tuaj popullore çlirimtare, po punojmë për ndërtimin e një ushtrie moderne për mbrojtjen e shtetit tonë të ri nga disa qarqe shoviniste fqinje. Vazhduam dhe pak këtë bisedë, ndërkohë ndërhynë Çu En Lai dhe i thotë Maos se u duhej të iknin në aeroport se do të prisnin delegacionin e BRSS-së të kryesuar nga Hrushovi. Hrushovi dhe delegacioni rus po udhëtonin me dy aeroplanë specialë UL-14 dhe për arsye të mjegullës që kishte mbuluar aerodromin, u detyruan të ulen me vështirësi por pa probleme…
Cili ishte programi i delegacionit shqiptar në Kinë, pas takimit me Mao Ce Dunin?
-Thashë, që takimi me Mao Ce Dunin, qe impresionues për ne përfaqësuesit e Shqipërisë, por dhe i suksesshëm për faktin e mikpritjes, forcimit të mëtejshëm të miqësisë si dhe ndihmave, kryesisht ushqimore që Kina premtoi e dha për popullin tonë.
Pra, pas disa vizitave të tjera, merr fund dhe udhëtimi i parë i delegacionit shqiptar në RP të Kinës, pjesë e të cilit isha dhe unë, për t’ia lënë vendin udhëtimit të largët e kthimit në atdhe!”
Si u vlerësua nga Enver Hoxha e udhëheqja e kohës vizita e parë e delegacionit zyrtar shqiptar në Kinë?
-Kthimi i delegacionit shtetëror shqiptar nga Kina, pjesë e të cilit isha dhe unë, në Shqipëri, u prit me interes e vlerësime, si nga Enver Hoxha(kuptohet dhe nga radio e shtypi i kohës), ashtu dhe nga opinioni vendas. Sigurisht, miqësia e madhe mes popullit shqiptar e atij kinez, mes ushtrisë shqiptare dhe asaj kineze, vlerësimet e Kryetarit Mao Ce Dun për popullin shqiptar, luftën nacionalçlirimtare, për Enver Hoxhën, Partinë Komuniste dhe kursin e saj Marksist-Leninist, krahas të tjerave që do të bëheshin të njohura edhe në Ministrinë e Mbrojtjes e strukturat e tjera ushtarake të vendit.
Si u bë e njohur vizita në Kinë dhe situata konkrete në Ministrinë e Mbrojtjes?
-Në një mbledhje të gjerë me kuadrot kryesore ushtarake të Garnizonit të Tiranës(përfshihej dhe Ministria e Mbrojtjes), pas kthimit në atdhe, unë fola për vizitën e delegacionit tonë në RP të Kinës, mbresat, mikpritjen e vendasve, vlerësimin e Maos për popullin shqiptar, luftën tonë për çlirim si dhe për udhëheqjen e Partisë tonë të Punës e shtetit. Fakti që ishte vizita e parë e një delegacioni shtetëror shqiptar në Kinë, biseda ime me kuadrot e larta të ushtrisë u prit me interes. Ishte një eksperiencë që nuk njihej tek ne, për një popull gati një miliardësh.
Çfarë informuat ju për këtë takim rreth vizitës në Kinë e rezultatet e saj?
-U thashë, siç edhe kisha parë, se vetëm me një sinjal të radio Pekinit, bënin lëvizje trupore(gjimnastikë) me miliona njerëz nëpër sheshe, vende pune e nëpër rrugë. Ndër më të interesuarit gjatë bisedës dhe për këtë fakt, ishte Petrit Dume, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë, i pranishëm në këtë bisedë. Ai, ishte një nga ushtarakët tanë më të aftë, në luftë, e për riorganizimin e ushtrisë e mbrojtjen e vendit. E, në këtë kuadër, dallohej e kërkonte një përgatitje të lartë fizike të trupave e popullatës, në mënyrë që në një situatë luftarake të realizohej përmbushja e detyrës së vënë. Atë kohë, por dhe më vonë, “Heroi i Popullit” apo “ujku i fushave të stërvitjes” Petrit Dume udhëhiqte direkt marshime të gjata e të sforcuara si dhe shumë stërvitje të mëdha shtabesh e me trupa.
Pra, eksperienca në Kinë u aplikua në Shqipëri dhe në fushën e përgatitjes ushtarake e mbrojtjes së vendit?
-Sigurisht. U intensifikua stërvitja e vogël në efektiva si dhe u shtuan stërvitje komplekse me trupa. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, luajti Petrit Dume. Gjeneral Petriti e kuptonte mirë faktin se e gjithë taktika ushtarake përmbledh, në fund të fundit, dy elementë kryesorë: E para, lëvizjen mjeshtërore të ushtarit në fushën e luftës dhe e dyta, zjarrin me precizion po të këtij ushtari në lëvizje. Të dy këta elementë, që përbëjnë taktikën ushtarake, janë të lidhur ngushtë me përgatitjen fizike, pasi vetëm ushtari i përgatitur mirë fizikisht dhe sistematikisht, do të jetë në gjendje të bëjë lëvizje të shkathëta dhe do të qëllojë me precizion kundërshtarin në fushën e luftës, vetëm kështu ai do t’i afrohet kundërshtarit pa u diktuar. Këto lëvizje me shumë tension dhe ngarkesë të madhe fizike në fushën e luftës, mund t’i bëjë vetëm një ushtar i përgatitur mirë fizikisht dhe vetëm kështu ai mund të fitojë betejën kundër armikut të mundshëm që lufton me të ballë për ballë. (Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimi i Gjeneral Ramohitos: Vizita ime e dytë zyrtare në Kinë me Ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku në shtator të vitit 1963.
-Kush ishin 15 gjeneralët dhe ushtarakët madhorë të këtij delegacioni dhe çfarë përmbante lista e kërkesave tona për armatim, teknologji e logjistikë luftarake.
-Konspiracioni për vizitën në Kinë, ndanë më dysh delegacionin. Peripecitë dhe bashkimi i delegacionit në Karakaçi.
Mao nje cop muti ka qene … nje tradhetare … Hapja e tij me Ameriken ishte domethenese … qe do te thote se u dorezua , ju gjunjezua Amerikes … Edhe pse Kina na ndihmoi , kjo sdo te thoshte se ne duhet ti lepiheshim Mao-s … Mao duhet te kete qene nje mendje lehte …Vete shkruajti per Revizionizmin dhe vet doli revizionist … Enver beri detyren e tij , ne te miren e popullit … Kshu qe : “Prapa diellit dhe ju”