Do të ishin të mjaftueshme vetëm shtatë vite ‘të mbledhjes së borxhit’ në sektorin e evazioneve për të shlyer këtë mega-hua të dhënë nga BE-ja, në vend që të zhvateshin pensionistët dhe të punësuarit e thjeshtë
Në Greqi evazioni fiskal është një plagë e madhe. Rezultojnë miliarda euro të humbura nga buxheti i shtetit si pasojë e mosmbledhjes së taksave që kapin shifrën e 30 miliardë eurove.
Në një kohë rekord, brenda një jave, Gjykata greke lëshoi urdhrin e arrestit, gjykoi dhe në fund liroi nga akuzat gazetarin Kosta Vaksenaki. Më parë Vaksenaki kishte publikuar në revistën e themeluar prej tij “Hot doc”, listën e rreth 2 mijë evazionistëve të shtetit me llogari të larta bankare jashtë vendit.
Kjo listë i ishte dorëzuar në 2010-n qeverisë greke, e cila në atë kohë drejtohej nga socialisti Papandreu. Po kështu, në të njëjtin vit i kishte rënë në dorë edhe ministres franceze të Financave së asokohe, Kristinë Lagard, aktualisht drejtoreshë e FMN-së.
Pas zbulimeve të revistës “Hot doc”, Gjykata e Lartë e Athinës nisi një proces konsultimesh për të vendosur nëse do të ndërmerrte procedura ligjore kundër dy ministrave të Financave që kanë qenë në detyrë njëri pas tjetrit që nga 2010, periudhë gjatë së cilës u zhduk në mënyrë të mistershme dhe lista e famshme e evazionistëve.
Ministrat George Papakostantinu dhe Evangelos Venizelos mund të gjykohen si përgjegjës për mosmarrjen e asnjë mase ndaj personave që prej vitesh i shmangeshin detyrimeve të shtetit. Venizelos, lideri i PASOKU-ut, pas zgjedhjeve të majit, ku partitë e mëdha u shembën njëra pas tjetrës vendosi të mbështesë qeverinë e solidaritetit kombëtar të udhëhequr nga Anton Samara.
Greqia po vuan reduktime të rënda në paga e pensione dhe papunësia ka tejkaluar shifrën e 12.4 për qind, duke ushqyer kështu bilancet e një shteti, i cili sipas studimit të Konfindustrias greke, ka 30 miliardë euro në vit evazion fiskal. Ndihmat ndërkombëtare që i janë dhënë shtetit helen arrijnë deri në 200 miliardë euro. Do të ishin të mjaftueshme vetëm shtatë vite ‘të mbledhjes së borxhit’ në sektorin e evazioneve për të shlyer këtë mega-hua të dhënë nga BE-ja, në vend që të zhvateshin pensionistët dhe të punësuarit e thjeshtë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në javën e fundit në Greqi katër gazetarë janë arrestuar ose pezulluar nga detyra. Përveç drejtorit të “Hot doc”, dy drejtues të televizionit shtetëror u pezulluan vetëm sepse guxuan të pyesnin ministrin për Mbrojtjen e Qytetarëve, Niko Dendria, nëse kishte ndërmend të jepte dorëheqjen pas skandalit që publikoi e përditshmja britanike “The Guardian” referuar rrahjeve dhe torturave të emigrantëve në komisariatet dhe burgjet greke.
Duhet nënvizuar se në Athinë, në zgjedhjet e fundit një në dy policë ka votuar për partinë neonaziste. Një lajm i trishtueshëm ky i panoramës politike greke që çoi në parlament 21 deputetë të kësaj force politike, duke fituar mbështetjen në mesin e atyre që kërkojnë një kurban për krizën ekonomike dhe që fajësojnë për të banorët me origjinë të huaj. Në Athinë dhuna ndaj emigrantëve është kthyer në një ritual të përditshëm tashmë.
Tri ditë me parë hakerat e organizatës “Anonymous” ishin futur në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave me synimin për të nxjerrë në dritë politikat ekonomike të ndërmarra nga qeveria për t’i shpëtuar borxhit. Hakerat u përqendruan në dokumentet që trajtonin bisedimet ndërmjet qeverisë së Athinës dhe trojkës së formuar nga përfaqësuesit e FMN-së, BE-së dhe Bankës Qendrore Evropiane lidhur me kushtet që iu vunë Greqisë për dhënien e këstit të fundit prej 11 miliardë eurosh. Vendimet e para zyrtare mbi rezultatin e këtyre bisedimeve, qytetarët i lexuan të enjten në të përditshmet greke nga të cilat bëhet e ditur se do të jenë 90 mijë të pushuar nga puna në sektorin publik deri në 2016-n dhe do të ketë shkurtime të tjera në pensione dhe në pagat e të punësuarve.