Jemi në 101 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar dhe ai që erdhi nga Kosova me qindra luftëtarë trima për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, sot i ka eshtrat në një thes të vjetër, në një nga xhamitë e qytetit të Mitrovicës, në Kosovë. Po po, një vit më parë, e kemi raportuar këtë çështje, por edhe pse u futëm në 100-vjetorin e dytë, Isa nuk e ka një vend ku t’i prehen kockat në paqe. Këtë skandal, e pohon nipi i tij direkt që jeton në Tiranë, i cili mban të njëjtin emër me heroin tonë kombëtar. “Dita” bëri një vizitë në shtëpinë e Boletinëve. Në kontaktin e parë, sa hapëm derën e apartamentit në një nga pallatet në zonën e Bllokut, ndjejmë erën e Pavarësisë, por këtë vit më i vakët, ftesat për këtë familje janë të pakta, kjo për pasoj të mungesës së aktiviteteve…

Teksa bisedojmë me Isën 83-vjeçar, dhe gjendemi të ulur në kolltukun e sallonit, prapa nesh “na shoqërojnë” kryelartë Isa dhe Ismali Qemali, ditën e ngritjes së flamurit, 101 vjet më parë. Duket sikur po na vëzhgojnë ndërsa u hedhim herë pas here vështrimin fotografive të tyre në mur. Nuk ka se si të mungojnë në shtëpinë e nipit të Isa Boletinit, fotot e 28 nëntorit të vitit 1912. Kanë një ngjashmëri të habitshme, sytë, balli, vetullat…
Isa ynë, mbahet, por jo si një vit më parë, mosha ka bërë të vetën. Sa herë që ulet me miq dhe të afërm në këto kohë, nuk mundet kurrsesi, të mos bisedoj për këtë datë, për 28 nëntorin. Pa dyshim mes kontribuueseve më të shquar, është edhe gjyshi i tij. Ndërsa rreshton gjithë meritat e Isës, është gati të ulëras, kur kujton që eshtrat e tij, prej shumë vitesh nuk kanë gëzuar as respektin më minimal për një luftëtar të shquar të Shqipërisë, nuk kanë një varr, ku të prehen.
“Gjyshi im ishte njeri që donte Shqipërinë natyrale, atë të parëve tanë, luftoi dhe dha gjithçka për të, pasurinë, gjakun e tij, të fëmijëve dhe nipërve”. Kështu e nis fjalën pinjolli i familjes Boletini. Flet gjithë pasion për të parët. Aq sa mban shtrënguar fort pas vetes, librat që janë shkuar për të. “Is Boletini, është i vetmi Rilindas dhe atdhetar, për të cilin janë shkruar 16 libra”-shprehet ai me krenari.

Shumë herë e ka vizituar vendlindjen e gjyshit dhe të të atit, fshatin Boletin afër qytetit të Mitrovicës. Ajo kullë, ka qenë një bazë e madhe e patriotizmit edhe në kohën e luftës për çlirimin e Kosovës nga serbët në vitet 1998-1999. “Kullën e vjetër të fisit tonë, e kam ringritur pikërisht mbi ato themele që ka pasur. Tre herë është djegur kulla e Boletinëve, nga serbët dhe turqit. Shumë djem të rinj e patriotë kanë dalë nga ky fis, por ai që u shqua mbi ta, ishte Isa Boletini”. Emri i tij lidhet fort me kryengritjet e mëdha shqiptare kundër pushtimit turk, në vitet 1908-1912, pa harruar që ka rrëmbyer pushkën që me Lidhjen e Prizrenit. Por mbi të gjitha Isa, do të njihet si personi që vendosi të kontribuojë për Shqipërinë e pavarur. Besnik ndaj Ismail Qemalit, vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë, Isa Boletini futet triumfator në qytetin e Vlorës, bashkë me 105 djem të armatosur kosovarë. Më shumë se forca e tyre, vlente gjesti dhe mbi të gjitha fjala e përhapur, se Ismail Qemalin e ruante Isa Boletini dhe luftëtarët e tij. Kaq mjaftoi që edhe ata shqiptarë gjakprishur që ishin kundër pavarësisë, të mos guxonin të sulmonin plakun e Vlorës, të paktën fizikisht pasi në bisedat e shumta me Ismail Qemalin, Isai kishte dhënë besën se jeta e tij dhe e luftëtarëve që drejtonte, do ishin për Shqipërinë e lirë. Dhe në fakt, nuk e shkeli kurrë atë besë të dhënë. Ai nuk dorëzohej, nuk përulej para askujt, prandaj që në moshën 54-vjeçare, fitoi të drejtë të quhej “Bac”, një titull që nuk meritohej lehtë në ato kohë. Ja biseda interesante që bëmë me Isën e dytë…
Z. Isa, jemi në 101-vjetorin e Pavarësisë…
Jam shumë i lumtur që po jetoj në këtë vit dhe po shijoj, kontributin e gjyshit tim. Është një ngjarje e madhe historike për kombin shqiptar, por në veçanti për ne si familje që e përjetojmë më tepër, ashtu si çdo vit në fakt.
Si e njihni ju gjyshin tuaj Isa Boletinin?
Do mjaftohem, duke ju treguar vetëm një rast për të. Ai krijoi gardën e parë shqiptare në vend. Për shkak të besnikërisë dhe asaj që përfaqësonte, pasi ishte i vetmi kosovar me reputacion pranë qeverisë së Vlorës, ai shkon me delegacionin shqiptar në Londër. Mësohet se Ismail Qemali, para se te hipte në vapor i ishte drejtuar mikut kosovar: Isa, a e di që po shkojmë në Europë, nuk do ishte mirë që të vishje rroba të tjera? Sipas dëshmitarëve, Isai i kthehet: Ismail beg, kur njerëzit e Evropit vijn’ ka ne, nuk i ndrojn petkat e tyne, as na tonat s’kemi pse”! Ismail Qemali ngeli pa fjalë.
Me sa dimë, Isa Boletini nuk ka një varr apo jo?
Ai ka një varr imagjinar, por ende nuk ka një varr konkret. Keni qenë pikërisht ju që një vit më parë e keni publikuar këtë skandal, por ne sot e kësaj dita nuk ka na njoftuar kush dhe nuk dimë shumë të dhëna për eshtrat e Is Boletinit.
Po çfarë dini ekzaktësisht?
Përpara një viti kam thënë që eshtrat janë në xhamin e Mitrovicës, edhe pse ka kaluar një vit, ato gjenden ende aty. Gjenden në një thes dhe i ruan hoxha i xhamisë së Mitrovicës. Ai ka bërë shumë për Isën dhe për familjen tonë. Ne si familje, nuk dimë çfarë emri t’i vendosim këtij skandali. Të kesh një emër kaq të nderuar e ta neglizhosh deri në atë pikë sa të mos i gjesh një varrë. Për ne ky është një super skandal, po ç’të bëjmë!
Ju vetë nuk keni kërkuar që Isa Boletini të ketë një varr?
Eshtrat e tij nuk janë më në kompetencën tonë. Ai është hero kombëtar dhe varet nga shteti, ne nuk kemi asnjë lloj aksesi. Një nga këmbëngulësit e mëdhenj që eshtrat e gjyshit të mbërrinin nga Mali i Zi në Kosovë, ka qenë Ibrahim Rugova, ish-presidenti që ishte zotuar që eshtrat të preheshin në fshatin Boletin. Por në momentin që u sollën nga Podgorica me tren, policia serbe nën regjimin e Milloshevicit, kishte marre urdhër t’i ndalonte. Për çudi, nuk u gjetën pas kontrolleve të ushtruara. U fshehën në një xhami dhe qëndruan aty të paprekura, pasi ekzistonte frika se edhe nëse rivarroseshin në Boletin, pjesa e mbetur e familjes, do kalonte reprezalje. Ndërsa sot, as nuk e kuptojmë dhe as nuk e kemi një shpjegim se përse eshtrat e gjyshit, gjenden në një thes. Na kanë thënë që janë duke u bërë disa analiza ADN-je në Amerikë dhe janë duke pritur ato, pa sa mund të zgjasin këto analiza…?!
Çfarë dini ju për vrasjen e Is Boletinit?
Ai ka rënë ndryshe nga gjithë të tjerët. Nisi lufta e parë Botërore dhe Boletini gjendej ndërmjet Shkodrës e Malit të Zi. Me 23 janar 1916, në një ditë të ftohtë Isa Boletini me nëntë shoqërues, ndodhej në Podgoricë. Mendohet të ketë pasur një tradhti të brendshme dhe gisht mund të ketë konsulli francez i asaj kohe. Serbët dhe malazezët nuk ia falnin Isait atë që kishte bërë për Shqipërinë, ndaj në tërheqje e sipër, pasi nuk përballonin forcat austro-hungareze, vendosen të vrisnin pas një kurthi, atë dhe shoqëruesit e tij. Ai ngarkoi një nga nipërit, Tafilin dhe një tjetër shoqërues që të shkonin në prefekturën e Podgoricës për të marr pasaportat e tyre. Pikërisht në këtë kohë lajmërojnë Isain, se malazezët do i vrisnin nipin. Isai u nis urgjentisht bashkë me të tjerë, por shpejt e pa veten të rrethuar nga dhjetëra xhandarë. Thirrja e tyre ishte e qartë: Dorëzohu Isa Boletini, bashkë me shoqëruesit. Isai në fillim u lutet dy prej truprojave të tij të largohen, pasi ishin mjaft të rinj. Fjala e bacës nuk kthehej, megjithëse djemtë kërkuan të luftonin e të vriteshin nëse ishte nevoja, pranë tij. Mban armët e tyre të supit dhe u thotë se me të hapur zjarr të largohen, por kurrsesi të dorëzohen. Krisi pushka dhe ashtu siç dinte të shkrehte armë Isai me djem e nipër, ishte e qartë se ata që kishin ngritur kurthin nuk do dilnin pa humbje. Vritet me dy djemtë pas disa minutash shkëmbim zjarri, të vdekur mbesin edhe dy nipërit në moshë fare të re dhe tre truproja. Por gjaku i Isait do kushtonte shumë. Isa Boletini dhe luftëtaret e tij lanë të vdekur 12 xhandarë malazezë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.
Adem Boletini
Isa Boletini kishte nëntë djem dhe tri vajza. Një prej djemve të tij ishte edhe Adem Boletini, babai i Isait që rrëfen për “Dita”, historinë e familjes dhe jetës së tij. “Babai është vrarë më tre nëntor 1944 dhe asokohe, ishte me gradën kolonel. Kërkonte të luftonte, por nuk iu bashkëngjit komunistëve, pasi ishte shprehur se,” duhet të largoheshin më parë ata dy serbët (Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha), që qëndrojnë në Shqipëri, dhe drejtojnë fatet e kombit shqiptar”. Gjithsesi Adem Boletini ra në një pritë, të organizuar për atentatin e komandantit të xhandarmërisë së Shkodrës Ndrec Kola. Po atë ditë, komunistët në një trakt të lëshuar i kërkonin ndjesë familjes Boletini, pasi sipas tyre, nuk ishte synimi të vritej Ademi, por komandant Kola. “Në atë kohë isha i vogël dhe e mbaj mend pak, por Ademi kishte dhënë ndihmë të çmuar në përgatitjen e oficerëve të rinj”, shprehet Isai.
17 vjeç dhe të gjesh emrin në histori
Ai përmend emrin e gjyshit të tij, por njëkohësisht, ka edhe një Isa të vogël, nipin. Ai është djali i Adrian Boletinit. “Është normale që të trashëgohet brez pas brezi, emri i atij patrioti të shquar si Isa Boletini, ndaj e kam për krenari që djali im i vogël të mbaj këtë emër”, tregon Adriani. Ai është 17 vjeç dhe ka një emër të madh. Edhe vetë është i ndërgjegjshëm për emrin që mban dhe ndihet krenar për këtë. Djali që kemi biseduar është i treti që ka këtë emër në brezat e këtij trungu familjar. Me theksin e moshës, premton që do ta nderojë këtë emër të trashëguar dhe dëshiron, t’i ngjajë sa më shumë Isës së parë. Është patriot dhe çdo kujt që e pyet për emrin ka shumë më tepër çfarë t’i tregojë. Po ta shohësh, ka hijen e Boletinëve… Të atij Isa Boletini, që u bë krahu i djathtë dhe një nga mbrojtësit e mëdhenj të Ismail Qemalit. Për këtë emër që mban 17-vjeçari shprehet: “Pa filluar të flas akoma mirë, e dija që i përkisja një emri të madh, sa kur më pyesnin, si e ke emrin, Boletini i babit thosha, dhe jo Isi. Kishim një pjatë të zbukuruar që varej në mur, aty ishte portreti i Isa Boletinit me një vështirim të egër. Duke e parë atë, imitoja edhe unë vështrimin e atij. Po shikoja dhe filmat, për shembull, filmi “Nëntori i 2”. Gjyshi më thoshte, ja emrin e këtij mban”. Por çfarë ndodh me Isën 17 vjeç kur lexon në librat e Historisë për “veten” e tij: “Ndihem shumë krenar kur lexoj emrin e Is Boletinit dhe gjithmonë me zor pres të them diçka më tepër për atë temë, kur bëhet fjalë për të. Shumë zysha më pyesin dhe kur kemi kohë të lirë, unë u tregoj shumë për Isa Boletinin. Kanë që të gjithë kuriozitet, si zysha, si shokët dhe shoqet”. Tani ata janë dy Is në një derë, për këtë marrëdhënie 17-vjeçari pohon: “Shpesh herë ulemi bashkë dhe flasim për Isa Boletinin, ndonjëherë ulemi në ballkon dhe ai më shpjegon shumë gjëra për Isën, për familjen tonë. Gjyshi është shumë i pasionuar pas gjyshit të tij. Një moment t’ia përmendësh emrin e Is Boletinit, ai fillon edhe shpjegon gjithë historinë, një orë, dy orë…”
e kam ditur qe ISA BOLETINI ka lene reashigimtare ,por jo aq te afer!Me vjen mire qe u informova me sakte rreth familjareve te ketij heroi,patrioti te madh KOSOVAR!Poashtu e di qe eshterat e tij ndodhen ne nje vend sekret prandaj edhe nuk ka njehere varr per te sepse paskan te ntuar dhe ne fakt kan groposur armiqte tane qofshin ata edhe tradhtare varrin ku eshe planifikuar te varroset ky atdhetar i madh shqiptare!!Prandaj kjo eshte edhe arsyeja kryesore pse ISA BOLETINI sot nuk ka varr!Edhe te vdekur ia kane friken serbet ketij trimi te madh!Aq kane urrejtje te semure sa qe do te tentonin edhe me eskavator ta nxjerrnin nga varri !
Isa Boletinin ta sjelin ta varrosin ne Vlore ….atje prane Ismail Qemalit ,qe sa here te jete 28 Nendori
populli shqiptar nga gjithe Shqiperia e Madhe te vijne dhe te nderojne Ismail Qmealin dhe Isa Boletinin
..sepse gjithe jeten Isa Boletini e ka vene ne sherbim te pavarsise se Shqiperise,
dhe duke qene se ai tani i perket historise se Pavarsise , duhet te qendroje perjete aty
ku u ndertuan themelet e Pavarsise , ne Vlore , ku dhe populli shqiptar do vije ta nderoje per cdo vit
As per kete kollos shqiptar nuk u gjetka e nuk u ndertuaka nje varr ?! Turp per dy shtetet e Shqipnise. Po a do te kishte varr ma t’ ndritshem se i ketij atdhetari qe shkriu mundin dhe jeten per Shqipnine tone? Zoti na shtift mendt ne koke!
Shyqyr qe gjeta nje shkrim te mire, nje histori reale dhe nje rrefim te bukur se asgje per 101 vjetor. Faleminderit gazeta dhe ti moj gazetare se Is Boletini ka qene idhull i shqiptarve per nje shekull me radh. Duhet nje varr qe ta nderojne edhe me te rinjte
Varri i Isa Boletinit dhe te gjithe te reneve per liri, pavaresi dhe teresi tokesore te Shqiperise duhet te vendosen tek Deshmoret e Kombit ne Tirane.
JU DUHET TE MBANI SI FAMILJE VESHJEN E BUKUR TE NDERUARIT ” ISA BULETINI “DHE KESHTU KENI IDENTITET
Peticion
Presidenteve te Republikes se Shqiperise e Kosoves, Kryeministrave te te dyja shteteve, gjithe shqipetareve kudojane;
Nje varr, nje varr, nje varr per nje Hero, per nje Titan, per nje Shqipetar!!!
Ne qe zhvarrosim eshrat tona se lyp greku a italiani te tyret, ne qe sjellim nga cinimacin te ameshuarit tane per ti mbuluar me dhe memedheu,…..ne ti gjejme nje pash vend Isa Boletinit!
E kemi per detyre! E kemi per ligj! E kemi per nder!
Prgjigjuni-firmosni, te shohim……
Bravo Entela, bravo, te pergezoj per shkrimin tend, problemin qe ngre dhe historine . Isa eshte nder i yne Kombetar, turp qe e lene pa varr.
Dita, jeni me te miret!
Patriot te tille qe kan shkrire gjithcka per kombin tone numurohen me gishta.Turp per ne faqja e zeze per shtetaret qe nuk kan vlersuar deri ne sot kte figur gjigande e te ndritur te kombit tone.
Komenti u fshi nga moderatori per arsye etike.