Prej vitesh dëgjojmë se sipërmarrja shqiptare ka nevojë të ngrihet në nivelin e saj inovativ. Kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. E në të vërtetë kjo gjë është e domosdoshme dhe jetike për ta, pasi në sektorin privat SME-të zënë thuajse 80 për qind të sipërmarrjes. Kjo gjë është kuptuar qartazi dhe në vendet e Europës Juglindore po aplikohet më së miri kjo gjë, si një mundësi e mirë për të përfituar fonde nga Bashkimi Europian. Por sa në të vërtetë këto fonde shkojnë për sipërmarrjen? Sa biznesi i vogël bëhet pjesë aktive e këtyre projekteve, shkon në destinacionin final i gjithë prezantimi në tryeza të vogla? U fol para pak ditësh në një tryezë në Hotel Tirana, për nevojën inovative që ka sektori i industrisë. Të bëhesh pjesë e ekonomisë globale në të vërtetë duhet të ecësh më hapat e partnerëve të tu. Dhe janë disa indicie që ta japin këtë shtysë, bazuar kjo në disa projekte që miratohen nga Bashkimi Europian. Por pak prej tyre shkojnë në destinacionin final, kjo dhe për një fakt të dukshëm, vendet e tjera të Europës Jug Lindore marrin gjithmonë pjesën më të madhe të “tortës”, duke qenë madje të ngurtë në bashkëpunimin që afrojnë.
Si janë të ndërtuara projektet?
Vendet e Europës Juglindore përpunojnë dhe zbatojnë politikat e inovacionit me nivel të ndryshem të efektivitetit. Ka një mungesë të bashkëpunimit, kapaciteteve dhe mirëkuptimit të përbashkët të performancës se inovacionit, politikave dhe instrumenteve mbështetëse në rajon. Në këtë kontekst synohet të arrihet në një produktivitet më të mirë dhe për të arritur nivele më të krahasueshme inovacioni në mes të vendeve në rajonin e Evropës Juglindore.
Kështu synohet të krijohet një platformë komunikimi i vendim-marrësve të mbështetura nga mekanizmi i qëndrueshëm për nxitjen e inovacionit në zonën e Evropës Juglindore. Në bazë të analizës së performancës se inovacionit dhe masave ekzistuese në këto vende zhvillohet një metodologji e përbashkët për matjen e nivelit të vlerësimit të inovacionit teknologjik. Shkalla e saj matet në ato kompani, që janë përdoruesit e drejtpërdrejtë të inovacionit dhe që mbështesin masat me anë të aplikimit pilot on-line. Deri këtu cdo gjë shkon në rregull, por kur vjen cështja për zbatimin në terren, ato mbeten të vagullta me ndonjë përpjekje sporadike dhe me tërheqje të palëve në rastin më të mirë.
Të gjithë aktorët ekonomikë shqiptarë në këtë drejtim mbeten të dobët në përpjekjet e tyre. Shumë pak biznese mbërrijnë të marrin beneficet e këtyre përpjekjeve dhe sërish SME-të mbeten në nivelin e një biznesi familjar, ku jo vetëm teknologjia dhe inovacioni nuk mbërrijnë të bëhen pjesë e tyre, por dhe bilanci financiar nuk mbërrin më shumë se tek faturat e thjeshta të një shkrimi të keq dore.
Instituti Italian i Tregtisë së Jashtme, u zotua para sipërmarrësve shqiptarë që do të bëjë të gjithë përpjekjen e duhur për të sjellë në Shqipëri inovacionin për sipërmarrësit. Do mbetet thjesht një premtim tryeze, apo do ecet më tej, kjo mbetet shumë për t’u parë, në mos u harroftë që sot pas një kronike televizive, apo një lajmi të shkurtër gazete.
Roli i biznesit të vogël e të mesëm
Biznesi i vogël dhe i mesëm(SME) po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe në ekonomitë e vendeve të industrializuara. Por graviteti i rëndësisë së këtij sektori për ekonomi të vogla ku hyrja në treg e grupeve të mëdha industriale apo të shërbimeve është e rrallë për shkak të numrit të kufizuar të klientëve dhe konsumatorëve potencialë të tyre. Një model i përshtatshëm mund të ishte ai që lançoi së fundmi Komisioni Evropian ”Think Small First”(“Mendo si i vogël në fillim”), një paketë masash për ta bërë ambjetin e biznesit sa më atraktiv.
Rëndësia ekonomike strategjke e sektorit të biznesit të vogël ka kohë që pranohet gjerësisht në rradhët e ekonomistëve dhe politikbërësve. Sipas statistikave zyrtare në vendet e Bashkimit Evropian sipërmarrjet që kanë deri në 250 të punësuar, që klasifikohen si SME, kanë dhe impaktin më të madh në hapjen e vendeve të punës. Në Bashkimin Evropian më shumë se 80 për qind e vendeve të reja të punës janë hapur në biznesin e vogël dhe të mesëm. Përveç njohjes së rëndësisë së këtij biznesi, Komisioni Evropian po mundohet të reduktojë në maksimum kufizimet burokratike dhe të ndërmarrë një sërë masash për integrimin e tyre në një treg të vetëm, pra më të njëjtat kushte në të gjitha vendet.
**********************************************************************
Biznesi i vogël dhe i mesëm, realiteti në Shqipëri
Sa herë flitet për biznesin e vogël dhe të mesëm, çështja e parë që ballafaqon është mbështetja financiare për ngritjen e një sipërmarrjeje. Disa projekte me fonde garantimi të përfolura gjatë gjithë këtyre viteve nuk janë qartësuar nëse janë zbatuar si në rastet e garantimit të eksporteve apo fondi i garancisë së SME-ve. Por cila është tabloja e biznesit të vogël në Shqipëri dhe a ka një plan masasgh për veprim?
Biznesi i vogël dhe i mesëm përbën më shumë se 99 për qind të numrit total të biznesit në Shqipëri dhe në këtë pikë duket se nuk kemi ndonjë ndryshim me ekonomitë e vendeve të tjera apo dhe me vetë Bashkimin Evropian. Veçanëri thelbësore për vende me ekonomi të vogël si Shqipëria mbetet profili i biznesit të vogël dhe të mesëm, që kryesisht nënkupton nga një biznes me deri 250 të punësuar e deri te biznesi familjar i shërbimeve apo prodhimit të pak produkteve. Të dhënat më të fundit për biznesin e vogël dhe të mesëm, i gjen në anketën Strukturore pranë Ndërmarrjeve publikuar nga INSTAT. Ky aktivitet statistikor ka filluar në vitin 1998 dhe bazohet në deklarimet e ndërmarrjeve. Objekti i Anketës Strukturore është grumbullimi e përpunimi i të dhënave mbi aktivitetin ekonomik e financiar të ndërmarrjeve që ushtrojnë aktivitet në të gjithë territorin e vendit në degët: Industri, Ndërtim, Transport e Komunikacion, Tregti dhe në disa sektorë të Shërbimeve.
Struktura e SME-ve
Statistikat strukturore të ndërmarrjeve synojnë të paraqesin strukturën e aktiviteteve ekonomike nëpërmjet treguesve ekonomikë. Në ekonominë shqiptare dominojnë ndërmarrjet me 20 e më shumë të punësuar. Sipas të dhënave zyrtare mbi 60 mijë ndërmarrje janë aktive aktive dhe kanë punësuar mbi 200 mijë vetë. Këto ndërmarrje kanë realizuar gjithashtu 48.6 përqind të shifrës së afarizmit dhe 84.2 përqind të investimeve. Ndërmarrjet me 20 e më tepër të punësuar vazhdojnë të dominojnë më shumë në industri dhe ndërtim. Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar zënë 91.7 përqind të ndërmarrjeve, duke realizuar 25.9 përqind të shifrës së afarizmit. Ndërmarrjet e vogla janë dominuese në prodhuesit e shërbimeve. Prodhuesit e shërbimeve kanë realizuar 64.1 përqind e shifrës së afarizmit, ndërsa sektori i industrisë ka 34.4 përqind të të punësuarve.
Sipas Instat raporton se 50.5 përqind e ndërmarrjeve aktive janë në sektorin e tregtisë. Shifra e afarizmit nga ky sektor përbën 46.9 përqind të shifrës së afarizmit nga të gjithë prodhuesit në treg. Përfaqësim të lartë në punësim ka aktiviteti i industrisë me 68.7 mijë të punësuar. Sa i përket investimeve, sektori i industrisë ka kryer 62.1 përqind e investimeve gjithsej. Në vitin 2006, janë investuar 80 miliard lekë. Në “ndërtime dhe instalime te përgjithshme” janë investuar 51.6 përqind e investimeve gjithsej, ndërsa në “Instalime teknike, makineri e paisje” 23.9 përqind. Sektorët e industrisë, transportit e komunikacionit dhe tregtisë së bashku kanë investuar 85 përqind të investimeve në total. Ndërmarrjet me 5 e më shumë të punësuar në aktivitetet e ndërtimit dhe shërbimeve e rritën përkatësisht me 30.6 dhe 27.5 përqind shifrën e afarizmit në vitin 2006.
Numri i ndërmarrjeve aktive u rrit me 7,555 ndërmarrje, kryesisht në ndërmarrjet me 1-4 të punësuar (7,164 ndërmarrje). Të punësuarit u rritën me 9.8 përqind. Rritjen kryesore e kanë prodhuesit e të mirave me 10.6 përqind. Shifra e afarizmit ka rritje prej 11 përqind. Shitjet e të mirave e shërbimeve në vitin 2006 ishin 74 miliard Lekë më shumë se viti 2005.
Si të shpëtohen këto ndërmarrje?
Ndërmarjet e Vogla dhe të Mesme edhe në Shqipëri shihen si baza e rritjes ekonomike dhe rritjes së eksporteve për të zbutur sadopak deficitin relativisht të lartë tregtar. Ndër masat kryesore që duhet të ndërmeren lidhen me një legjislacion të veçante për SME-të, skema reale financiare, trajnime të të punësuarve për tregjet ndërkombëtare, programe të transferimit të teknologjisë dhe një mbështetje e vecantë për ndërmarrjet e mesme. Lidhur me shërbimet financiare duhet të përmirësohet aksesi i SME-ve për kredi dhe shërbime të tjera financiare duke realizuar skemat e garantimit të kredive, duke futur skema rajonale të reja të mikromikro-kreditit, duke ofruar kushte kredie lehtësuse për sektorët prioritare, duke zgjeruar skemat e qirasë financiare për skemat e lizing për blerjen e paisjeve kapitale etj. Të gjitha këto mundësi mbeten në letër, derisa projekte të tilla të jenë vec kuadër tryezash për të justifikuar fondet e akorduara.