Ditët e fundit opozita shqiptare, e vërtetuar si shkelësja më e madhe e të drejtave të individit, po na paraqitet si kampione e mbrojtjes së drejtësisë duke bërtitur e sharë. Në Gusht të viti 2010, këta “kampion” të drejtësisë, u ndërprenë kontratat e punës mbi 1000 punonjësve të shoqërisë “Albpetrol” pa asnjë shkak ligjor, duke i u mohuar dhe shpërblimin e vjetërsisë në punë prej 500 milion lekëve, me të cilat punësuan të tjerë punonjës, madje në numër më të madh se sa numri i punonjësve të pushuar. Ky veprim është kryer me paramendim të plotë e mendje të ftohtë nga mazhoraca e djeshme – sot opozitë me qëllimin e vetëm për të blerë vota.
Vlen te theksohet se nën pretekestin e mbylljes së vendeve të punës, kushtëzuar nga respektimi i Marrëveshjeve Hidrokarbure, mazhoranca e djeshme prej vitit 2008 deri në vitin 2010 u ka ndërprerë kontratat e punës 2144 punonjësve dhe ka punësuar 1522 të tjerë. Rezultati vetëm 622 punonjës më pak. Për këtë marifet janë paguar mbi 1,272 miliardë lekë prej të cilave vetëm rreth 20 % ka shkuar në destinacion. Pjesa tjetër prej rreth 80 % nuk u sqarua asnjëhere se përse u perdor. Dokumentet flasin se me atë fond janë paguar për një vit mbi 1500 punonjës të tjerë të shtuar, të cilët vazhdojnë të përfitojnë këtë vlerë financiare për çdo vit që mbeten akoma në marrëdhënie pune dhe deri tani “Albpetrol” ka paguar per ta mbi 4,5 miliard lekë.
Të harxhosh shuma të tilla marramendëse për punonjës që shtohen kur punonjësit ekzistues shkurtohen duke u mohuar dhe shpërblimin e vjetërsisë në pune, është shumë më tepër se abuzim. As më shumë dhe as më pak është një dënim kolektiv me vetëdije të plotë nga mazhoranca që shkoi për një pjesë të konsiderueshme punonjësish të etiketuar “të majtë” nga ish-përfaqësuesit e saj për të punësuar në vend të tyre në mënyrë masive të tjerë punonjës që në vlerësimin e ish-mazhorancës rezultonin “të djathtë” me qëllimin përfundimtar blerjen e votës tyre dhe familjarëve përkatës.
Kostua prej 4,5 miliard lekësh e vjedhur deri tani nga xhepat e punonjësve te përndjekur, përdorur në funksion të këmbimit me votë, as që ka të krahasuar me 2000-lekshat e paguar për rimbursim të biletave të udhëtimit për rreth 200 studentë. Për atë shumë marramendëse ish-mazhoranca dhe opozita e sotshme ka bërë e bën memecin.
Ankesat e kërkesat tona shkresore shumë herë të përsëritura, drejtuar Presidentit të Republikës, ish-Kryeministrit, METE, MPÇSSHB, Kontrollit të Lartë të Shtetit e deri tek ish-Drejtori i Përgjithshëm i “Albpetrol” sh.a., për të fituar të paktën shpërblimin e vjetërsisë – kanë rënë të gjitha në vesh të shurdhër ose në ndonje rast te rrallë është kthyer përgjigje pa përgjigje. Mbetemi shpresëplotë për zgjidhje sa më të shpejtë.
*Grup ish-naftëtarësh të përndjekur nga puna në vitin 2010