Sport për të jetuar shëndetshëm dhe për t’u larguar stresit? Ok, por ka forma nga me të ndryshmet e më ekstremet. Kemi bërë një vëzhgim në kryeqytet dhe kemi zbuluar një qoshe që nuk na e priste mendja. Nuk ka lagje të mëdha në Tiranë që nuk ka një palestër dhe ofrojnë brenda pothuajse të njëjtat shërbime për të mbajtur trupin në formë. Por sot do t’ju tregojmë që në kryeqytet ekziston një tjetër palestër jo e zakonshme, por shumë e frekuentuar. Në fillim edhe ne patëm pak të vështirë për ta gjetur.
Na thonë në rrugën “Ali Visha”, afër rrugës së Elbasanit, me aq shumë ndërtesa e pallate në atë zonë, dorëzohemi. Na vjen në ndihmë drejtuesi dhe menaxheri i saj, i cili vjen e na merr në hyrje të “Qytetit Studenti”. Vendi që po kërkonim gjendet në katin e parë të një pallati të ri. Është e gjitha me xhama transparentë dhe nga jashtë, duket se çfarë je duke bërë brenda. Nuk është një palestër që ka ato pajisjet që mund te keni parë në çdo vend ku jeni futur. Muret e saj janë të pjerrët dhe me gdhënja gurësh ngjitur në gjithë sipërfaqen.
Gurët janë të ngjyrave të ndryshme dhe kanë një domethënie të caktuar, tregojnë rrugët dhe vendet ku të kapesh. Muri i ngjan faqeve të një balone me pika. Dyshemeja është tre metra sfungjer, që do të thotë edhe nëse rrëzohesh nga muri, do të biesh mbi një masë të butë. Aty mjafton t’i kesh këpucët e mira dhe miqësore me këmbën, një brez shaluar dhe taktikë. Ndërsa trajneri na shpjegon palestrën, i thotë njërit prej atyre që ishin duke u ngjitur “qëndro në mur, qëndro në mur”, është e rëndësishme që dorën dhe këmbën ti vendosësh njëra pas tjetrës.
Elion Çikopano është ai që e ka parë këtë palestër qysh prej fillimit duke u ndërtuar dhje duke marrë jetën dhe gjallërinë që ka sot. Elioni vetë është jurist në profesion. Ka përfunduar studimet e larta për drejtësi, por duket se veten e ka gjetur më shumë të kacavjerrja sesa te ligjet. Në fillim e ka nisur si një pasionant i ecjeve në natyrë dhe tani është ai që i merr të tjerët jo vetëm për ecje në mal, po edhe për kacavjerrje aty ku të ofrohet mundësia. 26-vjeçari ka më shumë se gjashtë muaj që merret më këtë qoshk të lagjes “Ali Visha” dhe ia ka dalë. Ka hequr dorë përkohësisht nga profesioni për të cilin ka kryer studimet dhe e kalon kohën i lidhur me litarë në palestrën ku punon.
Këtu nuk dëgjon fjalë shqip. Klientët që ngjiten mureve janë më shumë të huaj që punojnë dhe jetojnë në Tiranë. “Të huajt e kanë shumë më të thjeshtë se e njohin si sport dhe nuk është se duan ndonjë prezantim shumë të madh. Ata kanë qëllime për të arritur, ndërkohë shqiptarët vijnë, e provojnë dhe e lënë më pas. Më shumë e konsiderojnë si eksperiencë sesa diçka që mund të merresh.”
Rock Tirana Climbing Gym është një vend ku ti bën stërvitje dhe përgatitesh për ngjitje në shkëmbinj. Por këtë vend mund ta përdorësh edhe si palestër normale. Elioni na shpjegon se gjatë stërvitjes aty vihen në punë të gjitha pjesët e trupit pa pasur nevojë që të bësh ushtrime të veçanta.
Vizitorët e saj janë si fëmijët edhe të rriturit. Climbing, po bëhet një nga sportet më të preferuara alternative. Madje edhe Lojërat Olimpike të 2020 do ta kenë në program. Janë kryesisht fëmijët e të huajve dhe këta vetë që punojnë këtu. “Njerëz të punësuar në organizata dhe institucione të ndryshme dhe që gjatë ditës bëjnë një jetë jo fort aktive.” Ndërsa për klientët shqiptarë, Elioni tregon se “shumica vijnë e provojnë dhe më pas duan shumë kohë që të rikthehen. Ka të tjerë që e kanë marrë si sport që kanë pasion ngjitjet dhe kjo palestër është duhura për ta”.
Megjithatë, po i vjen fundit periudhës së përshtatshme për ngjitje. Pasi në dimër koha nuk është e favorshme dhe për t’u kacavjerrë shërbejnë shkëmbinjtë e një dhome. Kjo palestër e ka në program që me ardhjen e pranverës, do të organizojë edhe ngjitje fundjavave. “Vendet ku mund të shkohet dhe që shihen si më të përshtatshme janë të përcaktuara”, thotë Elioni: Bovilla, që është afër Tiranës, Brari, mali i Arapit, Gjipeja. Janë pika ku mund të marrësh pajisjet e tua, të vendosësh litarin dhe të ushtrosh këtë lloj sporti.
Pas palestrës, ushtrime në terren
Të gjitha ato që mësohen në palestër, ushtrohen kur dilet në terren. Kur e pyesin Elionin nëse ka ndonjë taktikë ai tregon se si fillim duhet të kujdesesh për masat e sigurisë. Forcën duhet ta lëshosh te këmbët dhe nuk duhet ta mbash te duart se po e mbajte te duart lodhesh, pasi duart qëndrojnë lart dhe mpihen në momentin që ngjitesh. “Duhet të jesh më i lirë. Nëse rrëshqet nuk duhet të kthehesh me shpinë nga shkëmbi se mund të biesh me kokë. Duhet të jesh sa më i qetë. Duhet të ruash gjakftohtësinë.” Këto janë këshilla që u jepen të gjithëve që merren më këtë sport.
Kjo eshte koha me e bukur per tu bere njish me natyren, dhe jam pro aktivitetit fizike dhe lajmeve te tilla sensibilizuese mbi te gjitha. Faleminderit redaksia