Vrasjet për gjakmarrje pothuajse nuk përbëjnë më lajm sot, aq sa gazetat dhe TV-të fare mirë mund t’i zëvendësojnë me një counter, si ato që sheh në sheshet e botës për borxhin publik ose tonazhin e gazit karbonik në atmosferë; edhe pse, për natyrisht, familjet, miqtë dhe të afërmit e viktimave, katastrofa nuk është më pak e tillë, ngaqë i përshtatet një motivi tashmë të konsumuar.
Megjithatë, tek lexoja për një vrasje të dy vëllezërve Shkreta, në Fushë-Mamurras, më tërhoqën vëmendjen emrat e tyre, Gentian dhe Ledi; si dhe emri i vrasësit të dyshuar, Jetmir; e më në fund emri i viktimës së parë, ose i ndezësit të kësaj bombe me shpërthim të ngadalshëm: Endri (në disa gazeta ky del edhe si Indrit).
Natyrisht, këta nuk janë emra tradicionalë malësorësh, të krishterë e myslimanë qofshin, që priten mes vedi në emër të Kanunit; por emra shqiptarësh të rinj, lajmëtarë të një epoke të re që nuk erdhi kurrë.
Sidomos Gentian dhe Ledi, emra ilirë, i referohen dëshirës sonë për t’u lidhur me stërgjyshër imagjinarë e për t’u vjetëruar pak, dëshirë që vendosëm ta realizojmë nëpërmjet ringjalljes, restaurimit ose ristukimit të një fasade të rrjepur.
Nuk dimë për çfarë janë vrarë me njëri-tjetrin “gentianët” e qëmotit (unë madje nuk po jam as i sigurt nëse ky emër, Gentian, është vërtet ilir, apo sajesë jona); por dimë, përkundrazi, se një nga arsyet e modernizimit kombëtar, që u shoqërua edhe me ndërrime në zakonet e emërtimit të fëmijëve, ishte që të shëroheshin shqiptarët nga sëmundje auto-imune të trashëguara, si gjakmarrja.
Ironia, në këtë mes, është se edhe vetë Kanuni dhe përligjja morale e gjakmarrjes, madje edhe shtysa për të marrë gjak dhe për të bërë vetëgjyqësi kinse e themeluar në traditën, nuk është veçse rikthimi, në trajta groteske, e Kanunit jo ashtu siç ka qenë e ka vepruar dikur, por ashtu siç e përfytyrojnë dhe e duan komunitetet përkatëse dhe oportunistët gjithfarësh, që të ketë qenë dikur.
Kjo do të thotë se edhe ilirët e lashtë, edhe Kanunet e qëmotit i kemi thirrur e kthyer mes nesh, por në trajtat e të vdekurve të pakallur, ose të zombie-ve.
Nëse e sotmja është sintezë e të djeshmeve; nëse historia është “nëna e së vërtetës,” sikurse shkruan Cervantes-i te Don Kishoti, atëherë kjo tablo e stërgjyshëve tanë të imagjinuar, që theren mes tyre për të zbatuar parashkrimet e një kodi zakonor po aq të imagjinuar, nuk është veçse shpagimi që po vuajmë, si shoqëri, ngaqë i besojmë kaq budallisht magjisë së zezë të restaurimit, duke u dhënë të gjitha sendeve (dhe institucioneve) atributet përrallore të Feniksit.
Më fal, po prej ca kohësh po pyes veten nëse lexoj Ardian Vehbiun, apo ndonjë përdorues të emrit, për shkak të thjeshtësisë historike që kam hasur. Paska pasur kontestime të autenticitetit të Formulës së pagëzimit, ama mbasi hedh një frazë të tillë nuk jep burime. Tani nuk je i sigurt për emrin Gentian; Nuk ka pasur një Gent, mbret i Ardianëve ? Apo beson se ΓΕΝΘΙΟΥ lidhet me latinishten ..
Shpjegoi dyshimet ose mos hidh shashka.